Deklaratat politike, media dhe paniku në publik

Ka disa kohë që të lexosh faqet ekonomike të gazetave të përditshme , apo më keq akoma, të dëgjosh seksionet ekonomike të lajmeve në televizionet tona i ngjan shumë kronikës së zezë, e cila gjithmonë të lë një shije të hidhur. Kjo tendencë u theksua me çështjen e krizës financiare në vendet e zhvilluara (por jo vetëm). Mediat “bënin namin” si e si ta paraqitnin Shqipërinë dhe ekonominë e saj të ekspozuar tërësisht përballë efekteve të krizës financiare, duke krijuar një amulli dhe panik psikologjik të panevojshëm në publik, në një kohë që e vërteta ishte krejt ndryshe. Shqipëria u prek përciptazi, në disa sektorë të veçantë dhe kjo është mjaft normale për një ekonomi të lirë të përfshirë në një sistem global të shkëmbimeve ekonomike.
“Kronika e zezë” e mediave (kështu do preferoja ta quaja) u përvijua me debatin e zjarrtë dhe shumë të rrëmujshëm mbi shpenzimet publike të rritura disa herë, duke lënë pa përmendur këtu edhe akuzat për abuzime me fondet e buxhetit të shtetit. Edhe në këtë debat, i jepej shumë rëndësi shifrave të fryra dhe të shfryra të hedhura për konsum publik nga dy kampet politike, pa bërë asnjëherë një analizë investigative (për këtë duhet media investigative) dhe për të dalë ndoshta me përfundime krejtësisht të tjera. P.sh., në vend që të diskutohej mbi tema që kanë të bëjnë me faktin nëse kjo rrugë duhet të jetë me apo pa pagesë për përdoruesit; nëse kjo rrugë duhet të jetë me dy apo katër korsi që të justifikojë ekonomikisht investimin në një periudhë afatmesme; apo në vend që të diskutohej efekti pozitiv që i sjell kjo rrugë krijimit të një tregu ekonomik pan-shqiptar, dëgjonim kronika televizive mbi rrjeta të shembura në tunel, mbi fitimin e kompanisë zbatuese, apo lajme me këmbë urash të krisura, me radhë të gjata në hyrje të tunelit etj., etj. Jo rastësisht nuk dua t’i hyj debatit të shpërdorimit të fondeve, pasi jam qartësisht i pozicionuar në favor të hetimit që duhet të bëjnë institucionet kompetente dhe vënies para ligjit të kujtdo që ka guxuar të fusë dorën në xhepin e taksapaguesve shqiptarë. 
Për të ardhur në ditët e fundit, kur “kronika e zezë” e mediave ngriti një furtunë në një gotë ujë me një fjali (e cila për hir të së vërtetës ishte pak e amullt) që Kryeministri Berisha tha në një konferencë me krerët e sistemit bankar në rajon, në lidhje me teorinë e euroizimit të ekonomive tona, të cilat aspirojnë të integrohen në familjen e madhe europiane. Duhet thënë që edhe ekonomisti më mediokër prezent në atë konferencë do e kuptonte që ajo ishte një deklaratë normale, e cila për mendimin tim u nxor nga konteksti, pikërisht nga media vizive dhe ajo e shkruar duke krijuar një efekt negativ në publik. Pavarësisht kësaj, sipas shumëkujt, e thënë publikisht apo nën zë, ishte pikërisht kjo deklaratë që i dha “shkelmin” kursit të këmbimit, duke e çuar nivelin e kursit të këmbimit të euros brenda disa ditëve nga 133 në 138 lekë.
Por si ka mundësi që kjo deklaratë, e cila është debatuar prej vitesh në qarqet ekonomike, por e hedhur në publik nga kryeministri disa herë para zgjedhjeve të krijojë një efekt kaq direkt në kursin e këmbimit pikërisht tani e jo më parë?
Para se të analizojmë këtë moment, le të sqarojmë si fillim që kjo ide nuk është një “blasfemi”. Zëvendësimi apo jo i monedhës vendase me monedhën euro ka krijuar debate të ashpra në mjaft prej vendeve që iu bashkuan BE-së, disa prej tyre tashmë edhe anëtare të eurozonës (pra është një debat normal edhe për vendin ton&eumlsmiley. Në këtë debat ka mbështetës të zëvendësimit (kryesisht ata që besojnë në liberalizimin e tregjeve) si edhe kundërshtarë të tij (kryesisht ata që janë për politika më proteksioniste, për një pavarësi më të madhe të institucioneve financiare të vendit etj.). Pa dashur të hyj në këtë debat, i cili nuk përbën thelbin e këtij shkrimi, një gjë është e rëndësishme: ky proces kërkon një kohë minimalisht afatmesme (mbi 5-vjeçare) dhe çdo veprim duhet bërë në koordinim të plotë me institucionet kompetente të BE-së si Banka Qendrore Europiane apo Komisioni Europian.
Po atëherë pse ky efekt negativ, pse tani e jo në deklarimet e tjera të kryeministrit Berisha? Fillimisht dua të theksoj faktin që ajo ishte një deklaratë e nxjerrë nga konteksti pikërisht nga media e “kronikave të zeza” dhe e hedhur për konsum në formën e një scoop-i, pa marrë as mundimin më të vogël për të sqaruar publikun mbi kohëzgjatjen e këtij procesi. Megjithatë, në anën tjetër duhet thënë që koha e zgjedhur (ajo që në tregjet financiare quhet “timing&rdquosmiley për të folur publikisht mbi këtë temë ishte e papërshtatshme dhe për më tepër, ideja e pasqaruar mirë prej tij. E papërshtatshme, pasi kishte disa ditë që tregu ynë valutor ishte bërë pre e presioneve fiktive nga operatorë të ndryshëm ekonomikë për zhvlerësimin e lekut dhe forcimin e euros. Autori i këtyre radhëve është ndër të parët që ka shprehur publikisht shqetësimin e tij për fenomenin e riskut të manipulimit në tregun valutor. Në anën tjetër, deklarata e Berishës ishte e paqartë, sepse ai nuk u ndalua në shpjegimin më të qartë të aksionit politiko-ekonomik që ai dhe forca që përfaqëson mendojnë të aplikojnë në të ardhmen. Kjo, krijoji impresionin tek popullata që “euroizimi” i ekonomisë do ndodhë për 24 orë, apo për një muaj, duke shkaktuar rendjen e publikut për të këmbyer kursimet e tyre nga lekë në euro, çka në vend që të qetësonte situatën në tregjet valutore, i hodhi benzinë zjarrit akoma më tepër.
Ndryshe nga të gjithë sektorët e tjerë të jetës së një vendi, ka disa sektorë të veçantë ku mund të përmendim shëndetësinë dhe tregjet financiare, të cilat janë shumë të ndjeshëm ndaj deklaratave publike të politikës apo keqshpërndarjes së informacionit nga mediat në vend. Për t’u fokusuar vetëm tek tregjet financiare, ato janë krejtësisht të bazuar tek besimi i konsumatorëve dhe çdo veprim, sado i vogël, që përbën një shtrembërim të informacionit, fillimisht do të krijonte panik dhe një gjendje psikologjike negative dhe në rast vazhdimësie, do sillte pasoja mjaft të rënda për stabilitetin financiar të vendit. Mjafton të përmendim për ilustrim thashethemin që Banka e Kursimeve, në atë kohë në proces privatizimi, po falimentonte. Ky thashethem krejtësisht i pabazë, i importuar nga Greqia, sepse një VKM e qeverisë përjashtonte bankat greke nga procesi i privatizimit, krijoi një hemorragji mjaft të madhe në sistemin bankar shqiptar për shkak se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve tërhoqën depozitat e tyre nga sistemi. Në më pak se dy muaj, gjithçka rezultoi një flluskë sapuni.
Për këtë qëllim, mendoj që sensibilizimi i grupeve të caktuara të interesit në këtë drejtim është mjaft i rëndësishëm. Sidomos shoqatat e përfaqësimit të komunitetit mediatik duhet të vënë theksin në drejtim të një profesionalizmi dhe etike më të lartë në drejtim të paraqitjes së informacioneve me karakter mjaft sensitiv në tregjet financiare. Me këtë në asnjë mënyrë nuk mendoj që duhet të privohen nga paraqitja e lajmit, por gjithmonë duke ruajtur parametra të pranueshëm për të mos krijuar panik në një masë të gjerë popullate, e cila ka pak ose aspak njohuri mbi çështjet teknike dhe të komplikuara të financave shqiptare.
Në anën tjetër, edhe politika nuk është pa faj. Ajo duhet të qëndrojë sa më larg deklaratave që kanë të bëjnë me çështje teknike dhe delikate. Këto duhen lënë të shpjegohen nga teknicienë apo akademikë me një gjuhë sa më të thjeshtë e të kuptueshme nga publiku. Ndërsa ky i fundit duhet të jetë më i vëmendshëm për të mos u bërë pre e spekulimeve nga subjekte të ndryshme që pompohen në një mënyrë apo tjetër në median ekonomike të vendit tonë.

*Pedagog Ekonomie
Universiteti Europian i Tiranës

5 Komente

Zoti Artan,

E lexova shkrimin tuaj. Nga sa kuptova ju jeni i mendimit qe Leku nuk ka aresye objektive ekonomiko-financiare te zhvleresohet kundrejt Euro-s dhe, nese Berisha nuk do te ishte prononcuar per ceshtjen e ndryshimit te monedhes kombetare, si dhe sikur te mos kishte orvajtje per manipulimin e tregut te kembimeve valutore nga subjekte ????? (se di), Leku do te kishte vazhduar te qendronte te themi tek niveli 130-132 leke per 1 Euro. 

Ndersa une, mendoj te kunderten; pra qe Leku ka aresye objektive ekonomiko-financiare qe te vazhdoje zhvleresimin ndaj Euro-s. Mund te ngadalesohet pak ky zhvleresim deri ne fund te vitit, pasi Banka e Shqiperise po nderhyn duke shitur Euro ne treg, por sidoqofte fillimi i vitit tjeter do ta gjeje Lekun te  zhvleresuar ndaj Euro-s me rreth 20%.

Tani te ndalemi pak tek deklaratat e Berishes. Nuk eshte hera e pare qe Berisha me deklaratat e tij krijon konfuzion, por megjithate duhet te pranojme qe pas 20 vitesh ne politike, ky  njeri ca gjera i ka mesuar. Le te kujtojme fundin e vitit 1996, ku ne kulmin e fryrjes dhe pellcitjes se skemave piramidale, del dhe thote se parate e shqiptareve jane me te sigurta se kurre. Dhe vetem mbas 1-2 muaj ndodhi kataklizmoja me kursimet e deriatehershme te popullsise shqiptare. Me vone, per kete ndodhi, deri diku ka aritur te pranoje se ishte gabim i qeverise nenvleftesimi qe ju be fenomenit te huamarjes publike nga firmat mashtruese.

Tani, mbas 11 vitesh, ai eshte me i kompletuar me njohurite baze financiare dhe ligjesite ekonomike. Dhe me seriozitetin qe karakterizon papergjegjshmerine e tij per postin qe mban, kerkon qe ti dale te keqes perpara, pra te justifikoje ate qe do te ndodhi ne muajt ne vazhdim. Ai e di shume mire (i ka aq keshilltare qe tia thone troc gjerat)  qe si rjedhoje e politikes ekonomike aventureske qe ndermori gjate 2 viteve te fundit, shume shpejt Leku do te mare tatpjeten ndaj Euro-s duke ndikuar ndjeshem ne rritjen e cmimeve dhe uljen e mireqenies se qytetareve shqiptar. Dhe prandaj del me justifikimin donkishotesk te magjise se Euro-s dhe nenshtrimit ndaj saj. Sa te jete gjalle dhe ne pushtet, ai ka per ti meshuar vetem ketij opsioni, pra te epersise absolute te Euro-s, dhe asnjehere nuk do te pranoje se jane gabimet e qeverise se tij qe e sollen Lekun ne kete gjendje.

Shpresoj sinqerisht qe une te jem gabim, dhe nese jam apo nuk jam sigurisht qe do te vertertetohet gjate vitit 2010. Por nese une do te kem te drejte, ju duhet te largoheni nga mesimdhenja ne profilin ekonomik.

 Artan ti s'je fare ekonomist sepse flet krejtesisht pa argumenta ekonomike. Mund te behesh nje gazetar analist se i ke parametrat dhe hiqe ate M.A. se na e shpife. S'meriton te komentohet fare.

 GentBlack, jam kurioz te di se ç'pune ben aty ne Shq. , ç'shkoll ke mbaruar dhe pse ne komentet e tua perdor fjal te huaja dhe jo shqipe ose te peraferta me to.

Ore juve kritikoni per inerci apo ca? Kritikojme analistet pse bejne analize pa qene specialiste, tani kritikojme dhe specialistet pse bejne analize. smiley

Ai po thote qe mediat s'duhet te luajne pazar, te behen kurva interesash dhe te shkaktojne panik qe i sjell fitime ndonje bosi mediash tek-tuk por i kushton gjithe popullit padrejtesisht. Dhe qe politikane duhet te jene te matur me deklaratat e tyre. Kaq, dhe kjo eshte mese e nevojshme te theksohet per situaten ne shqiperi dhe mediakurvat tona.

Tani kaq gje cdokush mund ta thoshte mbase, po ja qe ai eshte prof dhe i publikohet artikulli dhe e tha. Po thelbi i artikullit ky ishte apo jo?

Juve tani jo lesh po tresh, kot per force zakoni.

dreq! kur sheh kryeministrin e anglise, mendon me te drejte se po flet seriozisht, kur sheh te spanjes gjithashtu, kur sheh kryeministrin e nigerise e merr seriozisht ate qe thote ai, kur sheh kryeministrin kosovar e merr seriozisht ate qe ai thote. vetem kete tonin e kemi karagjoz! (edhe berluskonin).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).