Majtas...

Elita e të pasurve ose “e Majta kaviar”

Në Francë duke qenë se elita drejtuese e majtë është shndërruar në një elitë  e të pasurve e kanë pagëzuar me emrin “E  majta kaviar”. Ky thelb shpjegon përse e majta po humb identitetin dhe përse e majta është e fragmentuar. Votuesit e thjeshtë, të varfër apo me të ardhura mesatare nuk e ndjenë më si përfaqësuese të tyre elitën e së “majtës kaviar”. Kjo është ndër çështjet themelore që shtrohet para së majtës dhe ky është thelbi i krizës së saj. 

“..Udha njerëzore..”

Zhak Atali, i shqetësuar për fatin e së majtës, në një nga librat e tij të fundit me titull “Udha Njerëzore” duke analizuar çfarë po ndodh majtas përpiqet modestisht të japë ndihmesën e tij për “ndriçimin” e një rruge të re majtas. E një rrugë që do të përfaqësonte interesat e të majtëve që çdo ditë ndjehen të zhgënjyer e të braktisur nga ata që i drejtojnë. Në fillim të librit të tij ai shkruan ndër të tjera sa më poshtë (të formatuara në formën e 5 tezave të Atalis&eumlsmiley.
Teza 1 e Atali: “...Individualizmi ka triumfuar..”
“....Ndërkohë që pasuritë kryesore përqëndrohen në disa mijëra duar kombet humbin influencën e tyre mbi zhvillimet madhore, duke humbur njëkohësisht të gjithë mjetet për të orientuar të ardhmen e globit dhe vënë nën kontroll format e ndryshme të kërcënimeve. Individualizmi triumfon, askush nuk beson më se të ndryshosh jetën e të tjerëve është e rëndësishme për vetveten. Askush apo pothuajse askush nuk mendon se duke votuar mund të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme situata e tij.  Zgjedhjet janë kthyer në një ritual gjithnjë e me pak domethënës. Qytetarët gjithnjë e më shumë po i largohen spektaklit politik të kthyer në bajat..”.
Teza 2 e Atali: “...Politikës i mjafton vetëm një slogan e një lider fotozhenik..”
“...Asnjë lider politik serioz mesa duket nuk ka nevojë më për një projekt sepse i mjafton të bëhet president apo kryeministër, pra të ketë një post thjesht për të arritur ambiciet e tij personale. Partitë e djathta po ashtu si ato të majta nuk kanë më nevojë të kenë një doktrinë, bile as edhe një analizë të situatës, dhe akoma më pak një etikë, kur atyre ju mjafton vetëm një slogan dhe të zgjedhin një lider fotozhenik e karizmatik...”
Teza 3 e Atalisë: “... Politika po pushon të propozojë rrugëzgjidhje për qytetarët...”
“... Në një farë kuptimi politika sikur po humbet arsyen e ekzistencës së saj, ajo ngadalë duket sikur po pushon të propozojë rrugëzgjidhje për qytetarët. Te djathtët identifikohen me idealin e mbartur nga tregu, lirinë politike individuale dhe i propozojnë zgjedhësve të tyre të çlirohen nga kufizimet e fundit kolektive duke u garantuar sigurinë e të mirave dhe të drejtave individuale. Të majtët nuk kanë një projekt kaq të thjeshtë, ata nuk kanë dëshirë ti kundërvihen lirisë politike, që mund të jetë absolute, barazisë që nuk dihet se çfarë është dhe pjesëmarrjes që rrezikon të jetë vetëm e atij që i mungon...”
Teza 4 e Atalisë: “... Të majtët pa analizë, pa ambicie, pa vrull, pa ëndërr, pa asnjë program...”
E majta nuk ka më model, askush nuk beson më që komunizmi është një shoqëri ideale, pronësia kolektive mbi mjetet e prodhimit nuk është më një qëllim, planifikimi është simbol i burokracisë dhe i arbitraritetit, këshillat e punëtorëve dhe vetadministrimi definitivisht janë të pa praktikueshme. Si përfundim tregu dhe demokracia mbeten të vetmet mekanizma të vendimmarrjes kolektive. Në vendet ku akoma komunistët ekzistojnë ato nuk dinë të thonë sesi ndahet pasuria pa prekur liritë themelore. Ambientalistët nuk dinë të shpjegojnë në mënyrë të besueshme sesi mund të luftohet në mënyrë të besueshme kundër kërcënimeve të ndryshme që ata denoncojnë pa vendosur një diktaturë. Kurse ekstremi i majtë propozon t’i jepet fund ekonomisë së tregut pa saktësuar se çfarë propozojnë. Socialistët tregohen në përgjithësi më të kujdesshëm në premtimet e tyre, por nga ana tjetër ata janë pa analizë, pa ambicie, pa vrull, pa ëndërr, pa asnjë program tjetër veçse të drejtojnë vendin në shtrëngatat e çastit. Në të gjithë vendet demokratike liberalizimi politik e ekonomik po fiton terren në moralin dhe mendimin e të majtëve.
Teza e 5 e Atalisë: “... E gjithë doktrina ekonomike tradicionale e socialdemokracisë ... në dyshim..”
Partitë socialdemokrate nuk kanë dalë të padëmtuara nga kjo sjellje e papërcaktuar ideologjike. Ato janë vënë në rrezik ekzistence në Itali e Francë ndërkohë që në Gjermani dhe Angli kanë mundur të rezistojnë deri tani vetëm  se i janë nënshtruar rregullave të tregut duke hequr dorë nga të gjithë instrumentet që ata përdornin deri tani. E gjithë doktrina ekonomike tradicionale e socialdemokracisë e bazuar në ndërhyrjen e shtetit dhe rishpërndarjen e të ardhurave është vënë në dyshim. Ata jo rrallë kënaqen me “socialdemokracinë e tregut”. Dhe për ta mbyllur këtë “hutim” majtas Atali tregon një moment shumë domethënës. Në 22-23 shkurt 2002, në mbledhjen e Stokholmit, 11 drejtuesit më të lartë të së majtës evropiane deklarojnë se “ata nuk janë të djathtë”, ndërkohë që Toni Bler nënvizon për çështjen e punësimit se “i vetmi drejtues evropian me të cilin ai ndjehej në përputhje mendimesh ishte Berluskoni”.
Kriza e identitetit, “elitat e majta kaviar” jo përfaqësuese për votuesit e saj ...
E Majta po humbet identitetin e saj. Nga njëra anë njerëz jashtë politikës, kryesisht nga biznesi, por edhe nga fusha të tjera pasi kanë grumbulluar mjete të fuqishme financiare, në mënyrë të rregullt apo të dyshimtë, i janë drejtuar politikës aktive. Kjo duket në pamje të parë normale dhe shitet si hapje e partive politike. Nga ana tjetër në politikën aktive ka edhe shumë politikanë që përdorin politikën për të forcuar situatën e tyre ekonomike e financiare. Jo rrallë me influencë apo edhe të lidhur direkt me median ky grup miks i politikanëve biznesmenë apo i biznesmenëve politikanë kanë filluar gradualisht të jenë vendimtarë në vendimmarrjet në politikë. Nuk janë të rralla raste kur në këtë amalgamë shfaqen apo kamuflohen elemente e dukuri korruptive apo kriminale. E thënë më shkoqur është krijuar dhe po konsolidohet një klasë politike oligarke, jo përfaqësuese e interesave të votuesve, e cila rritet e forcohet vazhdimisht duke u munduar të kamuflohet me prurje të reja klienteliste apo që e duan politikën për të vazhduar e rritur bizneset e tyre të qenësishme apo modeste. Kjo ka ndodhur në të dy krahët e politikës, por relativisht më e rëndë kjo dukuri perceptohet nga elektorati i majtë. Sepse efekti në identitetin politik apo ADN politike është më i ndjeshëm majtas. Shqetësimi i tyre konstant është se ky transformim identiteti po rrit hendekun midis halleve e problemeve të tyre në rritje dhe mungesës së zgjidhjeve nga që elita e tyre ka identitet përfaqësues dhe ata janë të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë. Moralisht e ligjërisht është njëlloj i dëmshëm dhe dënueshëm, si majtas ashtu edhe djathtas ky lloj mutacioni degjenerativ. Elektorati i majtë tradicional që zë edhe pjesën kryesore, duke mbetur në situatë modeste financiaro-ekonomike për të mos thënë shpesh edhe mediokre e varfërie të thellë pret nga elita e saj të punojë për interesat e votuesve të majtë dhe jo për pasurimin individual, i cili gradualisht po shndërrohet në kriterin kryesor të promovimit politik për të zaptuar forumet partiake.. Kjo sepse hendeku midis pozicionit dhe qëllimeve të këtij grupimi dhe votuesve të majtë është bërë i konsiderueshëm. Votuesit e majtë gjithnjë e më shumë nuk shikojnë tek elita e tyre pasqyrën e vetvetes por një grupim oligark në rritje dhe akoma më keq kur forca e tyre vjen në pushtet vërejnë që interesat e tyre jo vetëm nuk plotësohet por jo rrallë herë vendimmarrjet e qeverisjeve të tyre janë në kundërshtim të hapur me interesat e tyre. Shumë votues të majtë të zhgënjyer nga kjo humbje e identiteti i largohen së majtës duke abandonuar njëkohësisht politikën, sepse e djathta nuk ka asnjë përgjigje për shqetësimet e tyre. Apo kalojnë për reagim irracional në ekstremin e djathtë.

Rrudhja, fragmentimi dhe dështimet e së majtës...

Kjo është një nga arsyet kryesore përse e majta vazhdon të rrudhet, konfliktohet për së brendi dhe përçahet. Kryesisht për shkak të një lufte jo parimore midis vetë këtyre grupimeve me interesa të ndryshme për të zotëruar kryesimin e elitës oligarke. Por ekziston edhe një përbërëse e betejës parimore, një betejë midis atyre që nuk përfaqësojnë identitetin e majtë e duan ta përdorin votën e elektoratit të majtë për të vazhduar pasurimin tanimë legal e zotërimin e plotë dhe atyre që kërkojnë siç thotë Atali ta rifusin të majtën në “Udhën Njerëzore” pra në shërbim të interesave të votuesve të majtë. Situata në disa vende duket e pashpresë, në kuptimin që rikthimi në një identitet të majtë progresist i cili do ti lejonte votuesit të majtë të zgjidhnin lirisht elitën e tyre përfaqësuese, të aftë për të kuptuar dhe zgjidhur problemet e tyre në kuadrin e globalizimit liberal duket gati i pamundur. Procesi i transformimit të identitetit duket i pakthyeshëm apo betejat për ruajtjen e identitetit rezultojnë të humbura. Por në këtë dinamikë ka një element pengues për grupimin oligark. Humbja e betejave elektorale përballë së djathtës të cilat po bëhen frekuente kudo në Evropë. Kjo është e vetmja pengesë për të gjithë ata që kërkojnë të zotërojnë “elitën e majtë” e ta transformojnë atë në “elitë kaviar”, si një mekanizëm vetëm për të marrë pushtetin por gjithnjë e më pak përfaqësues të interesave të votuesve të saj sepse shumë votues të majtë në konfuzion identiteti nuk e votojnë më të majtën ose për shkak të fragmentimit votat e majta nuk përkthehen në mandate të mjaftueshme për të mundur të djathtën. Mundet kështu “grupimi oligark” të fitojë me lehtësi beteja të brendshme partiake për zaptimin e drejtimit, por të humbasë betejat elektorale përballë së djathtës duke kaluar nga disfata në disfatë kryesisht për shkak të mungesës se identitetit. Dhe ky boshllëk ka filluar të mbushet me një të majtë moderne, ende në fazën foshnjore e të brishtë. 

 

...Në vend të përfundimit....

Kudo në Evropë e gjetiu po jepet majtas alarmi: Është koha për reflektim majtas... Në librin e Zhak Atali “La voie Humaine –Pour une nouvelle sociademocratie” (Udha Njerëzore. Për një socialdemokraci të re) jepet ky alarm. Ajo që vjen nga ky libër nuk mund të trajtohet si një fluturim futurist që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë sepse kjo është çështja më e madhe e së majtës kudo në Evropë dhe pa asnjë dyshim edhe në Shqipëri sot... Njerëzit e varfër, me të ardhura mediokre, të pakta e deri mesatare nuk mund të presin më vetëm që e djathta të humbë për të fituar e “majta kaviar”. Sepse kur “partia e tyre” me “elitën kaviar” fiton, ata kanë filluar të kuptojnë se ata nuk fitojë asgjë ose pothuajse asgjë, por pasurohet vetëm e “elita e tyre kaviar”... Ky është thelbi i disfatave të së majtës, ky është thelbi i rrudhjes dhe përçarjes së saj, kjo është arsyeja themelore që kërkohet reflektim.

2 Komente

si mjet, partite politike mundohen te krijojne perceptimin se ato (e djathta apo e majta) jane partia e duhur per te drejtuar vendin ne nje situate te caktuar. Ne disa vende ne zhvillim, si Shqiperia, situata te tilla jane egzistente gjate gjithe kohes. Psh, duam nje parti qe do ndihmoje ne zhvillimin e vendit. Ne vendet e tjera, zakonisht ato me te zhvilluarat, disa "kriza" mund te jene edhe te krijuara dhe zmadhohen duke dhene pershtypjen se nese nuk behet dicka do permbyset bota.

problemi eshte se kjo per te cilen flet autori nuk eshte dileme thjesht e nje force politike. Nuk eshte se e djathta e ka me te lehte. As akademiket nuk bien dakort per sistemin me te mire. Disa thone qe perfitimet qe mund te sjellin politikat e djathta (liberale) i kalojne problemet sociale qe mund te krijojne. Here here, keto probleme dalin ne pah dhe krijojne situata pakenaqesie, duke i bere politikat liberale te padeshirueshme. Duhet gjithashtu te kemi parasysh se thuajse gjithe vendet kane filluar majtas dhe kane levizur gradualisht ne te djathte. Per kete arsye e djathta e ka patur me te lehte te pershtatet ne kete spekter, ndersa e majta ka ndryshuar vazhdimisht duke iu pershtatur realitetit. Kjo eshte nje gje pozitive e te majtes qe autori nuk e permend.

Nderkohe, per vendet si Shqiperia, kalimi nga ekstremi i majte, ne ate te djathte nuk ishte shume gradual, perkundrazi ishte pothuajse i menjehershem. Megjithe problemet me te djathten, shkaterrimi i rrjetave sociale dhe mbeshtetjes qe jepte shteti ishte i menjehershem. Nderkohe problemet e shtresave te varfera sa kane ardhur e jane shtuar, dhe gjithashtu zhvillimi i ketyre vendeve ka ecur me aq hapa te ngadalte sa shume vete kane filluar te dyshojne nese programi i djathte eshte me i miri.

Ajo qe mendoj se mungon ne artikull eshte nje lidhje mes programit me te mire politik dhe zhvillimit te vendit. Vendet me zhvillim te vogel ekonomik kane me shume nevoje per mbeshtetje nga shteti (a.k.a. politika te majta). Me zhvillimin do te lindi nevoja per liberalizim te metejshem, pastaj perseri riperterim te mbeshtetjes nga shteti qe i pershtatet nivelit te zhvillimit dhe me vone perseri levizje djathtas. Ne kete menyre, roli i te majtes do te ishte te krijonte rrjeta sociale qe pershtaten me fazen e zhvillimit, dhe i te djathtes te shtynte perpara liberalizimin dhe krijimin e mundesive perfituese individuale (brenda kuadrit ligjor dhe etik kuptohet). Te dyja krahet do te ishin vazhdimisht ne levizje duke ndryshuar programet e tyre per t'ju pershtatur realitetit dhe nuk eshte nevoja te jene statike.

 E majta, e djathta, qendra, parti konservative, liberale, socialiste, demokrate.... bla, bla bla.... 

Ne Shqiperi se merr vesh se kush eshte majtas e kush djathtas. Ne fakt eshte e djathta qe po legalizon pronat e vjedhura me aksione populiste, ndersa e majta del me sloganin "Pertej se majtes e se djathtes", si edhe parti te tjera me nga tre kater anetare qe vazhdojne te jene ne politike vetem per ndonje kocke.

Mua si popull nuk me interesojne aspak gjithe keto teorira, sepse tek e fundit ne nje poc dhjesin. Une dua te shoh ne qeveri njerez me potencial dhe me fuqi egzekutive, qe te zbatojne ne realitet ate qe bota e ka zbatuar 60vjet me pare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).