Babai i mirë dhe fëmijët e tij

Fragment nga libri Ali Pashe Tepelena

Shqiperoi: A. Klosi

 

Deri më këtu kam shkruar pas tregimeve të dëshmitarëve pamorë dhe pas vetë rrëfimeve të tij historinë e një njeriu që mori nam falë ndihmës së një fati të verbër pa besë e pa fé.

Tani do të flas për ngjarjet që ndodhën pak para zbritjes sime në Epir dhe për ato që i përjetova vetë gjatë një qëndrimi dhjetëvjeçar si konsull i përgjithshëm i Francës pranë vezirit Ali pasha të Janinës.

Tani që kam mbërritur te kjo pjesë e analeve të satrapit të Epirit, tmerrohem nga karriera e përgjakur që hapet përpara meje.

Më duhet të zbuloj sa e sa fëlliqësira, pabesi dhe krime; kaq e vështirë është lënda që duhet të shpalos këtu, saqë, megjithë korruptimin e sotëm të kodeve politike, kam frikë se mos u dukem cazë i anshëm atyre zotërinjve që tallen me nderin dhe gjakun e popujve, sepse, edhe pse në thelb e përçmojnë humanizmin, shpirtrat e tyre janë ende larg së përfytyruari se gjer në ç'skaj arrin një tiran i pafre, vetëm e vetëm që të kënaqë pasionet e tij, i sunduar kryekëput nga ambicia; mirëpo më anë tjetër më duket e domosdoshme që të ndërtoj një tërësi tablosh, disi më pak të neveritshme, duke lënë mënjanë shumë e shumë hollësi të pështira që morali s'i gëlltit dot; arrij të jap kështu jetën e një njeriu që i përket historisë moderne të Greqisë, si për shkak të tërmetit që vuri në lëvizje, ashtu edhe për të këqijat pa numër që solli sundimi i tij, duke marrë kësisoj që në gjallje gjykimin e brezave të mëpasëm mbi të.

Shkatërrimi i suljotëve, atyre që kishin ngadhnjyer për mbi njëqind e dyzet vjet mbi orvatjet e muhamedanëve, e rriti pa masë famën e satrapit të Janinës; bëmat e tij këndoheshin nëpër Shqipëri dhe rrëfeheshin nga njëri skaj i perandorisë në tjetrin. Turqit e quanin shpëtimtari; zëri i lavdisë së tij mbërriti deri te sulltani, i cili mendoi se nuk mund ta shpërblente më mirë fatkeqësinë e të krishterëve të pavarur të Epirit sesa duke i dhënë atij titullin dhe autoritetin e valiut të Rumelisë.

Për të kjo do të thoshte që i jepeshin në dorë mundësi për t'u shquar sërish, pasi në Maqedoni e Thraki bënin kërdinë aso kohe bandat e kusarëve. Kersalët apo Krisalidët, diçka si condottieri, ku përziheshin bullgarë, tribalë e shqehë së bashku, të prirë nga kapedanë kokëkrisur, shkretonin rrethinat e Filipopolisit dhe luginat e malit Pange, duke u shtyrë me shpeditat e tyre deri në Pelagoni. Karvanet s'qarkullonin dot, punët e shtetit ishin pezulluar, kasnecët plaçkiteshin, asnjë autoritet qeveritar nuk njihej më.

Dyshohej se pashallarët e Smokovos dhe të Shkupit kishin interes t'i mbanin e t'i mbështesnin këta kaçakë apo hajdutë; kishte ardhur ora që t'u vihej fre të tilla rrëmujërave. Ja pra ç'detyrë i ra të zgjidhte fitimtarit të Nikopolisit dhe të Sulit; megjithatë, siç do të mësohej më vonë, nderet e shumta fshihnin një prapamendim të qeverisë otomane.

Veziri i Janinës po i bënte si shumë hije kështu, ndaj duke i lajkatuar ambicien krijohej mundësia që ta kompromentonte me një mision, të cilit vetë i trembej; kështu që po të dështonte mund të hiqej qafe, ose edhe të kapej e të likujdohej me t'u larguar nga trevat e qeverisura prej tij.

Ali pasha në të vërtetë nuk kishte asnjë të dhënë për këto plane, megjithatë masat i mori sikur të ishte rrethuar prej armiqsh.

Me ndihmën e fermanit perandorak mblodhi rreth vetes dhjetë mijë ushtarë shqiptarë, me të cilët kaptoi Pindin dhe e vendosi fushimin në Bitolë në pranverë të vitit 1804. Pasi i qëroi zonat rreth e qark nga disa tufa banditësh dhe i bëri sërish tok forcat e ajanëve të Ilirisë e të Maqedonisë këtej Vardarit, e kapërceu këtë lumë në Çuperli.

Mblidhte atë kohë nën flamujt e vet, pos njësive të veçanta, kontingjentet e pashait të Delvinës, vezirit të Beratit, bejlerëve të Myzeqesë, vojvodave të Taulantisë, sanxhakut të Shkodrës, djep trimash; pastaj krerët e Dibrës, Ohrit, Lakulakut, Baksorit, kantoneve të malit Bora, të Kalkanderenit, të Prishtinës, si dhe gjithë spahinjtë e Thesalisë.

Erdhën e iu paraqitën pastaj në shtab, të rusur nga gurrat që ushqejnë lumenjtë e Maqedonisë, kaloria e Seresit, agallarët e trevës së Selanikut, timariotët e Melenikut, të Kavalës, Dhramës, të Demir-Hisarit, Radoviçit, Humlekeut, Dubnicës dhe krejt bajraku i Sofjes: mbërriti kështu te portat e Filipopolisit në krye të një ushtrie me mbi dyzet e tetë mijë vetë.

Fushimin e ngriti jashtë qytetit, mes ultësirës pa anë të Thrakisë, këtu thirri para gjyqit të vet edhe krerët e rebelëve që ishin kapur deri më aty, u preu kokat pashallarëve të Shkupit dhe të Smokovos, burra viganj, të cilëve u trembej personalisht, shkoi pastaj në shpatë disa njerëz kuturu dhe u kënaq që më të rëndësishmit t'i mbante robër.

Në gjithë qytetet nga kaloi pati vënë haraç; kush i afrohej, duhej t'i dorëzonte shuma të majme dhe ky lloj marshimi, sa i çuditshëm aq edhe aktiv, e bëri shumëkënd të mendonte se tani perandorisë do t'i jepej grushti fatal.

Në kampin e tij po dëgjoheshin thirrje të pazakonta; emri i sulltanit zihej në gojë vetëm me përçmim; çdo mbrëmje nën shatorren e Tartar agait të tij këndohej karmanjola, kur papritur mes gjithë këtyre njerëzve të ndarë nga njëri-tjetri prej gjuhëve dhe interesave plasi revolta. Kjo lëvizje ishte pasojë e grushtit që kishte menduar Divani, i cili e quajti çastin të volitshëm për ta qëruar Ali pashën.

Njerëzit kishin rrëmbyer armët dhe ishin nisur drejt shtabit të tij të përgjithshëm, kur papritur ai u doli para rebelëve i rrethuar nga shqiptarët e tij besnikë. "Doni që të dalim nga plogështia?! thirri ai. Jam me gjithë zemër me ju.

Oburra pra, t'i ngrëmë çadrat dhe hajt më ndiqni nga pas; takohemi para Sofjes!" Sa tha këto fjalë, u nis vetë i pari për marshim, i bindur se ai sinjal do t'i shpërbënte pa vonesë njësitë më rebele, që mezi ç'prisnin rastin për t'u kthyer në krahinat e tyre.

Mori pastaj rrugën e Bitolës, ndërkohë që ministrat e padishahut, me frikë në zemër, po prisnin të shfaqej në portat e Stambollit që t'i hynte spastrimit të këtij qyteti, kur mbas pak morën vesh se ishte kthyer mbrapsht përmatanë Vardarit.

Këtu mori frymë i qetë e i lehtësuar dhe i kërkoi Portës që t'i jepnin kartë të bardhë, nëse donin t'u vinte prapë nëpër fushime. U ngutën t'ia plotësonin dëshirën, duke i kumtuar se padishahu, tepër i kënaqur me veprimet e tij, ia tërhiqte fuqitë me të cilat e pat pajosur.

Funksioni i valiut të Rumelisë shihet si titull honorifik nga personat që e marrin; kurse Aliu, njeri që nxirrte përfitim nga gjithçka i binte në dorë, i batërdisi krejt provincat e tij me haraçet që u vuri; ata që duhej t'i dënonte, i lëshoi kundrejt shpërblimesh; ngriti pastaj fortifikata artilerie, që mund të barteshin, dhe u rikthye në Janinë si pati bërë mirë e mirë plaçkë në Rumeli.

Shtrohet pyetja: a mos është vallë fatkeqësia e një vendi më e madhe kur është i lig kreu, apo kur janë të ligj favoritët e tij? përgjigja mund të jetë e lehtë, nëse pranohet që nënshtetas të emancipuar ndodh edhe të vënë në krye të tyre një princ vesemadh; kjo për arsye se sahanlëpirësit pa besë e pa fe shtrëngohen të jetojnë jashtë shoqërisë, ashtu si edhe izraelitët, të cilëve Hyu u shpifi sëmundje të rënda për shkak të idolatrisë së tyre.

Në oborrin e Aliut, sikundër në oborret e gjithë tiranëve, ndesheshe vetëm me hipokritë, besëqenër dhe bukëshkalë: si ustai ashtu dhe çirakët ishin të zhgjyer në krim. Sapo që u kthye në sundimet e veta, doli para epiriotëve si ndonjë baba i mirë që kënaqet sa herë sheh rishtas fëmijët.

Kërcitën festat dhe ahengjet në begati e hare, me po ata njerëz që do të kishin kënduar e vallëzuar njësoj sikur të merrnin vesh se ia kishin prerë kokën në Stamboll e ia kishin ngulur te porta perandorake e gropës së kufomave, aty ku marrin fund përgjithësisht ambiciet e mëdha.

Edhe ai vetë ishte i bindur kryekëput për këtë të vërtetë; andaj edhe ulja e disa taksave, që kishte premtuar në kohën e rrezikut, u shty për më vonë, ndërkohë që puna angari jo vetëm nuk u mpak, por u përhap si kurrë ndonjëherë.

Kështu, prej këtij forcimi të pushtetit të tij tani e tutje Epiri do të ndjente qetësinë e shtypjes; ngushëllimi i vetëm i fshatarëve ishte kur shihnin se si rrënoheshin kullat e bejlerëve, shtypësve të dikurshëm, të cilët, njësoj si ata, u vunë nën nivelin e despotizmit që, bashkë me anarkinë, pranon për popujt vetëm barazinë e mjerimit.

Si vuri poshtë të mëdhenjtë, Aliut i mbetej të thyente disa qëndresa të vockla aty-këtu dhe, nën fajësimin banal të bashkëpunimit me suljotët, me akuzën se kishin ndihmuar armikun, ua hëngri kokat njëri pas tjetrit pronarëve të pasur të Akarnanisë dhe Etolisë.

6 Komente

Te shkruaja diçka te tille qe ne artikullin e pare , sigurisht PPU do me jepete nje dru te mire.

Dje ishte nje artikull mbi koleksionin e librave te Bushatlinjeve.

Ky artikull me ben "guximtar" te them ate qe medndoj.

Te shkruhet kaq shume per nje figure qe ka pasur koleksion "kurvash", e kaq pak per figura qe kane pasur koleksion librash, mos te genjehemi se kjo sjell kulture, po eshte thjesht mjet per te bere pasuri.

vertet lumidrin, kaq te thjeshtuar e sheh ti kete figure ?

Aliu nuk eshte figure e thjeshtuar, perkundrazi do thoja, nje pjese (e ç'fare pjese) e figures se tij ke ç'fare te shkruash

Po Aliu, mbyllet tek ajo pjese e pathjeshtuar, e mjaft, asgje me shume interesante!

Ali pasha i Janines eshte figure po aq madheshtore sa edhe Skenderbeu, shume - shume komplekse, pozitive dhe negative (pare me syrin e sot te te drejtave te njeriut!!!)

Por ai ka jetuar ne nje kohe lufte ku vrasjet ishin te pashmangshme e megjithate ai vete i pari vuri rregullat e tentoi te ngreje shtet; hapi shkolla dhe deri akademi; ishte nje mysliman qe pinte nje gote raki ne tryeze dhe urdheroi te nxirreshin nga gropat ku ishin fshehur e hedhur, kembanat e kishave; ktheu ne detyre prifterinjte duke i detyruar te mesonin femijet dhe kryepeshkopin e emeroi pergjegjes per arsimimin!!!

Mjaft te lexosh pak me vemendje nje liber te Sabri Godos per kete figure, mbeshtetur ne te dhena arkivore dhe punuar artistikisht, do ndiesh se sa shume e kemi "lodhur" ne figuren e Skenderbeut dhe si e kemi lene ne hije kete madheshti!

Per me keq, eshte e tmerrshme te shikosh sot sesi eshte kanatndisur nga shteti yne kalaja e Ali Pashes, nje vend mbeturinash pa ciceron si ndonje pus bagetish i shkaterruar.

 

arrij të jap kështu jetën e një njeriu që i përket historisë moderne të Greqisë, si për shkak të tërmetit që vuri në lëvizje, ashtu edhe për të këqijat pa numër që solli sundimi i tij

Vras mendjen; a e ka kap Policia Pellazge ironine e tmerrshme te bemave te Aliut ?

Me demek sipas Enciklopedhise te Firomave, Shqipot paskan ardh ne 1804? Genious

Me ndihmën e fermanit perandorak [Ali Pasha (Hyso)]mblodhi rreth vetes dhjetë mijë ushtarë shqiptarë, me të cilët kaptoi Pindin dhe e vendosi fushimin në Bitolë në pranverë të vitit 1804.



Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).