Replikat me Blushin,Seseri: Të respektohet barazia e deputetëve

"Brenda PS nuk po zhvillohet një debat banal, por një debat cilësor tipik për një parti të demokratizuar". Kështu e komenton deputetja e PS-së, Rudina Seseri e pyetur për incidentin me Ben Blushin në mbledhjen e grupit parlamentar. Duke folur për qëndrimin e saj në favor të bojkotimit të Parlamentit, Seseri shton se në grupin e deputetëve nuk ka hierarki sepse aty janë të gjithë të barabartë. 
Eshtë përfolur shumë një debat që keni pasur me Ben Blushin në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Që në fillim dua të theksoj se ky nuk ishte një debat banal, siç ju kanë informuar ata që dihen tashmë dhe që janë të interesuar të manipulojnë informacionin për qëllimet e tyre personale. Përkundrazi, ishte një debat thelbësor, shumë tipik për një parti të demokratizuar të tipit perëndimor. Eshtë një shembull unik dhe një precedent me peshë në kulturën politike shqiptare, ku partitë e tjera i shmangen me fanatizëm debateve të këtij lloji. Aty u debatua mbi qëndrimin që duhej mbajtur ndaj zgjedhjeve, në zbatim të detyrës që Kongresi dhe Kryesia e Partisë Socialiste i delegoi grupit parlamentar. Vendimi i marrë nga ky grup, tashmë është bërë i ditur nga Kryetari i Partisë.
Në media janë publikuar në versione të ndryshme edhe disa replika midis jush dhe Ben Blushit. Përse ky debat?
E vërteta është e thjeshtë. Unë nuk kam replikuar me njeri, veçse kam shprehur hapur mendimin tim për çështjen që diskutohej, i cili arsyetonte përtej interesave të ngushta individuale apo partiake. Eshtë bindja ime se manipulimi i rezultateve zgjedhore lidhet direkt me cenimin e standardeve më themelore të demokracisë, pra me fatin e demokracisë shqiptare. Dua t'u kujtoj se në 20 vitet e historisë së demokracisë së brishtë shqiptare, asnjëherë nuk janë realizuar procese zgjedhore korrekte. Shqipëria nuk mund të ketë progres pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Shqipëria nuk mund të ketë qarkullim elitash e udhëheqësish pa garantuar shprehjen e vullnetit të zgjedhësve. Shqipëria nuk mund bëhet pjesë e familjes demokratike evropiane me gishtat e votuesve të shënuar me bojë, me vota që numërohen nga tifozë partiake, me arbitra një komision zgjedhor politik dhe me gjykatës të politizuar apo të kërcënuar.
Duke mbyllur sytë para manipulimeve dhe një procesi zgjedhor të pandershëm dhe duke pranuar lehtazi se kemi humbur zgjedhjet, për ta përdorur këtë pseudo tezë si armë ndaj kundërshtarit politik brenda partisë, ne rrezikojmë të mbyllim sytë ndaj standardeve demokratike duke dështuar kështu në detyrën dhe përgjegjësinë tonë primare, atë të mbrojtjes së interesave të popullit në shkëmbim të përfitimeve individuale. Ky është në thelb mendimi që unë shpreha.
A mendoni se ky debat brenda Partisë Socialiste po vjen duke u ashpërsuar dhe si e shikoni të ardhmen e PS parë në këtë optikë?
E përsëris, në PS nuk shoh të ketë një debat që vjen duke u ashpërsuar. Kjo që thoni ju ka lidhje me përpjekjet që janë bërë me jave të tëra tashmë, për ta zhvendosur debatin publik shqiptar nga dhunimi i standardeve elektorale, nga persekutimi i mbështetësve të PS dhe nga varfëria që ka goditur vendin tek Partia Socialiste dhe dinamikat e brendshme të saj. Në debatin e PS-së janë përfshirë jo vetëm drejtuesit dhe anëtarësia e saj, por edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me të; madje edhe kundërshtarët politikë të saj, të cilët nuk e kanë të drejtën morale për të komentuar dhe sugjeruar pasi kurrë nuk kanë zbatuar ndonjë standard demokratik brenda partive të tyre. Për më tepër, ky koordinim diskutimi mbi "problemet" që kane plandosur PS-në është më shumë se një rastësi. Ai të krijon përshtypjen e një platforme mediatike të mirorkestruar. Edhe argumentet që parashtrohen gjatë këtij debati janë shpesh të njëjta pavarësisht formacionit se ku janë renditur ata që i thonë.
Por këtë radhë, sipas bisedës së publikuar në shtyp janë përdorur terma fyese?
Në kulturën time demokracia e mendimit është një parim themelor. Çdo njeri ka të drejtën dhe përgjegjësinë të thotë fjalën e tij dhe të dëgjojë fjalën e tjetrit, edhe kur nuk pajtohet me të. Partitë politike janë bashkim individësh që paraqesin mendime dhe alternativa të ndryshme, mendime këto që konkurrojnë me njëra-tjetrën. Në fund është vota e shumicës që përzgjedh alternativën më të mirë. Nëse fiton alternativa e dikujt, ai del në krye dhe të tjerët të vijnë pas. Nëse nuk fiton, atëherë futet në radhë me të tjerët dhe respekton alternativën që ka fituar. Kjo është demokracia e mendimit. Demokraci nuk është të flasësh poshtë e lart për alternativen tënde dhe të mos konkurrosh. Demokracia nuk është që të dërgosh SMS me qëllime intimidimi apo të pengosh tjetrin të flasë lirisht.
Këtu ka edhe një çështje tjetër me rëndësi. Barazia në grupin parlamentar duhet respektuar. Në grupin parlamentar nuk ka hierarki si në strukturat e partisë. Aty të gjithë janë të barabartë dhe kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre dhe vullnetin e zgjedhësve. Para mbledhjes unë zhvillova takime në zonën time elektorale në Krujë dhe mendimi i të gjithëve, përfshirë këtu edhe disa firmëtarë të një alternative që nuk fitoi në Kongres, ishte se votat u grabitën dhe zgjedhjet nuk i përmbushën standardet. Unë e transmetova këtë mendim në grupin parlamentar. Do të kishte qenë shpresa ime që edhe reagimi kundër këtij mendimi të kishte qenë i bazuar në mendimin e elektoratit.
A u përdorën terma fyese ndaj jush?
Etika e komunikimit është pjesë e kulturës së secilit dhe nuk dua të gjykoj për këtë. Por unë mund të them diçka tjetër, duke e lënë modestinë mënjanë për një moment. Unë kam punuar në biznese të suksesshme ku edhe në Amerike gratë janë të pakta. Më vjen keq që mund të shihem nga disa me sytë e realizmit socialist, ku për të qenë jobudallaqe duhet të jesh kooperativiste ose punëtore në uzinë. Ose më keq, të mos jesh femër. Sepse respektimi i barazisë gjinore është shpesh një shprehje fasade dhe brendia është ndryshe. Lehtësia me të cilën përçmohet mendimi i një gruaje dhe sulmohet ajo personalisht është mjaft shqetësuese, sepse i mbyll dyert grave në politikë. Reagime të tilla shfaqin konceptin se ne nuk mund të kemi mendimin tonë, por vetëm të përçojmë atë që thonë të tjerët, "xha sulot e reformuar me kollare e brilantinë" të politikës shqiptare.
Pra, a është e vërtetë apo jo biseda e publikuar?
Njëri prej kolegëve e humbi qetësinë kur u shpreh se këta janë budallenjtë e rinj që u përfshinë në lista. Mendoj se ai duhet të reflektojë ndaj kësaj jo vetëm nga pikëpamja e etikës së komunikimit, por edhe sepse ka fyer kolegët e tij të rinj të grupit parlamentar plotësisht të barabartë me të, e po kaq të nderuar sa ai, me të cilët nesër do të ndajë jetën parlamentare.
Ju vini nga SHBA, si e shikoni veten në këtë situatë që ndodhet PS dhe vendi pas zgjedhjeve?
T'ju them të vërtetën më lënë shije shumë të keqe. Shijen e një prapambetjeje të dukshme dhe të dëshirës së pakët për t'i ndryshuar gjërat. Unë erdha për të kontribuar në vendin tim me njohuritë dhe përvojën time perëndimore në fushën e ekonomisë. Tani përballem me lloj-lloj presionesh individuale e mediatike, edhe me shpifje apo fyerje. Përballem me vjedhje votash, me mungesa konceptuale të demokracisë, barazisë gjinore, lirisë së mendimit, që shpesh herë kam vështirësi edhe t'i kuptoj për shkak të formimit tim normal shumëvjeçar në SHBA.
Mos doni të thoni se do të tërhiqeni?
Nuk desha të them një gjë të tillë. Nuk jam mësuar të tërhiqem para pengesave. Por në kulturën time profesionale çdo gjë matet me efeciencën. Le të shohim se cila do të jetë efecienca ime në këtë situatë të re.

17 Komente

Seseri per mendimin tim duhet te drejtoje ndonje emision televiziv apo edicion lajmesh, pasi eshte njeshte.

Dua t'u kujtoj se në 20 vitet e historisë së demokracisë së brishtë shqiptare, asnjëherë nuk janë realizuar procese zgjedhore korrekte. Shqipëria nuk mund të ketë progres pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Shqipëria nuk mund të ketë qarkullim elitash e udhëheqësish pa garantuar shprehjen e vullnetit të zgjedhësve. Shqipëria nuk mund bëhet pjesë e familjes demokratike evropiane me gishtat e votuesve të shënuar me bojë, me vota që numërohen nga tifozë partiake, me arbitra një komision zgjedhor politik dhe me gjykatës të politizuar apo të kërcënuar.

Paske qene fiks me i menje e goje me avukat Ngjelen mbreme smiley

Por, Rudina, sic tha dhe avokati i nerum : A e kini seriozisht juve ? Apo cohu prift te ulet hoxha ?

Kto gjishtat me boje dhe komisionet politike, ne dore i kishit moj Rudine kur bete ligjin. Apo ta haje kush ta haje, se ne fund poplli e ha po he.

..jo ajo ishte ps e vjeter (kur kjo ishte adoshelente (se as adoleshente ska qene kjo hihihi) ),  tani me seserken kane ps-ne e re...

Bedrije, s'dite gjo Seseri per ligjin, ajo erdhi drejt e ne dasem. Mos e bej pergjegjese per PS-ne para veres 2009. smiley

spo e boj pergjegjse mi gru, e di qe erdh me luge ne brez smiley

une ju drejtova me 'ju'. Pra ajo me shoke smiley , apo thene ndryshe, : partia qe ja boni rrisk mandatin ne tepsi.  Pastaj, Seseri vertet ska gisht, por, pranoi te futesh ne loje me ato rregulla, me ato gishta me boje ene me ato albitra smiley

Pra halli eshte, qe, kta kerkojne 'anallim loje' se kshu osht plani ene leverdia  smiley apo se vertete loja duhet anallu ene duhet bo sic duhet ?

 

 

Tushe, shife kete videon dhe ktheji pergjigje Tropes. smiley

Nese ky pasazh video e perfaqson/pergjitheson Seserin, kjo vertet qe eshte tyryfycke, te pakten nga politika. Jo vetem me ato "ti harrojme shifrat", po dhe me 'te mos flasim per PS ne kohen qe une isha adoleshente'. smiley

Pergjigja eshte njesoj sic i tha ai ne debat, me pak fjale qe ajo perfaqson PS-ne, s'ka rendesi kur ka ngrene persheshin e pare apo kur eshte kthyer nga Amerika. Aq me teper qe Rama e beri kete cucen pankarten e mendjeve te ndritura dhe planeve gjeniale te platformes se PS-se. smiley

 

P.S. Hunter, shprehjen Rudina "ti harrojme shifrat" Seseri e kam thene qe dje kur pashe ate videon per hete te pare, keshtu qe rrespekto copyright-in te lutem. smiley

me vjen keq, smiley biles ka kohe para kesaj, po s'mbaj mend ku?

Nejse njesoj ajo pune

Blushi: Ti e do bojkotin që të shkosh prapë në Amerikë. Mos guxo më të lakosh emrin tim. Po s’ke faj ti. Fajin e ka ky (Edi Rama) që e mbushi partinë me të tillë (budallaqe) si puna jote.
....

Eshtë përfolur shumë një debat që keni pasur me Ben Blushin në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Rudina "Ok, Ti harrojme Shifrat" Seseri: Që në fillim dua të theksoj se ky nuk ishte një debat banal, siç ju kanë informuar ata që dihen tashmë dhe që janë të interesuar të manipulojnë informacionin për qëllimet e tyre personale. Përkundrazi, ishte një debat thelbësor, shumë tipik për një parti të demokratizuar të tipit perëndimor.

Kjo vajze ka personalitet.

 

tre jane gjonat qe m'terheqin vemendje mu:
1 - qe Seseri ka msu shqip gjate ksaj kohe (mgjse dyshoj se gazetari ka heq t'zinjte e ullinit duke editu intervisten) dhe,

2 - Seseri, eshte tamom 'shoqe' me principe komuniste (jo si ato te Dulles):
n'emer te unitetit mren Partise, di me i minimizu gjonat...

3 - ngeli t'u von n'dukje pervojen qe ka mor n'Amerike dhe nis nga kjo jep edhe konkluzione se c'i duhet politikes shqiptare me kap standartet e daj Semit. A m'duket mu apo eshte t'u fluturu cik me pras kjo goce?

Le të shohim se cila do të jetë efecienca ime në këtë situatë të re.

1) Nqs do te vazhdosh te jesh vetvetja, do te kthehesh nga ke ardhur. Ne nje shkrim te vitit 1917 "Rivista di Milano" lexova kete shprehjen: "I fessi hanno dei principi, i furbi soltanto dei fini."

2) Do hedhesh kemben si te jete vallja dmth do te behesh si "ato", dhe bye-bye parimit "persone in grado di cambiare il mondo"

"Shqipëria nuk mund të ketë qarkullim elitash e udhëheqësish pa garantuar shprehjen e vullnetit të zgjedhësve. Shqipëria nuk mund bëhet pjesë e familjes demokratike evropiane me gishtat e votuesve të shënuar me bojë, me vota që numërohen nga tifozë partiake, me arbitra një komision zgjedhor politik dhe me gjykatës të politizuar apo të kërcënuar."

Ua mi Seseri.Qeke fut ne partine e Ilir Metes se ai kerkoi komisione jo partiake (u fut dhe ne greve urije) dhe Edi tat nuk ja pranoi.(UUUUUUU harrova.Ti ke qene ne Florida duke u shella ne diell e nuk di gjo)

"Duke mbyllur sytë para manipulimeve dhe një procesi zgjedhor të pandershëm dhe duke pranuar lehtazi se kemi humbur zgjedhjet, për ta përdorur këtë pseudo tezë si armë ndaj kundërshtarit politik brenda partisë, ne rrezikojmë të mbyllim sytë ndaj standardeve demokratike duke dështuar kështu në detyrën dhe përgjegjësinë tonë primare, atë të mbrojtjes së interesave të popullit në shkëmbim të përfitimeve individuale.

"Ua mi Seseri.Po ato qe numuruan votat ishin njerezit tuaj,partiaket e PS sic i quan tina.Pse nuk i nxorret emrat ne kongresin tuaj me demokraci te kulluar e dyer te mbyllura (edhe ne Florioda keshtu i bejne konventat apo jo me dyer te mbyllura).

Sesero.Sa poer "perfitime individuale" sic thua tina,fillo me Vali Lesken, kalo ke Ruci,vazhdo me Meksin,ke Fideli ,por me duket se ti i ke inat se ke ardhe me vonese e tani do edhe ti leje ndertimi.

Mos ki merak fare se do ta japin ene tyna se e ke bo hak.(Nuk ta japim lejuen ne Kruje jo,ne midi9s te Tirones qe te bosh ene tina noj lek, se helbete osht e shtrejte Florida.

Harrova i gjo o Sesero.Mos e ke gjet gjo ate programin e partise qe ka hum,apo edhe ne Floriden tate humin programet .

HAHAHAAAAAAAAAAAAAAAAAAAAAA

debat apo lojra fjalesh (me batuten e dites per garnityre)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).