E vërteta jo vetëm mbi Akademinë e Shkencave

Një shkrim tjetër për Akademinë e Shkencave do të ishte i panevojshëm, jo vetëm pse është shkruar shumë herë për të, por, para së gjithash, në gjendjen ekzistuese të Shqipërisë, të problemeve që ndeshen sot, çështja nëse është apo jo i reformuar ky institucion, është thjesht çështje luksi, jo-prioritare, një çështje që ka kohë e kyçur diku në një sirtar të shoqërisë ku jetojmë. Nuk ia vlen të shkruash madje edhe pse herë pas here krijohen keqkuptime lidhur me atë që ka ndodhur me Akademinë apo me statusin e saj të ri, madje edhe kur këto keqkuptime formulohen nga autoritete të fushës së letrave dhe si të tilla, domosdoshmërisht ndikojnë në formimin e opinionit publik, prandaj edhe në balancat shoqërore dhe politike të vendit. Megjithatë, përsëri vendosa të shkruaj edhe njëherë për Akademinë, sepse keqkuptimi i fundit lidhur me të nuk ishte thjesht i rastësishëm, nuk vinte e krijohej si shumë të tjerë për shkak të ndonjë interesi të ngushtë, por vinte nga hapësira e lëmuar e dezinformimit, madje, i shoqëruar në një pjesë të tij edhe me interpretime ideologjikisht të dyshimta, dhe së fundi, sepse ky keqkuptim u formulua nga Rexhep Qosja, fatkeqësisht. Ndërsa Rexhep Qosja trajton me mprehtësi dhe realizëm jo pak nga ngjarjet e fundit, veçanërisht ato që kanë lidhje me letërsinë artistike, me Enciklopedinë e Maqedonisë, me tekstet shkollore në Shqipëri dhe simbiozën negative, jo rastësore, që të gjitha këto ngjarje kanë me politikën dhe me cilësinë e keqe të qeverisjes në Shqipëri dhe Kosovë, ai gabon kur flet në një intervistë në “Gazetën Shqiptare” për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, dhe akoma më rëndë gabon, kur flet për anët e mira, krahas atyre të këqija, të sistemit të Enver Hoxhës.

. . .

E vërteta mbi reformimin e sistemit shkencor në Shqipëri, pjesë e të cilit është edhe Akademia e Shkencave, lidhet ngushtësisht me aplikimin e disa parimeve universalisht të pranuara në fushën e organizimit institucional të shkencës dhe të arsimit të lartë. Në këtë kontekst u bë e qartë që, në qoftë se procesi i reformimit të sistemit shkencor të para disa vitesh në Shqipëri do të përfshinte vetëm Akademinë e Shkencave si të tillë, pra, si një institucion jashtë sistemit universitar dhe rrjetit të institucioneve kërkimore që funksiononin si pjesë administrative e ministrive të ndryshme, atëherë do të ishte e pamundur të përcaktoje nevojën për reformë, të gjeje një justifikim se pse e kryeje atë, dhe aq më shumë, ishte e pamundur të përcaktoje thellësinë, dimensionet e reformimit. Ishte nga ato raste, në të cilat studimi i një objekti në vetvete nuk të jep asnjë informacion të rëndësishëm për sistemin që përbëhet nga shumë objekte të ngjashme me të, por ajo që vërtet të çon të zbulosh më të rëndësishmen, më esencialen, është studimi i fenomeneve që lindin në sipërfaqen e takimit të objekteve, pra, fenomenet që lindin në krejt sistemin si një i tërë. Nevojën për reformë, por edhe përmasat e saj, mund t’i identifikoje si të tilla, pra realisht vetëm nëse ndryshoje sistemin që studioje, e zgjeroje atë, vetëm nëse futje brenda tij të gjithë komponentët që kanë “sipërfaqe kontakti” me kërkimin shkencor. Pra, në thelb, për të kuptuar dimensionet e vërteta të problemit, nuk duhet t’i referohesh vetëm Akademisë në vetvete, si të tillë, por edhe universiteteve, edhe institucioneve të tjera shkencore, pra krejt sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor brenda kufijve të shtetit. Dhe sapo e vendosje në fokusin e analizës sistemin e kërkimit shkencor të marrë si një e tërë, atëherë menjëherë dalloje ekzistencën e dy problemeve shumë të rëndësishëm për t’u konsideruar: së pari, ndarja e mësimit universitar nga kërkimi shkencor, gjë që ka çuar në një efektivitet shumë të ulët të funksionimit të secilës pjesë respektivisht dhe së dyti, përjashtimi nga procesi i formimit arsimor të rinisë universitare i burimeve “të kyçura” apo të izoluara materiale dhe njerëzore në fushën shkencore. Esencialisht, zgjidhja e këtyre dy problemeve dhe jo Akademia e Shkencave duhet të ishin në fokusin e reformës. Reforma do të quhej e kryer, e suksesshme, kur të paktën, nga pikëpamja institucionale dhe ligjore, të krijohej një sistem unik i mësimit universitar dhe kërkimit shkencor, në të gjitha nivelet, veçanërisht kur të integroheshin të dy këto pjesë në nivelin individual, në nivelin e profesorit dhe të vetë studentit. Pra, vetëm kur të kryhej realisht integrimi institucional i instituteve të Akademisë së Shkencave, i instituteve kërkimore të tjera me departamentet, fakultetet dhe universitetet e vendit.

Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri ose, që të jem më i kujdesshëm, kjo gjë ndodhi pjesërisht, por në të gjitha rastet ajo çka ndodhi ishte një proces thellësisht formal, pa jetë, i pamotivuar, bosh në substancë. Kjo është edhe arsyeja më e thellë pse njerëzit mendojnë se asgjë nuk ndodhi gjatë reformës, veçse një zhvendosje e thjeshtë fizike inventarësh dhe letrash. Thënë më thjesht, “Akademia e Shkencave nuk u shpartallua pse u shkëputën prej saj institucionet shkencore”, siç mendon Rexhep Qosja, përkundrazi, në të gjithë atë rrëmujë që ndodhi e ndodh edhe sot, Akademia e Shkencave ishte i vetmi institucion që gjeti pozicionin e saj të natyrshëm institucional, pa institutet kërkimore dhe me një mision e status të qartë. Ai që u shpartallua, në të gjitha kuptimet, është krejt sistemi universitar dhe bashkë me të edhe pjesa kërkimore shkencore, pra, ekzaktësisht ajo që përbënte edhe thelbin e reformës. Prandaj, çdo ditë e më shumë, ka një dyshim që vjen e rritet, dyshim që bie mbi ndershmërinë e qëllimit të reformës të formuluar nga kryeministri dhe qeveria. Sot një gjë është fare e qartë: qeveria nuk ka pasur qëllim të reformonte sistemin universitar dhe shkencën në Shqipëri, sepse kjo gjë nuk ndodhi dhe për të nuk flitet më. Qeveria nuk ka pasur qëllim të reformojë Akademinë e Shkencave, dhe kjo është gjithashtu shumë e qartë. E ashtuquajtura “reforma e Akademisë së Shkencave”, megjithëse përdoret gabim, jashtë kontekstit, ishte thjesht “një efekt anësor”. Madje më shumë. Qeveria ka pasur qëllim që “reforma e Akademisë së Shkencave” të ishte një alibi. Një alibi për të fshehur mos-reformimin real të universiteteve dhe shkencës, një alibi për të fshehur “shporrjen” e ndonjë akademiku në shenjë të një hakmarrjeje të vjetër.

. . .

Gjykimi i Rexhep Qosjes për Akademinë e Shkencave vjen dhe pasohet nga gjykimi i tij mbi ish-sistemin komunist në Shqipëri. Qartësisht duket që ky gjykim nuk mbështetet mbi dezinformimin, por ushqehet nga një bindje e tij ideologjike. Kështu, Rexhep Qosja shkruan: “Mjerimi moral dhe servilizmi i ri (i qeveritarëve të sotëm, shën. i imi), nuk i lejojnë të shohin se Perëndia e tyre, Enver Hoxha, i cili e kishte vënë Shqipërinë nën një regjim dhune të përgjithshme, që e dënon çdo mendje liridashëse e demokratike, njëkohësisht ka bërë shumë për Shqipërinë: e ka nxjerrë prej prapambetjes së tmerrshme materiale, institucionale, arsimore, shëndetësore, duke e bërë shtet të fortë, të organizuar (sado policor) ...” Të duket sikur kemi të bëjmë me një konceptim balancues dhe të paanshëm të historisë, por në substancë nuk është kështu. Thjesht, kemi të bëjmë me një tentativë për të bashkuar gjëra të pabashkueshme, për të ndërtuar një gjë të vetme, pra një të tërë, në të cilën pjesët e saj, pikërisht sepse tentohet të vendosen shumë afër njëra me tjetrën, jashtëzakonisht afër, ashtu si në rastin e fizikës së mikrogrimcave, në vend të tërhiqen, ato shtyhen, ciflosen, shpërndahen, duke e bërë gjykimin të paqëndrueshëm, jo-ekzistent, të pamundur, pra, jorealist. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një gjykim metafizik, që i sheh gjërat në një statizëm të papranueshëm dhe jo në lëvizje; që i koncepton ato sipas vlerës së tyre absolute dhe jo duke iu nënshtruar një gjykimi relativ, i cili vjen e formohet në krahasim me një sistem apo një nivel referues. Si mund të dilte Shqipëria e kohës së komunizmit nga prapambetja ekonomike, kur gjithmonë e më shumë shqiptarët shpronësoheshin, zhyteshin në skamje, ndërsa vendet fqinje, vetëm për shkak të një sistemi tjetër politik, pasuroheshin dhe prosperonin çdo ditë; si mund të dilte Shqipëria e kohës së komunizmit nga prapambetja institucionale, kur vetëm institucione nuk mund të ndërtosh në një sistem totalitarist; si mund të dilte Shqipëria e kohës së komunizmit nga prapambetja arsimore, kur shqiptarët zhdukeshin edhe fizikisht, nëse thoshin atë që mendonin; si mund të dilte Shqipëria e kohës së komunizmit nga prapambetja shëndetësore, kur shqiptarët izoloheshin gjithmonë e më shumë. Prandaj, konkluzioni i Rexhep Qosjes në fund të intervistës çmonton të gjithë ngrehinën që ai kish montuar gjatë saj. Qeveria e sotme në Shqipëri, fatkeqësisht, ka bërë dhe po bën ç’është e mundur që në praktikë, pra, në rrafshin konkret, të mbajë sa më gjatë të pakallur kufomën e shtetit të Enver Hoxhës, sepse nëpërmjet mungesës së reformave, nëpërmjet reformave virtuale apo gjasme reformave në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në fushën e institucioneve, madje edhe në fushën legjislative, ajo po ruan marrëdhënie të ngjashme me ato të sistemit të shkuar totalitarist. Është pikërisht ky fenomen që ka çuar në cilësinë e ulët të shqiptarit si qytetar, duke e çuar atë në pikën ku të pranojë edhe ato më të papranueshmet në një sistem demokratik, pra, të bëjë sehir se si pushteti ekzekutiv merr territor në kurriz të hapësirës së pushtetit të drejtësisë, se si blihen mediet nga qeveria, se si kjo e fundit komandon edhe legjislativin dhe se si të gjitha së bashku janë zhytur në baltën e paanë të korrupsionit. Rexhep Qosja mbron të pambrojtshmet. Ai mbron modelin e një Akademie Shkencash me institucione kërkimore, model i ish-vendeve komuniste, lindore, në vend që të bëjë të kundërtën, të kritikojë qeverinë për gjasme reformën në afrimin e kërkimit shkencor në universitete dhe në ndërtimin e një sistemi universitar jo-funksionues, fiktiv, si ky që kemi sot. Ai shpreh mbështetje për “anët pozitive të ish-sistemit komunist”, dhe për këtë kritikon ish-punistët shqiptarë se pse qeverisja e tyre e sotme nuk i njeh këto “vlera”, në vend që të bëjë të kundërtën, të kritikojë “ruajtjen frigoriferike” të modeleve komuniste nga qeveria e sotme në fusha të ndryshme të jetës ekonomike, institucionale, shoqërore dhe politike. Dhe në fund, të vazhdosh të diskutosh edhe sot, njëzet vjet pas rrëzimit të komunizmit, për “të mirat dhe të këqijat” e Enver Hoxhës, pra të mos biesh dakord edhe sot se kush ka qenë Enver Hoxha dhe sistemi i tij kriminal, kjo është edhe varfëria më e re që i shtohet mizerjes së paanë ku jetojnë shqiptarët. Ky dyzim i mbjellë me kujdes nga politika, vetëm sa helmon shpirtrat e shqiptarëve duke i çuar ata në buzë të asaj gremine ku të thith “gropa” e pyetjes se, kur ishte më mirë, dje apo sot. Prandaj, autoritetet shqiptare në fushën e letrave, duke përfshirë edhe Rexhep Qosjen, sigurisht, si dhe autoritetet e politikës së të nesërmes, duhet të kenë një bashkë-mision, atë të shkëputjes përfundimtare të Shqipërisë nga e shkuara e saj, në të gjitha kuptimet, në të gjitha përmasat.

2 Komente

Ai [Qosja] mbron modelin e një Akademie Shkencash me institucione kërkimore, model i ish-vendeve komuniste, lindore, në vend që të bëjë të kundërtën,

Kesaj i thon me t'bo me zor me sha baben. Po ai ne ate 'model lindor' (lexo 'Rus') u formua si gjithe shkencetaret e tjere te lindjes qe kane pak-a-shume te njejtin kualitet me ata te Perendimit.

O Besniko.Nuk te dhane edhe kesaj rradhe post ty.Duket nga shkrimi qe ke bere.

Hajt mos u merzit.Kush e di kujtohen per ty nga 2023.

Sa per titullin e ke qa fare.Ke gjet ku te shkruash per te verteten.Te nje gazete qe te vertetat e djeshme sot i quan genjeshtra dhe ansjelltas.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).