A mund ta dimë Kush dhe Ku?

Ndodh shpesh të ndjekësh një kronikë informative nga fillimi deri  në fund, madje ajo të jetë edhe kronikë kryesore e një edicioni informativ, dhe të mos marrësh vesh as vendin ku qenkan thënë aksh gjëra të konsideruara të rëndësishme dhe as organizatorin e aktivitetit të pasqyruar gjerësisht (sidomos në kronikat e lajmeve televizive, por dukuria ekziston edhe në shtypin e shkruar). Nuk është as harresë, as pavetëdije! Krejtësisht e qëllimshme, ajo përbën tanimë një dukuri të përhapur në shumë nga mediat vendase: dukurinë perverse të fshehjes së tjetrit. Tjetri mund të jetë një media tjetër, një institucion publik ose privat, një grup individualitetesh ose agjencish shoqërore etj.

Por më cinike është kur mediat fshehin njëra-tjetrën në një lojë të verbërish, që mban erë xhelozish të vogla brenda llojit. Edhe në rëntë rasti, evitojnë qoftë edhe ta përmendin tjetrin. Ama, nuk ndodh për shembull që të mos e referojnë të plotë një gazete lokale të Zvicrës, një media kroate apo austriake, kur i përdorin ato si burime informacioni për artikuj të caktuar. Por kur është media e vendit, e madhe apo e vogël qoftë, ndryshon puna. Sigurisht nuk duhet të përmendet, logoja t’i fshihet. E njëjta logjikë funksionon edhe kundrejt aktorëve të tjerë shoqërorë jo në preferencë. Kur ndodh që t’i pasqyrojnë aktivitetet e këtyre të fundit, ua fshehin jo vetëm emrat dhe logot e institucioneve që përfaqësojnë, por mundësisht edhe pjesëmarrësit e tjerë të rëndësishëm me të cilët nuk është fort dakord linja editoriale e medias në përgjithësi…

Kjo dukuri është tejet problematike në plan profesional dhe etik njëherësh, pasi përbën në thelb një praktikë, e cila nuk respekton publikun. Kështu, publikut i serviret informacion i cunguar enkas, edhe pse nuk është nga ato lloj informacionesh, mungesa e të cilit mund të përligjet me mungesën e dijenisë, investigimeve apo burimeve të shprehura për çështjen. Si e tillë, kjo praktikë injoron të vërtetat elementare dhe faktet e thjeshta të jetës, të cilat nuk mund të bësh sikur nuk ekzistojnë, pasi ato janë aty dhe në dijeninë e shumëkujt.

Në plan profesional, ‘Kush’ dhe ‘Ku’ nuk janë kritere fakultative në gazetari dhe reporteri më fillestar e njeh këtë ‘abc’ të shkrimit të lajmit. Megjithatë, kërkesa dhe praktika e kësaj ‘fshehjeje’ nuk vjen nga reporterët. Ajo e ka burimin ose te pronarët e mediave (për hir të së vërtetës disa pronarë aplikojnë edhe gjoba absurde për gazetarët që ‘guxojnë’ të mbulojnë në mënyrë korrekte veprimtari të organizatorëve ‘të paakredituar’ pranë medias së tyre), ose në rastin tjetër janë vetë redaktorët që e aplikojnë këtë diskriminim të vend-burimeve të informacionit.

Kjo filozofi dhe politikë e iniciuar fillimisht nga disa media, për fat të keq po infekton edhe të tjerat. Tashmë, pothuajse të gjithë ua mohojnë të gjithëve të drejtën për t’u referuar dhe nismëtarët po penalizohen edhe vetë prej saj. ‘Agresorët’ janë shndërruar në ‘viktima’ dhe anasjelltas. Madje, ka nisur që edhe anti-reklama të bëhet e kamufluar, duke iu ruajtur dukurisë së kundërt të reklamimit nëpërmjet anti-reklamës. Kjo nuk do të thotë aspak që përmbajtja po i shpëton kësisoj të qenit komerciale. Ajo është bërë komerciale preferenciale, gjë që është një prirje edhe më problematike. Kemi kështu dukurinë e kundërt, të referimit si ‘favor’, si ‘qokë’. Disa referohen bujarisht, të tjerëve përmendja u mohohet. Një praktikë e tillë, e kësaj përmase, sigurisht nuk ekziston në vendet me media të zhvilluara. Nuk ekziston as në Italinë fqinje ku, përtej rivalitetit eksplicit, referimet janë reciproke edhe ndërmjet mediave të Berluskonit dhe Rai-t, dhe aq më pak zë vend ndërmjet mediave të shkruara, shumë më solidare dhe korrekte në këtë drejtim. 

Ndoshta ky qëmtim mund të duket si shumë i hollë, kur ‘mëkate’ më dramatike se këto u rëndojnë mbi supe mediave të caktuara në Shqipëri. Megjithatë, duhet thënë se kemi të bëjmë me një problematikë, e cila po hedh rrënjë gjithnjë e më tepër dhe në mungesë aspak fisnike të solidaritetit profesional ndërmjet vetë mediave si edhe ndërmjet mediave dhe institucioneve të tjera, mediave dhe individualiteteve, mediave dhe protagonistëve të jetës shoqërore, mediave dhe autorëve të veprave e nismave të rëndësishme. Edhe kur dijenia për to ekziston dhe kjo është e lexueshme në përmbajtje, ai që ka autorësinë nuk përmendet fare, duke ia përvetësuar kësisoj mesazhin, pa i dhënë tjetrit të drejtën e referimit. Më e dukshme në media, kjo dukuri ekziston në fakt edhe në fusha të tjera të jetës, si në botën akademike apo atë të letrave. Këtu mëkatet janë edhe më të rënda, përzier me plagjiaturë në vend të ideve dhe kontributeve origjinale. Nga ana tjetër, e përhapur është dukuria e kundërt, ajo e auto-referimit si një lloj autizmi kulturor dhe vlerash. Por ky subjekt kërkon një artikull tjetër, edhe pse lidhet në mënyrë organike me çështjen që ngritëm.

3 Komente

 Opopo. Paska fillu nje perudhe e forte autokritike (vetqortimi) tek gazetaret shqiptare. Si eshte puna? Ka rene tregu, apo ka hap kurse te reja BBC dhe po fillojne aplikimet?

A mund ta dime Kush dhe Ku?

Sigurisht qe mund ta dime!

Mjaftojme te paguajme paret tek marketingu!

E di si eshte kjo puna, qe me te drejte Znj. Budini ka patur kurajon per ta trajtuar?!

Kjo pune eshte si ajo puna e trafikut te Tiranes, ku te gjithe jemi aq egoiste, jo tolerante e jo respektues te rregullave saqe nuk i hapim rruge tjetrit e mendojme vetem per precedencen tone. Ne fund, e gjithe kjo shkakton nje kolaps te trafikut.

 

Meskinitete si keto, bllokojne trafikun, bllokojne biznesin, bllokojne ekonomine!

 

Turp per ata njerez qe cuditerisht mendojne se jane moderne, por ne fakt jane vetem disa te babezitur provinciale (nuk ka rendesi nese kane lindur ne Tirane apo ne Lushnje, apo kane patur eksperienca ne Londer apo Kashar, apo diku gjetke)... qe me driteshkurtesine e tyre, lejojne qe gjera te tilla te ndodhin.

 

Me kohe do ta kuptojne!

E mbase me kohe edhe do te dalin perfundimisht nga skena!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).