Kritikofobet, jo tej se majtes dhe se djathtes

Andrea StefaniKur rreth tre vjet më parë, një deputet i PD-së më akuzonte nga foltorja e Kuvendit se, bashkë me drejtues të tjerë të "Aksionit Civil", isha blerë nga Edi Rama me leje ndërtimi apo para të SOROS-it, nuk e mendoja se do të vinte një ditë që akuza të njëjta të më bëheshin nga krahu dhe mbështetësit e Ramës. Por qenka në natyrën e luftës së liderëve kundër fjalës së lirë, që në pamundësi për t‘i mbytur kritikat ndaj tyre, të përpiqen t‘i denigrojnë si të motivuara nga inate personale apo qëllime të ulëta. Kur qorton një lider (s‘ka rëndësi majtas apo djathtas), e para gjë që kanë thënë, thonë dhe do të thonë, që kanë shkruar, shkruajnë dhe do të shkruajnë mbrojtësit e tij, është se gazetari ka inat personal me liderin, urrejtje (fobi) personale. Gjatë 20 viteve si gazetar, ka ndodhur të më akuzojnë për inat personal me Berishën, pastaj me Nanon dhe sot me Ramën. Kur kritikon një lider të akuzojnë se këtë e bën edhe sepse je vënë në shërbim të rivalit të tij. Kur kritikoja Nanon në pushtet, bënin aludime se po e ndreqja me Berishën, kur kritikoja Berishën kanë aluduar dhe aludojnë se isha blerë nga Rama, kur kritikoj këtë të fundit, thonë se jam vënë në shërbim të Metës apo blerë nga Meta. Sot mbrojtës të liderit Rama më akuzojnë për ramofobi. Më parë berishistët më kanë akuzuar dhe vazhdojnë të më akuzojnë për berishofobi. Nanonistët më kanë akuzuar për nanofobi. Ç‘tregon e gjitha kjo? Tregon se liderët e të gjitha krahëve dhe avokatët e tyre, vuajnë nga i njëjti mllef kundër kritikës dhe se përdorin të njëjtat mjete, taktika, presione e shantazhe për ta mbytur kritikën.

***

Jo vetëm idhulli, por edhe kopeja e idhujtarëve tërbohet kur kritikohet idhulli. Dhe meqenëse kritika është vështirë të hidhet poshtë me argumente, e gjithë përpjekja përqendrohet në zhvendosjen e fokusit nga çështja për të cilën po kritikohet lideri, te pseudoçështja se përse gazetari e kritikon liderin. Në të gjitha rastet, kjo taktikë nuk mund të mos jetë pjesë e një sulmi integral kundër lirisë së fjalës dhe kritikës që zhvillohet prej vitesh në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, është një taktikë dinake, një sulm kundër arsyes, kundër përpjekjes që fjala e lirë bën për të injektuar arsyen në debatin publik. Për një moment, do përpiqem ta mbroj lirinë e kritikës nga pozita më e vështirë për të, nga pozita e gazetarisë së varur apo (quajeni si të doni) të kapur. Ritheksoj idenë e Roberto Savianos: gazetari nuk kritikon nga pozicioni i epërsisë morale. Qoftë edhe erudite. Gazetarët nuk janë njerëz pa cene morale dhe të gjithëdijshëm. Edhe ata si politikanët, apo përgjithësisht njerëzit, nuk janë engjëj. Do të donim të ishin të tillë, por nuk ka si të jenë. Gjithkujt mund t‘i qëmtohet një cen, një gabim. Prandaj, ta përqendrosh vëmendjen e debatit publik te gazetari, te cenet apo mëkatet duke i komentuar si rrënjë të kritikës dhe jo tek ato vetë kritika, do të thotë të gjesh një pretekst për të mjegulluar kritikën. Është, në thelb, e njëjta gatishmëri komuniste dhe diktatoriale për ta shpallur opinionin kundër nëse jo armiqësor si dje, të pamoralshëm apo korruptiv. Ka kritika edhe motive të tilla? Pa asnjë dyshim, madje shpesh. Por mbi kritikat e motivuara soje, duhet fituar jo duke i skualifikuar apo mallkuar si të pamoralshme, por duke argumentuar pavërtetësinë e tyre. E rëndësishme është të kuptohet nëse bazohet kritika për një lider është e vërtetë ose jo, bazohet në fakte apo jo. Gjë që nuk arrihet kurrë duke u fokusuar te motivet personale që nxisin një gazetar të zhvillojë një kritikë. Ndaj duhet bërë e kundërta. Duhet përqendruar tek argumenti. Dhe përpjekja për të kuptuar vërtetësinë apo jo të kritikës që i bëhet një lideri, përmban më shumë shanse për të kuptuar edhe motivet, parimore ose jo, që kanë nxitur formulimin e saj. Kjo do të thotë të kuptosh arsyen e vërtetë të kritikës. Por për të kuptuar arsyen e diçkaje duhet vënë në lëvizje arsyeja. Gjë që nuk është e lehtë. Aq më tepër në vende pa liri si Shqipëria. Sepse arsyeja është liri. Arsyeja është, sikundër shkruante Hegeli, mendimi që e kushtëzon vetveten me liri perfekte. Sa shqiptarë e gëzojnë sot një liri perfekte?

Si në tregun e politikës edhe në atë mediatik, nuk është vetëm e mira, por edhe e keqja që mund të luftojë e të denoncojë ndonjëherë të keqen. Të vërtetat nuk i thonë vetëm gazetarët e pavarur, ndonëse të vërtetat e kësaj kategorie janë më të plota, më të pavetëcensuruara, sepse janë më të lira. Por ca të vërteta thonë edhe gazetarët partiakë apo të varur. Në përleshjen mediatike brenda llojit, krahas shpifjeve dhe pseudokritikave, ka raste kur edhe gazetarët partiakë thonë ca të vërteta për kundërshtarin politik të padronit të tyre. E mira publike duhet të dijë të përfitojë edhe nga kjo përleshje e së keqes me të keqen. Duhet të dijë të sitë masën e baltës së shpifjeve, për të nxjerrë grimcën e artë të së vërtetës që fshihet mes llumit. Kjo nuk arrihet duke i nxjerrë gjuhën, duke e flakur mënjanë dhe paragjykuar një kritikë që na sëmbon simpatitë dhe kërcënon interesat, por duke gjykuar mbi të. Aq më tepër nuk arrihet duke goditur gazetarët kritikë. Madje, kur vihet në lëvizje një mekanizëm i tillë, bllokohet dhe paragjykohet si e varur edhe kritika e bërë nga pozita krejt të pavarura. Qytetarët është mirë që të ecin sipas maksimës së Volterit (që Rama e pranon me fjalë po e shkel me vepra) që të mbrojnë lirinë e gazetarit kritik edhe kur e urrejnë pikëpamjen e tij ose edhe kur ajo u duket shenjë e urrejtjes. Duhet mbrojtur liria e gazetarit të keq, ose që na duket i keq, sepse kështu mbrohet edhe liria e gazetarit të mirë ose që na duket i mirë. Liria e fjalës është e dënuar të mos shkojë dot tej së mirës dhe së keqes. Sepse atje tej nuk ka më liri fjale.

Aty ku nuk arsyetohet, por vetëm paragjykohet, e mira dhe e keqja trazohen aq ligsht sa nuk dallohen më nga njëra-tjetra. Arrijmë, dhe mjerisht për atje jemi drejtuar, në gjendjen e kaosit tej së mirës dhe së keqes. Ata që simpatizojnë Ramën akuzojnë se e klasifikoj Ramën si të keqe absolute. Duke folur me fakte, kjo vërejte nuk i qëndron kohës. Si mund të akuzohet për një gjë të tillë, dhe aq më tepër për fobi të fiksuar, një gazetar që ka mbrojtur dhe deri në mandatin e fundit kandidaturën e Ramës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, që ka mbrojtur fillesën shumë pozitive të një transformimi të Tiranës, por që mjerisht nuk u vazhdua më? Si mund të akuzohet për ramofobi një gazetar që e ka mbrojtur Ramën në kohën kur berishistët e detyronin të mbrohej me megafon në Kuvend? Pse pikërisht sot e akuzojnë për ramofobi? Shkaku është i qartë dhe i dukshëm. Sepse po e kritikon Ramën për ato që ka bërë dhe nuk ka bërë. Dhe a nuk është kjo e gjitha një sulm kundër kritikës, një kritikofobi? Dhe duke mos pasur argument shpiket blerja nga Meta. Është e njëjta çorbë e vjetër berishiste që dje akuzonte për blerje nga Rama dhe që sot lugën e së cilës duan ta fusin me zor në gojën e gazetarit. Nëse jo me lugë me "pipë". Ja edhe një moment tjetër ku ramizmi dhe berishizmi ngjajnë si dy pika uji në pozicionimin e tyre kundër kritikës.

***

Kritika kundër kritikës ka qenë dhe mbetet një nga gangrenat e medias shqiptare që nga fillimi i tranzicionit. Që në krye të herës ajo ka qenë një armë shumë e efektshme e politikës autoritariste, Kali i saj i Trojës i futur në zemër të medias për të shantazhuar gazetarët me anë të gazetarëve. Kështu ka vepruar Berisha, kështu po vepron edhe më sistemikisht Rama. Eshtë një strategji e fshehtë, e pa zhurmë, thuajse një komplot, që kërkon jo vetëm të kundërbalancojë kritikën me antikritikë apo duke e denoncuar kritikën si produkt të urrejtjes për liderin (fobi), por deri edhe të bllokojë, madje eliminojë nga ekranet dhe gazetat zërat kritikë ndaj tij. Berisha nuk kish arritur të ishte që në fillim kaq i sofistikuar kundër fjalës së lirë. Në fillim ai e nisi me dajak të zhurmshëm vetëdemaskues. Por, natyrisht ai mësoi shpejt se fjala e lirë dhe kritika mund të mbytet më me sukses me anë të vetë medias, gazetarët mund të luftohen me gazetarë, kritika me kritikë të kritikës. Rama e ka nisur nga ky stad luftën e tij kundër fjalës së lirë, duke e pasuruar edhe me struktura blogjesh komunikimi në internet. Një imitim i teknikave të Obamës, por jo me të njëjtat qëllime si Obama. Dhe meqë ca zëra të rinj, të zellshëm, më akuzojnë për ramofobi, do citoj kolegun Fatos Lubonja që ata pranojnë se e respektojnë shumë. Në një shkrim të para pak ditëve, mbi mizerabilitetin ku ka rënë media sot, Lubonja rithekson shqetësimin se "shumica e gazetarëve më seriozë ndajnë mendimin se Rama përbën një rrezik po aq të madh sa Berisha, në mos më të madh, për lirinë e medias, dhe se kjo frikë prej tij ishte ndoshta arsyeja kryesore që ai nuk i fitoi dot zgjedhjet". Ramistët duhet të mendohen mirë se ç‘po ushqejnë. Jam ndër formuluesit e parë të këtij alarmi, madje besoj se jo vetëm media, por edhe demokracia dhe liria në Shqipëri ndodhen përsëri të kurthosura mes dy të këqijave të mëdha, si mes Shilës dhe Karibdës.

***

Kritika ime ndaj Ramës nuk nis sot, pra në momentin kur ajo u masivizua pasi ai humbi shansin për të ardhur në pushtet. Ajo nis më shumë se një vit para zgjedhjeve të 28 qershorit kur Rama jo vetëm nuk protestoi për viktimat në Gërdec, por me anë të një blickrigu konsensual me autoritaristin Berisha, mundësoi amendimin e Kushtetutës dhe përqendrimin edhe më të pushteteve në duart e Kryeministrit. Kam paralajmëruar se nuk do të fitojë dot me taktikat që po ndiqte dhe mendësitë që po shfaqte. Por me kalimin e muajve, kritikat ndaj Ramës në media u shtuan. Pak kohë para fushatës, u vu re se pjesa dërrmuese e analistëve, edhe nga ata që ishin kritikë ndaj Berishës, nuk e mbështesnin Ramën. Nuk mund të mos e lidhësh këtë bilanc negativ të Ramës, duke pasur parasysh se më shumë nga çdo lider tjetër ai është një fryrje mediatike me shfaqjen, thuajse paralel, të një si kryqëzate mediatike kundër "analistëve". Artikuj herë anonimë dhe herë jo anonimë, nisën të shkruhen andej-këtej, kundër "racës" së analistëve që u dashka zhdukur. Qe qartazi një sulm i nxitur fshehtazi kundër gazetarëve, kundër fjalës së lirë. Përfliteshin edhe gjakime për të realizuar pse jo, edhe një transfuzion në media, duke spastruar analistët "e vjetër" dhe injektuar në të "analistë" të rinj të një "politike të re" dhe një "epoke të re". Përse prej vitesh të njëjtët emra bëjnë gazetarinë analitike dhe a nuk duhen ndërruar ata sikundër edhe politikanët? - më pyetën në atë kohë gjatë një debati televiziv që kishte në shenjë "analistët". Përse nuk kërkojmë që të ndërrohet këpucari? - mbaj mend se u përgjigja. Sepse gazetaria nuk është mandat politik që kërkon rotacion. Gazetaria është dimension lirie qytetare, profesion i hapur dhe i lirë i fjalës së lirë. Askush nuk duhet përzënë për asnjë lloj arsyeje apo kriteri. Askush nuk duhet ndaluar të hyjë në të për asnjë lloj arsyeje. Edhe kur nxitet nga liderë apo lloj-lloj interesash. Eshtë liria e shprehjes që nuk lejon të vihen kushte, kritere, barriera. Hyrjet dhe daljet e gazetarëve mund t‘i nxisë çdo lloj interesi, por nuk duhet lejuar t‘i dominojë politika, pozita, opozita, mafia dhe as biznesi. "Politikën e kuadrit" në gazetari duhet ta bëjë vetëm tregu mediatik bazuar në aftësitë profesionale të vetë gazetarëve. Nëse kanë audiencë, nëse dëgjohen dhe lexohen, mund të qëndrojnë në atë profesion sa të kenë jetë. Ata që mërziten, që bezdisen, që nuk e durojnë dot një gazetar se iu prek liderin apo për tjetër gjë, le të lexojnë apo dëgjojnë një tjetër gazetar. Media pluraliste (sa kohë ekziston) do t‘u falë liri zgjedhjeje. Dhe sa më gjatë në profesion gazetari, aq më shumë talentit i bashkëngjitet përvoja. Por krejt në kundërshtim me këtë logjikë tregu, skemat e fshehta të liderëve politikë, si Berisha apo Rama, kanë bërë që nga disa ekrane të selektohen emra të njohur të medias që e kanë provuar aftësinë prej vitesh. Në të kundërt, njerëz pa asnjë talent mediatik, por vetëm me "talentin" për të shërbyer, po pushtojnë ekranet. Dhe a i keni parë si Rama e Berisha dalin në debate duke u përballur jo me kritikët më të rreptë të tyre? A nuk është edhe kjo një mënyrë për t‘i bishtnuar kritikës duke e maskuar frikën prej saj me pseudodebate? Përse flet kjo, për liri apo për përdorim e kapje të medias? A nuk shikoni se Rama po i ngjan gjithnjë e më shumë Berishës në kësi manipulimesh mediatike?

***

Por problemi më i madh që kanë mediat në Shqipëri është se politika ka kapur tregun e medias. Tregu i lirë i medias po zhduket. Dora e padukshme e tij po zëvendësohet nga dora e fshehtë e liderëve politikë dhe bizneseve e pronarëve të medias të lidhur me ta. E kapur keq nga politika, media shqiptare po pushon së qeni pushteti i katërt. Të gjithë liderët kryesorë politikë kanë kontribuar, kush më shumë e kush më pak, në këtë kapje të rrezikshme që po e lë demokracinë pa njërin nga pushtetet e pavarura lirimbrojtëse. Fillimisht Berisha. Më pas Nano, Meta dhe më së fundi edhe Rama. Por pa treg të lirë të medias nuk mund të ketë liri mediatike, ashtu sikundër pa treg të lirë nuk mund të ketë liri ekonomike. Dhe pa të dyja këto nuk mund të ketë demokraci liberale, nuk mund të ketë as integrim në Europë. Gjendja e medias në Shqipëri nuk mund të jetë e përjashtuar nga alarmi që ngriti Olli Rehn për lirinë e medias në Ballkan. Media shqiptare, e varfëruar nga kriza, e dhunuar me mjete gjithnjë e më të heshtura, e përzënë prej pushtetit nga ambientet publike si gazeta "Tema", e kërcënuar me presione fiskale si pak kohë më parë "Top Channel", me gazetarë të pavarur të diskriminuar nga pushteti deri edhe në të drejtat e tyre humane, ndodhet në qendër të një cikloni të pa zhurmë që po e rrënon dhe skllavëron fjalën e lirë dhe kritikën që prodhon ajo. Por pa kritikën kundër pushtetit apo liderëve, "fjala e lirë" bëhet një gjethe fiku e autoritarizmit që e mbyt fjalën e lirë. Në gjithë këtë histori, një pjesë e opinionit të fanatizuar shqiptar, ka faj që është bashkuar me një frymë sharjesh dhe qarjesh kundër gazetarëve. Nuk është shkak vetëm fanatizmi politik dhe idhujtaria për liderin. Në jo pak raste është lodhje nga shpifja, nga divorcimi i jo pak gazetarëve dhe mediave nga e vërteta. Por gjendja nuk rregullohet duke dalë kundër gazetarëve. Do të qe kimioterapia më e keqe kundër "kancerit" të shpifjes. Një kurë që mund të vriste edhe fjalën e lirë. Bashkë me fyerjet e gazetarëve nga fanatikë mendjembyllur që zemërohen se u "shahet" lideri i dashur, me rrogat mjerane të gazetarëve që nuk ndihin pavarësinë, por nxisin nënshtrimin, bashkë me kapjen e medias nga mafia, politika pushtetare dhe mjerisht tani edhe ajo opozitare, të gjitha këto e të tjera, po krijojnë një klimë mbytëse për gazetarët e pavarur, për fjalën e lirë. Prandaj, përpara se të vrapojnë të akuzojnë gazetarët kritikë të liderëve tashmë të pasuruar mistershëm, para se t‘i etiketojnë për sindroma dhe fobira, për shitje e blerje, avoketërit e liderëve shpëtimtarë, të Mesiave të pardjeshëm, të djeshëm dhe të sotëm që s‘po kanë të mbaruar, do të bënin më mirë të bashkoheshin me alarmin e gazetarëve për rrezikun e shfarosjes së konditave të lirisë së fjalës në Shqipëri nga një aleancë e vetvetishme e politikanëve autokratë, e korrupsionit, mafies dhe e mungesës së drejtësisë. Dhe bashkë me zhdukjen e konditave të lirisë për kritikën, edhe të konditave për lirinë e demokracinë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).