Të zgjedhësh një universitet

Regjistrimi në universitet për shumicën e njerëzve është një moment i një ...rëndësie të jashtëzakonshme, që shënon në mënyrë unike rrugën e jetës. Pas 12 vitesh studimi rutinë në ciklin e ulët dhe të mesëm (është ky momenti më i zakonshëm për shumëkënd) të kaluara përgjithësisht përmes një programi rigoroz plot detyra shtëpie, hartime, provime (mekanike) dhe orare strikte hyrje e dalje me mungesa të marra për çdo orë mësimi (të paktën kështu ndodh në shkollat e mira), befas e gjen veten në një mjedis krejt të ri, strukturalisht dhe cilësisht të ndryshëm, shpesh larg qytetit ku je rritur dhe, për më tepër, larg mamit dhe babit, si një zog që sapo ka lënë folenë, në fluturimin e tij të parë... 
Pikërisht sepse është një moment pothuajse i papërsëritshëm në jetë, zgjedhja e një universiteti duhet menduar dhe peshuar në lidhje me çdo komponent të tij. Në parantezë sqaroj se në këtë shkrim nuk pretendoj të jap unë përgjigjet, pasojat e të cilave nesër do t’i mbartni fatmirësisht ose fatkeqësisht vetëm ju. Idetë që do të ndaj me lexuesin në vijim janë ato që ndaj me studentët e mi në takimin tonë të parë, që me sa kam vërejtur, ka qenë shumë i vonuar për dikë apo disa... Informacioni që do përçoj është fryt i një eksperience tetëvjeçare si asistent dhe lektor në Universitetin e Tiranës dhe disa universitete (fakultete drejtësie) jo publikë.
Dhe problemi më i pari në radhë është pikërisht ky: një universitet publik (shtetëror) apo jopublik (privat)? Përgjigjen do ta gjeni ju vetë, por për t’jua lehtësuar unë do të listoj këtu elementet/kriteret që shtyjnë x-in të zgjedhë një universitet (çfarëdolloj). Një diplomë që vlen, që ka emër, që “çan në tregun e punës”, padyshim që nuk është diçka e rastësishme. Personalisht jam produkt i “shtetërorit” dhe ndihem mirë për këtë, por sidoqoftë jo për arsye zgjedhjeje sesa për faktin që 15 vjet më parë ai ishte i vetmi. Sot mund të kisha vepruar ndryshe... E vërteta është që për arsye historike dhe praktike shtetërori ende ka një emër të madh, të cilin universitetet private do të duhet të përpiqen shumë për ta fituar dhe sfiduar. Të mos harrojmë që edhe vetë stafi akademik i këtyre të fundit është gjithashtu më së shumti made in “shtetërori”. Akoma më tej, regjistrimi në një universitet publik ka një kosto të papërfillshme në krahasim me atë në një universitet jopublik. Por kjo “e mirë” e atypëratyshme për kandidatin për student dhe familjen e tij mund të jetë edhe një e keqe e ngadalshme për vitet e studimit: shtetërori i paguan pedagogët shumë keq në krahasim me privatin, dhe si rrjedhim ekspertët më të përgatitur (me përjashtimet që forcojnë rregullin) i gjen tek ky i fundit. Ndërkohë tek shtetërori shkojnë nxënësit më të mirë e shkollave të mesme në vend. Nga eksperienca (si student dhe pedagog) e them me bindje të plotë se një shok/shoqe student/e që studion me seriozitet është një fat i madh për cilindo që ka një minimum egoje personale dhe respekti për veten. Përsa i përket vlerësimit, pedagogët tek shtetërori janë de facto më të lirë nga presionet e gjithfarëllojshme, e për pasojë më kërkues ndaj studentëve, çka i vë këta të fundit më tepër në pozita pune. Thënë këtë, shtoj menjëherë se ka edhe universitete private ku pedagogu është po aq në paqe me vetveten sa kudo tjetër (në shoqërinë e sotme shqiptare...). 
Kështu natyrshëm vjen problemi i dytë: nëse jo (për gjithfarëlloj arsyesh) universitetin publik, atëherë cilin ndërmjet jopublikëve? Këtu çështja komplikohet disi, pasi të interesuarit variojnë nga ata që thjesht duan një diplomë (sepse e kanë një tjetër “serioze”, por me këtë të dytën “fortifikojnë” vendin e punës; sepse e kanë pasur ëndërr gjithë jetën dhe janë ndjerë keq pa të; sepse nuk kanë ç’të bëjnë tjetër dhe në “universitet shtyhet më mirë se sa te klubi i lagjes&rdquosmiley, e deri tek ata që janë të interesuar për një arsimim akademik tepër cilësor që shtetërori nga një fakultet tek një tjetër mund të mos e garantojë më. E them këtë, pasi së fundi, disa nga universitetet private janë treguar tepër të mençur dhe po aq agresivë në afrimin e individëve me bagazh dhe prestigj të konsiderueshëm teorik-praktik të fituar në pozicione pune në administratën e lartë (ose shumë të lartë!) shtetërore apo nëpër universitetet e huaja. Ky është një element tipik vlerësimi dhe dallimi mes universiteteve private për kandidatin për student dhe familjen e tij. Natyrisht që reklama është verbuese dhe çdo universitet vezullon nga masterat dhe doktoraturat, por të interesuarit duhet të jenë të vëmendshëm të bëjnë krahasimet përkatëse, pasi ashtu siç thotë një fjalë e urtë italiane që “prift nuk të bën veladoni”, ashtu edhe vetëm fakti që ke mbrojtur diku, dikur, një titull shkencor (kushedi për çfarë?!) nuk të bën domosdoshmërisht ekspert të lëndës që jep. Akoma më tej, fakti që prof. doktor Filan Fisteku është lektor i lëndës përkatëse, kjo jo gjithmonë do të thotë se është ai vetë që e jep atë, pasi ndodh (dhe ndodh shpesh) që profesori i nderuar për shkak të angazhimeve që ka brenda dhe jashtë vendit mungon dhe leksionet (realisht) i jep asistenti i tij. Ky mund të jetë shumë i zoti, madje edhe më i këndshëm për studentët krahasuar me profesorin “e rëndë”, por këtë gjë ju duhet ta dini që në fillim dhe jo t’jua bëjnë “peshqesh” rrugës. Sa për ta ditur: kjo ndodh në çdo universitet, publik a jo publik, madje edhe jashtë shtetit. 
Një element tjetër janë çmimet e regjistrimit. E rendita nga fundi, pasi ky vërtet duhet të jetë nga shqetësimet e fundit për një individ (prind apo kandidat për student që vetëfinancohet) që kërkon më të mirën nga bota akademike. Nuk dua të zgjatem më në këtë pikë, por vlerësoj shumë disa universitete që së fundmi po ofrojnë bursa për nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme me mesatare të lartë, pasi kjo do të thotë që aty krah teje apo fëmijës tënd do të jetë dikush që të mësuarit e ka pasion dhe ky është një fillim për t’u pasur zili.
E fundit, por jo për nga rëndësia, dua t’ju kujtoj (apo rrëfej) se një universitet nuk është thjesht një vend ku merren leksione, jepen provime dhe aq, përkundrazi, një universitet i mirë është shumë më tepër se kjo, është një vend plot me thesare që studenti i ri duhet t’i zbulojë dhe t’i bëjë të tijat. Aty ka biblioteka me disa qindra apo mijëra libra dhe revista profesionale nga e gjithë bota e qytetëruar, është një vend ku bëhen kërkime, publikohen libra dhe shkrime shkencore, organizohen takime me personazhe interesantë dhe konferenca të nivelit të lartë, nganjëherë edhe me pjesëmarrës ndërkombëtarë. Një universitet i vërtetë ka gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitete të huaja të njohura. E pra, të gjitha këto duhet t’i shikoni kur niseni për të zgjedhur një universitet, një nga të shumtit që ju paraqesin ofertën e tyre. Dhe akoma më tej, për ata që duan gjithmonë e më shumë, nuk do të ishte keq të pyesnit edhe për jetën studentore të një universiteti: organizatat apo klubet e studentëve, revistat që ata botojnë me ndihmën e rektoratit, sepse të jetosh universitetin nuk do të thotë vetëm të hysh e të dalësh prej mureve të tij.
Duke përfunduar, e kam të pamundur të mos shtoj edhe diçka lidhur me “copëzën e Djellit” që më ngroh tashmë prej vitesh: drejtësinë. Përse duhet të zgjedhësh Fakultetin e Drejtësisë dhe jo një degë tjetër? Te filmi kult “Avokati i Djallit”, avokati i ri Kevin Lomax (Keanu Reeves) i bën po të njëjtën pyetje të atit, Djallit Milton (Al Pacino): “Përse ligjin/drejtësinë?” dhe ky i përgjigjet: “Sepse ligji të fut kudo. Është lejekalimi më i mirë për në pikën më të largët, është besimi më i ri. A e di që ka më shumë studentë në fakultetet e drejtësisë sot nga sa ka juristë në të gjithë globin?”. Dhe le ta nisim nga kjo, a e dini sa studentë diplomohen “juristë” çdo vit në Shqipëri? As unë s’e di me saktësi, por e sigurt është që janë mbi dy mijë vetë. Shto këtu edhe ata që vendosin të kthehen pasi kanë mbaruar fakultetet e drejtësisë jashtë, plus qindrat e diplomuar në vitet e mëparshme dhe gjykoni vetë në lidhje me ofertën dhe kërkesën e tregut vendas. Me këtë nuk dua të demoralizoj të aftët, por t’i them dikujt (disave) mes jush se ... ndoshta nuk janë të prerë për t’u bërë juristë. Sepse gjithkush me një inteligjencë normale e kupton se, sikundër nuk mund të bëjë dot mjekun apo arkitektin, ashtu nuk mund të bëjë edhe juristin. Fatkeqësisht të gjithë besojnë se mund të bëhen të tillë dhe përfundojnë në fakultetet e drejtësisë (publikë a privat&eumlsmiley thjesht sepse nuk guxojnë të regjistrohen tek të tjerët. Eksperienca më ka treguar se shpesh student në juridik nuk bëhesh edhe aq “për pasion” sesa si pasojë e shkaqeve të tjera (sa më lart apo për respekt të traditës familjare). Dhe ja përse aulat e fakulteteve të drejtësisë mbushen shumë më tepër se ato të fakulteteve të tjera me individë që dalin ashtu siç hynë (të paditur!), duke harruar se përveç parave shpenzuan për asnjë përfitim profesional vitet më të frytshme të jetës së tyre. Sepse jo kushdo mund të bëhet jurist. Duhet ta kesh brenda teje. Natyrisht nuk bëhet fjalë për talent si në arte, por për një prirje të spikatur për shkencat shoqërore. E kam fjalën për djem dhe vajza që lexojnë (jo vetëm letërsi artistike, por edhe vepra historike, filozofi etj.), që njohin problematikën lokale dhe atë globale, njerëz që jetojnë me fatet e vendit, sepse janë aq të mençur sa të kuptojnë se bëhet fjalë për vetë fatin e tyre. Nga ata që s’ua përtojnë pyetjeve dhe debateve me pedagogun e që e vlerësojnë atë për sa jep dhe jo sa përsa supozohet se di. Nëse je i tillë, uroj të të takoj në klasën time këtë vit.

4 Komente

 Artikull i sakt... me mire ketyre qe su di emrat se sa te lexosh te perhershmit! Do shtoja qe per cdo proffesion eshte e till qe: jo cdo kush behet jurist! Sikurse ketu ku studioj un thuahet qe "gazetar lind nuk behesh"... sidoqoft mendoj se studentat qe kalojn nga ju si petagog nuk i vlersoni! Statusi student ne shqiperi nuk "perfillet"! Ju vet mbase jeni nga ata qe nuk i jepni informacion aq sa duhet studentave se doni ti mbani per vete, se pertoni te beni me shume kerkime... kshu qe i veshtirsoni jeten studentave... Dhe uroj qe ata studentat qe zoti e di si nuk rrebelohen... te kene nje fakultet ku drejtesia te nuhatet, "jo korrupsioni", te ken ca ambjente te fusin koken dhe jo tek PNL! Si petagog do kesh pasur rastin te ikesh jasht shtetit neper univesitetet e botes... te shofesh ambjentet e fak. te juridikut te ngjall vertet passion e deshire, France Italy Gjermani qoft dhe Greqi... tek ne bie catia!?!!! Mgjth eshte kollaj te shkruash artikuj nga desk-u!

Uroj te jeni nga ata petagoget qe kam dashur te kem... Do ju sygjeroja nje film meqe u fol per avokatin e djallit... Lions for lambs... do ju bej te "reflektoni"! Mbase flet me shume per politik, po padyshim flet per marrdhenien student-petagog. Flet se si nje petagog trajton studentin, se si gazetari trajton presidentin e shba, se si nxenesit rebelohen passionohen dhe reflektojn kur kan petagog te zot! Eshte film i keshillushem... 

Dite te mbar

 Arrita te gjej vetem kete sekuencen....

http://www.youtube.com/watch?v=M3tzTkMKc...

(sigurisht qe dhe studentat kan anen e tyre, un fola vetem per petagoget se tek e fundit jan kta te fundit qe mund te ndryshojn dicka... edhe se thon proff. petagogut eshte sepse proff. nuk din te bejn gje tjeter, vetem te flasin me qartesi!)

Pa e zgjatur smiley! Uroj te jemi kuptuar...

Klenni, nga gjithe gabimet ortografike qe ke ne te shkruar dhe si i shkolluar qe je, kjo "petagog" nuk te falet. E sakte do ishte "pedagog", uroj te mos ma marresh per ters verejtjen.

 smileysmiley aspak per ters... mgjth eshte zhargon per te shkruajtur... thelbi eshte tjeter! Mgjth tek vendi ku jam un ka nga te gjitha krahinat smiley, dhe shpesh te behen shprehi... dmth gotes i themi goda smiley! bera replay per "miresi" jo se u ndjeva i ofenduar!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).