Uria mediatike e shqiptarëve… dhe…

Vendimet më të fundit të KKRT me firmën e zonjës Mesila Doda pasurojnë hartën e licencimeve me televizione të fshatrave si: TV Roskovec, TV Hudenisht, TV Maqellarë, TV Tërbuf, TV Dushk, TV Portëz, TV Pojan etj., ku nuk mungon edhe rilicencimi me zgjerimin e zonave të transmetimit nga Tirana në Shkodër e Fier. Realiteti i medieve lokale lë shumë për të dëshiruar, si për cilësinë e programeve, dhe për fuqinë e tyre financiare. Gazetarë në të zezë apo të punësuar të përkohshëm, një ushtri që rreket mes lirisë së demokracisë dhe pasigurisë sociale

 

Vendimet më të fundit të KKRT mbajnë datën e muajit prill, por të botuara në fletoren zyrtare nr. 81, tregojnë një licencim të shumë sinjaleve kabllore në fshatrat e qarkut të Fierit (ku u vendos momentet e fundit të konkurrojë për deputete e PD, ish-kryetarja e KKRT, Mesila Doda. Licencimi i shumë licencave si në Cërravë e Hudenisht të Pogradecit, në Maqellarë e Peshkopi, në Tërbuf e Dushk të Lushnjës, në Luz të vogël të Kavajës, në Portëz, Dërmenas e Roskovec të Fierit deri te licencimi i TV Tata Junior në Bajram Curri janë vendimet më të fundit të botuara në fletoren zyrtare nën firmën e zonjës Doda.

Ndërsa 7 rilicencimet janë kapërcime qytetesh e fshatrash, p.sh., TV Star zgjeron zonën e licencimit për të mbuluar, sipas fletores zyrtare, me sinjal Farkën, Kasharin, qarkun Shkodër, Bashkia Fier. Dhe TV Star nuk është i vetmi që do kapërcejë kufijtë e qarqeve.

Në fakt, vetë zonja Doda në fillimin e punës së saj e ka komentuar maninë e zotërimit të licencave nga shumë operatorë si një uri mediatike të vetë shqiptarëve, ndërsa ka kujtuar standardet evropiane për licencimin e platformave dixhitale deri në 2014. Pronësia mbi këto licenca i takon shoqërive anonime, si dhe pak personave të panjohur në publik më parë. Rritja e kërkesave për licencime lokale në zonat rurale të vendit deri në tri televizione në një zonë me disa fshatra është paradoksale, krahasuar me nivelin mediokër që ofrojnë shumica e TV-ve lokale në vend.

Nëse pak prej medieve lokale arritën të konsolidohen si emra në hapësira transmetimi, shumë prej tyre janë larg parametrave profesionalë si në transmetimin e

lajmit dhe në numrin e punonjësve a gazetarëve të siguruar.

Të ashtuquajturit pronarë të këtyre TV-ve lokale e shohin biznesin mediatik si një biznes sh. a., ku ai që llogaritet i fundit është interesi i publikut.

Kohët e fundit po jetoj në Sarandë. Pak ditë më parë stacioni i licencuar si rajonal, TV Joni, shpalli falimentimin financiar pas një viti e gjysmë nga marrja e licencës. Mes mosmarrëveshjeve mes ortakëve është edhe fatura e papaguar ndaj shtetit për 1.5 vjet transmetime. Ky ishte televizioni me parametrat teknikë më cilësorë, si dhe me një

miniskuadër prodhimi në studio profesionale dhe që mori mundimin të njoftojë teleshikuesit e vet për arsyen e mbylljes së kanalit: Falimentim.

Në qytet tani transmeton një TV lokal që ka një gazetar dhe një operator-montazhier, si dhe një TV kabllor. Lajmi lokal nga Saranda, në TV-të qendrore në Tiranë ndihet pak, në rastet e mbytjeve apo fatkeqësive natyrore apo në sezonin turistik, kur gazetarët e qendrës vijnë për pushime.

Saranda, ky cep i ngrohtë jugor, mbetet jashtë politikave mediatike. Interesat e kanaleve qendrore janë të shtrira deri në Gjirokastër.

Transmetimet e kanaleve të vendit fqinj përcjellin tjetër cilësi transmetimi apo gjerësi informacioni. Krahasuar me ishullin fqinj, Korfuzin, TV-të në Sarandë mbeten inferiorë për cilësinë e transmetimit lokal, si dhe varfërinë e programeve, ku nuk mungon reklama e funeraleve dhe këngët e stërtransmetuara nga DVD-të e bëra dhuratë nga vetë këngëtarët amatorë.

Nga ishulli fqinj vijnë sinjale televizive të programuara, me stafe gazetarësh e aksionerë të njohur në ishull, ndërsa në Sarandë administratori i vetëm i një televizioni duhet të negociojë për reklamat, si dhe të kontrollojë rubrikat e varfra të

lajmeve, ndërsa është në biznes të përbashkët me bashkinë e qytetit në ndërtimin e rrugëve të brendshme.

Kështu, ndërsa lexoja fletoren zyrtare nr. 81 dhe morinë e licencimeve lokale, desha ta përjetoj si një lajm të mirë profesional, si një lajm zhvillimi të opinionit të komunitetit, por ndërsa prek infrastrukturën e medieve lokale me operatorë që mbijetojnë nga të ardhurat nga dasmat dhe administratorë lokalë që me licencën e TV mbrojnë bizneset e ndërtimit dhe përfitojnë nga fondet publike, entuziazmi im bie...

Përvoja më e fundit e zgjedhjeve vendore shënoi për poseduesit e medieve edhe ankandin e minutave ndaj subjekteve politike, pavarësisht preferencave dhe zhvendosjes së fushatës në mediet qendrore. Një minutë transmetim në Sarandë dhe Fier varioi gjatë fushatës nga 1200 lekë në 18.000 lekë!!!!

Përvoja ime e vitit të fundit në mediet lokale në qytetet Fier e Gjirokastër tregon pak gazetarë idealistë që punojnë të siguruar e të pasiguruar, një pakicë të pozicionuar si rrogëtarë në të tjerë sektorë, si dhe një numër korrespodentësh që rreken të raportojnë nga provinca drejt qendrës më parë se kolegu, lajmin që rrufisin në kafenetë e vogla të qytetit. Në Fier gazetarët raportojnë gjatë ditës me telefon drejt Tiranës, në mesditë nisen kasetat drejt Tiranës dhe pasdite fierakët i rishohin kronikat e TV-ve lokale në edicionet informative të TV-ve qendrore.

Dhe të nesërmen në mëngjes në gazeta gjenden të zgjeruara kronikat televizive të darkës. Mungesa e cilësisë së medieve lokale për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së vizionit po unifikon produktet televizive në mungesë individualiteti gazetaresk, mungesë stili e pune individuale duke u shndërruar në “lajme nga provinca”, po larg provincës.

Dhe nëse m’u rikujtua “uria mediatike” e disa anonimëve për licencim, ndërsa lexoja fletoren zyrtare nr. 81 me vendimet e fundit të KKRT, besova se ndoshta konkurrenca mes kabllorëve në fshatra do e hapë dritaren e informacionit edhe në qytete!

5 Komente

Televizionet lokale kunder teknologjive te sotme jane si palestinezet me llastice guri kunder tankeve izraeliane. Lajmet per vdekjen e filanit, pershendetje nga ekrani, dasma e radhes, synetlleku i radhes etj etj. Pergjigje lokale kunder revanshizmit te globalizimit.  

Jane media te destinuara te vdesin, ne te ardhmen mund ta kene me te lehte te krijojne nje hapesire web, me nje webtv ku te publikojne keto lajme.

 

Neper rajonet lokale nuk vdesin, bile jane shume te kerkuar. Sic u tha me siper, nuk kane ndonje program, thjesht lajme dasmash, vdekjesh, muzike etj, por neper komunitetet e vogla ngjisin shume.

mbase, por sa do arrijne te mbijetojne? nje tv lokal me 1000 shikime ne nate si mund te mbijetoje nga ana financiare?

kam idene se shume media merren vetem me pastrim parashe (si top qenefi fillimisht)

Dhe nëse m’u rikujtua “uria mediatike” e disa anonimëve për licencim, ndërsa lexoja fletoren zyrtare nr. 81 me vendimet e fundit të KKRT, besova se ndoshta konkurrenca mes kabllorëve në fshatra do e hapë dritaren e informacionit edhe në qytete!

Ç'ka dashur te thote autori, valle, me kete?!

Se nese na hapet nje tv kabllor ne fshatin Symize, do na hape dritaren e informacionit gjer ne Tirane?! Interesante!

Vaj medet, thuaj!

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).