E ardhmja përmes të kaluarës

E ardhmja përmes të kalu-arës (Back to the future,) duket se është qasja dhe praktika e funksionimit të politikës së brendshme në Shqipëri, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Shprehjen “back to the future” ne e kemi marrë borxh sa nga filmi i mirënjohur  i Spilbergut, aq edhe nga teoricieni realist i marrëdhënieve ndërkombëtare John Mershimer. Filmi i Spilbergut tregon historinë e një adoleshenti, që kthehet mbrapsht aksidentalisht në kohë nga viti 1985 në vitin 1955. Kështu ai takon prindërit e vet në shkollën e mesme dhe rastësisht zgjon edhe interesin romantik të nënës së vet. Adoleshenti duhet ta riparojë këtë dëm, që i ka bërë historisë duke ndihmuar që prindërit e tij të bien në dashuri dhe sidomos duke u përpjekur të gjejë mënyrën për t’u kthyer në kohën reale, pra, në vitin 1985. Ndërsa teoricieni realist i marrëdhënieve ndërkombëtare, përmes artikullit të tij të famshëm, propozon se e vetmja mënyrë për të shmangur konfliktet ndërkombëtare, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, është kthimi mbrapsht në histori, me garën e armëve nukleare. Filmi i Spilbergut, ku adoleshenti i kthyer mbrapa në histori kthehet në kohë reale, korri një sukses të jashtëzakonshëm, duke sjellë 380 milionë dollarë fitime, por edhe kritika të papara, ndërsa teoria e Mershimerit, sipas së cilës paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar mund të arrihen duke u kthyer mbrapsht në histori, ka gati dy dekada që provohet si e gabuar.
Por le të kthehemi te “filmi” dhe “teoria” e politikës shqiptare e shkuarjes drejt të ardhmes duke u kthyer mbrapsht në histori (“Back to the future&rdquosmiley Politika shqiptare është kthyer mbrapsht të paktën trembëdhjetë vjet. Së pari, me bojkotin politik që opozita apo Partia Socialiste i ka shpallur parlamentit. Argumenti është i njëjtë, si dhjetë apo dymbëdhjetë vjet të shkuara, kur opozita e asaj kohe bojkotonte parlamentin duke akuzuar qeverinë se kishte manipuluar procesin zgjedhor. Shqipëria politike, opozita dhe kryetari i saj po përsërisin Shqipërinë e të shkuarës, kur zgjedhjet pranohen vetëm kur i fiton opozita.
Shqipëria politike është kthyer mbrapsht në histori, duke u rikthyer në politikën konfliktuale, në mungesën e konsensusit dhe të kompromiseve. Zero sum game (ai që fiton i merr të gjitha) ka qenë motoja e partive politike dhe e politikanëve shqiptarë. Kur përpara zgjedhjeve qeveria dhe opozita ishin pothuajse në muaj mjalti, duke shkuar në kompromise të pafund, përfshirë edhe konsensusin për të ndryshuar Kushtetutën brenda natës, nuk ishte e tepërt të mendoje se konfliktit si një instrument politik dhe logjikës së zero sum game po i vinte fundi. Por jo, politika shqiptare është kthyer sërish në të njëjtat llogore. Së dyti, opozita socialiste dhe veçanërisht kryetari i saj, Edi Rama, është kthyer mbrapsht edhe në një aspekt tjetër dhe tani jo një dekadë, por plot dy dekada. Gjatë tre javëve të fundit u zhvillua fushata dhe zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste, sipas parimit një anëtar një votë. Shqiptarët panë një farsë teatrale, qesharake dhe sigurisht aspak serioze. Në këtë farsë u sajua një rival në garën për kryetar të PS-së, i cili mori rreth tre për qind të votave përballë z. Edi Rama, që korri një fitore “plebishitare” prej 97 për qind, e ngjashme si dy pika ujë me rezultatet e zgjedhjeve gjatë diktaturës. Madje, kjo farsë ishte shumë e ngjashme me zgjedhjen e Presidentit shqiptar më 1991, kur në parlament u sajua një rival, i cili, në mënyrën më të pa imagjinueshme, në vend që të votonte për veten votoi për “kundërshtarin” dhe rivalin e vet, presidentin e asaj kohe, Ramiz Alia.
Kush duhet ta kthejë z. Edi Rama, që nuk është “adoleshenti” i Spilbergut në kohë reale, pra, në vitin 2009? Dhe sidomos cila është rruga që duhet ndjekur për t’u kthyer? Rruga që ndoqi për t’u rizgjedhur me një farsë, sipas parimit një anëtar, një votë, sigurisht nuk është rruga e duhur. Ndoshta rruga është ballafaqimi me të vërteta të thjeshta, të cilat mund të fillojnë me faktin se Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet:
Edi Rama, në krye të Partisë Socialiste, si forca kryesore e opozitës, mundi të sigurojë numrin më të madh të vendeve në parlament në historinë e gati njëzet vjetëve të të gjitha opozitave. Por në të njëjtën kohë, beteja elektorale e Edi Ramës ishte një dështim perfekt dhe spektakolar. Shumë zëra objektivë, jashtë lidhjeve me partitë, pohojnë se Edi Rama humbi zgjedhjet, që asnjë opozitë në botë nuk duhet t’i kishte humbur. Edi Rama dha konsensusin për të ndryshuar ligje dhe kompetenca, përfshirë edhe Kushtetutën, duke u dashuruar me idenë se kryeministri i ardhshëm do të ishte një sulltan i Shqipërisë. Zërat, që u përpoqën ta ndalnin në krijimin me ligj të këtij “sulltani”, ai i refuzoi, duke lënë të nënkuptohej se nuk do të ishte më kryeministër Sali Berisha, por ai. Sipas kësaj logjike paska “sulltanë” të mirë dhe “sulltanë” të këqij. Ai do të ishte sulltani i mirë i Shqipërisë. Edi Rama zgjodhi kokërr më kokërr emrat që do të hynin në Parlament, pa asnjë garë, në të shumtën e rasteve pa asnjë ditë të vetme përvoje në administratën publike, duke tronditur edhe ekuilibrat e brendshëm të Partisë Socialiste.
Edi Rama mendoi, besoi dhe kërkoi të mundte Berishën, të hiqte qafe Ilir Metën dhe Fatos Nanon, por edhe figura të tjera brenda Partisë Socialiste. E ç’mund të jetë tjetër kjo gjë, përveç se një zero sum game. Edhe kryetar bashkie, edhe kryeministër, edhe kryetar partie.
Kryetari i Partisë Socialiste i shpërfilli votuesit shqiptarë, duke i ftuar ata thjesht të votojnë kundër Sali Berishës, pa ofruar ndonjë alternativë dhe propozime konkrete.
Ai habiti një pjesë jo të vogël të Partisë Socialiste, kur deklaroi se vizioni i tij politik ishte “përtej të majtës dhe të djathtës”. Dhe këtë ua thoshte asaj pjese jo të vogël të Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë dhe vijojnë të mbeten komunistë dhe bolshevikë të palëkundur në mënyrën e tyre të të menduarit. Kryetari i partisë, që duhet të fitonte zgjedhjet, jo vetëm i habiti, por më shumë i trembi shqiptarët, kur u tha se ai nuk ishte politikan, por një misionar. Mendoni pak se kush e ka pretenduar këtë rol misionari dhe mendoni se ku ka përfunduar. Së fundi, Edi Rama i trembi dhe u krijoi mjaft dyshime shqiptarëve kur vetë nuk u fut në garën për në Parlament. Jo pak shqiptarë filluan të dyshonin motivet për të cilat nuk po hynte në garë kryetari i Partisë. Moskandidimi nuk i rrezikonte Edi Ramës postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, apo postin e “sulltanit” të Tiranës në rast dështimi në zgjedhje. Ka ndodhur pikërisht kështu, Edi Rama ka humbur zgjedhjet, por ka mbetur kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Tiranës, në të cilën nuk është e vështirë të dallosh se përparimi dhe ndryshimet thuajse kanë ngrirë. Madje kanë filluar të lulëzojnë sërish kioskat dhe paligjshmëria.
Po të mbajmë parasysh të gjitha sa më sipër, nuk është pa vend të thuhet se kryetari i opozitës ka shkuar shumë prapa në kohë, veçse jo në mënyrë aksidentale si adoleshenti i Spilbergut. Rikthimi sa më parë në kohën reale është edhe shpëtimi i tij politik.

* “Tirana Times” është një gazetë javore që botohet në anglisht në Tiranë qysh nga viti 2005

8 Komente

Artikull i mire,ky artikull me kujton fjalen e urte popullore:"mos ja hap gropen tjetrit se bie vete mbrenda."mendoj se keshtu beri dhe E Rama,

 

Moskandidimi nuk i rrezikonte Edi Ramës postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, apo postin e “sulltanit” të Tiranës në rast dështimi në zgjedhje. Ka ndodhur pikërisht kështu, Edi Rama ka humbur zgjedhjet, por ka mbetur kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Tiranës, në të cilën nuk është e vështirë të dallosh se përparimi dhe ndryshimet thuajse kanë ngrirë.

Pra Edi Rama nuk humbi,sepse ishte dhe mbeti po ne pozite,Kryetar i Bashkise Tirane.

Ata qe humben jane socialistet e thjeshte qe ishin ne opozite dhe ngelen po ne opozite dhe,keshtu sic e ka nisur Edi Rama,do te vazhdojne te mbeten ne opozite edhe ne 2013.

Artikull i hallakatun..Shume paralelizma te veshtire per t'u ndjekur.E.Rama humbi sepse nuk diti te paraqitet si politikan me program e me ide.Humbi sepse mbeshteti fushaten elektorale ne luften personale kunder Berishes.Humbi sepse nuk ka koherence personale intelektuale ,eshte i papergjegjshem dhe profesionalisht i paafte.I mungon karizma e kultura e liderit....Shqiperia ka nevoje per nje opozite te ndershme e konstruktive.Ka nevoje qe kjo opozite te ushtroje funksionin e kontrollit me ndershmeri e mbi te gjitha te vere interesat e vendit e jo kapriçot infantile te Rames.Mendoj se per socialistet eshte humbje kohe,elektorati,deri sa ne krye eshte Edi Rama.E prej kesaj nuk ka askush te mire ....

Eh, "Back to the future" s'përkthehet "E ardhmja përmes të kaluarës" por "Kthim tek e ardhmja" dhe me ç'shikoj s'ka të bëjë fare me artikullin. Marty mëson edhe përfiton në jetë kur shkon mbrapa ose para në kohë, kështuqë i bie të jetë gjë e mirë për të. Nëse do marrësh këtë film si shembull, i bie që edhe Rama bën mirë që shikon nga e kaluara.

Doro, mire qe na sqarove, pasi mua mbasi lexova shkrimin me vinte ashtu si per te vjelle.

Idea se bojokoti eshte demode meqe qenka perdorur ne te shkuaren eshte pa argument llogjik.

Sipas kësaj logjike paska “sulltanë” të mirë dhe “sulltanë” të këqij. Ai do të ishte sulltani i mirë i Shqipërisë. Edi Rama zgjodhi kokërr më kokërr emrat që do të hynin në Parlament, pa asnjë garë, në të shumtën e rasteve pa asnjë ditë të vetme përvoje në administratën publike, duke tronditur edhe ekuilibrat e brendshëm të Partisë Socialiste.

Ne qofte ky nip Zog-ollu-je (sic flasin gjuhet e liga) atehere Stambolli i vjeter eshte kalcifiku ne Tajronen e re.

Së fundi, Edi Rama i trembi dhe u krijoi mjaft dyshime shqiptarëve kur vetë nuk u fut në garën për në Parlament

Gjepura!..ose Rubbish!

Perkundrazi te gjithe e kuptuan,se duke patur nje Sulltan Murat perball si Berisha, me shume tabore qeveritaresh dhe obortare servilash dhe dallkauke,se pari beri mire qe mbajti nje "Keshtjell" si Bashkia!

Tashme ne keto 19 vjet pabesia e Sulltanit qe ka oborrin me te madh dhe me te pasur ne Shqiperi,dihet!..dheeeee mbajtja "keshtjelles"te bashkise ishte dhe eshte nje taktik e Rames,deri sa te largoje ishaaaaaalla Sulltan Muratin e Turqise,nga muret e Qeverise!!

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).