Turizmi, pasuria e vetme!

Pas frikës së qershorit dhe dy javëve të para të korrikut, Shqipëria ka mbyllur më së fundi këtë javë sezonin turistik me një bilanc pozitiv në dukje. Më shumë se sa shifrat që ofron Ministria e Brendshme dhe ajo e Turizmit, më shumë se sa statistikat e INSTAT–it, bumi turistik i vitit dallohej lehtësisht në trafikun e rënduar të gushtit, në mungesën e dhomave të lira nga Durrësi në Sarandë, në numrin e madh të makinave që hynë këtë vit në vend dhe padyshim në shtimin ndjeshëm të udhëtarëve në aeroportin e Rinasit dhe në portet detare. Po, është e vërtetë, Turizmi, industria më e madhe në vend e justifikoi sërish veten këtë sezon veror, po a është kjo e mjaftueshme? Nuk ka asnjë dyshim që JO! Tej entuziazmit për numrin në rritje të turistëve në një vend ku mungon krejtësisht puna profesionale për t’i sjellë ata; tej justifikimeve se edhe Greqia, një ndër vendet më të zhvilluara turistike sot në Europë e ka nisur kështu; tej bindjes se viti tjetër do të jetë më i mirë se ky, Shqipëria duhet të jetë realiste për të vlerësuar kapacitetet e saj dhe për të ndërhyrë sa më shpejt dhe në mënyra sa më efikase në përmirësimin e tyre.  
Nëse ne vlerësojmë sot me realizëm, pa ekzaltim dhe pa justifikime atë që turizmi shqiptar prodhon, në shumë gjëra meritojmë një fjalë shumë të rëndë, mizerabël. Kjo fjalë vlen sa për shërbimet, çmimet, atë që Shqipëria ofron, por edhe për mungesën e një strategjie konkrete dhe me faza për përmirësimin e saj. Ka disa gjëra që mund të bëhen dhe unë do të tentoj brenda një vëzhgimi personal të rendis disa prej tyre:
E para, shqiptarët duhet të heqin dorë nga ideja e turizmit patriotik të patjetërsueshëm. Shumë vetë që jetojnë me turizëm sot nga Velipoja në Vlorë kanë bindjen dhe e shprehin, se turistët kosovarë, pavarësisht kushteve, nuk do t’i ndahen Shqipërisë, sepse ky është një dimension patriotik i tyre. Për fatin tonë të keq, mund të ndodhë e kundërta. Turistët e Kosovës, apo shqiptarët e Maqedonisë, nuk paguajnë me patriotizëm, por me euro. Ata janë sot, baza më solide e turizmit në Shqipëri dhe një fat shumë i madh për ne. Diferencimi i tyre në çmime; sjellja jo e denjë, mungesa e respektit për shijet dhe stilin e tyre të jetesës, që manifestohet jo rrallë në Shqipëri, mund të jetë një goditje e fortë për turizmin tonë. Natyrisht, ndërtimi i rrugës Durrës–Kukës rezultoi magjik për joshjen e shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar, por kjo nuk mjafton. Pikërisht për hir të saj, Shqipëria duhet të synojë një turizëm 12-mujor, duke ofruar temperaturat e këndshme të dimrit në kontrast me ato të acartat e Kosovës. Për këtë nevojitet një fushatë e plotë publicitare dhe një punë shumë më e madhe nga bashkitë bregdetare, gjatë gjithë vitit.
E dyta, Shqipëria duhet të analizojë se cila është mundësia më e mirë për të pasur turistë të huaj, kryesisht europianë. Nga një analizë e të dhënave, numri i atyre që e kanë Shqipërinë destinacion kryesor, pra që vijnë të organizuar në grupe këtu, është i vogël, edhe pse në rritje. Të dhënat rrëfejnë se numri më i madh i turistëve të huaj është ai ditor i atyre që hyjnë nga Saranda dhe Hani i Hotit. Ata janë turistë që shfrytëzojnë pushimet në vendet fqinjë për të vizituar Shqipërinë për një apo dy ditë, duke e vendosur edhe atë në hartën e vendeve që kanë vizituar. Shumica e tyre janë turistë ditorë që vizitojnë Butrintin në Sarandë, por edhe zonat e veriut, nga afërsia me Malin e Zi dhe Kroacinë. Në këtë logjikë, Shqipëria, duhet të llogarisë veten si një korridor turistik që lidh vendet e kërkuara si Kroacia apo Mali i Zi me Greqinë. Në këtë drejtim, qeveria duhet të ndërtojë sa më shpejt rrugën Shëngjin–Ulqin, që kalon nga Ada Bojana. Me ndërtimin e saj dhe me mbarimin e rrugës Fier–Vlorë, një turist me makinë do preferojë më mirë të kalojë nëpër bregdetin shqiptar në rrugëtimin e tij nga Europa drejt Greqisë se sa nëpër Serbi e Maqedoni. Nga Ulqini në Sarandë, një udhëtar mund të mos shpenzojë më shumë se 6 orë dhe ky do të jetë një itinerar mjaft ndjellës për shumë prej tyre. Në këtë mënyrë ne do të fitojmë një turizëm të tërthortë, i cili, nëse mbetet i kënaqur, rikthehet sërish për një kohë më të gjatë.
Së treti, Shqipëria duhet të ndërtojë sa më shpejt infrastrukturën dhe të fillojë të japë leje për ndërtime rezortesh dhe hotelesh të vërtetë. Ndërtimi i tyre do ndalojë sundimin e hoteleve pa asnjë standard dhe asnjë kontroll, shtëpive të përshtatura dhe mungesës së plotë të marketingut. Rrallë një turist niset drejt të panjohurës pa rezervuar hotelin dhe biletën e tij dhe këto, në Shqipëri janë thuajse të pamundura. Sot, kur interneti po zëvendëson agjencitë e udhëtimeve, prania e tij fare minore në turizmin shqiptar, është një mëkat i madh.
Së katërti, Shqipëria duhet t’i japë fund moratoriumit për skafet, edhe pse ky duhet të ketë përfunduar automatikisht. Ai ishte i vlefshëm për 3 vjet dhe përderisa parlamenti nuk e votoi më, i bie që nuk është më në fuqi. Ky moratorium që vlente për një moment të caktuar politik në vitin 2005, nuk mund të vlejë më tani. Ne e kemi të qartë se nuk mund të ketë turizëm pa skafe dhe mjete lundruese, edhe pse, administrimi i tyre duhet bërë me një ligj të rreptë për të shmangur kasaphanën që motorët e ujit dhe skafet, mund të prodhojnë duke lundruar mes njerëzve që lahen apo notojnë.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, Shqipëria duhet të përshtatë një legjislacion të rreptë për administrimin e zonave turistike. Edhe pse jo vetëm për to. Duhet të jemi realist për të kuptuar se grumbujt e plehrave dhe mbeturinave të tjera që lartohen një apo dy kate buzë rrugëve nacionale apo anës plazheve, janë shokuese për këdo. Ato janë më shumë se sa një administrim i keq, një shenjë e qartë e mungesës së dinjitetit të një populli dhe formimit të tij. Largimi dhe sistemi i tyre është detyrë primare, më shumë se sa urgjente jo vetëm për turizmin. Shqipëria duhet të gjejë menjëherë mundësinë që territori i saj të shpëtojë nga invazioni i plehrave dhe që plazhet apo zonat turistike të kenë po atë pastërti, qoftë edhe minimale që ofron çdo vend turistik në çdo cep të globit.
Një legjislacion më i ashpër duhet për muzikën e lartë dhe argëtimet e tjera. Jo pak turistë kanë ikur të tmerruar nga hotelet falë muzikës së lartë dhe torturuese që vjen nga lokalet përballë gjatë gjithë natës, pa asnjë kufizim në kohë. Muzikë live që lë pa gjumë, jo një, dy apo tre hotele rrotull, por një qytet të tërë. Askush s’e di se përse kjo gjë nuk administrohet, por një gjë është e sigurt, as në Afrikë nuk gjen zona të tilla turistike, ku muzika e lartë, shpesh herë mizerabël si cilësi, torturon pothuajse të gjithë pushuesit pa përjashtim deri në orët e herta të mëngjesit. Kjo mund të marrë zgjidhje duke caktuar vende për diskotekat ose lokalet me muzikë, larg zonave të banuara dhe me masa mbrojtëse ndaj zhurmës.
S’ka asnjë dyshim se turizmi është industria jonë kryesore dhe ajo më fitimprurësja. Përmirësimi i saj mund të vijë në dhjetëra mënyra. Nuk ka rëndësi nëse zgjidhen apo jo menjëherë. Rëndësi ka që ne të flasim për të gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin veror. Siç ka rëndësi të kuptojnë se kjo është pasuria jonë më e madhe, në mos e vetme dhe askujt nuk i lejohet shpërdorimi i saj!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).