Energjia e erës, studimet ende të papërfunduara

ERE i zgjat afatin e licencave me 12 muaj tre kompanive të mullinjve me erë

Tre nga kompanitë që kanë marrë leje koncesionare për prodhimin e energjisë elektrike me anë të mullinjve të erës, kërkuan dhe morën shtyrje të afatit të përcaktuar për studimin e nevojshëm për fizibilitetin e projektit dhe kryerjen e matjeve në kushte reale nga Enti Rregullator i Energjisë. Tre vendimet e ERE-s u publikuan së fundmi në Fletoren Zyrtare.

"Duke konsideruar kompleksitetin e problematikës që i licencuari ka hasur në kryerjen dhe dorëzimin e studimit të fizibilitetit të bazuar në matje reale dhe duke qenë se ndërtimi dhe instalimi i parqeve eolike, përveç etapave administrative në të cilat kalon çdo projekt, përbën akoma një teknologji jo shumë të njohur në vend dhe që kërkon asistencën teknike të huaj, ERE vendosi shtyrjen e afatit me 12 muaj", argumentohet në secilin prej vendimeve përkatëse.

ERE ka dhënë deri më sot shtatë licenca paraprake për ndërtimin e parqeve të energjisë me erë. Të shtatë projektet kanë fuqi të instaluar së bashku prej 1367 MW të instaluar. Në rast se realizohen, investimi i përgjithshëm mund të arrijë në disa miliarda euro. Prodhimi i pritshëm nga këto impiante sipas ERE është 3100 miliardë kWh, shifër kjo e barabartë me gjysmën e konsumit aktual kombëtar. Mullinjtë e erës mund të ndërtohen në Karaburun, Butrint, grykën e Shkumbinit, Lezhë dhe në Kryevidh të Kavajës.

Por rruga është e gjatë

Të reklamuara me bujë si investime që do të zgjidhin krizën energjetike të Shqipërisë dhe do të integrojnë rrjetin shqiptar me atë italian, investimet në energjinë eolike nuk është se po ecin aq shpejt sa u premtua. Kompanitë që kanë marrë licencat, duhet që të masin shpejtësinë, densitetin dhe drejtimin e erës në kushte reale për së paku një vit para se të analizojnë kostot dhe përfitimet. Energjia e erës është një inxhinieri komplekse dhe shumë e kushtueshme. Shumë specialistë në të gjithë botën nuk e pranojnë si burim të besueshëm energjie, pavarësisht se disa vende kanë arritur të plotësojnë deri në 10 për qind të konsumit të vet me burime të energjisë me erë. Problemi kryesor i kësaj energjie është fakti se era fryn jashtë kontrollit të njeriut ndërsa pikat ku fryn era janë zakonisht larg zonave të banuara. Nga studime të ndryshme të Rrjetit Europian të Transmetimit, rezulton se energjia e erës shkakton shpesh mbingarkesë në rrjete transmetimi dhe në shumë raste është e papërdorshme. Impiantet e mëdha të energjisë me erë janë ndërtuar gjithkund falë shpenzimeve bujare mbështetëse të qeverive që përdorin paratë e taksapaguesve.

Shpresa tek Italia

Sipas ekspertëve shqiptarë, vendi ynë nuk ka asnjë shans të pranojë në rrjetin e vet qoftë edhe një pjesë të vogël të impianteve të energjisë me erë, të licencuara për shkak të konceptit të sigurisë së prodhimit përmes mbajtjes në punë të kapaciteteve shtesë. Kapacitetet prodhuese të energjisë me erë duhet të mbështeten nga termocentrale apo hidrocentrale konvencionale, në mënyrë që furnizimi i rrjetit me energji të mos ndërpritet në rast se era ndërpritet papritur. Sistemi aktual shqiptar mban në gjendje pune një kapacitet sigurie prej 3-4 përqindësh të kërkesës, pra mban në punë një prej turbinave të hidrocentraleve të Matit. Për këtë arsye, të gjitha impiantet e projektuara për energji me erë shpresojnë në ndërtimin e një linje interkonjeksioni Shqipëri-Itali, për ta shitur energjinë e erës në tregun italian. Italia ka shprehur mbështetje politike për këto projekte, në mënyrë që të plotësojë angazhimet që ka marrë në kuadër të traktatit të Kiotos.

Qeveria shqiptare ka licencuar deri tani pesë linja interkonjeksioni me Italinë. Njërës prej tyre i skadoi licenca vitin e kaluar për shkak se nuk arriti të respektojë axhendën e punës për realizimin e projektit. Katër linjave të tjera pritet t‘i skadojë afati gjatë vitit të ardhshëm. Në këto kushte, ka pak shpresa që në mungesë të një linje interkonjeksioni, në Shqipëri të ketë një industri të mullinjve me erë. Shtyrja e afatit të kryerjes së studimit të fizibilitetit për tre nga shtatë subjektet e licencuara, vë në dukje se energjia e erës ndoshta nuk do të vijë së shpejti në Shqipëri.

4 Komente

sipas studimit per energjite e rinovueshme ne kuader te Bashkimit per Mesdheun rezulton se vendet e selektuara per energjine e eres jane ato qe lagen nga Oqeani.

Nuk besoj se Shqiperia ka aq shume ere sa te justifikoje "bukurine" e mullinjve, por ne kemi me shumice ere muti qe nese perdoret me zgjuarsi mund te na ktheje ne superfuqi.

Ne fakt firmat e turbinave te eres, ka raste qe studiojne 2-3 deri ne 5 vjet nje vend a gryke, para se te instalojne turbinat, keshtu qe ERE te mos hiqet si zemergjere me kete shtyrje prej 1 viti, se nuk ka budallenj te investojne 100 milion per hiçgje.

Dajosh, s'po hiqet e qeshura, e te marrte e mira te marte.  

Duhet Grupi ketu ai i jep drejtim puneve te energjise.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).