Jam yt bir, nuk jam i huaj

Kam kohë që dua të ulem të shkruaj diçka mbi shqiptarët jashtë atdheut, të atyre që ndihen të huaj jo vetëm në vendin ku i çoi jeta, po edhe atje ku lindën. Po aq herë e lë në mes, duke i thënë vetes që s’ia vlen, asgjë nuk do të ndryshojë. E megjithatë sot dëgjova këngën e fundit të Ilir Shaqirit “Zhgënjimi i mërgimtarit” që më bëri të ulem t’i shkruaj këto rreshta për një të tretën e kombit tim që në “valixhe të mërgimtarit” merr “një ëndërr, merr një shpresë…”

Sa shqiptarë jetojnë jashtë atdheut?
Fatkeqësisht nuk ka statistika të sakta të cilave mund t’i referohemi, po duket sikur ka një akord, të paktën në mediat e shkruara, se rreth 1 milion persona të lindur në Shqipëri, në një moment a një tjetër të jetës së tyre, janë larguar ose kanë vendosur të largohen.

Çfarë profili arsimor kanë ata?
Shqipëria eksporton „krahë pune“ dhe „tru“ meqënëse sipas INSTAT 2004, emigrantët shqiptarë janë ose të shkolluar shumë mirë, ose përkundrazi kanë një shkollim të dobët ose inekzistent.

Cili është kontributi i tyre për vendlindjen?
Ka patur shumë studime (World Bank 2003; UNDP 2000; De Soto e al 2002; Carletto e al. 2004 etj ) mbi varfërinë në Shqipëri dhe lidhjen që ekziston mes nivelit të jetesës së një familjeje që ka një pjesëtar jashtë që dërgon para. 1 në 4 familje përfiton nga ndihma financiare që vjen nga jashtë. Këto transferta fondesh ndikojnë në uljen e varfërisë në vend (ndihmë në nevojat e përditshme), por kanë një impakt të limituar ekonomik (p.sh. investime jo-afatgjata) dhe një influencë sociale pak të diskutueshme (personat mësohen me këtë situatë e vazhdojnë të mbeten të varur nga ky burim).

Si reagon shteti ndaj tyre?
Problematika e remitancave (anglicizëm, sinonim i shprehjes “transfertë fondesh&ldquosmiley është cekur nga disa studiues, por pothuajse asgjë nuk është ndërmarrë konkretisht qoftë për shqiptarët që jetojnë jashtë, qoftë për koordinimin e vjeljes së të ardhurave që transferohen në drejtim të Shqipërisë. Dhe këtë e them jo vetëm për faktin që vetëm 40% e remitancave dërgohen në rrugë zyrtare (Uruçi e Gedeshi, 2003). Ka disa arsye që bëjnë që emigrantët shqiptarët të vazhdojnë të transferojnë fonde në mënyrë jozyrtare:
-Kthimi 2-3 herë në vit në vendlindje, për arsye edhe të afërsisë gjeografike me vendin (Greqi, Itali kryesisht) ku banojnë, bëjnë që ata të preferojnë të shmangin transfertat zyrtare bankare relativisht të kushtueshme (De Zwager e al 2005)
-Shërbimet bankare përqendrohen kryesisht në zonat urbane.
-Kursi i këmbimit në tregjet informale vazhdon të konkurojë kurset bankare.
-Fakti që akoma shumë prej tyre janë ilegalë etj etj

Çfarë bën shteti për ta?
Pak, për të mos thënë aspak, në qoftë se e krahasojmë situatën aktuale me vende si Izraeli, Italia, Zvicra, Gjermania, Spanja, Turqia apo vende fqinjë si Serbia, Kroacia, Bullgaria etj.
Ata nuk përfitojnë nga plane për ruajtjen e shqipes për brezat e ardhshëm p.sh, nëpërmjet mësimeve plotësuese në gjuhën amtare, gjë që do të ishte fitimprurëse edhe për qindra mësues nga Shqipëria që do të mund të jepnin mësim.

“….Me plagë në zemër kthehem prapa, jo Evropa s’me paska borxh.”

Emigrantët shqiptarë duhet të luftojnë të arrijnë t’u njihen shumë të drejta në vendin ku jetojnë. Fatkeqësisht atyre u duhet të luftojnë për të arritur të ruajnë të drejta në vendin që kur u nisën, e lanë përkohësisht.

“….Brenda dites seç u plaka, ajo shpresë se ç’m’u hoq!...”

Le të marrim mundësinë e ushtrimit të një të drejte, si ajo e votës psh., që u lakua shumë në periudhën paraelektorale. E drejta e votës së lirë është një parim që njihet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut që „përkthyer“ në Kushtetutën tonë, njihet si e drejta e individit të zgjedhë e të zgjidhet.
Disa argumenta KUNDER që pati në opinion:
-Dhënia e mundësisë së votimit shqiptarëve jashtë atdheut ishte për disa skeptikë, një tjetër shans për të vjedhur e manipuluar votat. Po cilat janë mundësitë e votimit?
- Votimi në distancë mund të kryhej duke u zhvendosur për të votuar në ambasadat apo misionet tona diplomatike që nuk janë të vendosura kudo ku ka shqiptarë. Kjo mënyrë nuk ndryshon shumë nga votimi i zakonshëm klasik, po thjesht duke pasur parasysh që postet vazhdojnë të jenë politike, pasiguritë shtoheshin.
- Mund të kryhej nëpërmjet postës, nëpërmjet disa procedurave që ekzistojnë në vendet e rajonit, nga të cilat mund të frymëzohemi. Kjo mënyrë kërkonte disa elemente sigurie që ngjajnë me këtë që vijon, po mbi të gjitha kërkonte një integritet, ndershmëri e transparencë nga ana e punonjësve të postës sonë.
- Kjo e drejtë dhe detyrë qytetarie mund të realizohej edhe nëpërmjet votës elektronike. Drejt kësaj të fundit po shkojnë edhe shumë vende të rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën që e ka afishuar qeverisjen elektronike, si një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes. Ka një vullnet politik të shprehur qartë që më bën të mendoj se ata do ta realizojnë edhe përpara nesh. Në qoftë se mund të jetë zgjidhja optimale për njerëzit që banojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, mos të harrojmë që vota elektronike është një mundësi votimi edhe për njerëzit brenda. Regjistrimi e dixhitalizimi qoftë i regjistrit themeltar, qoftë i listave të votuesve do të thjeshtonte procedurën. Më pas do të ngelej ana teknike e ajo e sigurisë së komunikacionit për t’u garantuar. Po le të mos harrojmë se në këtë mënyrë do të shmangeshin shumë gabime njerëzore qoftë në momentin e votimit, të numërimit apo të „udhëtimit“ të votave tona deri në qendër…

Ka nga ata shqipfolës e jo shqiptarë që thonë se ata i kanë kthyer shpinën atdheut e nuk ju intereson ç’bëhet në Shqipëri.
Do të doja t’i injoroja këto zëra, po i kam dëgjuar disa herë për fat të keq. Më ngjan me „efektin pasqyrë“: kritikojmë të tjerët për të metat që kemi vetë“.
Do të doja thjesht t’u kujtoja këtyre dritëshkurtërve një shembull të vetëm po kuptimplotë që për mua përbën kulmin e lidhjes që shqiptarët jashtë, kanë me vendlindjen: kërkesa e tyre për t’u varrosur në atdhe.

Nga krahu tjetër i kuptoj ngurrimet e pushtetarëve për të vënë në vijë këtë punë. Kjo është diçka e re dhe e si e tillë përbën pasiguri për vetë ata. Eshtë një grup personash me profile shumë heterogjene, preferencat e të cilit nuk mund të parashikohen për shumë arsye. Sfida për qeveritë tona të cilitdo krahu qofshin ato, qëndron në sa do të dinë të nxjerrin përfitime nga ky kapital human që është pasuruar nga shkollimi ose përvoja profesionale jashtë.
Boll më me improvizime!

3 Komente

"Do të doja thjesht t’u kujtoja këtyre dritëshkurtërve një shembull të vetëm po kuptimplotë që për mua përbën kulmin e lidhjes që shqiptarët jashtë, kanë me vendlindjen: kërkesa e tyre për t’u varrosur në atdhe."

kjo eshte pak e pakumtimte.... shumica e shqipareve qe jane jashte nuk jane fare te moshes se trete dhe praktikisht larg 'vdekjes' keshtu qe ky argument eshte i paprovuar. duke marre parasysh edhe valet e emigrimeve italiane apo greke (afersi ne gjeografi dhe deri diku mentalitet) gjeja me e mire eshte integrimi ne vendet qe jane.

Kthimi i kurrizit Shqiperise nga emigrantet nuk eshte nje vendim qe mund te merret ne menyre te vetedijshme (shumica e atyre qe e thone zakonisht e thone per snobizem). ai eshte nje proces i gjate qe nuk mund te komandohet. nese nuk ke familje te afert ne shqiperi atehere shqiperia eshte thjesht nje destinacion pushimesh qe mund te ndeshkohet per ato gjerat negative qe ka duke e hequr nga lista per nje kohe te gjate.

 Autorja nuk e ka keq, perkundrazi e ka mire por tu flasesh politikanve per çeshtjen e votes se emigranteve apo mesimin e gjuhes amtare te femijve te ketyre emigranteve, eshte si ti flasesh murit, se qeveritaret nuk para ndigjojne nga ky vesh. E kane provuar dhe te tjeret ti bindin keta mendje-shkurter, por nuk ia kane arritur qellimit.

"Indiferenca"e emigranteve per Shqiperine vjen pothuaj ne menyre natyrale e nuk ka asgje te kritikueshme.Femijet e lindur ne Perendim po behen 20 vjeçare....Jane brez i dyte.Prinderit te gjitha energjite e impegnimin ua kushtojne jetes se ketyre femijeve.Gjithnje e me pak ke lidhje me Shqiperine.....shto pastaj se te heq edhe te drejten themelore qe te ndihesh shqiptar ,voten.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).