Leksione në Orient-Express

Kundër krimit, kundër korrupsionit, për një shoqëri me shanse të barabarta për të gjithë: Një mbrëmje me ditarin e lajmeve të Radio Televizionit të Kroacisë (HRT) dhe me kryetarin Stjepan Mesic. Disa krahasime me Kosovën e pllakosur nga zezona. Dhe dy-tri fjalë për politikanin shqiptar Hasan Prishtina dhe për atë iranian Mohamed Mosadegun.

I. Çfarë presidenti!

Pas disa muajsh në Kroaci do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Kryetari aktual Stjepan Mesic, i vetmi politikan në Ballkan që meriton epitetin burrështetas, pas dy mandateve nuk ka të drejtë të kandidojë më.

Gjatë tetë viteve të fundit Mesic është bërë instancë morale e vendit të tij dhe një ndër figurat më të pëlqyera politike në Ballkan. Për dallim prej shumë presidentëve të vendeve të rajonit, Mesic nuk merret me banalitete. Pothuaj për çdo ditë kryetari kroat shkëlqen në rolin e tij si përfaqësues i interesave të njerëzve.

Kritikon qeverinë për shkak të politikave të gabuara, kërkon luftë të ashpër kundër krimit ekonomik dhe financiar, kërkon heqjen e kryqit nga çdo institucion publik me argumentin se Kroacia është vend laik, atakon Kishën Katolike për përzierje në politikë, lavdëron lëvizjen partizane kroate, e cila në Luftën e Dytë Botërore kishte luftuar kundër nazizmit dhe ustashëve kolaboracionistë; shpesh Mesic qorton politikanët në Bosnjë, të cilët synojnë shkatërrimin e këtij vendi, dhe nuk ngurron t'i bëjë thirrje Serbisë që të heq dorë nga iluzionet për risundimin e Kosovës.

Çfarë presidenti! Stjepan Mesic është një shembull i shkëlqyer se si duhet të jetë kryetari i një shteti: qytetar në njërën prej pozitave më të larta të vendit dhe përherë në shërbim të shoqërisë. Deklaratat e tij janë përherë kuptimplota dhe të rrallë janë ata që nuk pajtohen me kryetarin.

II. Krimi dhe ndëshkimi!

Asnjë qëndrim i Mesicit nuk mbetet pa u regjistruar nga Televizioni i Kroacisë (HRT), i cili - përkundër vështirësive - e meriton cilësimin „televizion publik në shërbim të qytetarëve".

Ditari qendror i Televizionit të Kroacisë në orën 19:30 nuk fillon me propagandë si gjetiu në Ballkan, por me raporte kritike mbi punën e institucioneve. Të enjten lajmet filluan me një skandal në shëndetësi.

Shefi i dializës në spitalin „Rebro" të Zagrebit dha dorëheqje për shkak se Ministria e Shëndetësisë kishte konstatuar parregullsi në shërimin e pacientëve. Largimi i tij erdhi pas protestave të shoqatës së pacientëve të dializës dhe personave me organe të transplantuara.

Për dallim prej Kosovës në Kroaci protestat e shoqërisë civile dhe të shoqatave të ndryshme kanë efekt. Në pothuaj çdo vend ka keqpërdorime (madje edhe në Zvicër), por kur zbulohet një skandal, atëherë reagojnë institucionet, drejtësia, policia, politika. Pra, krimi sanksionohet.

Në Kosovë është e kundërta: zbulohet skandali (p.sh. gjykatësi duke marrë ryshfet), mileti përzien makiato me lugë plastike dhe thotë: „A po shihni çka u bë?", por ditën tjetër gjithçka mbulohet nga heshtja dhe tmerri vazhdon, vjedhja vazhdon, krimi zgjerohet, retorika e stolisur me trëndafila lulëzon.

Dalin politikanët para medieve dhe thonë: „Kosova është vend stabil". Stabil në krim të organizuar dhe të paorganizuar, po! Stabil në keqpërdorim e manipulim tenderësh, po! Stabil në kontrollin e medieve, po! Shumë stabil në mbrojtjen e gazetarëve të korruptuar, po!

III. Fundi i së keqes!

Ngjashëm si Kosova edhe Kroacia ka kaluar nëpër periudha të rënda të luftës dhe shkatërrimeve. Edhe në këto vise njerëzit me muskuj janë pasuruar ilegalisht, kanë vjedhur dhe kanë blerë për „pesë pare" ndërmarrjet gjatë privatizimit. Por, dhe këtu qëndron prapë dallimi mes Kosovës dhe Kroacisë, çdo krimi i vjen fundi.

Në lajmet e HRT-së të ditës së enjte shikuesi mëson se Qeveria kroate ka vendosur t'i qërojë hesapet me krimin dhe me kriminelët e pasuruar në fillim të viteve 90-të. Zonja e dorës së hekurt, kryeministrja Jadranka Kosor, deklaroi se nuk ka më të paprekshëm.

Qeveria i ka propozuar Kuvendit të plotësojë Kushtetutën me disa nene, të cilat i lejojnë shtetit të konfiskojë pasurinë e banditëve, gjeneralëve, komandantëve, politikanëve, patriotëve të vetëshpallur - pasuri që ata e kanë fituar përmes keqpërdorimeve.

Po ashtu në Kushtetutë do të përcaktohet se krimet ekonomike nuk mund të parashkruhen më (domethënë s'mund të mbesim të padënuara me kalimin e një kohë të caktuar që parashikohet me ligj). Në Kroaci tani do të jetë e mundshme që përfituesit nga keqpërdorimet ekonomike të nxirren para gjyqit. Këto janë kushtet që i dikton Bashkimi Evropian.

IV. Vjedhësit e vagonëve!

Në Kosovë ekziston iluzioni se kështu, me qeverisje të dobët dhe me një opozitë që ngurron të flasë për aferat e mëdha dhe merret me fenomene anësore, republika e re do të mirëpritet me lule në portat e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel.

Perceptim i gabuar në Prishtinë është po ashtu se BE do ta pranojë në gjirin e tij një vend si Kosova ku pothuaj askush nuk ndëshkohet për krim, korrupsion dhe vjedhje dhe ku patriotët e vetëshpallur mund të gjuajnë me gurë gjykatësit ndërkombëtarë (gjykatës vendorë që seriozisht luftojnë krimin e madh Kosova, për fat të keq, nuk ka).

Treni i Kosovës mund të niset drejt Brukselit vetëm atë ditë kur politikanët vetëdijesohen se ata nuk mund të vjedhin nëpër vagonë, nuk mund të merren me dallavere në kabinat e trenit dhe nuk mund të fshehin fëlliqësitë nëpër nevojtoret e Orient-Expressit modern pa pasur frikë nga grushti i ashpër dhe goditës i shtetit. Këto leksione i ka mësuar Kroacia. Kur do t'i mësojë Kosova?

V. Epidemia e bakshishit!

Njëherë për njëherë gjasat janë të vogla. Në Kosovë është rrënjosur një model i gërditshëm kulturor, ku vjedhësi (llopovi!), qoftë ai politikan apo gazetar, drejtor apo biznesmen, shikohet me admirim nga shoqëria. Komplimenti i zakonshëm që në Kosovë merr çdo i korruptuar është ky: "Vallahi, bilahi, tallahi mafi e madhe je bâ!"

Kush bëhet mafioz, gëzon status të privilegjuar shoqëror, defilon nëpër televizione, prezentohet si shembull orientimi për të tjerët, gostitet me kofshë pule dhe verë, birrë e raki, qofte e sytliaç. Nuk është e vërtetë se vetëm klasa politike është e korruptuar (jo vetëm në kuptimin financiar).

Derisa një pjesë bukur e madhe e shoqërisë e pranon këtë sistem të bakshishit të kundërligjshëm, atëherë edhe ajo bëhet e korruptuar, sepse e miraton të keqen. Kjo është arsyeja pse Orient-Expressi i Kosovës nuk po lëvizë nga vendi dhe pse republika e re në rrugën drejt integrimit në BE hëpërhë është futur në karantinë - sikur të ishte e infektuar nga ndonjë epidemi.

Në fakt epidemia po shihet ashiqare: ajo quhet epidemia e papërgjegjësisë, e kapadaillëkut dhe e mosdhënies së llogarisë për asgjë. Shkurt e shqip: Kosova vuan nga epidemia e kleptokracisë së ngjashme me demokraturën putiniste në Kremlin.

VI. Modeli H.P.!
Në historinë e përgjakshme dhe të dhimbshme të Kosovës, një histori me djem e vajza të prerë në fyt nga sundues të ndryshëm, ekziston modeli i politikanit që flijon veten dhe interesat vetjake për të mirën e përgjithshme. Emri i këtij politikani është - Hasan Prishtina.

Ky patriot e kishte shkrirë pasurinë për Kosovën dhe për Shqipërinë. Klasa e sotme politike në Prishtinë, pozitë e opozitë bashkë, është duke e shkrirë Kosovën për të mbushur xhepat dhe nënsqetullat me pasurinë publike. Kjo ndodhë, sepse nuk ka më prag moral. Gjithçka është bërë rrafsh, sepse të gjithë po ia bëjnë rrafsh vetes!

Kjo ndodhë edhe për shkak se Kosova nuk ka klasë intelektuale të mirëfilltë: një pjesë është shkelur dhe ngulfatur nga dhuna mendore që e ushtron politika, një pjesë tjetër (për fat të keq shumica) mezi nuk pret të bëhet pjesë e sistemit korruptiv, me shpresë se mund të nxjerrë ndonjë flori nga qypi i (pu)shtetit.

Në historinë e re botërore ekziston një politikan, i cili është i ngjashëm me personalitetin vetëmohues të Hasan Prishtinës. E kemi fjalën këtu për kryeministrin demokratik të Iranit, Mohamed Mosadegun, i cili në vitin 1953 u rrëzua nga pushteti përmes një puçi të organizuar nga shërbimi sekret amerikan (CIA).

Pas tij u instalua një qeveri ushtarake e favorizuar nga shahu i korruptuar Mohamad Reza Pahlavi. Gjatë qeverisjes së tij Mohamed Mosadegu kishte sakrifikuar gjithçka për kombin e tij, pasurinë, shëndetin, familjen (vajza e tij u çmend nga shqetësimi pas puçit më 1953).

Si kryeministër ai kishte vendosur të nacionalizojë industrinë e naftës në mënyrë që nga fitimet e mëdha të mos pasurohen vetëm firmat angleze dhe amerikane, por edhe populli i varfër iranian.

Si shef i qeverisë Mosadegu nuk merrte rrogë nga arka e shtetit, as para për benzinën që e harxhonte gjatë udhëtimeve, madje shpesh e paguante edhe ushqimin për gardën mbrojtëse prej 150 ushtarësh.

Pasi e hoqën me dhunë nga pushteti, Mosadegun e dërguan në burg shtëpiak në vendlindjen e tij, në Ahmadabad. Atje vdiq nga kanceri, pasi refuzoi të shkonte për shërim në botën e jashtme me arsyetimin se nuk dëshironte t'i fyente mjekët e vendit të tij. Në Orient-Express ka pasur edhe burra të ndershëm! Dikur! Në një vakt!

4 Komente

Cdo fjale do ishte e tepert...

Te habit fakti se sikur fjalen "Kosove" ta zevendesoje me fjalen "Shqiperi", do ishte perseri e njejta gje, ne cdo detaj.

Ky Robelli harron se Stjepan Mesic ishte ne politike qe nga Jugosllavia si kryeatari i saj i fundit. Pra nje jete deri ne vdekje ne politike. Robelli poashtu ka harruar se edhe Mesic eshte i korruptuar- ia kujtoj aferen e Zagrebit me privatizimin...Kam filluar te besoj se zgjidhja e vetme e frsutracioneve intelektualo- gazetareske te njerezve te rendomte ne Ballkan eshte te hysh vete ne politike. Prandaj uromani hyrjen ne politke ne zgjedhjet e ardhshme- BURIM MALI PER PRESIDENT TE SHQIPTAREVE!

Aha, e paska nje problem Robelli? E paska dhe Shtipja nje hall te vogel?

Epo mire, rrofte Kosova dhe Shqiperia jone e avancuar, dhe poshte bota problematike e Robelleve kritike qe perpiqen te na sjellin modele Kroacine e prapambetur te Mesicit te korruptuar...

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).