“Zanatçinjtë e gënjeshtrës” dhe PS

Para pak ditësh më ra në dorë një fjalim/shkrim i parazgjedhjeve i Edi Ramës ku kryetari i PS shtjellonte vizionin e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”. Të them të drejtën më befasoi sepse konstatova se nuk do t’i hiqja asnjë presje mjaft gjërave që thoshte. Në qendër të fjalim/shkrimit ishte ideja se klasa jonë politike është e mbushur me “zanatçinj të gënjeshtrës të cilët me pushtetin s'dinë të bëjnë thuajse kurrgjë tjetër përveç hyzmetit të interesave të tyre”. Lideri i PS thoshte se kudo ku ka shkuar nëpër Shqipëri, në Veri a Jug, në zona të ashtuquajtura të majta apo të djathta, ka takuar gra e burra që kërkojnë të shpëtojnë nga politika e zanatçinjve të gënjeshtrës. Njerëzve, thoshte kryetari i PS, po u lëviz toka nën këmbë nga kufizimi i përditshëm i mundësive për të jetuar, qytetari s'mbaron dot një punë pa dhënë rryshfet, çmimet  rriten ndërkohë që bie fuqia blerëse, shërbimet publike degradojnë nën “thithjen e përditshme të tentakulave të korrupsionit në shkolla, spitale, gjykata, hipoteka e çfarëdo zyrash të tjera”. Gjithë sipas tij, shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme ndjejnë t'u shtrëngohet përditë litari në fyt. Ata, pavarësisht nëse janë socialistë a demokratë, kuptojnë përditë e më qartë domosdoshmërinë për të dalë nga llogoret ku i kanë futur partitë “në emër të konflikteve të vjetra mes gjyshërve”. Rama kërkon, prandaj, daljen nga “vorba e kulturës komuniste ku zanatçinjtë e gënjeshtrës ziejnë tash 17 vjet çorbën e një kapitalizmi klientelist, pa konkurrencë të lirë e të ndershme.” dhe premton se PS si parti “përtej të majtës e të djathtës”, do të jetë “një qendër e re radikale që refuzon çdo paragjykim ideologjik” në emër të luftës kundër kësaj të keqje. Kurse pak më poshtë thotë: “Me një fjalë, që s'është lojë fjalësh, përtej të majtës e të djathtës është një e majtë e re, progresive dhe gjithpërfshirëse”.

Besoj se ky tekst, që e parafrazova thuajse besnikërisht sipas origjinalit, vlen të merret si pikë referimi në kontekstin e ngjarjeve të PS të këtyre ditëve, veçanërisht Kongresit të saj të Jashtëzakonshëm, për të kuptuar se ç’po ndodh atje.

Për një gjë më duket se flet qartë ky fjalim/shkrim i Ramës: se ai e njeh realitetin ku jetojmë. Vërtet, kjo është gjendja shpirtërore e shqiptarëve, ky është vlerësimi i tyre për “zanatçinjtë e gënjeshtrës”.  Nuk ka premisë më të mirë për një politikan të sukseshëm sesa njohja e realitetit që kërkon të ndryshojë. Por sigurisht kjo nuk është e mjaftueshme, është vetëm premisa e parë.

Jam i bindur se sikur njerëzit të kishin besuar se fjalët që thoshte Rama në prag të zgjedhjeve do të bëheshin realitet, PS do të fitonte shumë më tepër se 64 deputetë, s’do të kishte pasur aspak nevojë për votat e LSI dhe, po ashtu, nuk do të kishte patur manipulim votash që t’ia hiqte fitoren nga duart. Madje, në kontekstin e këtij premtimi, edhe  fitorja e ndonjë deputeti më  shumë se PD do të kishte qenë humbje.  Por humbja ndodhi, sipas meje, sepse njerëzit tashmë janë mësuar, deri në mbingojpje, me atë se të tjera gjëra dëgjojnë dhe të tjera gjëra shikojnë në veprat e zanatçinjve të gënjeshtrës. Sepse Rama ishte pjesë e akuzave që ka bërë vetë për zanatçinjtë sepse njerëzit, duke i parë veprat dhe jo duke i gjykuar fjalët, nuk e ndanë atë nga “dora” e vet. Sepse njerëzit, po ashtu, kishin dëgjuar një zanatçi tjetër të gënjeshtrës, edhe më të fortë se ai ndoshta, Berishën e vitit 2005, kur denonconte me emra dhe mbiemra baronët e drogës e bandat e Zemunit, kur premtonte zhdukjen e korrupsionit dhe panë pastaj Gërdecin. (Kurse Ramën, megjithë kritikat e tij kaq të vërteta, e premtimet radikale, nuk e panë të guxonte as të përmendë emra për t’u bërë disi më bindës).

Por le t’i kthehemi edhe një herë fjalimit të Ramës. Problemi i parë që ngre ky fjalim është se ai thotë se kështu mendojnë socialistë e demokratë ndërkohë që, në fakt, kritikat e ashpra që ngre Rama për klasën politike i bëjnë ata që janë zhgënjyer si nga socialistët edhe nga demokratët këta 17 vjet. Kuptohet qartë se Rama, kur flet,  nënkupton popullin votonjës të këtyre partive, jo udhëheqjet, se ai kërkon edhe votat e tyre, por edhe të atyre që janë kundër të dy palëve për të arritur tek partia “qendra radikale” apo “e majta e re, progresiste gjithpërfshirëse” që ai përmend. Dështimi i tij në këtë aspekt është edhe më evident. Do të thoja se pikërisht tek ky premtim për radikalizëm dhe transversalitet njëherësh qëndron gjithë kontradikta madje edhe dështimi i PS që e shfaq edhe Ramën si një zanatçi të gënjeshtrës par exellence. Duke analizuar ato që thotë Rama del se kemi të bëjmë me një kryetar partie me qëndrim kontradiktor, pasi ai kërkon të qëndrojë njëhersh edhe brenda edhe jashtë partisë që kryeson, edhe të mbajë edhe të mos mbajë përgjegjësi për atë çka bën kjo parti. Sepse, më një anë kryetari i PS është i tillë si rezultat i zgjedhjes që ka bërë mazhoranca e partisë, më anë tjetër mazhoranca e partisë akuzohet nga kryetari si e sëmurë nga korrupsioni e me rradhë. Atëhere lind pyetja: si ka mundësi që kjo parti ka zgjedhur si kryetar një mish të huaj për të? Më duket e rëndësishme të kthjellohet ky truk i përdorur në Partinë Socialiste. Një pjesë e socialistëve, ndër të cilët do të përmendja kundërshtuesin kryesor të Ramës, Ben Blushin, kanë kundërshtur qëndrimin mohues të Ramës duke u shprehur se PS ka një trashëgimi pozitive, duke përmendur kontributin pozitiv të Nanos e me rradhë. Ata kanë kërkuar një lloj koherence sepse, po të hedhim poshtë gjithshka, atëhere nuk kemi legjitimitet. Ky është një qëndrim që nënkupton moderacion, jo radikalitet. Në fakt, për te qenë koherent me idetë e tij radikale Rama do të duhej të bënte një ndër dy gjëra; ose të mohonte PS dhe të krijonte një parti të re (meqë do të qëndrojë në politik&eumlsmiley, ose të bënte një pastrim radikal në PS me kritika të drejtëpërdrejta për zanatçinjtë e gënjeshtrës” në PS.  Mirëpo ai nuk ka bërë as njërën as tjetrën. Nuk kemi parë deri tani ndonjë kritikë të brendëshme përveç asaj për Nanon me termin e përgjithshëm “politika e vjetër” ndërkohë që të gjithë ata që Rama i quan “zanatçinj të gënjeshtrës” i shohim rreth tij dhe ku, për fat të keq, edhe tërë ata që ai ka thithur si të rinj, nuk i shohim të bëjnë ndonjë kritkë, përkundrazi, kanë shenja të qarta se janë në të njëjtën hulli të të vjetërve. Për të mos folur për oligarkët që ka pasur dhe ka prapa që janë edhe ata po aty e të së njëjtës filozofi të “hyzmetit të interesave të tyre” nëpërmjet “tentakulave të korrupsionit”. Kuptohet se pastrimin radikal në PS ai nuk e bën dot se është njëlloj sikur të presë degët e pemës mbi të cilat ka qëndruar, kurse partinë e re nuk e bën dot sepse kjo është një punë e gjatë e papajtueshme me padurimin e Ramës. Rama pra, ka zgjedhur, paradoksalisht, edhe të premtojë ndryshime radikale, edhe të qëndrojë kryetar i një PS-je ku mbizotëron mazhoranca konservative e kritikuar prej tij. Si shpjegohet ky paradoks, që, pra, nuk është vetëm i Ramës, por edhe i udhëheqjes së PS në përgjithësi? Sipas meje ai shpjegohet me kulturën që e mban politikën shqiptare në “vorbën” e vjetër: atë të pushtetit për pushtet, të konfliktualitetit sipas të cilës ndaj armikut Berisha nuk ka ilaç më të mirë sesa armiku Rama, atë që të keqen e sheh gjithmonë tek tjetri, dhe sigurisht në “vorbën” e zanatit të gënjeshtrës për tu bërë hyzmet interesave vetiake. PS me në krye Ramën ka zgjedhur me vetëdije të jetë e paqartë për rrugën që po ndjek. Udhëheqja e  partisë duket se ka zgjedhur jo ashtu kot heshtjen rreth problematikës që ngre fjalimi i Ramës që përmenda (që për hir të së vërtetës nuk është një konstante e fjalimeve të tij). Asaj nuk i intereson të thotë nëse po krijon një parti të re që premton ndryshime radikale brenda saj (dhe në shoqëri) duke denoncuar të kaluarën apo po mbështetet në të kaluarën e saj nanoiste. Kjo paqartësi e qëllimtë, e fshehur prapa armikut Berisha, shkon edhe nw hullinë e kulturës sw vjetër ku partia identifikohet me udhëheqësin e pagabueshëm çfarëdo që ky të thotë e të bëjë. Rama dhe udhëheqëja e PS shkon kështu me idenë se paraqitja e PS edhe si parti e re, që premton ndryshime radikale e luftë pa kompromis me armikun, edhe si parti që ruan interesat e krejt të vjetërve do të ishte gënjeshtra më e suksesëshme, më “gjithpërfshirëse”. Mirëpo problemi është se këtë gënjeshtër e përdori Berisha para katër vjetësh dhe njerëzit nuk e hanë më.

Duke iu referuar edhe fjalimit të Ramës, do të thoja se ajo çka duhet të dilte si mësim i kësaj humbjeje të PS është se klasa jonë politike, që të fitojë, duhet të ndryshojë veprat jo fjalët. Në këtë kontekst problemi i sotëm i PS, që do të duhej të diskutonte Kongresi është nëse ajo do të kërkojë një gënjeshtër të re apo do të synojë të kthehet më né fund né një parti të sé vërtetë. Duket se ajo zgjodhi të parën. Në vend se të diskutojë për këtë alternativë kaq të rëndësishme ajo diskutoi për mospranim të humbjes mbasi votat i vodhi Berisha e Meta në bashkëunim me Nanon, dikutoi për arsye teknike të humbjes, për paaftësitë negociuese të kryetarit të PS, për nevojë bashkimi me Ilir Metën (që të tjerë e akuzojnë për tërë të zezat) etj. si këto. Sipas meje të gjitha këto janë variante të vazhdimësisë së gënjeshtrës. Ndoshta vetëm kur dikush diskutoi për nevojën e demokratizimit të partisë ajo iu qas sfidës së ndërtimit të një partie të së vërtetës sepse pa demokraci nuk ka as të vërtetë. Mirëpo u pa qartë se në vend të demokracisë atje triumfoi kulti i liderit të padiskutueshëm që mund të thotë e të bëjë çdo gjë e të mbetet në krye.

Si përfundim, do të thoja se Kongresi i PS tregoi se sfida e ndërtimit të një partie të së vërtetës, një sfidë kjo edhe për gjithë politikën shqiptare, është ende larg politikës dhe politikanëve tanë, e se, prandaj, do të vazhdojmë të vuajmë në “vorbën” e zanatçinjve të gënjeshtrës.

5 Komente

Artikull i shkelqyer! I vura "vetem" 5 se po te kishte permend edhe Gramoz Ruçin do behesha "zanatçi informatik" dhe do i vija 10 nga 5 te mundshme.

Pikerisht problemi kryesor sot ne Shqiperi, eshte se keta "zanatçinjte" i kane thene te gjitha idete e mira paçka se nuk i kane besuar kurre. Ndaj nje force e re politike nuk ka me ç'te propozoje si ide te re, pavaresisht se mund te kete deshiren dhe kapacitetet humane per t'i realizuar keto.

Rama ishte politikani qe kishte mundesine me te madhe per te lançuar nje levizje te re politike, por nuk e beri pikerisht per ate arsye qe thote Lubonja, padurimi qe e karakterizon dhe tafmaja do shtoja une.

Veliaj, qe ai qe preu dhe ate fije shprese qe mund te kishte tek njerzit tek te rinjte ne politike. (biles ai e nisi duke vrare edhe besimin te shoqeria civile)

Sot e vetmja shprese per te pasur nje fare integriteti ne politike eshte transparenca e financimit te partive. Pa kete transparence, partite do vazhdojne te drejtohen sipas interesave te disa klaneve te fuqishme financiare, qe tek ne s'mund te jene kompani te fuqishme si ne Amerike psh, por jane detyrimisht matrapaze qe "fluturojne" ose "zhyten" ne funksion te partise ne pushtet.

 Lizender, per aq kohe sa njerezit te presin nga individe te vecante do ngelen te zhgenjyer. Secili prej atyre qe permende ti, ashtu si ata qe kane qene dhe ata qe do vine kane interesat e tyre afatshkurtra e afatgjata, secili do te akumuloje sa me shume pushtet sepse kjo eshte natyra njerezore. 

Eshte shume me e rendesishme qe shoqeria te bej presion te krijohen institucione e rregulla te qendrueshme, qe kushdo qe te vije ne te ardhmen te dije te drejtat po edhe limitet e tij. Transparenca e financimeve eshte nje nga ato; rrokada e lidereve patjeter qe eshte nje tjeter standard; rregulla te qarta karierre brenda partive qe tregojne si dikush ngjitet ashtu si edhe dikush zbret ne detyre; kualifikimet e nevojshme qe duhet te kene njerezit qe ngrihen ne detyre (p.sh nuk eshte normale qe sot e kesaj dite Meta, Majko, po edhe ca nga te rinjte po ashtu nuk kane nje dite pune te zakonshme). 

Per aq kohe sa vendosen keto institucione gjerat do permirsohen, me ngadale po do permirsohen. Ama rasti i Rames eshte i fundit i nje lum fatkesh qe provojne thenien e vjeter se "pushteti absolut sjell vetem korrupsion absolut" sado te mira te kene qene qellimet e Rames. 

Politika Shqiptare ka nevoje per polikan te "dobet".

Pse u forcua Berisha, pas '97, sepse Nano ishte politikan i "forte", nuk mund ta levizte vendit njeri.

Edhe sot, nje Edvin i forte , forcon vetem Berishen.

Ne kemi nevoje per Edvin Berish te dobet, e institucione te forta.

Ne qoftese i rrime drejte aksiomes se Berisha i "forti" eshte e keqja e vendit, nuk ka se si te luftohet po me te "fortin" Edvin, e ardhmja e keqes se vendit.

Nuk luftohet e keqja me te keqe.

Socialistet nuk duhet te zgjedhin kryetar Edvinin, duhet zbutur politika, qe ti hapet rruga se drejtes. 

Qellimi i mire ka shume mundesi te sjell miresi.

Qellimi i keq sjell vetem mbrapshtesi.

PS me në krye Ramën ka zgjedhur me vetëdije të jetë e paqartë për rrugën që po ndjek.

Ndoshta na 'sqaron' paqartesine Rudina Seseri, se helbete la Bostonin, biznesin e 'private equity' per nje karrige ne sallen skenografike te Prajlamentit te t'Tajrons. Ka shkru naj gjo se fundmi ajo?

“Me një fjalë, që s'është lojë fjalësh, përtej të majtës e të djathtës është një e majtë e re, progresive dhe gjithpërfshirëse”.

Keto jane fjalet e Edit.

Nuk kuptoj vetem nje gje: Si ka mundesi qe pertej se majtes e se djathtes te na dale perseri nje e "majte"!!!!!!!!!!

Ndofta une nuk e kuptoj sepse  kam mbaruar universitetin pasi kam bere edhe shkollen e mesme.Me siguri kjo kerkon nje spjegim nga nje tjeter qe ka mbaruar universitetin (pse jo edhe masterin) pa bere shkollen e mesme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).