Fshatrat turistike, pronat ç’regjistrohen nga Hipoteka

Të gjitha hipotekimet e kryera nga ana e Hipotekës për dhënie pronësie në fshatrat turistike do të çregjistrohen, pasi janë të kundraligjshme. Projektligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” ka përcaktuar qartë çregjistrimin e atyre pronave në Hipoteka që janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke i detyruar personat që i kanë blerë nga firmat ndërtuese të këtyre fshatrave, apo nga personat e dytë të paguajnë sërish për truallin e vilës që ato disponojnë.

Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi se: “Në fakt nuk janë blerës, ata kanë lidhur një kontratë me personin e stimuluar (firmën që ka ndërtuar fshatin turistik). “Në fakt, duhet të lidhin një kontratë me shtetin, shteti në këtë lloj nuk është palë. Me këtë ligj rivendoset pozicioni i shtetit, i cili është pronari i truallit, po nuk ka marrë asnjë të ardhur për këto ndërtime, të ndërtuara në pronën e vet. Këta persona do të duhet të paguajnë për shtetin në bazë të hartës së vlerës, çmimin e tregut, marrëdhëniet e tyre”, deklaron Alibeaj.

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka debatuar dje pikërisht për çështjen e përcaktuar në nenin 8 të projektligjit, i cili i jep të drejtën ALUIZNI-t t’i kërkojë ZRPP-së çregjistrimin e veprimit juridik, për kalimin e të drejtave reale të njeriut mbi njësinë e ndërtimit. Kjo procedurë parashikohet që të nisë përpara se të fillojë procesi i verifikimit të fshatrave turistikë. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi ka qenë kundër një sanksionimi të tillë, duke theksuar se një gjë e tillë do të shkaktonte përplasje në dyert e gjykata. Ai propozoi që kjo procedurë t’i realizohet në fund dhe jo në fillim.

Por ish-ministri Alibeaj ka ndërhyrë duke theksuar se: “Kjo duhet realizuar për shkak se këto prona janë regjistruar në mënyrë të paligjshme”. Përplasje në komision ka pasur edhe në lidhje me faktin se cila pjesë do të regjistrohet si pronë, vetëm trualli u është ndërtuar objekti apo dhe oborri. Por përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhafellari deklaroi se oborri do të jetë në bashkëpronësi, duke mos i dhënë mundësi poseduesve që ta tjetërsojnë atë, për ta kthyer në pallate shumëkatëshe. Komisioni i Ligjeve për shkak të këtyre përplasjeve ligjore e miratoi në parim dhe shtyu shqyrtimin në tërësi të këtij drafti për të mërkurën, duke pritur që ministria e Drejtësisë të sjellë riformulimin e neneve, 4,5 dhe 8.

Debatet në komision

Enkelejd Alibeaj: Projektligji këtë parashikon që të mund të blesh vetëm tokën që është truall, pjesa tjetër, pra përfshi edhe oborrin do jetë në bashkëpronësi.
Eduart Halimi: Nëse ju thoni që këta do bëhen pronarë vetëm për vilën dhe jo për oborrin, atëherë unë tërhiqem dhe jam dakord me ju.
Mardisa Xhafellari (Ministria e Drejtësis&eumlsmiley: Oborri do kalojë në bashkëpronësi në tërësi pa të drejtë ndarje. Edhe kur është një edhe kur janë të tjerë.
Enkelejd Alibeaj: Në këtë pronë në bashkëpronësi ky posedues do jetë bashkëpronar, por pa ia përcaktuar sipërfaqen që ka. Ky është qëllimi i ligjit që të konservojë këtë sipërfaqe për të mos lejuar ndërtime të tjera.
Eduart Halimi: Pra, unë duhet të paguaj dhe nuk do të kem pronën time.
Enkelejd Alibeaj: Po natyrisht që do paguash dhe pronësia jote nuk do të jetë vetëm nën themelet e ndërtesës, por edhe në park, edhe tek rruga edhe përqark vilës. Me këtë bëhet e mundur që askush rreth vilës së vet të ndërtojë një vilë të dytë, ndërkohë që komshiu i vet të mos shohë as ajër dhe as dritë.
Dashnor Sula: Unë do ta shihja problemin më në praktikë, kjo sepse të gjithë, edhe ne që jemi deputetë mund të na ketë rënë rasti, pavarësisht se ndokush këtu thotë se nuk ka vilë atje, por mund të ketë një apartament atje.
Eduart Halimi: Unë s’kam as apartament.
Dashnor Sula: Kam unë o vëlla apartament të deklaruar dhe nuk ka asgjë të keqe.
Eduart Halimi: Unë nuk jam dakord me argumentin e sjellë nga përfaqësuesi i qeverisë se ne duhet të bëjmë zero gjithçka dhe pastaj të fillojmë nga e para. Jo ta zerosh përpara dhe më pas ta realizosh, pasi e konflikton tjetrin. Nëse ti ia heq këtu atëherë e detyron të shkojë në gjykatë. Nuk duhet futen në konflikt. Duhet të rregullohet terminologjia, jo çregjistrim juridik, por fshirje të regjistrimit. A është në kompetencën e ALUIZNI-t të kërkojë procesin e çregjistrimit? E bën vetë kryeregjistruesi jo ALUIZNI, do ta heqë vetë kryeregjistruesi. Kjo është çështje e kam thelbin te procedura duhet të ndryshohet neni 8.
Enkelejd Alibeaj: Kjo situatë duhet të realizohet e para, pasi i jep fund abuzimeve. Nuk eklipsohet ZRRP-ja me fshirjen e pronës.

5 Komente

ne kushtet aktuale (pa ligjin e ri), kur une e ble ne mirebesim (se me jep dokumenta ndertuesi) dhe, per me teper, behet nje rregjistrim ne hipoteke, duhet te kthej une pronen apo pronari i vertete (shteti ne rastin tone) duhet ti kerkoje parate atij qe ma shiti?

Kam pershtypjen se pronaret e fshatrave turistike dhe qe kane ndertuar vilat apo godinat, nuk ja kane shitur individeve, por ia kane dhene ne formen e nje qiraje per 100 vjet, ku qirdhenesi ka pranuar ta paguaje qirane te themi per 100 vjet qe ne fillim.

 ujku mjegull do 

 çeshtja duket pakez e koklavitur, sepse nuk po kuptohet se per ke fshatra e ke ndertesa behet fjale.  Sot konflikti ekziston ndermet atyre qe i morren tokat me ligjin 7501 dhe pronarve te vertete. Mos ndoshta me kete ligjin e ri tani, qeveria do te mbledhi para per ish pronaret. Gje jo e keqe, veç si do shkojne punet, kjo e veshtire te parashikohet, me kete mish-mash qe eshte krijuar. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).