Shakaja e fundit mbi mjedisin

Emërimi i më i fundit i kryeministrit të rizgjedhur Berisha në postin e ministrit të Mjedisit nuk mund të quhet ndryshe pos shaka, një shaka e hidhur me opinionin publik, me drejtësinë shqiptare dhe me vetë mjedisin: ministri i ri i mjedisit do të quhet Fatmir Mediu.

Vetiu është e vështirë në këtë fushë zgjedhja e një personi i cili do të kënaqte palët, pra politikën më njërën anë dhe opozitën e saj më anën tjetër, që në këtë rast përfaqësohet nga shoqatat e ndryshme mjedisore, individët e angazhuar me çështje të mjedisit, në përgjithësi gjithë ato pjesë të popullsisë shqiptare të shqetësuara me gjendjen ekologjike te ne.

Në rastin e Shqipërisë vështirësia theksohet nga dy realitete që përfaqësohen më keq se ndoshta në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste: së pari, shkatërrimi i mjedisit ka përparuar në mënyrë galopante në disa aspekte si pasuria pyjore e vendit, vija bregdetare e në përgjithësi resorset turistike, deri në ngushtimin e hapësirave jetike brenda qyteteve tona dhe degradimin e periferive të tyre.

Së dyti, lëvizja mjedisore vazhdon të mbetet embrionale në Shqipëri, shoqatat dhe individët e ndryshëm të angazhuar këtu ose janë të pafuqishëm, ose të pakoordinuar, ose pa ndikim të fuqishëm në shoqëri. Për rrjedhim janë edhe të papërfaqësuar politikisht dhe nuk kanë ende një parti të tyren me autoritet.

U tentua për njëfarë kohe që të mbështetej një Agjenci kombëtare e Mjedisit, por shumë shpejt doli se kjo ishte thjesht një zëdhënëse e administratës dhe nuk mund të përfaqësonte asnjëlloj oponenti të besueshëm që disi do ekuilibronte vendimet qeveritare që prekin mjedisin. Atëherë u hoq dorë nga ndërlikime të tilla dhe gjithë oponenca e mundshme në këto vendimmarrje i kaloi ministrisë së Mjedisit dhe ministrit përkatës.

Duket paradoksale që një qeveri të përfshijë një oponencë në gjirin e saj, por në një vend demokratik kjo s'përbën çudi, ndaj dhe është e zakonshme që qeveritë e vendeve perëndimore marrin në sektorë të tillë personalitete të fushës sikurse presidenti Obama një mbajtës çmimi Nobel.

Pra në parim do ta pranonim si zgjidhje, në mungesë të një partie ekologjike parlamentare, që kryeministri të afronte në postin e ministrit të Mjedisit pse jo dhe një kundërshtar të projekteve të tij të mëparshme në këtë fushë.

Jo për demagogji ndaj publikut, por për hir të punës, për hir të gjendjes së rrezikuar ku ndodhen një numër i burimeve natyrore të vendit dhe vetë atij që quhet zhvillim i qëndrueshëm.

Kush nuk do ta përshëndeste, themi, një njeri si Xhemal Mato, kaq të angazhuar e kaq të ditur në çështje të mjedisit, si ministër të kësaj fushe?

Të na ndjejë lexuesi që folëm deri këtu për një kryeministër ideal e për një ministër ideal. Kryeministri real i vendit është Sali Berisha.

Është ky kryeministër që para zgjedhjeve të 2005-s i premtoi popullit të Vlorës se do t'ua largonte TEC-in nga zona e plazhit, por pastaj e inauguroi atë në mënyrë festive pikërisht në plazhin dhe sitin historik të Triportit, bashkë me Petroliferën, pasi i kishte futur në burg drejtuesit e Alencës për Mbrojten e Gjirit të Vlorës dhe sharë gjithë lëvizjen si marksiste e antiglobaliste; është ky kryeministër që po e mbjell gjithë ultësirën e Shqipërisë veriore me fabrika çminentoje dhe deklaron me cinizëm se „Shqipëria ka uri për çimento" kur të gjithë e dinë se uria është e miqve të tij italianë; është ky kryeministër që mburret se do të japë liçenca për 400 hidrocentrale, që ia dhuron Karaburunin një firme siciliane për ta mbjellë me mullinj ere etj. etj.

Shkurt do ta quaja jo kryeministër ideal por faktor rreziku për mjedisin shqiptar. Ndaj nuk ishte çudi që ministër mjedisi kishte në kryeministrimin e parë Lufter Xhuvelin.

Tani, detyra e parë e ministrit të Mjedisit është, siç thamë më lart, që ta shohë me dyshim çdo projekt të vogël a të madh që rrezikon ekuilibrat natyrorë dhe shëndetin e banorëve në vendin ku ai zbatohet, që ta hedhë firmën e tij mbi atë që quhet leje mjedisore vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet që kërkon ruajtja e mjedisit dhe, për projektet e mëdha, pasi të jetë informuar dhe tërhequr në vendimmarrje publiku, siç e kërkon Konventa e Aarhusit.

Mirëpo ish-ministri jo vetëm që s'e plotësoi këtë detyrë, por nxitonte të hidhte firmën edhe para se të firmoste ministri i Ekonomisë! Po po, lejen mjedisore për Petroliferën e ka dhënë p.sh.

para se Ruli të firmoste marrëveshjen me z. Ottolenghi. Kështu e ka hedhur firmën mbi çdo projekt TEC-i me qymyr, me naftë, siç do ta hidhte edhe për çdo central atomik që ka miratuar e do të miratojë i zoti.

E pra, kryeministri ynë e mat ministrin e Mjedisit me shpejtësinë e këtij në nënshkrimin e lejeve mjedisore për projekte që kryeministi i pëlqen.

Në njëfarë mënyrë populli u mësua edhe me këtë gjendje, pra u mësua me një ministër mjedisi Xhuvel që ndërronte parti, kampe, zotërinj pa asnjë vështirësi dhe një ministër Xhuvel që, jo vetëm nuk bënte ndonjë oponencë për ndonjë projekt të rrezikshëm, por që e hidhte nënshkrimin e tij me shpjetësinë më të madhe nga gjithë ministrat e tjerë. Populli mësohet me shumë të këqija, sidomos populli ynë, sidomos me të këqijat që nuk ia sheh tymin tani.

Gjendja është e vështirë, gjendja është alarmante. Kush ka ndjekur edhe vetëm hulumtimet dhe intervistat e shkrimtarëve me emër Misha Gleny e Roberto Saviano, ka mësuar se Shqipëria po bije përherë e më shumë në qerthullin e transaksioneve mafioze ku hyn jo pak edhe industria „e uritur" i çimentos, ekomafia e plehrave dhe 100 rreziqe të tjera; të cilat mund t'i pengojnë vetëm personalitete dhe politikanë të ndershëm, vetëm një lëvizje e fuqishme mjedisore.

Xhuveli sidoqoftë ishte specialist bujqësie dhe drejtonte një parti që quhej agrare. Pra në njëfarë mënyre nuk mund t'i mohohej lidhja me tokën, sadoqë teorike. Ndërsa emërimi aktual i kryeminstrit, Fatmir Mediu, me sa duket do të na bëjë ta kujtojmë me nostalgji epokën kur ministër mjedisi ishte agronomi Xhuveli.

E quajtëm më sipër këtë emërim shaka të trefishtë.

Shaka me opinion publik, pasi i madh e i vogël në Shqipëri e di se ky personazh është përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit.

Përgjegjësi i vërtetë mund të jetë më lart se ai, por në këtë rast ky përgjegjës i lartë nuk ka lënë asnjë shkresë, tek ai shkon vetëm me kombinimin e rrethanave, ndërsa shkresat e vërteta i ka nënshkruar ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Është ky person që thërriti në Shqipëri në muajin dhjetor 2006 Patrick Henryn për të krijuar me të dhe Delijorgjin firmën Albademil; Delijorgji këtu kishte 2/3 e aksioneve, por Mediu në qeveri e kudo e paraqiti sikur kishte ardhur një firmë amerikane për të bërë zbërthimin e fishekëve shqiptarë.

Për këtë nxori me ndihmën e kryeministrit të tij vendimin e famshëm 138 të 14 marsit 2007 që e kalonte demontimin e municioneve nga shteti te privati.

Është Mediu që ka nënshkruar në prill të atij viti urdhrin fatal 550 që vendos ngritjen e pikës së demontimit në Gërdec, pa respektuar asnjë kusht e asnjë distancë sigurie.

Dhe është po ky person që në shtator dhe në dhjetor 2007 ka nënshkruar urdhra për transportimin e arsenalit të ushtrisë shqiptare në predha të kalibrit të madh (20-152 mm) drejt Gërdecit, për demontim, megjithëse kjo shkelte të gjitha normat e njohura të sigurisë, deri edhe vendimin nr. 138 që lejonte vetëm zbërthimin e fishekëve.

Edhe vetëm këto tri veprime, dokumente që as ai as kryeministri i tij nuk i kanë mohuar ndonjëherë dhe s'kanë si t'i mohojnë, do të mjaftonin që këtij personi t'i ndalohej lëvizja e lirë prej ditës së shpërthimit, 15.3.2008; kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por ai me partinë e tij arritën të zhvillojnë një fushatë normale elektorale, kryeministri i rishtaszgjedhur bëri me të bisedime normale për qeverinë e re dhe tani e caktoi ministër Mjedisi!

Shaka me drejtësinë shqiptare, sepse procesi kundër Fatmir Mediut është në vazhdim, madje sapo ka filluar, madje ky person që është në majën e piramidës së përgjegjësve për vdekjen e 26 njerëzve, ende nuk është paraqitur para ndonjë trupi gjykues.

Akt-akuza e Prokurorisë ndaj tij dhe kolegëve të tij ka plot 180 faqe, ndërsa mijëra faqe përbëjnë dëshmitë e shkruara, të cilat i janë shpërndarë edhe ato disa gazetave në formë elektronike. Në akt-padi Mediu akuzohet plot 6 herë për shpërdorim detyre.

Duhet thënë se është një formulim shumë i butë, ndërkohë që vartësit e tij Pinari dhe Ngjeçi akuzohen edhe për „vrasje në rrethana të tjera", kur dihet se këta ishin vetëm zbatuesit e urdhrave të ministrit.

Por edhe sikur të mbeten vetëm akuzat për shpërdorim detyre, ministri i ardhshëm i Mjedisit rrezikon të paktën 30 vjet burg. Kryeminstri Berisha edhe një herë sfidon dhe përbuz drejtësinë shqiptare - ndoshta me të drejtë, kështu siç ka shkuar procesi i Gërdecit deri tani.

Shakaja e tretë është ndaj mjedisit shqiptar. Personi i emëruar s'ka asnjë lidhje dhe asnjë ndjeshmëri për këtë mjedis. Ai nuk ka asnjë kualifikim ose specializim që do ta justifikonte në detyrën eministrit të këtushëm.

Me sa dimë në asnjë rast nuk nga ngritur zërin në mbrojtje të mjedisit, përkundrazi ka lejuar depozitimin në det të shumë rrangalleve të ushtrisë, sikurse edhe anijet jashtë përdorimit në gjiret e Karaburunit.

Në rastin e Gërdecit, kur ishte i detyruar të nxirrte leje mjedisore para se të lejonte ngritjen e asaj qendre demontim-trafikimi, jo vetëm s'e bëri këtë gjë, por i nguti miqtë e tij Delijorgji-Balliu ta kryenin ndërtimin e objektit edhe më parë se të dilnin vendimet administrative për të.

Ndërsa katastofa e 15 marsit 2008 që veç viktimave, gjymtimeve dhe shkatërrimeve të ndryshme materiale, helmoi edhe terrenin rreth e rrotull mund të quhet e vetmja vepër që në njëfarë mënyre e lidh Fatmir Mediun me mjedisin.

 

Së bashku me një grup kolegësh gazetarë kemi nënshkruar një peticion që i kërkon kryeministrit Berisha të prapësojë propozimin e tij për ministrin e ardhshëm të mjedisit. Le të jetë ky prapësim një shenjë që tregon se mjedisin ku jetojmë të gjithë kryeministri ynë nuk e shikon vetëm si terren për realizim projektesh të dyshimta, shtim fitimesh dhe shaka të hidhura si kjo më e fundit.

6 Komente

Ky me kete shkrim ja ul komplet vleren zemerimit te njerzve per faktin qe Mediu u be minister.  Problemi qendron pse Mediu eshte minister, pra pse eshte prap ne qeveri nje njeri si ai, jo pse eshte minister i mjedisit, pasi ministrat  tek ne si praktike jane kryesisht poste politike, pervec ndonje ministrie si financa fjala vjen.

 

Së bashku me një grup kolegësh gazetarë kemi nënshkruar një peticion që i kërkon kryeministrit Berisha të prapësojë propozimin e tij për ministrin e ardhshëm të mjedisit. Le të jetë ky prapësim një shenjë që tregon se mjedisin ku jetojmë të gjithë kryeministri ynë nuk e shikon vetëm si terren për realizim projektesh të dyshimta, shtim fitimesh dhe shaka të hidhura si kjo më e fundit.

Tani po, e keni bere detyren tuaj, pa levizur b*then nga karrigja juaj nga e cila beni punen e gazetarit, ne facebook dhe me gjere. Boll per kete jave se u lodhet. smiley

 

 

Mua nje gje me beri pershtypje nga gjithe kjo mesele. Partia republikane nuk ishte e kenaqur qe mori nje ministri jo te rendesishme, dhe qe ne pergjithesi ministria e mjedisit konsiderohet si jo e rendesishme.

Ministria e mjedisit sot eshte nje nga ministrite me te rendesishme, pasi qe lidhet direkt me problemet kryesore qe ka vendi sot, duke filluar qe nga shkaterrimi fizik i Shqiperise, deri tek shendeti i shqiptareve.

Mos valle mjedisi konsiderohet si i parendesishem sepse nuk ka shume per te zhvatur aty???????

Prandaj edhe qahet partia republikane, dhe thote se meritonte nje ministri me te rendesishme, sepse ka qene partnere dinjiotoze e Berishes.

Po te ishte per nga rendesia qe ka ministria ne jeten e shqiptareve dhe ne te miren e atdheut, atehere kush qenka ministri me e rendesishme se ajo e mjedisit ?

 

TT, ministria e mjedisit eshte shume e rendesishme. Te pakten per te zhvatur ka sa te duash ne te.

Mediu nuk eshte PR, dhe nuk mund te themi qe PR qenka e kenaqur me ate post, apo me ate perfaqesim. Sesi zhvillohen ngjarjetpas kulisave, mendoj se ne nuk i dime. Mediu ndoshta edhe eshte duke pergatitur gjendjen e tij bankare per nje braktisje te mundshme te vendit. Nese rrezikohen 30 vjet burg, kjo eshte me e pakta qe mund te dyshosh se do beje.

Kuptohet, gjithnje me idene se ne Shqiperi nje dite edhe mund te kemi nje sistem drejtesie te pavarur, qe te vendose sipas ligjeve dhe te pa ndikuar nga hundet e pushtetareve qe nuk lene vrime pa u futur.

...........

Tani po, e keni bere detyren tuaj, pa levizur b*then nga karrigja juaj nga e cila beni punen e gazetarit, ne facebook dhe me gjere.

Cfare do kishe bere ti Xhibo?

slexohet pertej paragrafit te pare.. te quash pakzimin e Mediut shaka eshte krim me vete.. 

Ne Shqiperia mjedisi ( qe eshte vete jeta) quhet gjeja e fundit per te cilin nje shqiptar duhet te mendoje. Shqiptaret masivisht mendojne se ajri, uji, toka jane gjera te parendesishme prandaj dhe e pranojne ne heshtje shitjen qe shteti po i ben ketyre tre elementeve te jetes....

Qelbja ka vajt deri ne ate pike sa edhe vete llagemit do ti vinte turp nese Mediu do te binte brenda se e ben pis....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).