Sms-ja kinse ambientaliste e Ministrisë së Ambientit

Pardje më erdhi një sms, në të cilin thuhej: “Në nismën europiane “Në qytet pa makinën time”, Ministria e Mjedisit ju fton të përdorni mjete miqësore me mjedisin, si biçikletat dhe transportin publik”. Në harkun e një ore, i njëjti mesazh u erdhi edhe disa të njohurve të mi, të cilët u ndodhën në të njëjtin vend me mua. Kjo do të thotë se sms-ja, e shkruar me një shqipe belbacukësh (shikoni sesi fillon: “Në nismën…”, a thua se nisma është emër qyteti a fshati), u ka shkuar të gjithë shqiptarëve që disponojnë një telefon mobile. Aty për aty, në mënyrë instiktive, bëra një llogari mbi bazën e ca të dhënave të hamendësuara. Po të shumëzojmë një milion e gjysmë (kaq po e zë numrin e celularëve) me 12 (kaq është çmimi për mesazh), del 18 milionë. Janë lekë të harxhuara dje nga Ministria e Mjedisit. E shprehur në dollarë, kjo shifër del mbi 170 mijë. Ndërsa në euro, mbi 130 mijë.

Me siguri, për zyrtarët e kësaj ministrie nuk ka pikë dyshimi se kjo shumë është përdorur në favor të ruajtjes së mjedisit. Madje, nuk është çudi që ata të jenë të kënaqur mbi këtë gjetje, me anën e së cilës do të kenë gojë sot e nesër të na thonë se nuk kanë qëndruar duarkryq përballë ndotjes së madhe në zonat urbane të Shqipërisë. Mirëpo le të ngremë një pyetje: a mund të ketë vallë ndonjë shqiptar, që dje t’i jetë përgjigjur lutjes apo ftesës së bërë nga Ministria e Mjedisit, d.m.th të ketë lënë makinën, e në vend të saj të ketë përdorur biçikletën apo autobusët urbanë? Nuk ka sesi të ketë! Po pse u dashka përjashtuar kjo gjë? - mund të dalë e të thotë ndonjë “republikan ambientalist”. Hmm, unë vetë nuk kam fuqi të përfytyroj dikë që, teksa lexon këtë mesazh, vihet në mendime dhe i thotë vetes: “Po, ministri Mediu ka të drejtë, edhe unë duhet të jetoj me shqetësimin e tij”.

Dhe në këtë mes nuk është çështja që ministër është ky që është. Edhe sikur në vend të këtij të ishte ndonjë Martin Luteri i kohëve tona, ose thënë me fjalë të tjera, ndonjë njeri me integritet e autoritet të jashtëzakonshëm moral, prapëseprapë nuk ka gjasa që ndonjë shqiptar të ketë vepruar sipas sugjerimit që përmbante sms-ja. Më së pari, këtejpari kush ka makinë, nuk ka biçikletë. Mund të jenë një duzinë diplomatësh, që mund të kenë marrë biçikletat me vete prej vendit nga kanë ardhur, por atyre nuk u ka mbërritur sms-ja; nuk besohet se kanë numra celularësh që fillojnë me 067, 068 e 069. Por edhe sikur ne të tjerët të kishim biçikletë, nuk kishim për ta përdorur. Ata që e bëjnë (numërohen me gishtat e dorës, në fakt), e bëjnë nga halli. E nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur në Tiranë ajri është i mbushur me pluhur, kur nuk ka qoftë edhe një korsi të vetme për përdoruesit e biçikletave, kur në këto rrethana rrezikojmë të na marrin përpara e të na vënë nën rrotë makinat me targa të huaja, makinat e gangsterëve që s’pyesin fare për semaforë e për ruajtës të rendit, apo makinat e eskortave të ministrave. Vetëm këtë të mendosh, dhe sms-ja e ministrisë të ngjan me një veprim cinik.

Mund të besonim se kanë përdorur mjetet e transportit publik. Mjetet? Dua të them mjetin, të parin, të fundit, të vetmin, shkurt autobusin. Në Shqipëri nuk ka tram apo metro, e për arsye që merren me mend, s’ka për të pasur ndonjëherë. Ka vetëm autobusë. Janë ca autobusë të vegjël, pak më të mëdhenj sesa furgonët që bëjnë linjat Tiranë-Korçë, Tiranë-Elbasan etj. Shpesh janë pa dritare, ndërsa brenda tyre nuk ka ajër të kondicionuar, gjë që e rëndon ajrin me erën e djersës së udhëtarëve dhe me pluhurin që hyn nga dyert nëpër stacione. Përveç kësaj, aty të presin plot të papritura. Të pret fatorinoja i veshur civil, i cili rëndom është i parruar e paqethur, dhe i cili në verë rri me kanotiere e në dimër vishet si një njeri që fle poshtë urave të Lanës. Të presin gjithashtu të dehur, hajdutë xhepash, udhëtarë që bërtasin e që pinë cigare, të tjerë që duan të ndukin nga të ndenjurat vajzat e reja e kështu me radhë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit duhet ta dinë se edhe autobusët urbanë përdoren nga e keqja. Me fjalë të tjera, të gjithë ata që vënë këmbë në autobus, janë njerëz të varfër e të këputur. Nuk ka asnjë shqiptar që të çohet në mëngjes e t’i thotë babait, nënës, gruas, vëllait, motrës apo ku di unë kujt tjetër: “Hej, unë po e lë makinën në shtëpi sot, pasi do të marr autobusin urban”. Është ministri vetë që nuk e ka bërë kurrë. Do të kishte një çikëz kuptim, sikur ai, tok me gruan a me fëmijët e vet, të merrte herë pas here autobusin e linjës për të shkuar në punë apo për t’u kthyer nga puna. Ose do të kishte po aq kuptim sikur, tok me vartësit e tij, t’i hipte biçikletës. Por as ditën e pardjeshme nuk e bëri. Dhe nuk duhet ngarkuar me faj që nuk e bën, pasi rrugët janë krejt të papërshtatshme e të pakëshillueshme për biçikleta dhe, së dyti, shërbimi i transportit publik është në nivele kafshërore. Madje duhet thënë, se në vendet normale të botës edhe bagëtitë i bëjnë “të udhëtojnë” në kushte më komode. Ai duhet ngarkuar me faj që merr disa dhjetëra mijëra euro nga arka e shtetit për t’i hedhur në kosh. Ata janë tamam para të hedhura në kosh.

Ah, është realisht i shqetësuar ai për mjedisin urban? Le të ndërmarrë nisma të tjera, atëherë! Le të ngrejë zërin për pastrimin e Tiranës nga pluhuri, le të propozojë një ligj, i cili penalizon rëndë të gjitha makinat që dalin të pista nga kantieret e ndërtimit e të gjitha kompanitë e ndërtimit që shkaktojnë pluhur e baltë! Ose, le të dalë me iniciativën e krijimit të korsive ekskluzive për biçikletat në të gjitha rrugët e kryeqytetit! E kështu me radhë. Në këto rrethana nuk do të kishte nevojë për një sms ministrore budallaqe, si ajo e pardjeshmja. Dhe kështu, në arkën e shtetit do të kishim nja 150 mijë euro më tepër.

3 Komente

...dhe mbi te gjitha le te nxjerre nje ligj penalizues ( gjobe ) per njerezit qe peshtyjne pertoke...

Muc, qe te rrish pa merak, per sms-te MMPAU nuk ka paguar asnje lek, i kane nis AMC dhe Vodafone pa pagese. 

swed1, ti do te thuash qe AMC dhe Vodafon-i po hap qesen per ne?! Dhe vete nuk e beson kete rrene, apo e jo?

Apo eshte po ajo loja e te berit reklame qe te mos paguhen taksa ne arken e shtetit, ashtu sic bejne gjithnje?

Qe keto nisma ne Shqiperi jane sa komike dhe aq per tu shqetesuar se kush perfiton nga keto para te hedhura.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).