Filmi "Gjalle" perfaqeson Shqiperine ne festivalin e cmimeve Oscar

 Filmi "Gjallë", i regjisorit Artan Minarolli është përzgjedhur nga Komisioni përzgjedhës pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë si filmi që do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e madh të çmimeve Oscar në kategorinë "Best foreign Film Award".

Në të njëjtën kohë filmi "Gjallë" është përzgjedhur për të marrë pjesë edhe në festivale të tjera të filmit si në “Prifilmfest” në Prishtinë, “Pusan IFF” në Korenë e Jugut, “Antalya Film Festival” në Turqi, si dhe në festivale të tjera në Indi, Norvegji, Francë dhe Serbi. 

"Gjallë" është një film i realizuar nga bashkëpunimi i “WILD-art FILM” në Vjenë, “Art Film” në Tiranë dhe “Agat Films & Cie” në Paris.
Ky film u prezantua për herë të parë në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ndërsa prezantimin e parë zyrtar e pati në mbrëmjen e 4 shtatorit në kinemanë “Imperial” në Tiranë.

Në qendër të tij është një histori gjakmarrjeje, e cila kalon nga gjyshi tek nipi për një hark kohor prej 60 vitesh. Për të përcjellë tek publiku këtë subjekt interesant, të trajtuar ndryshe nga herët e tjera, ku gjithçka vjen e veshur me normalitet dhe diku me nota humori, regjisori ka zgjedhur një kast aktorësh si Nik Xhelilaj, Nijada Saliasi, Besart Kallaku, Xhevdet Ferri, Arqile Lici, Bruno Shllaku, Luljeta Bitri, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Sulejman Dibra, etj.
Në qendër të këtij subjekti është Koli, një djalë 22 vjeçar, i cili është student në Universitetin e Tiranës. Jeta e tij rrjedh normalisht deri në çastin kur ai mëson se mbi familjen e tij vazhdon të zbatohet kanuni i Lek Dukagjinit, për shkak të një vrasjeje të bërë nga gjyshi i tij, 60 vjet më parë. 

Regjisori Artan Minarolli u lind më 13 maj 1958. Ai ka studiuar në Tiranë në Akademinë e Arteve, dega dramë dhe është diplomuar në vitin 1982. Minarolli ka kryer një specializim në Danimarkë për regjisor pranë Shkollës Evropiane të Filmit në vitin 1993.
Filmin e tij të parë ai e ka realizuar në vitin 1991, film dokumentar, “Për një centimetër”, me të cilin fitoi çmimin e parë në Festivalin e Torinos. Filmin i parë artistik vjen në vitin 1994, metrazhi i shkurtër - “Qind për qind”, në bashkëpunim me Petrit Rukën me të cilin realizoi edhe filmin “Plumbi prej plasteline” më 1996. Së fundmi ai ka realizuar dhe filmin “Kronikë provinciale”. /Asllan Bajrami/

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).