Vdes shqiptari i parë nga virusi A/H1N1

Virusi A/H1N1 ka shënuar viktimën e parë shqiptare. Mësohet se 25-vjeçari Jani Metushi, i cili prej vitesh jetonte me dokumente të rregullta në shtetin helen kurohej në gjendje të rëndë që prej datës 19 gusht në spitalin Evangjelizmo të Athinës. Ai ishte infektuar nga gripi i derrit gjatë pushimeve në ishullin Paros të Greqisë. Pas është infektuar, i riu ka shfaqur shenja të vështirësisë në frymëmarrje dhe është konstatuar se ky virus i ka shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri. Gjendja e Jani Metushit u rëndua edhe më, pasi prej kohësh vuante nga probleme kardiake, madje kishte vendosur edhe aparat për aritminë në zemër. Prekja nga gripi i derrit i shkaktoi 25-vjeçarit ndërlikime, midis tyre në orët e fundit edhe mosfunksionim e shumë organeve jetike dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi A (H1N1) në Greqi ka arritur në gati 2 mijë persona.

Shqipëria, 30 raste të konfirmuara

Në vendin tonë nuk janë konfirmuar deri tani raste të reja të prekura me virusin A (H1N1), të njohur ndryshe si gripi i derrave, duke mbajtur të pandryshuar numrin zyrtar prej 30 vetash. Sipas buletinit nr. 12 të ISHP, të publikuar ditën e djeshme, pritet përgjigjja e analizave edhe për 9 raste të tjera të dyshuara për këtë virus, mostrat e të cilëve janë dërguar në Laboratorin e Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht. Ndërkohë, sipas këtij buletini, numri i mostrave të mbledhura deri me datën 2 shtator 2009 është 595, të marra në të gjithë vendin.

Numri i madh i mostrave është marrë në Spitalin Infektiv në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilat i përkasin grupmoshës 25-44 vjeç. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në laboratorin e virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara.

Historiku i përhapjes

Rasti i parë i prekur me virusin A (H1N1) në vendin tonë u konfirmua në 20 korrik, pas mbërritjes së rezultateve të analizave nga Laboratori i Referencës në Rumani. I prekuri ishte një student 20-vjeçar nga Gjirokastra, i cili ishte paraqitur në Spitalin Infektiv pranë QSUT me shenja të gripit të zakonshëm. Ky rast, sipas specialistëve, nuk kishte lidhje epidemiologjike me vendet e prekura apo kontakte me të sëmurë që mund të kenë ardhur nga jashtë. ISHP sqaron se raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A (H1N1) në Laboratorin e Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, Rumani. Raste të mundshme janë të gjitha rastet, që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në laboratorin e virologjisë pranë ISHP, Tiranë. Ndërsa, raste të dyshimta janë të gjitha rastet, që plotësojnë përkufizimin e rastit.

2 Komente

ja pa sherrin grekut

ishalla nuk ka viktima te tjera

ngushellime familjes (gjynah, djale i ri)

turp i zotet, deri ne Rumani duhet me dergu mostrat per analizat e gripit A?

nuk mund te harxhojne dy lek per shendetin e popullsise keta derra e te blejne makinen qe duhet qe ne pak ore te jep rizultatet?

medet, medet

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).