Vezhguesit vendore: Zgjedhjet, arritje pozitive

TIRANË - Vëzhguesit vendorë kanë konkluduar sot se zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan të rregullta dhe gjithë problematika e tyre ishte produkt i lojës së partive. Sipas Kristaq Kumes, drejtues i koalicionit të vëzhguesve "ky proces në tërësinë e tij ishte një arritje pozitive për realizimin e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, që përputhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe standardet e Këshillit të Europës". Në raport theksohen edhe disa probleme të vërejtura gjatë zgjedhjeve, siç ishin votimet në grup si dhe probleme me grupet e numërimit. Sipas raportit, në disa raste, problemet ishin thjesht një lojë e politikës. "Gjithë problematika që shoqëroi zgjedhjet në jo pak raste ishte produkt i lojës politike të partive dhe subjekteve zgjedhore", tha Kume. Një vlerësim vëzhguesit vendorë japin për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që sipas tyre u tregua transparent, duke nënvizuar këtu konsensusin midis anëtarëve të këtij komisioni. Ndërkohë, theksohet se edhe Kolegji Zgjedhor ishte i pavarur dhe se vendimet e tij nuk ishin të ndikuara. Vëzhguesit kritikuan KQZ vetëm për procesin e numërimit pasi sipas raportit të tyre rezultoi se nuk u arrit të trajnoheshin në kohë grupet e numërimit, gjë që shkaktoi edhe vonesa në daljen e rezultatit. Koalicioni i Vëzhguesve vendore është një bashkim vullnetar e jo politik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i përbërë nga gjashtë OJF: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqata për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, etj. Ky Koalicion angazhoi në zgjedhjet e 28 qershorit një rrjet prej 2500 vëzhguesish të cilët përçuan në kohë reale raportet e tyre përgjatë ditës së votimeve, duke punuar të pavarur nga vëzhguesit ndërkombëtarë.


 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).