Reforma e Analistit

S’mund të ndodhë ndryshe, sepse prime-time i kanaleve shqiptare me audiencën më të madhe, është i mbushur me tryeza debatesh. Sado zapping që të bësh gjatë darkave, nuk mund t’i shpëtosh shumëfishimit të opinionistëve. Opinion, Top Story, Shqip, Ora e Debatit, 5 Pyetje nga Babaramo etj., etj., qarkullojnë thuajse të njëjtët njerëz, të njëjtat ide, të njëjtat gossips. 

Për ndjekësit e rregullt të këtyre debateve nuk ka më asnjë surprizë, ata dinë të parashikojnë se çfarë do të thotë filani e fisteku, cilat thashetheme do përdori, cilat batuta do fusë dhe në çfarë momenti, cilin prej bashkëbiseduesve të tij do sulmojë më fort, sepse nuk e duron dot etj., etj. Do t’i parashikonin pa shumë vështirë të gjitha këto, sepse tashmë opinionistët tanë njihen aq mirë saqë janë bërë si persona të familjes. Madje, disa shikues mund të njohin në detaje deri edhe gardërobën e tyre, lëre më pastaj zërin e gjestet.

Nuk ka dyshim që na pëlqejnë debatet, shumë mirë që i kemi. Disa prej nesh i ndjekin ato nga kërshëria, disa të tjerë se s’kanë ç’të shohin më të mirë, e të tjerë akoma thjesht për inerci, por a ia kemi bërë ndonjëherë vetes pyetjen:
A informohemi në ndonjërin prej tyre me ndonjë element që nuk e dinim më parë, me ndonjë detaj që ia vlen ta mbash mend, pse jo edhe shënim, për ta ripërsëritur ne vetë paskëtaj në rrethana e situata të tjera? Pse duhet ta dëgjojmë ne fjala vjen një debat mbi turizmin, nëse ai debat nuk do të na mësonte diçka që ende s’kemi patur rast ta njohim? 
Po të shohësh emisione analoge me tonat në kanalet televizive franceze, por sidomos angleze, nuk mund të mos mahnitesh sesa e pafundme është dija dhe përvoja njerëzore, sesa i vogël je ti përpara gjithë zhvillimit social, kulturor, teknik, teknologjik, religjioz etj. Një emision në BBC, një forum debati në TF1, nuk i lë gjë mangët një flete enciklopedike, ku metodat e kërkimit, modelimit, kreativiteti dhe konstruksionizmi përballen e përplasen me njëra-tjetrën në emër të zhvillimit intelektual e shpirtëror. Dhe bota e sotme ecën me ritme aq të shpejta, sa moderatorëve u duhet të djersiten për t’i kapur ritmet e zhvillimit.
Përkundrejt kësaj, studiot tona të debatit varfërohen dita ditës!
Fatkeqësisht dhe në kundrasens logjik!
Pjesëmarrësit në to, duket hapur se shpesh janë aty fare rastësisht, dhe si rrjedhim jo pak herë guxojnë të debatojnë edhe fare të papërgatitur. Artikulimi i tyre është në rastin më të mirë horizontal, por fragmentar dhe në rastin më të keq krejtësisht i çoroditur e pa lidhje.
Debatuesit vijnë në emision duke menduar se janë tashmë në gjendje të improvizojnë, aq shumë të rrahura i kanë “bisedat”, ngaqë tashmë këto janë tema të përsëritura disa herë.
“Pse nuk fola edhe dy muaj më para për këtë temë? Pse a nuk isha në filan studio televizive për një çështje të ngjashme? Hajt mo, se mjafton të them nja dy tre batuta e nja dy tre formula klishe, se kush të dëgjon aman”!
Opinionistë dhe analistë as që duan t’ia dinë se çdo emision ka një minutazh të përcaktuar, e se brenda këtij minutazhi duhet propozuar një zgjidhje apo hapur një terren për një diskutim të ri e më të detajuar. Ata kujtojnë se biseda mund të zgjasë pa limit, mjafton që ata të shprehin elokuencën e tyre, që mund të jetë fare pa dobi.
Veçanërisht duhet theksuar, se të ftuarit vetëm shumë rrallë janë të përditësuar me zhvillimin bashkëkohor të çështjes konkrete për të cilën janë thirrur të dialogojnë, pak kush prej tyre është në gjendje të përdorë terminologji të re. Thuajse askush as nuk citon e as nuk referohet në ndonjë autor, titull libri, artikull, studim, duke shpërfillur dukshëm një element të qenësishëm: dija është historike dhe referenciale!
Por mangësia më e madhe dhe më e dëmshmja e debateve tona është alergjia ndaj konceptit. Të gjithë analistët dhe opinion-bërësit harrojnë ose thjeshtë nuk dinë se përdorimi i një koncepti të caktuar nuk ka fare të bëjë me gjetjen e fjalës së duhur në fjali, por me dëshminë e ecurisë së një shkence të caktuar, e cila shkon deri në formulimin dhe përdorimin e një koncepti.
Injoranca në konceptim sjell përçmimin e profesionistit, përçmim që nuk vonon të shfaqet sapo dikush guxon të flasë me gjuhën e faktit, shifrës, modelit, matricës, epistemologjisë. Pikërisht atëherë ravijëzohet nënqeshja ironike “na shkriu ky! Pse unë s’i di këto, por populli do gjuhë të thjeshtë se përndryshe nuk kupton. E ndërron kanalin e s’na sheh”.
A thua se e ditkan kaq mirë këta diskutantët tanë se çfarë kërkon populli?!
Mundet, por më parë studiot tona kanë nevojë të ngutshme për thellim mendim, e për argumentim vertikal. Opinioneve të vagullta, sipërfaqësore e gjoja të gjithëditura u ka kaluar koha. Debatet televizive në ditët e sotme nuk mund të fitohen vetëm me bagazhin e thashethemnajave. Tanimë sot e gjithë ditën, kërkohen zgjidhjet. Ato duhet të paguhen! Dhe zgjidhjet kërkohen urgjentisht, sepse edhe problemet janë të mprehta. Jo vetëm në Shqipëri!
Prandaj nevoja për një “reformë të analistit” është e ngutshme. Jo vetëm sepse ka rrezik që gjithmonë e më tepër të shohim Andi Bejten e të tjerë të ngrihen nga studiot, siç ndodhi së fundmi në “Opinion”-in e ditës së hënë, kur diskutohej për turizmin, por edhe sepse të gjithë kemi nevojë që më së pari të mësojmë të renë dhe të përqafojmë modele të suksesshme zgjidhjesh, ngaqë tani na duhet të ndërtojmë.

8 Komente

Ja edhe nje analize per anlizat.

Analistet me vlere ne memedhe jane te pakte e numerohen me gishta, ndersa ata qe lehin dhe mundohen te tundojne me menyren e tyre jane te shumte, jane te pa sedert, pa turp e lehin, lehin, lehin duke detyruar ata qe i shikojne ose ti ofendojne rend po pa ndryshuar kanalin, ose ti ndiekin me vemednie tamam si nje grindie kokoshash, thjeshte shijojne nje nga perleshiet e sakonshme te TV-e shqiptare.
Nuk kemi analista te kaliberit te atille, saqe te krahasohen me ata te perendimit apo qofte edhe me vendet fqinje, eshte fare e thjeshte, po te beshe nje analize te momentit ngec qysh ne fillim me analistet dhe me politikanet tane pasi: injoranca dhe uni i semur, nuk le vend per pak estetik dhe kultur, troc te gjithe jane me te "ndriturit" eturit per te perciell ate qe ata kujtojne se e dine me mire se gjithkush!   Ndoshta mund edhe te jete e vertet por menyra se si ata mundohen te perciellin ate qe ata blujne ne mendien e tyre eshte krejte e GABUAR...... smiley
 

Ta honksha hyrjen mi autore: 

S’mund të ndodhë ndryshe, sepse prime-time i kanaleve shqiptare me audiencën më të madhe, është i mbushur me tryeza debatesh. Sado zapping që të bësh gjatë darkave, nuk mund t’i shpëtosh shumëfishimit të opinionistëve. Opinion, Top Story, Shqip, Ora e Debatit, 5 Pyetje nga Babaramo etj., etj., qarkullojnë thuajse të njëjtët njerëz, të njëjtat ide, të njëjtat gossips.

"prime-time", "zapping" edhe "gossips" (psst, në anglisht, gossip nuk merr s, as në njëjës, as në shumës) hapin një shkrim që do të reformojë ata që flasin e shkruajnë në publik. S'do ishte keq që reforma të fillonte nga vetë autorja.

Nuk e ka keq kjo Capi. Edhe une habitesha qe per çdo nate ishin te njejtet. Pashe nje mjekrosh, nje Zheji me duket, ai s'te hiqej 7 ditet e javes. Ishte bere si i shtepise. Cudi.

Ne fakt, une e kam kuptuar heret qe llomotitja eshte kthyer ne nje sport kombetar, por puna eshte te vrasim mendjen pse. C'arsye mund te kete qe njerezit te kene kaq nevoje te llomotisin ?

Nje arsye mund te jete krejt ekonomike : nje emision llomotites kushton fare pak. Ndiz ca drita, fshij pak vendin, futi nja tre-kater divane, ca furçe fytyrave, dhe pastaj o burra per nja 2 ore te mira llomotitje pa ndalim.

Nje arsye tjeter mund te jete psikologjike : llomotitesi eshte i merzitshem, por ama i domosdoshem. Ju e keni degjuar shprehjen : eshte budalla, por jemi mesuar me te. Tani nuk eshte llomotitesi qe nuk ben pa ne, por jemi ne qe s'bejme dot pa llomotitesin.

Nje arsye tjeter mund te jete ushtimore : shqiptaret, ne pergjithesi, kane shtepi me kubatura te vogla dhe jane mesuar t'iu ushtojne veshet nga zhurmat. Ne ato pak raste ku burri dhe gruaja nuk ia çajne koken njeri-tjetrit, ata kane nevoje t'ua çaje nje i trete : llomotitesi.

Nje arsye tjeter mund te jete dhe dekorative : nje televizor ne dhome eshte gjithnje me i bukur ndezur sesa fikur. Ngjyrat e studiove sjellin nje larushi ne shtepite tona.

Dhe arsyeja tjeter mund te jete dhe ngushtore : nuk mund te gjejme tjeter ne qarkullim perveçse llomotites. Dmth i degjojme nga halli, sepse ska asnje anti-llomotites.

Voilà. 

Mire e ka autorja.Keta na jane burri nenes e baba gjalle.

Do per arkitekture,nuk ka me te mire

Do per bujqesi,e qajne fare

Do per rruge,me te mire se inxhinjeret

Turizmi,jane specialiste te mbaruar

Energjitike,e bejne naten dite

Mardhenie nderkombetare,gjynah qe institutet euro-amerikane nuk marrin mendimin e tyre (per lesh do te kishte ikur bota)

ekonomi,shyqyr qe nuk i degjojne se lumi do te na kishte marre

etj,et,etj

Politiken nuk po e permend sepse ne si popull veme perfund cdo analist apo opinionist apo cdo prapashtese me "ist".

Po autorja eksperte ne çfare eshte?

 Une nuk e kam shume problemin me fillimin sesa me fundin e artikullit, megjithese respektin qe mund te kisha nese do ta njihja autoren, sikur edhe per disa momente koke per koke, per ta njohur me mire, disi, se keshtu na e do puna....

1. "studiot tona kanë nevojë të ngutshme për thellim mendim, e për argumentim vertikal." - autorja kerkon te citohen autore e libra, cfare disa e bejne, porse cfare eshte argumentimi vertikal? Pyet nje shites modest, zarzavatesh.

2. "Opinioneve të vagullta, sipërfaqësore e gjoja të gjithëditura u ka kaluar koha." - Une nuk di per ndonje epoke te tille. Dikush mbase ketu? Ndonje citim ju lutem!

3. "Debatet televizive në ditët e sotme nuk mund të fitohen vetëm me bagazhin e thashethemnajave. Tanimë sot e gjithë ditën, kërkohen zgjidhjet. Ato duhet të paguhen!" --- Si mund te fitohen debatet? Autorja kalon pastaj ne nje tjeter teme ... "Kerkohen zgjidhjet" dhe ato "duhet te paguhen"... Zgjidhjet? Paguar ne valute?

4. "Dhe zgjidhjet kërkohen urgjentisht, sepse edhe problemet janë të mprehta. Jo vetëm në Shqipëri!"  --  Analistet tane mundesisht te fillojne e te propozojne per zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit, ose problemin e uigureve etj. Mundesisht urgjentisht!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).