Sarkozy kërkon futjen e një sistemi të ri për matjen e zhvillimit të ekonomisë

Parametrat makroekonomikeNjë grup pune i angazhuar nga Presidenti francez Sarkozy, ka paraqitur propozime për një sistem të ri për matjen e rritjes së ekonomisë së një vendi. Në të rritja shihet në një kuptim më të gjerë.

Sarkozy synon të kritikojë "adhurimin" e treguesit të deritanishëm të rritjes ekonomike, Produktin e Brendshëm Bruto. Në samitin e G-20 në Pittsburgh ai do të përpiqet të bindë edhe vende të tjera të industrializuara, të ndryshojnë statistikat e tyre bazuar në konceptin e ri të rritjes dhe progresit. Të njëjtin propozim pati bërë pak kohë më parë edhe Komisioni i BE-së. Në grupin e punës bëjnë pjesë ekspertë me emër të ekonomisë, si p.sh. mbajtësit e çmimit Nobel Joseph Stiglitz dhe Amalya Sen.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy u tregua mjaft largpamës, kur dy vjet e gjysmë më parë, u dha këtë detyrë dy fituesve të çmimit Nobel për ekonominë: hartoni një metodë statistikore, me të cilën në të ardhmen rritja ekonomike e një vendi të mund të matet në mënyrë më të plotë se deri tani. Për Sarkozy-në ishte e qartë, se PBB nuk mund të ishte më kriter për rritjen ekonomike. Tani që komisioni paraqiti rezultatet e tij, kriza bankare sapo ka mbushur vitin. Presidenti francez ndihet i konfirmuar në kritikën e tij ndaj metodës tradicionale të matjes së rritjes ekonomike: "Për vite me radhë njerëzve u është thënë se standardi i tyre i jetesës do të përmirësohet ndërkohë që jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Ne duhet ta kuptojmë zhgënjimin e atij që gjatë krizës financiare humbi shtëpinë, punën dhe një pjesë të pensionit, megjithëse nuk kishte asnjë faj në kaosin e krijuar."

Edhe profesor Jean-Paul Fitoussi, i cili ka përmbledhur punën e 37 shkencëtarëve, konfirmon edhe njëherë vështirësitë me të cilat ndeshen specialistët si ai gjatë aplikimit të PBB-së, si kriter i matjes së rritjes ekonomike: "Kur shifrat na thonë se punët na shkojnë mirë, ndërkohë që njerëzit kanë përshtypjen se po iu rrëshket toka nën këmbë, atëherë ose treguesi është llogaritur gabim ose po përdorim treguesin e gabuar."

Sidomos nëse PBB-ja tregon rritje edhe kur ekzistojnë probleme. Jean-Paul Fitoussi: "A është e vërtetë që bllokimi i vazhdueshëm i trafikut në Paris rrit PBB-në? A është e vërtetë që një zjarr i madh apo trazirat dhe kriminaliteti rrisin të ardhurat kombëtare? Po, kjo është e vërtetë. Por këto ngjarje nuk janë në asnjë mënyrë të mira për mirëqënien."

Për vlerësimin e pasurisë dhe mirëqënies së një shoqërie, studiuesit kanë paraqitur një sërë propozimesh. Mbajtësi i Çmimit Nobel për ekonominë, Joseph Stiglitz, shpjegon: "Sigurisht nuk ekziston vetëm një indikator për të paraqitur diçka kaq komplekse sa shoqëria jonë. Por, pikërisht sepse përzgjedhja e treguesve luan një rol kaq të rëndësishëm në vendime, duhet të zhvillohet një debat i hapur, e para së gjithash publik për përzgjedhjen e treguesve matës."

Presidenti Sarkozy tregon se kush është mësimi i parë që nxjerr nga raporti i ekspertëve: "Nuk ka qytetar mesatar, dhe shtimi i pabarazive e vërteton këtë. Kush zgjedh të flasë gjithnjë vetëm për mesataren, i shmanget debatit për padrejtësitë." Për këtë arsye Sarkozy synon të zbatojë menjëherë në Francë 12 propozimet e studiuesve. Të gjitha të dhënat karakteristike ekonomike, në të ardhmen do të vlerësohen edhe nën aspektin ambjentalist. Kriteri kryesor për vlerësimin e pasurisë së një vendi, nuk do të jenë më mallrat dhe shërbimet e prodhuara, por të ardhurat e familjeve, gjendja e autostradave, e qyteteve apo e furnizimit me energji. Edukimi i popullsisë do të jetë gjithashtu kriter por para së gjithash masa e kënaqësisë së njerëzve. M.q.s. propozimet e Komisionit kanë më tepër formën e pyetjeve se sa të formulave konkrete, autoriteti francez i statistikave duhet të punojë për zbatimin në praktikë. Megjithatë Sarkozy, javën e ardhshme në samitin e G-20, do të kërkojë nga vendet e tjera pjesëmarrëse, që të heqin dorë nga Produkti i Brendshëm Bruto.

Autor : Johannes Duchrow / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama

10 Komente

ne dalim yll fare me kete variant te sarkozise. xhuveli (tani mediu) doli i 25 ne bote tek indeksi i performances mjedisore. Kurse indeksi i lumturise dalim te 54 ne bote. ishalla s'ka ndonje tregues per plehrat se e kalojme vendin e 200.

shume interesant "bllokimi i vazhdueshem i trafikut ne paris rrit GDP", prandaj na rritet ne GDP dyshifrore edhe ne periudhe krize ketu ne Shqiperi.

Amartya Sen ( jo Amalya Sen) është dhe prekursori i indikatorëve alternativë të zhvillimit. Ish nxënës i filozofit indian Tagorë, Sen fitoi çmimin Nobël në ekonomi për teorinë e Mundësive (Capacities), që e sheh zhivllimin jo vetëm si rritje ekonomike por dhe si zhvillim të aftësive të secilit për të pasur hyrje në tregun e mallrave e të punës, për të pasur fjalën e vet në jetën politike, për të pasur shkollim bazë dhe kujdes shëndetësor, për të pasur informacion transparent mbi proceset private e publike, dhe një rrjetë sigurie në rast katastrofash.

Mbi bazën e kësaj teorie është ndërtuar Indikatori i Zhvillimit Njerëzor që merr në konsideratë jo vetëm PBB, por dhe nivelin e arsimimit dhe të kujdesit shëndetësor. Tek fotoja që vijon, në katrorin e parë, është një shembull që i krahason vendet sipas PBB dhe pastaj sipas IZHN. Psh. SHBA është në vënd të dytë përsa i përket të ardhurave për kokë, por në vënd të dymbëdhjetë kur bëhet fjalë për zhvillimin e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor.  Suedia është në vënd të trembëdhjetë për të ardhurat, por në vënd të gjashtë sipash IZHN.

http://www.lesechos.fr/pop.htm?/medias/2...

 

Deri tani nuk janë marrë akoma në konsideratë, por mbase projekti i Stiglicit e përmban gjurmën mjedisore, që tregon dëmin e paripërtërishëm që i shkaktojmë natyrës.

Për ata që studiojnë ekonomi, por jo vetëm, një libër mbresëlënës është Development as Freedom i Amartya Sen. Që nga titulli shihet se zhvillimin e konsideron si zhvillim të lirisë për të zgjedhur jetën që na duket më e përshtatshmja.

 

Kështu.

Ashes faleminderit per komentin profesional

Sarkozy e ka gabim .

A nuk jane plotikanet (jo vetem te Shqiperise,por te te gjithe botes) deklarojne neper fushata e pas tyre se mendojne vetem per popullin."Ata presin njehere te rritet mirqenia e popullit dhe pastaj mendojne per vete".

Sipas ketyre deklarimeve per mua " indeksi rritjes ekonomike duhet te matet se me sa i rritet mirqenia politikaneve."

Ky eshte nje debat i vjeter ne rrethet akademike, e megjithate nuk ka ende nje tregues te mire te pranuar nga te gjithe.

E mira e GDP eshte se eshte me i matshem, ndersa treguesit e tjere per mireqenie apo kenaqesine e jetes jane shume me subjektiv e jo pak here kane nxjerre disa renditje qesharake.

Gjithsesi per profesionistet e fushes ky do jete nje moment i rendesishem per te pare nese mund te krijohen disa themele te reja per matjen e mireqenies.

Do ta beje si Bhutani ky? Jo Gross National Product po Gross National Happyness? Ne fakt ka goxha kuptim: psh nje Kanadez qe s'e vret kurre mendjen se shendeti mund ta dergoje ne 'bankruptcy' (shkaku nr 1 i bankruptcies ne ShBA eshte shendeti i keq), eshte me i qete menderisht se nje Amerikan.

 Ne fakt dhe partite e gjelberta  kishin vite qe e kritikonin sistemin e deritanishem te matjes, mirpo partite kryesore te vendeve te zhvilluara nuk mund ta fusnin asnjehere ne rend te dites, sepse dukej sikur do prishej sistemi, mirpo sistemi u pordh, kriza u ul kembekryq, dhe tani po flitet pikerisht per ato qe mendoheshin se nuk do te futeshin ndonjehere ne rendin e dites.  Ne fakt -per hir te vertetes- duhet pranuar se shtylla kryesore e matjes eshte ajo e rritjes se PBB/GDP. Mirpo shtetet e ndryshme e kane mbyllur njerin sy, ndaj vrapimit shkel e shko te rritjes ekonomike te tyre, duke mos i pare disa pasoja, si polarizimin e shoqerise, ndotjen e planetit, etj. 

Uroj qe te behet realitet ky parametri i ri sepse do ndryshonin shume gjera.

Se pari Shqiperia nuk do renditej me ne "vendet e zeza", sepse qe te jemi realiste te ardhurat per fryme ne familjet shqiptare do te tregonin qe nuk jemi aq keq sa thuhet tani. Kjo sepse shume familje mbahen nga te ardhurat e atyre jashte Shqiperise.

Interesi i metodave alternative qëndron më shumë se te renditja, tek marrja parasysh prej politikëbërësve të të gjitha aspekteve të jetës së njeriut dhe jo vetëm të rritjes ekonomike.

Sigurisht që rritja ekonomike është faktor bazë i zhvillimit; një vënd që s'ka rritje të nivelit të të ardhurave, e humbet shpresën dhe zbrazet nga banorët e saj, thotë Collier te The bottom billion, kur flet për vendet që kanë ngelur në bisht të botës. Por rritja ekonomike matet me mesatare në fund të fundit dhe kjo mesatare mund të ngrihet prej rritjes së një grupi të caktuar njerëzish, fjalavjen shfrytëzues të naftës apo materialeve të çmueshme, dhe nëse këto të ardhura s'investohen në përmirësimin e infrastrukturave shëndetesore apo shkollore apo politike, atëhere rritja s'ka ndikim në përmirësimin e nivelit të jetesës së popullatës.

Ika tani se ma mbyll zysha derën.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).