Kundër thjeshtimeve mbi komunizmin shqiptar

Çdo libër ka kohën e tij. Ndoshta kjo është një nga ato klishé prej të cilave nuk shpëton dot as libri Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë i Fatos Tarifës. Ky libër, i cili në mënyrë mjeshtërore ndriçon  çështjen legjitimitetit të të ashtuquajturit socializëm real në Europën Qendrore dhe Lindore, është sot më shumë se kurrë në kohën e duhur.  Tashmë që po mbushen pothuajse dy dekada nga transformimet epokale që ndodhën në vendet e Europës Lindore, është më e lehtë që regjimet që ata përmbysën të analizohen në mënyrë më të ftohtë dhe më racionale.
Vitet e para pas përmbysjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore u shoqëruan nga një triumfalizëm politik, që i zhveshi ata nga çdo lloj kompleksiteti social. Ato u kthyen thjesht në të kundërtën e demokracisë, lirisë, legjitimitetit dhe zhvillimit që shpresohej se do të arrihej me përmbysjen e tyre. Kështu, këta regjime u kthyen në një periudhë homogjene, të errët, pa histori, pa liri dhe pa legjitimitet. Ata u reduktuan thjesht te zgjedha që perandoria e keqe sovjetike, apo një grusht diktatorësh nacionalë, u kish imponuar popujve të mirë të Europës Lindore. Për pasojë, edhe vetë Lindja u trajtua shpesh, jo vetëm në politikën, por edhe në akademinë e Perëndimit, si një entitet ahistorik dhe homogjen, duke injoruar kështu si diferencat mes vendeve të ndryshëm, ashtu edhe ndryshimet historike në çdo vend të veçantë në periudha të ndryshme.
Në librin e tij, Fatos Tarifa në mënyrë bindëse dhe sistematike hedh poshtë këtë kuadër semplist, duke analizuar legjitimitetin e regjimeve socialistë në Europën Qendrore dhe Lindore si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Në këtë mënyrë, Tarifa sjell në vëmendjen e kërkimit shkencor mbi shoqëritë e tipit sovjetik konceptin e neglizhuar të legjitimitetit. Këtu, libri i Fatos Tarifës shënon një arritje të dyfishtë. Së pari, nëpërmjet konceptit të legjitimitetit ai arrin që të rrëzojë konceptimin e Lindjes si një entitet ahistorik dhe homogjen. Duke u fokusuar në konceptin e legjitimiteti, autori argumenton se Europa Lindore nuk ka qenë asnjëherë, pra as në periudhën e sundimit komunist, një hapësirë homogjene, pasi regjimet komuniste në vende të ndryshme të këtij rajoni kanë pasur mbështetje popullore dhe legjitimitet në shkallë të ndryshme.
Duke analizuar problemet e legjitimitetit për periudhën e sundimit komunist në këto vende, Tarifa nxjerr në pah edhe dinamikën e zhvillimeve politike në vendet e ish-kampit socialist duke hedhur poshtë konceptimin mbi këtë rajon si një entitet ahistorik. E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk do të kish qenë e mundur në mungesë të një shtjellimi dhe aplikimi rigoroz të konceptit të legjitimitetit në hapësirën gjeografike dhe historike të Europës Qendrore dhe Lindore. Kjo është pikërisht arritja e dytë madhore e Fatos Tarifës në këtë libër. Kjo arritje, në vetvete, është e dyfishtë, pasi Tarifa jo vetëm e shtjellon shumë qartë konceptin tejet kompleks të legjitimitetit në dimensionin e tij teorik, por arrin, gjithashtu, që këtë koncept ta aplikojë me sukses në analizën konkrete të regjimeve socialistë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Pikërisht për këto arsye, ndonëse libri trajton një temë shumë komplekse, pak të lëvruar dhe të shtrirë në harkun kohor të disa dekave, ai është lehtësisht i lexueshëm dhe mjaft bindës. Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë është ndër ata libra akademikë, të cilët studiuesi jo vetëm i lexon “me një frymë”, por edhe ndjen një farë trishtimi kur i mbaron së lexuari, duke i dhënë fund një kënaqësie të veçantë intelektuale. Në studimin e tij, Fatos Tarifa ka arritur që lexuesit t’i qartësojë më së miri konceptin tepër kompleks të legjitimitetit si edhe situatat reale shumë të komplikuara dhe historikisht të kontekstualizuara të aplikimit të tij në vende të ndryshëm komunistë të Europës Qendrore dhe Lindore, pa i thjeshtëzuar as njërin, as tjetrin. Për këtë arsye, gjithashtu, ky libër është një arritje akademike që na ndihmon, si qytetarë, si studiues apo si intelektualë të kuptojmë më mirë dinamikën politike dhe sociale të një të kaluare, së cilës “i përkasim”.
Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë është, gjithashtu, ndër ata libra të rrallë, në të cilët e ashtuquajtura Lindje arrin të hedhë një vështrim të qartë mbi vetveten. Është e rëndësishme të theksohet këtu se Lindja, si kategori konceptuale politike dhe sociale, është krijuar kryesisht nëpërmjet këndvështrimit perëndimor. Janë librat, studimet, botimet dhe autorët perëndimorë në përgjithësi, ata që e kanë përshkruar dhe analizuar Lindjen komuniste. Libri i Fatos Tarifës është një arritje për t’u vlerësuar në fushën e studimeve sovjetologjike, pasi ai, për nga cilësia, jo vetëm krahasohet, por ndoshta edhe i tejkalon disa nga veprat më të mira dhe më të njohura të autorëve perëndimorë në këtë fushë. Kjo ndodh edhe për faktin se Tarifa ofron një kombinim të mjeshtërisë analitike me eksperiencën e tij individuale në Shqipëri në periudhën e regjimit komunist, çka u ka munguar shumicës së autorëve perëndimorë, të cilët kanë shkruar për Europën Lindore. Në këtë mënyrë, libri i Tarifës, i cili fatmirësisht është botuar fillimisht në anglisht, e pasuron literaturën sovjetologjike të shkruar deri më sot si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.   
Libri Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë është një arritje akademike jo vetëm për autorin e tij, por edhe për shkencat sociale shqiptare në përgjithësi. Ky libër bën pjesë në një kolanë botimesh shkencore mbi të cilat mund dhe duhet të orientohen dhe thellohen më tej studimet shqiptare në fushë të shkencave sociale. Studentëve dhe studiuesve shqiptarë, libri i Tarifës minimalisht mund t’u shërbejë si një model i përkryer i kërkimit shkencor. Për këtë arsye, ai mund dhe duhet të përdoret gjerësisht në universitetet shqiptarë, madje jo vetëm si një model i kërkimit të suksesshëm akademik. Ai mund të shërbejë shumë lehtë edhe si një themel, apo pikënisje, për të ndriçuar dhe stimuluar kërkime të mëtejshme në fushën e legjitimitetit të regjimit komunist në Shqipëri. Ndonëse libri i Tarifës analizon Europën Qendrore dhe Lindore në përgjithësi, ai ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për të kuptuar më mirë natyrën, shkallën dhe problemet e legjitimitetit të regjimit komunist në vendin tonë. Analiza teorike e konceptit të legjitimitetit dhe perspektiva historike-krahasuese që zhvillon Tarifa në këtë studim, mund të përdoren shumë mirë madje si për të ndriçuar të kaluarën tonë “komuniste”, ashtu edhe të tashmen “demokratike”, si dhe për të hedhur poshtë disa nga mitet apo klishétë, përmes të cilave janë shpjeguar, apo vazhdojnë të shpjegohen, realitetet historikë, apo aktualiteti politik i sotëm në Shqipëri.
Le të marrim si shembull trajtimin që Tarifa i bën konceptit të legjitimitetit, me anë të të cilit e justifikonin ekzistencën e tyre shumë prej regjimeve socialistë në Europën Lindore. Sipas tij, “Një racionalitet i tillë substancial (racionalitet ose efiçencë në arritjen e qëllimeve të përcaktuar në mënyrë substanciale), i cili nuk haset në racionalitetin formal që nënkupton tipi racional-legal i Weberit për autoritetin legjitim, ka qenë një ndër bazat kryesore të pretendimeve legjitimuese në të gjitha shtetet socialistë” (f. 64).
Sipas Tarifës, legjitimiteti i shteteve socialistë bazohej mbi një racionalitet instrumental që e justifikonte komunizmin përmes produkteve të tij. Në një farë kuptimi, ky është një racionalitet makiavelist, i cili nënkupton se qëllimi justifikon mjetet: lufta e klasave, persekutimet dhe ekzekutimet politike, sado të dhimbshme të kenë qenë, justifikoheshin si një e keqe e domosdoshme për të krijuar një “botë të re”, pa varfëri, pa klasa, pa shfrytëzim të njeriu nga njeriu dhe pa varfëri. Ajo çka është interesante, është fakti që, të paktën në rastin e Shqipërisë, racionaliteti instrumental, përkundër atij Weberian proceduralo-formal, përcaktoi edhe legjitimitetin e rendi të ri kapitalist. Kapitalizmi dhe ekonomia e tregut u përqafuan me shumë zell jo për vlerat që ato përfaqësojnë në vetvete, por sepse ato shikoheshin si instrumente më të suksesshëm në arritjen e objektivave të zhvillimit ekonomik¯rritjen e prodhimit dhe të konsumit të të mirave materiale. Në këtë aspekt, si racionaliteti ashtu edhe legjitimiteti i regjimit të ri kapitalist bazoheshin dhe bazohen në një logjikë të ngjashme me atë të regjimit që u përmbys. Kjo mund të shpjegojë edhe përse regjimi i ri, veçanërisht në fillim, i ngjante aq shumë regjimit të vjetër, si në aksion ashtu edhe në artikulim.
Duke u nxitur dhe nisur nga libri i Tarifës, do të ishte me interes për studiuesit shqiptarë të analizonin paralelet që mund të ekzistojnë mes procesit të ndërtimit të kapitalizmit në fillim të tranzicionit postkomunist në Shqipëri dhe praktikës së socializmit shtetëror para shembjes së tij. Duke analizuar të kaluarën tonë “socialiste”, libri i Tarifës shërben mjaft mirë për të kuptuar edhe të tashmen tonë “demokratike”. Analiza që Tarifa i bën krizës së regjimit komunist shqiptar hedh mjaft dritë në krizën që po kalon sot sistemi ynë demokratik. Tarifa na thotë se në vitet 1970-të dhe 1980-të korrupsioni moral dhe politik prekte kuadro të ndryshëm teksa besimi në idealet e komunizmit venitej. Ky ishte një proces, i cili na kujton rritjen e korrupsionit në sistemin tonë aktual teksa idealet e elitës politike dhe besimi i popullatës tek institucionet demokratike veniten. Akoma më interesante është nëse shohim mënyrën se si vetë Tarifa e shpjegon legjitimimin e sistemit komunist në Shqipëri përballë venitjes së idealeve dhe të utopisë komuniste: “Mbështetur në përvojën time morale dhe intelektuale në kushtet e sistemit të socializmit shtetror, unë e shoh legjitimitetin e sundimit të partisë-shtet dhe të udhëheqësve të saj në Shqipërinë e viteve 1970-të dhe 1980-të si të bazuar pjesërisht mbi ‘argumente’ negativë se sa në ata pozitivë. Koha e “arritjeve spektakolare” kishte perënduar” (f. 97).
Një fenomen i tillë ka ndodhur dhe ndodh rëndom edhe gjatë tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Argumentimi negativ, apo “anti”¯anti-komunizmi, anti-berishizmi, anti-korrupsioni, anti-politika¯është një nga karakteristikat më të qenësishme në ligjërimet dhe skenën politike që dominon shoqërinë postkomuniste shqiptare. Pra, edhe sot kemi një fenomen të ngjashëm, ku sa më shumë delegjitimohen institucionet dhe elitat politike në Shqipëri, aq më shumë ato përpiqen ta justifikojnë legjitimitetin e tyre mbi një argumentim negativ. Për këtë arsye, analiza e problemit të legjitimitetit të regjimeve komunistë nga Fatos Tarifa na ndriçon për të kuptuar se si sendërtohet legjitimiteti i regjimit të sotëm, ndonëse në kushte mjaft të ndryshme. Libri i Tarifës mund dhe duhet të shërbejë si një pikënisje dhe të frymëzojë të gjithë ata studiues shqiptarë, të cilët dëshirojnë ta njohin më mirë të kaluarën dhe të tashmen tonë.
Në përfundim, jam i bindur së ky libër do t’i shërbejë mjaft brezit të ri që shkollohet sot në universitetet tona. Ky brez, në rastin më të keq, nuk ka aspak njohuri për të kaluarën tonë komuniste. Në rastin më të mirë, ai e njeh regjimin komunist thjesht si një periudhë të errët, kur për afro gjysmë shekulli populli shqiptar ka vuajtur nën zgjedhën e një diktature komuniste. “Zgjedha”, një instrument blegtoral, është në fakt koncepti më i përdorur analitik jo vetëm në shpjegimin e së kaluarës sonë komuniste, por edhe të asaj otomane. Me librin e Tarifës Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë studentëve shqiptarë u jepet një aparat konceptual dhe një analizë mjaft e sofistikuar që u shërben atyre jo vetëm për të kuptuar më mirë natyrën e regjimit komunist në vendin tonë në të kaluarën, por edhe sistemin e sotëm demokratik. Libri i Tarifës është një lajm i mirë për akademikët, intelektualët, studiuesit, studentët dhe lexuesit shqiptarë në përgjithësi. Ai ribotohet në kohën e duhur, edhe pse libra të tillë shërbejnë në çdo kohë, pavarësisht se kur ata janë botuar.

4 Komente

Evidenca empirike e mungeses se legjitimitetit komunist mongon teresisht ne Shqiperi . E vetmja reference ne kete leme mund te jete numri i i te burgosurve, te internuarve dhe kundershtareve antikumunisteve. Nga analiza duhet te heqim edhe kundershatet e rregjimit per se por jo te komunizmit si ideologji. 

Me kalimin e kohes regjimi beri padyshim armiq por rritja e tyre nuk eshte e konsiderueshme. Psh rritja e anetareve te PPSH eshte disa here me e madhe se sa ajo e te burgosurve. Pjesa kryesore e antikomunisteve mbeten njerezit qe humben nga lufta civile ne 1944, dhe rrjedhimisht familjet e tyre.   

Humbje legjitimiteti komunist do kishte me shume kuptim ne kontestin e Polonise ose Cekosllovakise. 

Nqs perjashtojme nga anliza renjen katastrofike te economise ne dekaden e fundit te sundimit komunist, Shqiperia mund te perdoret per te provuar te kunderten e tezes se Z Tarifa.   

me shume se nje shkrim eshte nje qoke lajkatare ose sic quhet  nje panegjerik i panevojshem qe i ben dem autorit. Vetem emri Fatos tarifa permendet nja 20+1 njehere, qe si kur ky te ishte nje Durkheim i ri apo nej Comte...

pseudo sociologe te pa matur me realitetin...

"ky edhe po te garonte i vetem do te dilte prape i dyti"/!!!!!!!!!

Ky Tarifa ne mos gaboj ne ato kohera ishte prof ne Filologjik,e i jati diçka si sekretar i Enverit...Keshtu qe eshte i brendshem per ti ditur ca gjera,por pak sa i pabesueshem ne analizat e tij...Kajsiu mbetet kajsi....Me te mira jane pjeshkat....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).