Analizë nën një këndvështrim etik e “Midis Nanos e Berishës”

Libri i A.Moisiut “Midis Nanos e Berishës“ është i fundit i një trilogjie të këtij autori, ku në dy të parët peshën kryesorë e zënë kujtimet e fëmijërisë dhe jeta në Ushtri. Ato dy vëllime, personalisht i shikoj si shfaqjen e një kompleksi kulturor që akoma nuk ka perënduar në terrenin kulturor e politik shqiptar ku, përsa i përket vlerave qe i kushtohen një personaliteti, familja ka akoma një peshë më të madhe sesa vetë individi që është protagonist në një fushë të caktuar të jetës apo politikës. Kjo duket qartë edhe në ngulmimin e paraqitjes së rëndësisë së familjes që në hyrjen edhe të këtij vëllimi ku autori nuk lë rast pa përmendur “përgëzimet” që i bëhen nga qytetarët për faktin se vjen nga një familje e ndritur: “Burri prej fisi është si druri prej lisi” (f.13). Ky kompleks e shoqëron deri në fund të librit autorin.

Libri përfshin përshkrimin e ngjarjeve, ashtu siç i ka përjetuar apo ka dashur ti përshkruajë autori, gjatë pesë viteve të ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës. Në fakt, jo më kot autori ka vënë poshtë titullit në kopertinë fjalën “Kujtime” si për tu shfajësuar, eventualisht, nga mospërputhjet me të vërtetën gjatë shkrimit.

Pergjate librit, në 14 kapitujt e tij, përshkruhet situata politike në Shqipëri para zgjedhjes së autorit si President dhe përfundon me kapitujt e fundit ku përshkruhen muajt e tij të fundit në detyrën e Presidentit duke mbyllur me epilogun.

Që në hyrje, autori përpiqet të shpjegojë qartë motivin për të cilin ai po shkruan këto kujtime duke ju referuar “...përgjegjësia ndaj detyrës dhe respekti im i thellë për qytetarët e mi, më nxitën të hedh në letër një pjesë të madhe të arkivit memorial personal e zyrtar në pesë vitet e drejtimit në krye të shtetit”. (f.11). Po ashtu, pak më tutje ai kërkon të shpjegojë, jo vetëm motivet por edhe qëllimin e këtyre kujtimeve me “qëllimin e mirë që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të mësojnë më shumë e më qartë sesi luftova për ndërtimin e një shteti ligjor, për arritjet dhe vështirësitë që kam patur për probleme të ndryshme, për të cilat u përpoqa me ndershmëri dhe transparencë për tu dhënë zgjidhje sa më të pranueshme nga i gjithë spektri politik i asaj kohe.”(f.12).

Motivet dhe qëllimet duken vërtetë madhore por po të shikojmë, duke shfletuar një nga një fletët e këtij libri, se a e kanë justifikuar vërtetë qëllimin e motivet 430 faqet e tij, që më shumë se autori nuk mendoj se dëshirohej aq shumë në tregun shqiptar edhe për faktin se kujtimet e një autoriteti në çdo fushë të jetës, për të qënë interesante dhe të vyeshme duhet të kalojnë periudhën e kondensimit historik. Ish-Presidenti ka vetëm e vetëm dy vjet që është larguar nga detyra!!!

Hyrja mbyllet me një pohim ku autori vetëquhet idealist! Konkretisht: “Edukimi, tradita dhe fati im më kanë bërë që të jem deri në fund idealist.” (f.15). Mirëpo vetë autori e kupton se po pohon diçka që nuk rri as në qiell e as në tokë e menjëherë vazhdon: “Për shumë të tjerë kjo mbase mund të jetë e pakuptueshme dhe e çuditshme, por ja që unë jam i tillë dhe nuk jam penduar aspak për këtë”. (f.15). Të tërheq vëmëndjen CV-ja e tij e cila të bën të ngurrosh ta quash idealist një oficer që ka drejtuar punimet bunkerizimit të Shqipërisë në vitet 80-të. (shih. CV në pjesën e pasme të kopertinës:1971 – 1982: drejtor i Xhenjos, më vonë fortifikimit në MM). Pra të ndërtosh 80.000 bunkerë duke qënë idealist është vërtetë një gjë unike në botë!

Kjo pjesë pra, mbyll hyrjen e një libri me kujtime që përpiqet në të gjithë kapitujt që tu mbushë mendjen lexuesve se kanë të bëjnë me një ish-President idealist dhe respektues të ligjit me rigorozitet i cili e krahason veten me rilindasit dhe figurat më të ndritura të kombit shqiptar ndër shekuj! Problemi në fakt nuk është ky, secili mund ta krahasojë veten me kë të dojë, por faktet dhe mandje edhe libri vetë, siç do të shohim në rradhët e këtij shkrimi, dëshmojnë se ish-Presidenti nuk ishte në lartësinë e detyrës që mori përsipër. Duket sikur megalomania i shoqëron kudo fletët e librit si për të dëshmuar se meqë gjëra të mëdha nuk egzistojnë, të paktën mania për ta le të jetë. Ja si shprehet ai në kontekstin e daljes së emrave të parë për postin e Presidentit: “Inflacioni i emrave ishte aq i madh, saqë u krijua pështypja se bëhej fjalë jo për kryetarin e shtetit por për një detyrë fare të rëndomtë dhe që mund ta përballonte kushdo! Por nga fundi i fushatës doli emri im” (f.18). Pra autori shndërrohet në Mesia që po prisnin të gjithë. 

Natyrisht në këto rreshta të këtij shkrimi nuk do të ndalohem në gjëra të rëndomta të punës administrative në kryerjen e detyrës e që autori përshkruan me mjaft dramaticitet të panevojshëm, pasi ai duhej ta dinte vështirësinë e punës që e priste, por do të fokusohemi më tepër aty ku del ne pah “etika” të cilën autori e ka shumë për zemër.

Ai flet në shumë faqe të librit për moralitetin që do të sjellë në politikën shqiptare por, mjerisht, ai që në nisje e kupton se e ka të vështirë një gjë të tillë dhe e pranon këtë fakt në mënyrë të qartë në përshkrimin e momentit të arritjes së ujdisë për zgjedhjen e tij. Pra libri ka mjaft kundërshti, pasi nga njëra anë kërkohet me ngulm të paraqitet etika dhe moraliteti i lartë i të ushtruarit të detyrës, nga ana tjetër, vetë libri e provon se autori nuk e ka dëshmuar një gjë të tillë. Po mundohem ta ilustroj me këtë citim: “Pasi dëgjova propozimin që më bënë, mora fjalën dhe u thashë ... ju garantoj se nuk do të ndërhyj kurrë në punët tuaja” (f.22, nënvizimi i imi). Menjëherë kur i bëhet propozimi për tu bërë President, pranohet kompromisi që nuk është aspak etik e aspak moral. Detyra e Presidentit, si kryetar i shtetit është të kontrollojë punën e institucioneve kryesore të shtetit dhe jo të japë garanci që nuk “i fut hundët” në punët e tyre. Pra mesazhi është krejt i qartë: mos më hyni në punët e mija dhe as unë nuk hyj në të tuat. Kjo është shprehje krejt e qartë e mungesës së etikës pasi ata që në fund të fundit presin shtetin në shërbim total dhe të pakushtëzuar ndaj tyre janë qytetarët dhe në kurriz të tyre bëhen kompromise për “mosndërhyrje” pasi këto prishin punë.

Sipas gjykimit tim libri përmban edhe momente komike. Në një rast kur gazetarja e Top-Channel e pyet se si është e mundur që një gjeneral të merret me politikë, autori, në rolin e etimologut, përpiqet ti japë një përkufizim të ri fjalës “gjeneral” dhe  përgjigjet: “...atëherë ju përgjigja se duhet të deshifronte përmbajtjen e fjalës gjeneral, fjalë e cila e ka origjinën nga latinishtja që do të thotë i përgjithshëm”. (f.23). Autori, nga ka qënë shumë i zënë ato ditë nuk ka patur kohë të shfletojë ndonjë fjalor të latinishtes, por për të mos humbur kohë ja ka futur kot, si për shumë gjëra gjatë punës së tij. (në fakt fjala “gjeneral” vjen vërtetë nga latinishtja, por jo ashtu siç e përshkruan ai, por nga “genus-nèris” që do të thotë “lloj”, “gjini”.

Mendoj se po kaq komik është pohimi se pas luftës së dytë Botërore “të gjitha zonat dhe qytetet më problematike, fillimisht ju dhanë për drejtim ushtarakëve madhorë.” (f.23). Pra imagjinoni një Europë ku pas luftës së dytë botërore çdo qytet të drejtohej nga juntat ushtarake, që për paradoks, ishin ato që e çuan drejt kësaj katastrofe!

Faktin se premtimi i dhënë me rastin e ujdisë për emërimin e tij  ishte meskin autori e kupton edhe vetë kur gjendet në pallatin presidencial dhe fillon puna. Aty ai e kupton se gjërat qëndrojnë pak më ndryshe nga sa dukeshin nga jashtë: “..e quajta të domosdoshme të merrja kontakte me disa ministra të rëndësishëm, për tu informuar mbi situatën e dikastereve që mbulonin si dhe për konsultime se çfarë mund të bëhej për të përmirësuar drejtimin e mëtejshëm. Këto ishin detyra kryesisht të Kryeministrit, por megjithatë nuk më lejohej të qëndroja indiferent.”. Pra ai shpejt e kupton se indiferenca është e palejueshme në atë post.

Edhe përpjekjet e autorit, kur ka qënë në postin e Presidentit, për të respektuar ligjin dhe parqitja e tyre me dramaticitet të bëjnë të mendosh se më shumë se një thirrje e fortë e ndërgjegjes morale politike për të kryer detyrën, është një përgjigje ndaj impulseve të frustracionit dhe frikës se ka për të qënë përherë një President, siç e dëshmon edhe titulli “midis Nanos e Berishës”. Pra ëmbëlsia e prestigjit që të jep posti i Presidentit e josh shumë atë, por kryerja e detyrë i jep edhe frustracionin e vazhdueshëm për një detyrë që nuk mund ta kryejë ashtu si duhet. Kam vënë re se ai, si edhe shumë politikanë të tjerë, kur gjënden përballë dështimeve në detyrat e tyre kërkojnë një lloj shfajësimi që në vetvete është krejt fëmijëror pasi përdorin fjalën “u mundova”. Nëse do të ishte kështu detyrën e Presidentit në Shqipëri do ta bënte çdo kalimtar prej 4 milion banorëve, pasi në fund të mandatit do të thoshte siç thotë autori: “jam munduar të bëj më të mirën e mundshme për vendin tim” (f.35). Ndërkohë që dilema më sublime etike kur je përballë një propozimi të tillë do të ishte: a jam në gjëndje ta bëj këtë detyrë apo jo, duket se autori ynë thotë me vete: “po e provoj njëherë, të dalë ku të dalë”. Pra ky është, për mendimin tim, çelësi etik që zbërthen krejt librin: të pranosh apo jo një detyrë kaq sublime?

Libri na shpjegon edhe faktin se ish-Presidenti nuk ishte realisht ashtu siç kërkon ta paraqesë veten si personazh thellësisht etik. Ja p.sh, se si e vërejme një rast kur ai  dëshmon se përdor të njëjtat metoda dhe nuk sjell asnjë risi në mënyrën e punësimit në stafin e tij. “Duhet të them se në takimet e veçanta që pata si me Nanon ashtu edhe me Berishën, u kërkova nëse kishin ndonjë rekomandim për ndonjë person të veçantëpër ta përfshirë në stafin tim” (f.44). Pra mendësia e rekomandimeve zë vënd edhe në mendësinë e ish-Presidentit. Natyrisht, rekomandimet e bëra prej tij, do të kërkonin “shkëmbime” ose favore të tjera politike dhe me plot gojën mund të themi se kjo mënyrë të vepruari e të menduari nuk ka asgjë etike, përkundrazi.

Tjetër element që nxjerr në pah një farë mungese serioziteti për të përballuar postin e Presidentit është fakti se autori, megjithëse ka qënë  i impenjuar në disa poste të rëndësishme të jetës politike e publike gjatë karrierës së tij, akoma nuk ka lexuar Kushtetutën e Shqipërisë. “Në mënyrë të veçantë duhej ti përkushtohesha studimit të kushtetutës, jo vetëm për të njohur më mirë të drejtat dhe kompetencat e mia, por edhe për të ditur se ku duhet të përqëndroja më tepër punën time...” (f.52).

Edhe dekorimi i Z. Nano me Urdhërin e Lartë “Gjergj Kastrioti” (f.65), menjëherë sapo merr postin e Presidentit, lë për të dëshiruar pasi ka ndikim direkt në kompromentimin e punës së tij si President. Dekorimi i Nanos fare mire futet në shprehjen latine “do ut des”, “të jap që edhe ti të më japësh”. E njëjta llogjikë e funksionimit të politikës shqiptare. Pra ku është risia? Ku është risia e moralitetit politik të cilën libri e trumbeton me mjaft forcë?

Dihet se detyra e Presidentit është sublime dhe e jashtëzakonshme dhe kërkon edhe doza heroizmi në kryerjen e saj. Heroizëm që ndoshta të vë përballë situatash mjaft dramatike. E tillë është edhe situata që kërkon përballjen me korrupsionin. Edhe në këtë pikë autori, në libër, dëshmon se nuk ka qënë në lartësinë e detyrës. Në italisht ka një shprehje që më pëlqen shumë: “la legge non ammette l’ignoranza”, në shqip: ligji nuk e pranon mosdijen. Edhe në këtë pikë autori shfajsohet me mosnjohjen, mosdijen. A thua se e kanë vënë aty për të kundruar natyrën! Ja si shprehet ai: “duhet thënë se korrupsioni vërtet kishte arritur nivele skandaloze, por ishte e vështirë të dalloje se cilët nga gjyqtarët ishin të përfshirë në të e cilët jo” (f.69). Kur nuk është në gjëndje të shohë me fakte se kush janë gjyqtarët e korruptuar Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kush vallë mund ta zbulojë korrupsionin? Ndoshta mjeranët që kanë për të paguar ryshfetet për gjyqtarët? Ja pra, shfajësimi i atij që ka rolin vendimtar në mbrojtjen e sistemit të drejtësisë, na lë të pashpresë në pritje të “zbutjes graduale të korrupsionit me kalimin e kohës”! Pra, ndoshta, janë këto e shumë gjëra të tjera që e kanë detyruar Znj. Topalli të shprehet: “I kërkojmë ndjesë popullit për zgjedhjen e Presidentit”!

Rasti i kompanisë fluturuese “Albatros” është interesant për të kuptuar faktin se kritikat e autorit ndaj qeverisë nuk mbështeten mbi arsyetime ligjore, por mbi argumente klanore. Them “klanore” sepse përgjatë librit autori “sulmon” shpesh, sipas tij, mendësinë klanore të politikanëve shqiptarë, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk pranon se gjithë kjo kritikë për të mbrojtur “Albatros”, ka në themel mendësinë e tij klanore meqënëse kompania është e nipërve të tij. Pasi kundështon me forcë faktin se për ndërprerjen e kompanisë nuk u rrespektua ligji, sulmon kompaninë tjetër, por duke harruar se në të njëjtën mënyrë operonte kompania e mëparshme. “...duke vënë në jetë atë që thuhet: Jo Ligji, por Maliqi, derisa e detyroi “Albatrosin” të falimentonte. Me këtë rast si pa u ndier, ju hap rruga kompanisë tjetër ajrore “Belleair”, të operonte suksesshëm dhe pa konkurrent, ku një ndër pronarët kryesorë është njeriu i Bashës, të lidhur një dreq e di se me kë në këtë shoqëri, që më shumë i ngjan një karteli mafioz sesa një shteti ligjor europian” (f.275).

Kjo është një pjesë interesante që na shfaq mendësinë e përdorimit “të dy peshoreve të ndryshme”. Pra kur duhet të gjykojë për vete, duke qënë nipërit e tij pronarë të “Albatrosit” që operon dhe ajo pa konkurrente, nuk ka asgjë të keqe, ndërkohë sapo del kompania e re dhe bllokohet “Albatrosi”, atëherë, si me magji, kompania shndërrohet në mafioze! Pse qënka skandaloz fakti se dikush nga kompania ka lidhje me Bashën, ndërkohe që nuk ka asgjë skandaloze se kompania tjetër ishte e nipërve ti tij?! Mendoj se në këtë kontekst mund të lexohet edhe e gjithë aventura e shkarkimit të Sollakut.

Epilogu i librit është nën hijen e delirit e madhështisë. Ndërkohë që edhe vetë autori e pranon faktin se duhet të jenë të tjerët që do ta gjykojnë punën e tij dhe historia do të bëjë të veten, autori gjykon 5 vitet e tij në Presidencë si “një model kushtetues, një model për rolin dhe funksionet e Kryetarit të Shtetit” (f.355) dhe si për tu shfajësuar për kritikat drejt tij si një person që nuk ishte në lartësinë e detyrës thotë se “unë asnjëherë nuk e pashë dhe nuk e konsiderova veten peng i një kompromisi midis dy partive të mëdha.” (po aty). Pra ka një mesazh përmbyllës kundërthënës, ndërkohë që përgjatë gjithë librit nuk bën gjë tjetër veçse ankohet për kushtëzimin që i sjellin partitë e mëdha, në fund të librit del si triumfator.

Libri vërteton se, ashtu si shumë politikanë në spektrin politik shqiptar, autori kërkon të paraqesë përballë publikut një imazh të tij që nuk përkon me realitetin dhe me ecurinë e ngjarjeve. Edhe vetë nxitimi për “të hedhur në treg” kujtimet e tij kaq shpejt duket se është si një barrierë që përpiqet të ndalojë ritmin e ngadaltë të gjykimit të historisë mbi punën dhe përkushtimin e gjithësecilit që merret me punët publike dhe me shërbimin ndaj shtetasve.

Mendoj se triumfi dhe risia që ai ka sjellë në Presidencë është bateria e të shtënave me top (si shprehje e lartë idealizmi) kur ndërrohet Presidenti.
 

9 Komente

Me nje fjale eshte trillogji,pra trillime te nje plaku qe e ngriten nga fusha e tavlles ne presidence.

C`fare mund te qendroje “Midis Nanos e Berishës” (midis dy maleve)?..se per idealizem nuk behet fjale!! Autori e ka zgjedhur...

midis nanos dhe berishes ("between a rock and a hard place&quotsmiley valviten mijera flamuj te nje melankolie te trishtueme.

Pervec dekorimit te Nanos dhe ceshtjes se Albatrosit qe paska qene operator i vetem, gjithe te tjerat mua me duken si inate.

Nuk e dija qe Moisiu paska dekoru Nanon. Di njeri me me thone se me c'motivacion e ka bere?

E kam than dhe i here m'duket. Nano e trajtoi shqipnine si kurven e vet,ndersa saliu si dashnoren e vet qe ishte gati ta therte(97) se sa ta shihte ne krahet e nje tjetri

e lexova librin. ua sugjeroj te gjithve, por ne fakt nga ana e te shkruarit ishte shume keq. vetem se jepeshin shume te dhena "background" dhe gjera interesante

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).