Rohan: Jo marrëveshje pa pëlqimin e Prishtinës

Një nga hartuesit kryesorë të dokumentave që përbëjnë bazën e sovranitetit të Kosovës së pavarur, Albert Rohan, i tha BBC-së se misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje me vendet e rajonit pa pëlqimin e qeverisë në Prishtinë.
 

Sipas tij, ky mision nuk mund të marrë përsipër asnjë pjesë të sovranitetit të qeverisë së Kosovës.

Zoti Rohan tha se qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në hartimin e të gjitha marrëdhënieve dhe duhet të pajtohet plotësisht rreth substancës së bashkëpunimit me vendet e rajonit.

Ai tha se EULEX-i nuk mund ta detyrojë qeverinë e Kosovës të nënshkruajë asgjë, por duhet të bëjë përpjekje që ta bindë atë për dobinë e këtyre marrëveshjeve dhe së bashku të gjejnë mënyrën se si t'i zbatojë ato.

Protokolli i bashkëpunimit mes EULEX-it dhe Serbisë ka ngjallur reagimet e Prishtinës zyrtare, ndërkohë që BE-ja i ka dhënë një mbështetje të plotë misionit të saj dhe ka shfaqur bindjen se do të arrijë pajtueshmëri për nënshkrimin e tij.

Ish-zëvendësi i presidentit Martti Ahtisaari, në bisedimet për statusin e Kosovës, tha se do të ishte gabim serioz nëse Kosova dhe Shqipëria në këtë rrafsh do të përjashtoheshin nga procesi i liberalizimit të vizave, meqë kjo, sipas tij, do të ishte në kundërshtim me përpjekjet e BE-së.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me zotin Rohan dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim për gjendjen e krijuar rreth protokollit të debatueshëm.

Albert Rohan: Mendoj se ka dy aspekte këtu. E para, është substanca e çfarëdo protokolli që negociohet, dhe e dyta është procedura. Rreth së parës, më duket se është e qartë se duhet një bashkëpunim rajonal, përfshirë edhe Serbinë, në këtë rast ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në çështjen e luftimit të korrupsionit, të kontrabandës. Kjo nuk mund të bëhet nga vendet vetë, prandaj bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe nëse do të ketë pajtueshmëri rreth marrëveshjeve kjo do të ishte pozitive.

Aspekti tjetër, ku unë kam një mirëkuptim të plotë për qeverinë e Kosovës, është se një qeveri sovrane duhet të përfshihet në hartimin e këtyre marrëveshjeve. Unë nuk kam njohuri të plota për bisedimet dhe për procedurat, por është e qartë se qeveria në Prishtinë duhet të pajtohet plotësisht rreth substancës së bashkëpunimit dhe pastaj mendoj se ky problem do të zgjidhet.

BBC: Por autoritetet në Prishtinë e kanë shpallur të mbyllur debatin rreth kësaj çështjeje. Cilët janë atëherë hapat që do ta mundësonin rrugën përpara për këtë protokoll?

Albert Rohan: Ajo që është e nevojshme, mendoj unë, është një qasje pragmatike e të gjitha palëve. Mendoj se nuk do t'i ndihmonte situatës së përgjithshme nëse të gjithë pajtohen rreth substancës së një marrëveshjje, por kjo dështon pastaj për shkak të çështjeve procedurale. Jam i sigurt se EULEX-i do të ulet së bashku me qeverinë dhe do të gjejë rrugën me të cilën ky bashkëpunim do të vendoset në një mënyrë pragmatike.

BBC: Por zoti Rohan, në Prishtinë ky protokoll është parë si një lloj ndihme për Beogradin në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Serbisë, në kohën kur Kosova është lënë jashtë këtij procesi?

Albert Rohan: Një gjë është e sigurt se do të ishte një gabim serioz nëse Kosova dhe Shqipëria në këtë rrafsh do të përjashtohen nga liberalizimi i vizave. Kjo do të ishte në kundërshtim me përpjekjet tona. Ne duam të liberalizojmë dhe të lehtësojmë udhëtimin për secilin, prandaj nuk mund të hiqen vizat për një numër vendesh dhe jo për të tjerat. Unë kam një qëndrim të fortë në favor, përfshirë edhe Kosovën.

BBC: Mendoni se tani BE-ja, përmes misionit të EULEX-it, do të shtyjnë apo bëjë presion mbi Prishtinën për të nënshkruar protokollin?

Albert Rohan: Nuk mendoj se do të ndodhë. Nuk mendoj se EULEX-i mund të shtyjë dikë, por ai duhet të bind qeverinë e Prishtinës për dobinë e këtyre marrëveshjeve, dhe pastaj së bashku me të, të gjejë mënyrën se si t'i zbatojë ato. Nëse diçka do të nënshkruhet ose jo, është çështje e dorës së dytë, por duhet të gjendet një qasje pragmatike për këtë çështje.

BBC: Dhe më lejoni zoti Rohan. E vlerësoni se Kushtetuta e Kosovës dhe Plani Ahtisaari i jep të drejtën EULEX-it të nënshkruajë marrëveshje me vendet e rajonit?

Albert Rohan: EULEX-i është krijuar që të ndihmojë autoritetet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, por është e qartë se nuk mund të marrë përsipër pjesë të sovranitetit të tyre. Është e vërtetë se ka disa fuqi ekzekutive, por sovraniteti i qeverisë së Prishtinës dhe autoriteteve atje nuk vihet në dyshim.

BBC: Nëse e kuptoj drejt, EULEX-i nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje dhe protokolle me vendet e rajonit?

Albert Rohan: Nëse qeveria e Prishtinës pajtohet atëherë EULEX-i mund të bëjë shumë gjëra. Por ajo që dua të them është se ai nuk mund të bëjë asgjë kundër vullnetit të shprehur të qeverisë.

1 Komente

bravo Rohan.Me ne fund nje ze kunder kloanit pro serb ne KE.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).