Urdhri i bankës: Paratë në rrezik, ruani fitimet në depozita

Me një vendim të Bankës së Shqipërisë, i cili nuk është publikuar në asnjë nga fletoret zyrtare të vendit, marrë në mars të këtij viti, banka qendrore ka urdhëruar pezullimin për një afat të pacaktuar të shpërndarjes së fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, të fitimit të realizuar në vitin 2008 dhe të fitimit që do të realizohet përgjatë vitit 2009 nga bankat dhe degët e bankave të huaja që operojnë në vend. Ky urdhër as nuk është revokuar dhe as nuk është korrigjuar. Kështu, bankat shqiptare e të huaja, 16 në total, vijojnë të jenë të detyruara të mbajnë të bllokuara fitimet e tyre, në rast se kanë, jo vetëm për 2008-ën, por edhe për 2009-ën.
Vendimi
Në kushtet e krizës globale, shumë vende kanë marrë masa të ndryshme për të siguruar përballimin e krizës financiare, e cila më pas kaloi në sektorin real, me mjetet që kanë në dispozicion. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, p.sh, shteti bleu borxhet e bankave apo kompanive të mëdha, duke ndërhyrë direkt nga fondet qeveritare për të shpëtuar sektorë kyç të ekonomisë, të kërcënuar nga falimentimi. Në vendin tonë u kërkohet sektorëve bankarë që mund të rezultojnë me fitim, që të mos e transferojnë këtë fitim tek aksionerët e tyre. Kjo, për të mbuluar "hemorragjinë" e depozitave bankare, nga personat dhe subjektet, për të krijuar artificialisht një rezervë monetare që rrezikon të pakësohet ndjeshëm. Në fakt, fondet e bankave u pakësuan realisht, edhe pa këtë vendim të BSH. Kjo u vu re edhe nga rënia e pjesëmarrjes së tyre në ankandet e bonove të Thesarit, pikërisht në momentin kur kjo u bë më fitimprurëse se kurrë. Por, edhe nga masat shumë më shtrënguese se më parë për kredidhënie. Vendimi është bazuar në legjislacionin përkatës të shtetit shqiptar. Por, bllokimi i fitimit të aksionerevë që mund të jenë të huaj, në shumicën e rasteve, mund të sjellë pasoja në të ardhmen. Ekonomia e tregut bazohet në fitimin dhe investitori synon një risk sa më të ulët e fitim sa më të lartë, që ai ta marrë në kohën më të shpejtë të mundshme. Ky veprim, po të bëhej edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, do të përbënte një frenim të investimeve nga jashtë, gjë e cila aktualisht është e dukshme, pas një rritjeje vitin e kaluar të fluksit të investimeve të huaja direkte.
Arsyet
Ajo çka nuk mund të fshihet nga Banka e Shqipërisë, janë arsyet e një vendimi të tillë shtrëngues. Në letrën e nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Mbikëqyrjes pranë BSH, Indrit Banka, vihen në dukje qartë, në formë justifikimi, rrethanat që kanë detyruar bankën qendrore të marrë një masë të tillë. Sipas letrës dërguar 16 bankave në vend, vihet në dukje se viti 2008, në ndryshim nga një vit më parë, u karakterizua nga zhvillime të paqëndrueshme. Po kështu, Banka qendrore gjykon se "analizat vlerësojnë një shkallë rreziku në rritje dhe një tendencë në rënie të fuqisë financiare të sistemit bankar gjatë vitit 2008, ku pjesa e dytë e tij, veçanërisht tremujori i fundit i vitit evidenton përkeqësimin e disa prej treguesve kryesorë financiarë". Dhe më tej, "aftësitë e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë u përkeqësuan në fund të vitit 2008 dhe zhvillimet e pritshme në portofolin e kredive mund ta përkeqësojnë edhe më tej këtë tregues". Drejtori vijon, duke u shprehur se vijueshmëria e financimit të aktivitetit të bankave dhe degëve të bankave të huaja nga depozitat e publikut në të ardhmen është i paqartë, cilësia e portofolit të kredive u përkeqësua ndjeshëm, ndërkohë që pritshmëria parasheh vijueshmëri të kësaj tendence dhe treguesit e rentabilitetit parashikohen në nivele të përafërta me fundin e vitit 2008. Banka, ndryshe nga qeveria, tregon hapur se vendimi i saj është një vendim në kohë krize.

18 Komente

nje arsye me shume pse duhet te futemi ne eu e te perdorim euron...

Hahahahahahaha a thua se e vendosim ne futjen ne EU!

..kosova perdor euron e nuk eshte ne eu me duket...

Edhe Mali i zi, qe eshte tamam shtet perdor Euron si monedhe kombetare, nderkohe qe nuk eshte ne EU.

 Pse di ndonje arsye ti ,pse nuk duhet te futemi ne EU...?

sepse jemi te padeshiruar aty, eshte si te shkosh mik ne nje shtepi qe sdo te shikoje me sy

Njerezit e paafte dhe te interesuar vetem per zhurme s'duhet te lejohen te zhgarravisin per gjera qe s'i marrin vesh.

Mendoj qe gazetari e ka shtremberuar pak-sa ose shum-sa artikullin. Banka qendrore mesa di, nuk urdheron por vetem ben sugjerime( ne mes te shum gjerave te tjera). E dyta ajo qe thote gazetari per 2009 nuk qendron, pasi bankat private kane levruar goxha para si borxh per qeverine shqiptare ne kete vit. Vetem Alfa Bank i dha qeverise 250 milion euro, si dhe R. Bank bashke me dy te tjera 150 milion euro, per investimin ose detyrimin kontraktor te fazes se dyte te rruges D-K.

Politikat per uljen e blerjes se bonove te thesarit nuk mendoj qe jane pasoje e sugjerimit te bankes qendrore  e si pasoje ngritje e perqindjes se shitjes se tyre. Ishte dicka tjeter qe coi ne ate faze, qe sot mesa di, eshte stabilizuar.

Ne fund, i ka futur edhe dicka konspirative( eshte mbajtur gjoja i fshehet), e pastaj artikulli pihet bukur me kafe!

Scoop-i: Banka mori nje vendim te ligjshem, ne kushtet e panikosjes se publikut depozitues, dhe nuk e publikoi qe te mos panikosej me shume pubilku injorant (perfshire gazetarin) depozitues. Si si vjen turp Bankes!

 

Apo scoop-i: Na paskerkishte pasur prekur kriza!

ose: na paskesh paguar rama qe te krijojme klime pak te tensionuar...

Se marr vesh perse beher kjo gje.....pf shum zhurme per asgje duke ditur qe monedha jone ska asnje vlere(jashte shtetit)

titulli shume bombastik dhe per me teper GSH e ka vendosur ne faqe te pare.

Nga artikulli nuk shoh ndonje problem, thjesht qe Banka ka marre nje mase per te rritur likuiditetin e bankave te vogla. Thjesht i ka thene qe mbani me shume cash ne banka.

Por sepse roli i gazetave tona nuk esht informimi konstruktiv i publikut por ti sherbejn interesave madhore(partise). Kto budallejt luajne me zgjarrin.

ka nje ndryshim kur thua qe nje politikan/parti/institucion nuk ben dhe kur thua qe monedha e nje vendi nuk ben...

Peshku ben mire qe na e sjell se dhe e diskutojme dhe e shohim me qarte, por gazetat duhen te kene me kujdes kur hapin panik me keto tema, aq me shume kur i kane te keqinterpretuara

 Bashkohem me  gre_wirelees, sepse keqinterpretime te tilla nga gazetar te papergjegjeshem, sjellin/çojne ne destabilizime dhe panik ne popull. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).