Rrethimi politik i Berishës

Stina e vështirë politike duket se ka mbërritur, pavarësisht zgjidhjeve të buta qeverisëse. Këtë e shikon në sytë e Berishës, në qëndrimet e Ramës, në debatet e LSI-së dhe mbi të gjitha e ndjen në nxitimin e papritur të medias për të bekuar qeverinë e re. Gjithçka ndodhi më 28 qershor doli jashtë parashikimeve jo vetëm të exit polleve, por edhe të liderëve partiakë e madje dhe të intuitës popullore. Berisha është tashmë në mandatin e dytë qeverisës pas vitit 1997. Padyshim që mund të klasifikohet si politikani më i suksesshëm i postdiktaturës. Megjithatë duket se fitorja e fundit e tij është ndoshta edhe më e keqe se fitorja e Pirros. Ai hyn në këtë mandat të ri me 20 për qind më pak pushtet, të cilin ia kaloi me shumë dhimbje Ilir Metës. Ky i fundit padyshim korri një fitore personale. Pushteti i munguar i Berishës do të thotë më shumë shpenzim energjish në të ardhmen. Dhe më shumë humbje të kuotave të tij politike. Që nga momenti i betimit të qeverisë, fillon për Berishën koha e rënies së tij politike. Janë disa vështirësi që do të vijnë në rritje e që e fusin Berishën në një rrethim politik, i cili gradualisht do t‘ia ngushtojë lakun e pushtetit.

Së pari: Berisha duhet të investohet shumë për të zbutur "egërsinë" e atyre që nuk do të jenë më pjesë e qeverisjes. Por ata numerikisht nuk janë shumë. Shumë do të jenë ata të tjerë, që në hierarkinë administrative, do të detyrohen t‘ua lënë vendet përfaqësuesve të LSI-së dhe militantëve të saj. Pra brenda Partisë Demokratike do të rritet qejfmbetja, mundësia për grupazhe dhe kundërshtime. Sigurisht që Berisha ka treguar se di t‘i menaxhojë mirë problemet brenda partisë, por ama kjo do të ketë patjetër një kosto personale për të. Pjesa e LSI-së nuk është e vogël në qeverisje.

Së dyti: Berishës do t‘i duhet të shpenzojë energji të mëdha në menaxhimin e Ilir Metës. Që nga dalja e parë publike, nervi berishian ishte i dukshëm, që kur Meta foli më gjatë dhe në formë kryeministrore, aq sa krijoi iluzionin se qeveria tani do të ketë dy koka. Si ministër i Jashtëm, Meta nuk i sjell Berishës asnjë rrezik, përkundrazi e forcon në arenën ndërkombëtare. Por Berisha e di që rreziku "Meta" është në çdo moment i pranishëm. Meta sakrifikoi shumë nga vetja e tij, jo për t‘u bërë zv/kryeministër. Ai sakrifikoi për nesër. Meta e di që nga ky bashkim me kundërshtarin e tij të vjetër, Berishën, ka humbur shumë në elektorat. Që ta rikuperojë qoftë edhe pak këtë humbje, i duhet t‘u qëndrojë besnik disa premtimeve publike, që natyrisht nuk mund të jenë në programin e djathtë të Berishës. Kjo do t‘i shtojë pikët Metës, pikë që Berisha e ka të qartë se do t‘i humbasë nga vetja. Por Berisha nuk mund të jetë i qetë me Metën në krah. Fitorja e brishtë e Berishës dhe pakënaqësitë, qofshin edhe të vogla të Metës, do ta rrezikonin seriozisht qeverinë "Berisha", madje deri në atë shkallë sa ta kalojë në kahun e kundërt politik, pra në opozitë. Katër votat e LSI-së në Parlament vlejnë sa një rrethim i përditshëm ndaj Berishës dhe një tkurrje të mundësive të tij pushtetare. Madje jo vetëm kaq. Berisha e di që Meta, me largimin e Ramës nga PS, ka një rrugë të hapur për t‘iu rikthyer partisë mëmë. Në këto kushte, Berisha është opozitar i padiskutueshëm.

Së treti, Berisha është i rrehtuar nga çështja "president". Aleanca Berisha-Meta duket se ka në përmbajtjen e vet dhe rikthimin e Nanos në politikë, duke i realizuar atij ëndrrën për president. Kjo është plotësisht e mundur. Madje dhe sikur Berisha të ngulmojë në një emër tjetër, Meta do t‘i shërbejë kandidaturës "Nano" qoftë dhe thjesht si shpërblim për postin dhe premtim për kryesimin e PS-së.

Së katërti: Berisha po e përqendron propagandën e tij në premtimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Nëse kjo do të arrihet shpejt (gjë që personalisht e dyshoj) Berisha mund të ketë një fitore politike. Por realisht kjo fitore do t‘i atribuohet Metës, jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar, gjë që do t‘ia rriste padyshim kuotat Metës.

Kështu Berisha ngado që të kthehet është i rrehuar nga "e majta". Për Berishën nuk ka më të djathtë. Ai do detyrohet më së fundi të tregojë se në të gjitha këto vite ka qeverisur majtas me program të djathtë dhe tashmë do t‘i duhet të qeverisë djathtas me program të majtë. Sidoqoftë Berisha është në një rrethim politik, të cilin mund ta çajë vetëm duke gjetur mundësi të tjera qeverisëse. Ndoshta atij vetë do t‘i interesojnë zgjedhjet e parakohshme. Gjithsesi stina e nxehtë politike ka filluar.

5 Komente

Zamira .Ti qan hallin e rritjes se kuotave te Metes se pastaj ngel Edi Rama pa gje!!!!!!!!!!!!!!

"Ai sakrifikoi për nesër. Meta e di që nga ky bashkim me kundërshtarin e tij të vjetër, Berishën, ka humbur shumë në elektorat. Që ta rikuperojë qoftë edhe pak këtë humbje, i duhet t‘u qëndrojë besnik disa premtimeve politike".

 

"Por realisht kjo fitore do t‘i atribuohet Metës, jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar, gjë që do t‘ia rriste padyshim kuotat Metës."

 

Per Zamiren, nuk ka ane tjeter medalja, eshte vetem koka e "Metes".

 

 

Po shoqja Zamira, stina e veshtire politike ka filluar. Dhe antaresia e PS po pergatitet te punoje fort per ta mbajtur Edi Ramen kryetar, qe shoqja Meta te vazhdoje te rrije atje ku e çuan interesat e momentit duke lene te majten padrejtesisht ne opozite.  Padroni jot i vjeter shoku Nano nuk duhet te jete i qete shume per ate qe  mund te beje neser Meta me postin e presidentit. 

 "....Madje dhe sikur Berisha të ngulmojë në një emër tjetër, Meta do t‘i shërbejë kandidaturës "Nano" qoftë dhe thjesht si shpërblim për postin dhe premtim për kryesimin e PS-së...." 

 

Nuk e besoj kete qe thote autorja sepse Nano nuk besoj se i ka aq te forta pozitat ne PS per te rizgjedhur Meten kryetar te PS, gje qe ne fund te fundit do te sillte reaksione te forta ne antaret e PS .  Per pikat e tjera qe ajo shtron , mendoj dhe besoj se ka te drejte dhe eshte ashtu siç thote ajo. 

Sidoqoftë Berisha është në një rrethim politik, të cilin mund ta çajë vetëm duke gjetur mundësi të tjera qeverisëse. Ndoshta atij vetë do t‘i interesojnë zgjedhjet e parakohshme. Gjithsesi stina e nxehtë politike ka filluar.

I tere artikulli ishte per te aritur tek kjo ne fund. Dhe une kete e besoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).