Qeveria “Rama”

 Qeveria normalisht emërtohet sipas kryetarit, sepse ai ose ajo është trupëzimi i vizionit politik, shtylla që i siguron asaj mbështetjen politike. Por vështirë ta quash qeverinë aktuale Berisha-Meta (ndonëse me siguri kështu do fillojnë ta thërrasin). Së pari, sepse binomi Berisha-Meta janë jo vetëm burim i mbështetjes politike të qeverisë, por potencialisht edhe burim i rrënimit të saj. Së dyti, me binomin Berisha-Meta jo vetëm që nuk kemi trupëzimin e një fabule politike, por kemi dy fabula që janë ndërtuar në kundërshtim me njëra-tjetrën. Meta e ka quajtur qeverinë e Berishës "Qeveria e Gërdecit", ndërsa Berisha e quante dikur qeverinë Meta "Punishte e Korrupsionit". Të dy këto fabula bashkë sot prodhojnë "Punishten e Korrupsionit të Gërdecit". Prandaj më shumë sesa një fabul, binomi Meta-Berisha është një siklet i madh politik. Ky siklet ishte i dukshëm edhe në konferencën për shtyp të Berishës dhe Metës. Atë nuk e fshihte dot as fytyra e prishur e Berishës dhe as qëndrimi i akullt i Metës. I vetmi rehat që gjenin të dy ishte te sulmi i përbashkët që ndërmorën kundër Edi Ramës. Dhe kjo nuk ishte diçka e rastësishme. Edi Rama është i vetmi burim real legjitimiteti i kësaj qeverie, pasi çdo përpjekje e tij për të mbetur në krye të PS-së legjitimon koalicionin Berisha-Meta. Prandaj më shumë se gjithçka qeveria që kemi sot duhet quajtur Qeveria "Rama". 
Që Rama të mbetet kryetar, PS-së i duhet që të vazhdojë dhe thellojë sot të njëjtat gabime që bëri dje. Përndryshe nëse Rama pranon sot gabimet që bëri dje, nuk ka përse të rrijë në krye të PS-së. Kështu që sot PS-ja me në krye Ramën duhet të vazhdojë ta akuzojë Metën për tradhti si dhe dje kur LSI-ja i lutej PS-së për koalicion dhe bashkëpunim teksa PS-ja prishte Kushtetutën dhe Kodin Elektoral me Berishën. Sot PS-ja bërtet se iu vodhën zgjedhjet, edhe pse të gjithë komisionerët e saj firmosën, ndërkohë që LSI-së nuk i la asnjë komisioner në mënyrë që t'ia vidhte votat si dhe shumë partive të tjera të vogla. Sot PS-ja thotë se do fitonte edhe vetëm sikur LSI-ja mos ta tradhtonte. Sot PS-ja flet sikur e djeshmja nuk ka ndodhur, jemi prapë në vitin zero. Ky rifillim i vazhdueshëm nuk është veçse qëndrim në vend. Një insistim për t'u kthyer në piknisje në vend të vazhdimit përpara. Ndaj PS-në sot e ka arritur e kaluara e saj, duke e kthyer Gramoz Ruçin dhe Namik Doklen në mbështetësit kryesorë të politikës së re. Në këto kushte kuptohet që LSI-ja nuk ka asnjë arsye të bashkëpunojë me PS-në, dhe për pasojë koalicioni PD-LSI mbetet solid.    
Duke vazhduar të bëjë sot të njëjtat gabime si dje Rama, jo vetëm shtyn Metën drejt Berishës, por legjitimon edhe koalicionin e shëmtuar Berisha-Meta. Ashtu si dje edhe sot parulla e Ramës mbetet "hiqjani të gjithë pushtetin Berishës, Metës dhe Nanos dhe ma jepni të gjithin mua". Por kjo është pikërisht ajo që elektorati refuzoi të bënte. Në zgjedhjet e 28 qershorit, që Rama nuk do t'i lexojë, elektorati shumë qartë tha: të gjithë pushtetin nuk do t'ia japim askujt; midis përqendrimit të pushtetit në një palë duar dhe shpërndarjes së tij në dy apo më shumë palë, preferojmë këtë të fundit. Këtë Berisha e kuptoi mjaft qartë dhe nxitoi të ftonte Metën në qeverisje, duke deklaruar se populli votoi për koalicion. Përballë një Berishe në pushtet që thotë se nuk i fitoi i vetëm zgjedhjet, edhe pse doli forcë e parë, një Ramë në opozitë që thotë se ka fituar tek pullë duket qesharak. Në këtë situatë qeverisja Meta-Berisha është e përballueshme dhe madje e detyrueshme në tërë shëmtinë e saj. Sado e shëmtuar të jetë qeverisja e përbashkët e tyre, ajo është shumë më e bukur se qeverisja e secilit veç e veç, qoftë ky Berisha, Rama apo Meta. Prandaj koalicioni Berisha-Meta legjitimohet për sa kohë përballet me një opozitë të udhëhequr nga Rama që kërkon të qeverisë i vetëm në ekzekutiv, sikurse tashmë qeveris në PS.  
Së fundi, qëndrimi i Ramës në krye të PS-së neutralizon çdo iniciativë politike që është parimore dhe e moralshme sapo tenton të krijojë aleancë me të. I tillë ishte rasti i qëndrimit të Pëllumb Xhufit me shokë. Ky ishte vërtet një qëndrim për t'u përshëndetur, që thoshte se nëse LSI-ja është e shqetësuar për stabilitetin e vendit ajo mjafton t'i japë votat PD-së, por pa u përlyer në qeverinë e Gërdecit. Në këtë mënyrë edhe Meta do të tregonte se realisht ishte i interesuar për stabilitet dhe jo për pushtet. Ama në momentin që lëvizja e Xhufit me shokë përdoret nga Rama për të denoncuar LSI-në, ajo delegjitimohet ndjeshëm. Sepse që LSI-ja të rrijë në opozitë sot dhe nesër të provokojë zgjedhje të reja në një koalicion fitues me PS-në do duhej që më parë PS-ja të pranonte sjelljen e gabuar me LSI-në dje. Por nëse PS-ja pranonte gabimin e saj me LSI-në, atëherë Edi Rama do duhej të tërhiqej automatikisht nga kreu i PS-së. Prandaj mbështetja që Rama i jep qëndrimeve parimore kundër marrëveshjes së LSI me PD, veçse i delegjitimon ato. Ky është edhe shërbimi themelor që Rama i ofron koalicionit aktual. Duke e mbështetur ai neutralizon politikisht çdo aksion që i kundërvihet atij në baza parimore, pasi vetë mbështetja që Rama ofron bëhet nga një pozicion ku mungon parimi dhe morali politik. Ndërsa nga ana konjukturale koalicionin Berisha-Meta nuk e rrezikon asgjë, ai në vetvete është i organizuar rreth një konjukture dhe jo rreth një parimi. 
Andaj për sa kohë opozitës socialiste i mungon një qasje parimore, koalicioni Berisha-Meta mbetet i sigurt. Nëse një ditë në krye të opozitës do vijë dikush që nuk e ka problem t'i zgjasë dorën LSI-së, që korrupsionin e Berishës e denoncon pa qenë vetë i përfshirë në rrjete korruptive interesash, që nuk ka frikë ta rrëzojë qeverinë kur ajo vret qytetarët e saj në afera korruptive, atëherë koalicionit aktual shumë shpejt do t'i vijë fundi. Dhe kjo nuk është çështje emrash apo aftësish personale, çdokush brenda PS-së mund ta luajë këtë rol sot më mirë sesa Rama, përfshi edhe Maqo Lakrorin. Jo sepse Rama është një individ i paaftë apo pa karizëm, nuk është çështje aftësisht individuale. Por sepse duke qëndruar në krye të PS-së, Rama është në qendër të një deformimi që fillon tek ai dhe shtrihet në të gjithë skenën tonë politike. Fakti që legjitimiteti i koalicionit qeverisës sot e ka burimin kryesor tek lideri i opozitës është tregues i qartë i përmasave të këtij deformimi. Prandaj edhe pse sipas të gjitha gjasave qeveria aktuale do quhet Berisha-Meta, ajo realisht është Qeveria "Rama".

11 Komente

Fillim i mire dhe shume i sakte nga Kajsiu. Deri aty ku i permbahet fakteve. Pastaj fillon "sopata" mbi Edi Ramen dhe nga aty e tutje shkrimin (se nuk po e quaj analize) nuk di nga ta kapesh.

Fillojme po deshem nga fjalia qe i jep titullin artikullit:

"Edi Rama është i vetmi burim real legjitimiteti i kësaj qeverie, pasi çdo përpjekje e tij për të mbetur në krye të PS-së legjitimon koalicionin Berisha-Meta..."

!?!?
 

I vetmi burim real i legjitimitetit te qeverise jane votat e bashkuara te dy koalicioneve. Kajsiu kushedi se per cfare legjitimiteti e la fjalen (moral, ndoshta!?) dhe i ngaterron kot gjerat.

Po edhe ne rrafshin e diskutimit te legjitimitetit moral te kesaj qeverie, ka pak ose aspak gjasa qe me doreheqjen e Rames - apo ndonje zhvillim tjeter brenda opozites - Berisha dhe Meta te hiqnin dore nga bashkeqeverisja.

Tjeter pohim kunderthenes:

"Rama, jo vetëm shtyn Metën drejt Berishës, por legjitimon edhe koalicionin e shëmtuar Berisha-Meta."

Nese koalicioni eshte i shemtuar - dhe vete Kajsiu e pranon se keshtu eshte, duke e quajtur "Punishte e Korrupsionit te Gerdecit" - athere Rama ka bere dhe vazhdon te beje shume mire qe e mban larg Meten, bashkepronar i kesaj punishteje. 

Po ketu poshte ku eshte skandali?

"Ashtu si dje edhe sot parulla e Ramës mbetet "hiqjani të gjithë pushtetin Berishës, Metës dhe Nanos dhe ma jepni të gjithin mua...".

A ka lider politik ne bote qe te mos e kerkoje pushtetin - pushtetin legjitim, ate qe fitohet me voten e lire te popullit - per vete dhe forcen politike qe ai drejton!?

"...Por kjo është pikërisht ajo që elektorati refuzoi të bënte. Në zgjedhjet e 28 qershorit, që Rama nuk do t'i lexojë, elektorati shumë qartë tha: të gjithë pushtetin nuk do t'ia japim askujt; midis përqendrimit të pushtetit në një palë duar dhe shpërndarjes së tij në dy apo më shumë palë, preferojmë këtë të fundit."

Kjo eshte ndoshta nje nga fjalite me te shemtuara te te gjithe artikullit. Kajsiu, me vetedije te plote, perpiqet te manipuloje opinionin, permes ketij pohimi 100% te rreme.

Kajsiu, si politolog qe eshte, e di fare mire se vota e popullit eshte po ajo qe ka qene ne te gjitha zgjedhjet e meparshme.

Njerezit kane votuar majtas apo djathtas, sipas bindjeve te tyre, dhe rezultati ka qene nje barazim thelbesor.

Ja pret mendja Kajsiut se ka patur votues te LSI-se qe kane menduar se vota e tyre do te perdoret per te legjitimuar qeverine e Sali Berishes!?!?

Si kapak po ju sjell kete citim, qe shpreh shijet estetike te Kajsiut:

"Sado e shëmtuar të jetë qeverisja e përbashkët e tyre, ajo është shumë më e bukur se qeverisja e secilit veç e veç, qoftë ky Berisha, Rama apo Meta. Prandaj koalicioni Berisha-Meta legjitimohet për sa kohë përballet me një opozitë të udhëhequr nga Rama që kërkon të qeverisë i vetëm në ekzekutiv, sikurse tashmë qeveris në PS."

 

 

sipas meje kjo eshte analiza me e mire e Kajsiut, ku nuk ke se nga ta kapesh per asnje gje. Mendoj se eshte analize e paanshme dhe nuk ka vend per komente.

I heq kapellen Kajsiut! I kam ndjek me kuriozitet 3-4 shkrimet e fundit te tij. Me ka bo pershtypje zhvendosja majtas megjithe ca kritika modeste per Ramen dhe kam mendu me vete "prit kur te na furcosi Ramen mbas ca kohesh ky".  Paskam qen i gabum. Qeka jo vetem i  holle po dhe me integritet.

Respekte!!!

une  them qe kto opinionistet, analistet a ca dreqin ti quash, jane perhere shume hapa prapa politikes ne shqiperi. dmth jane vetem analizues efektesh ose si me thone 'mas pilafit' .

Ate cka gjithkush e percepton, apo shef qartas me sy mundohen ta shkrafanjisin me llafe meqe jane elokuente smiley, ketu ndahen pastaj ne 'maskarenj', 'fabrikues rrenash apo opinonesh te gabume', apo 'here pas here te sakte' si puna kajsiut.

Sidomos me zhvillimet e fundit kane provuar qe jane zero me xhufke te gjithe, dhe aspak te zotet per ti paraprire ngjarjeve, as mjaftueshem burra per hedhur sinjale se e kuptojne dhe interpretojne drejt ate qe po vjen. Por vetem hamendesojne per shkaqet qe sollen ate qe sollen, e derr derr derr, pas pilafit.

E sidomos, nqs kujtojne se mund te influencojne  ndokend me rreshtat e tyre, besoj kane marre shuplake te rende kete radhe. Uroj seriozisht qe dhe politika tju paksoje i cike honorarin e te ngelen pa buke ! smiley

Futja kot. E zeme se rama sonte ra ne nje puste te hapur te bashkise dhe vdiq,

Do ta shperbente kjo aferne Berisha Meta?

Jo.

Prandaj. Futja kot.

Ky djali shkruan mire ne ca raste. Kete e paska shkruar per te dale emri ne gazete. Kalamnlleqe.

 

shkrim shume i mire i kajsiut. teper interesant eshte theksimi i legjitimimit te kalimit te Metes ne krah te Berishes, qe realisht vjen i gjithi nga Rama. Duket si nje projekt i qarte i Rames per ta margjinalizuar ate parti, gati gati duket sikur Rama eshte pjese e projektit te Berishes.

Nga te gjithe komentet do te vecoja ate te Bedrijes,i cili duhet te vlersohet seriozisht,per mua shume i cakte!

 

bedrija - 5 Sht 2009 - 10:00pm 

une  them qe kto opinionistet, analistet a ca dreqin ti quash, jane perhere shume hapa prapa politikes ne shqiperi. dmth jane vetem analizues efektesh ose si me thone 'mas pilafit' .

Ate cka gjithkush e percepton, apo shef qartas me sy mundohen ta shkrafanjisin me llafe meqe jane elokuente Big Grin, ketu ndahen pastaj ne 'maskarenj', 'fabrikues rrenash apo opinonesh te gabume', apo 'here pas here te sakte' si puna kajsiut.

Sidomos me zhvillimet e fundit kane provuar qe jane zero me xhufke te gjithe, dhe aspak te zotet per ti paraprire ngjarjeve, as mjaftueshem burra per hedhur sinjale se e kuptojne dhe interpretojne drejt ate qe po vjen. Por vetem hamendesojne per shkaqet qe sollen ate qe sollen, e derr derr derr, pas pilafit.

E sidomos, nqs kujtojne se mund te influencojne  ndokend me rreshtat e tyre, besoj kane marre shuplake te rende kete radhe. Uroj seriozisht qe dhe politika tju paksoje i cike honorarin e te ngelen pa buke ! Big Grin

Kta opinionistet me kujtojne ate plakun e mencur te perralles qe i shet nje napolon ari nje keshille kurbetliut te kthyer nga kurbeti (ne kuptimin qe paguhen aq shtrenje). Jetojne duke shitur llapen(jo fjalen).Ketij po,qe i them zanat une

Mos spekulloni kot. Kajsiu nuk paguhet per shkrimt. Dhe suhme mire ben qe i thote gjerat qe te gjithe i dine, po shume pak i thone. Ne rast se doni te mesoni gjera qe nuk i dini shkoni ne shkolle.

Me keto opinione qe na shesin jane bere si ai teneqexhiu qe per te shpuar nje 5 lekesh metalik kushtonte 10 leke.

Shkrimet e Kajsiut jane perhere te sakta. Nuk ka asnje mister. Ka vetem te verteta qe nuk duam ti pranojme sepse kemi interesa familjare ose thjesht bejme tifozllek per partine e zemres (sepse jemi antikomuniste te vjeter, nga Tirona apo nga Shkodra apo jemi socialiste te vjeter qe nga 1997).

Rama propozoi kodin e ri elektoral.
Rama i humbi zgjedhjet.
(Edhe sikur te ishin manipuluar zgjedhjet me plus minus dy deputete perseri ishte me mire per te miren e te gjithe shqiptareve, jo vetem te socialisteve - Rama harroi se 50% e zgjedhesve nuk votuan fare - qe zgjedhjet te njiheshin).
Rama nuk jep doreheqjen.
Vetem mungesa e inteligjences dhe nje inat i terbuar e shpjegon kete te fundit. Sjellje qe i ngjan si dy pika uji asaj te Berishes ne opozite. Me dy fjale: Une nuk mund te iki nga kreu i partise sepse une nuk humba, zgjedhjet ishin te manipuluara.
Kjo u duk qarte dhe ne emisionin e fundit televiziv ku pyetjes nese do largohet nga politika nese PS humb zgjedhjet Rama iu pergjigj me PS nuk i humb zgjedhjet. smiley
Qendrimi i P. Xhufit me dhenien e votave me kushte per programin e qeverise por pa pjesemarrje ne qeveri do ishte shume me e ndershme nga ana e LSI.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).