Bojkoti rrezikon pezullimin e paktit

Mungesa e mandateve të deputetëve socialistë rrezikon legjitimitetin e kërkesës së PS-së drejtuar Kushtetueses. Kërkesa e PS-së dhe partive të vogla drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta detyrojë këtë të fundit të shqyrtojë vlefshmërinë e kësaj kërkese për shkak të përcaktimit ligjor në Kushtetutë dhe në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. “Partitë politike mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre si parti”, kështu është përcaktuar në nenin 134 pika 1/f. Në këtë mënyrë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të parë fillimisht nëse të paktën njëra nga partitë që ka firmosur, ka të përfshirë në ndonjë nen të statutit të saj çështjen e ruajtjes së integritetit territorial të kufijve. Kjo do të jetë një pikë e debatueshme në Kushtetuese, ku anëtarët e saj pritet të shprehin vlerësimin e tyre për këtë pikë. Por nëse deputetët socialistë do të kishin bërë betimin në Kuvend dhe do të kishin marrë mandatin e tyre, kërkesa e 28 deputetëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese do detyronte Kuvendin të mos kalonte në procedurë ratifikimi marrëveshjen për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nëse kërkesa e socialistëve do të cilësohet legjitime nga Gjykata, atëherë brenda 1 muaji ajo duhet të vendosë për kushtetutshmërinë e marrëveshjes për kufirin me Greqinë. Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në nenin 52 të tij, kërkon shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit. Nëse kërkesa do ishte paraqitur nga deputetët e PS-së me mandat, marrëveshja e kufirit me Greqinë do të pezullohej për ratifikimin e saj.
Socialistët
Edhe pse kërkesa u firmos të enjten pasdite, PS-ja ende nuk e ka dorëzuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjë mbetet të bëhet vetëm ditën e martë, pasi e hëna është festë zyrtare dhe Gjykata është e mbyllur. Por mësohet se edhe në selinë rozë fakti i interpretimit të kërkesës së tyre nga Gjykata rreth legjitimitetit të saj, ka sjellë problematikë. Ata janë duke diskutuar se si mund të kalohet ky ngërç, që vjen në radhë të parë nga mungesa e mandateve të deputetëve, të cilët kanë mbetur jashtë Parlamentit për shkak të bojkotit. Edhe pse me vonesë në reagimin e tyre, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Greqi, ku ata mbështetën përmes emigrantëve PASOK-un, socialistët arritën të reagojnë ndaj marrëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë. Në kërkesën e tyre, socialistët i janë përmbajtur tërësisë së parimeve që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial të vendit dhe pikërisht nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit, tërësia e territorit të shtetit i cili ka për detyrë ta respektojë dhe mbrojë atë.

baza ligjore

Ligji për organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese

Neni 52
 
1-Gjykata Kushtetuese shqyrton pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit.
 
2-Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për shqyrtimin e këtyre çështjeve vetëm pasi bëhet kërkesë nga subjektet e parashikuara në nenin 134 shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç” të Kushtetutës, si dhe nga subjektet e parashikuara në shkronjat “dh”, “e”, “ë” e “f” të Kushtetutës, për çështje që lidhen me interesat e tyre.

3-Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda 1 muaji nga data e paraqitjes së saj.

4-Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën, ajo nuk mund të ratifikohet.

pikat e kerkeses

Verifikim të përputhshmërisë kushtetuese të paktit shqiptaro-grek për kufirin detar

Marrëveshja u hartua në mungesë të plotë transparence të konsultimeve si dhe mungesën e hartës gjeografike që do të shërbente si referencë

Ekspertët e PS-së kanë përfshirë në argumentet e tyre përballë Gjykatës Kushtetuese edhe mendimin e komunitetit të ekspertëve të pavarur

Marrëveshja cenon pavarësinë territoriale të Shqipërisë, duke i kaluar hapësirë detare Republikës së Greqisë

Marrëveshja është hartuar në kushte të disfavorshme për Shqipërinë, duke mos mbajtur parasysh interesin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë

Dy vendet deri më sot kanë respektuar një kufi konvencional të pranuar në mënyrë reciproke, ndërsa marrëveshja heq një vijë tjetër kufitare në favor të Greqisë

 

4 Komente

Në kërkesën e tyre, socialistët i janë përmbajtur tërësisë së parimeve që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial të vendit....

e para, nuk ishin vetem socialistet, si thuhet dhe me lart:

Kërkesa e PS-së dhe partive të vogla drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta detyrojë këtë të fundit të shqyrtojë vlefshmërinë e kësaj kërkese ..... Në këtë mënyrë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të parë fillimisht nëse të paktën njëra nga partitë që ka firmosur, ka të përfshirë në ndonjë nen të statutit të saj çështjen e ruajtjes së integritetit territorial të kufijve.

nuk e mora vesh se si ishte lidhja me bojkotin. pse duhet te ishte ndryshe nese keta do ishin ne parlament. A ndoshta deputetet mund t'i drejtohen gjykates kushtetuese direkt? Kush tjeter mund t'i drejtohet gjykates kushtetuese?

ligji thote:

3-Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes.

pra, edhe nese teknikisht rrezohet kjo perpjekje, mund te ankimohet ne nje menyre tjeter ne te ardhmen, keshtu qe nuk duhet domosdoshmerisht te jene te majtet ne parlament. Le ta firmosin ata qe jane ne parlament se behet me e bukur nese kjo del anti-kushtetuese ne te ardhmen.

 

Pordhe me rigon i thone kesaj. Ore po une po them se Ja ku eshte ujku, e ata thone se jo po ne duam te shohim gjurmet.

E keqja eshte se nuk po behet bojkot mendoj une.. PS mos te harxhoje kohen kote me Benat e saj por te filloje aksionin! Benat e kishin ndare mendjen shume kohe me perpara.

Ka ne dore gjithe bashkite kryesore ne vende dhe nuk duhet te lejoje kurrsesi qe tu vidhet buxheti per familjen e Berishes. PS duhet te filloje mosbindjen civile si te vetmen rruge per tu marre veshe me horrat qe qeverisin ate vende. Asnje takse mos ti kaloje qeverise me kete ligj antikushtetus! 

Nese marreveshja me Greqine kalohet ne menyre hajdutce (sic po mundohen ta bejne) PS duhet te mos njoh kete parlament. PIKE!

 

I kishin bashkite Liqeno,tani nuk i kane me,pas koalicionit PD-LSI,veten ne tre bashki  ne te gjithe vendin PS ka shumicen dhe jane ,Gjirokastra ,Fieri dhe Vlora.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).