Cfare mendoni per keto dy artikuj?

Sot ne BW pati dy artikuj qe me pelqyen shume dhe me bene te mendoj se Shqiperai mund te behet nje dite. Njreit kane filluar te kuptojne felliqesiren e politkes shqiptare ( Shto ketu edhe Një propozim fantastik)

I pari eshte Persekutim’ indinjues nga  Ilir Dhima ,

Ende pa u shpallur lista emërore e kabinetit të ri qeveritar që do të drejtohet, pas dekretimit të Presidentit
të Republikës, prej kryeministrit të mëparshëm, zoti Sali Berisha, përshtypje të madhe bëri përmbajtja e një letre të hapur në adresë të këtij të fundit, e nënshkruar nga një grup gazetarësh - analistë, ku bëhet thirrje për largimin e Fatmir Mediut nga qeveria, sepse “prania e tij paraqet një problem të rëndë moral dhe politik”.
Të jetë vallë ky qëndrim një shembull i drejtësisë humane, apo një provë e trishtueshme e prirjes konformiste për t’u marrë me vetëm një pjesë, për ta veçuar atë nga një e tërë e kriminalizuar?! Apo kemi të bëjmë këtu thjesht me një shtirje në dukje e përkorë, por në thelb e yshtur pas krahëve nga qejfmbetje brenda rrethit të ngushtë partiak dhe miqësor të Mediut, i cili pati meritën që nuk la dy gurë bashkë për t’u rizgjedhur deputet dhe, gjithaq, për t’i zënë vendin në qeveri të bijës së atij që dikur e promovoi nga hiçi këtë gjoja politikan, këtë demek ministër?
Sidoqoftë, e sigurt është që kjo letër nuk mund të ketë asnjë efekt për qëllimin që u shkruajt dhe nuk i nderon fort autorët e saj që kërkojnë të ‘persekutojnë’ të gjorin Mediu. Sepse, fundja - fundjes, çfarë edukate ka marrë ky mesoburrë që nga fëmijëria?! Nga ta dinte ai, për shembull, që s’është mirë të shfrytëzosh postin e ministrit për të hedhur në erë një Gërdec të tërë, për të vërvitur në varr dhjetëra jetë njerëzish dhe për të gozhduar në jatak qindra të tjera?! Pra, përpara se t’i sulen këtij me vrik disa gazetarë – analistë, le t’i jepet të paktën mundësia që të mbrohet, domethënë të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes, meqë figuron dhe si i pandehur në një nga proceset e pritshme gjyqësore më të bujshme.
***
Ky Fatmir Mediu, që kur nisën proceset demokratizuese në fillim të dhjetëvjeçarit të kaluar u turr me vrap në krah të atij që kishte mbetur, Sabri Godos, duke thënë andej – këndej se është edhe ai dikushi. Dhe, për ta bërë këtë pohim sa më të besueshëm, më të udhës e pa që të vishej kurdoherë shik. Pa nisi të mësojë edhe pak anglisht, saqë tani, kur gjendet në krah të të huajve gëzohet si foshnje kur përpiqet të komunikojë me ta ndërkombëtarisht. E pra, ç’të keqe ka këtu?! Njeriu s’ka pse të mbetet gjithnjë i vobektë. Së paku nga pamja dhe, sidomos, në një vend ku pordha pret më shumë se kordha.
Dhe erdhi një kohë, kur ‘plaku’ Godo e kuptoi që i ishin shterur fuqitë dhe i kishin rënë djallëzitë, sepse sistemi i ri me emërtesë ‘demokratike’ kish nxjerrë në pah të tjera figura, që ndonëse më të rinj patën kohë që t’i shërbenin edhe më me zell se ai vet regjimit të mëparshëm. Kështu që s’mund t’i vihet faj Mediut që e la bamirësin e tij të gërmuqej te oxhaku dhe ndërkohë të merrte në dorë frenat e partisë. Prandaj, kur Partia Demokratike dhe lideri makiavelist i saj u rikthyen në pushtet, natyrisht që atij i takonte të rrinte në krah të Berishës, edhe në mitingje, edhe në qeveri. Të rrinte dhe të mësonte më mirë jo si funksionon shteti, por se si mund të milet pushteti. Paçka se ç’thotë e ç’pëson mileti.
Përpara tij, një tjetër ministër, Lulëzim Basha bëri kërdinë me tendera dhe prokurime publike, për hir të ndërtimit ‘me tone patriotike’ të një rruge. Një bilanc fantastik, që tejkalon edhe koston e qindra jetëve njerëzore. Hiç mos gjë, por së paku nja 260 milionë euro. Kur për përvetësim dhe shpërdorim të 100 milionë dollarëve amerikanë secili, dy ish-presidentë të dy vendeve edhe më të mëdhenj, ndoshta edhe më të pasur se ky yni, dihet botërisht që janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërsa këtë Lulin buzagaz, pas shpërthimit të skandalit, kryeministri ynë e afroi më në krah të tij, që të drejtonte Punët e Jashtme të Shqipërisë, t’u servilepsej të huajve dhe të gënjente shqiptarët për liberalizimin e vizave.
E po, ish-ministri Mediu tha që do të futej Shqipëria në NATO dhe e bëri realitet këtë me ushtarë të zbathur. Tha që pagat e ushtarakëve tanë do të njësoheshin me ato të forcave të Aleancës dhe i uli edhe më tej ato. Tha që me këtë rast siguria do të ishte më e lartë dhe e tronditi rëndë atë. Pa tha edhe që shteti i së drejtës do të vihej mbi binarët e vendeve euroatlantike dhe i shkuli fare ato. Sigurisht, jo i vetëm. Me shokë bashkë, me kryeministër bashkë dhe tok me familjarë të tij.
***
Le të shkruajnë tani disa gazetarë – analistë, se “qëndrimi jashtë kabinetit ministror të tij është minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë, se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti”. Çfarë lidhje ka kjo me Fatmir Mediun?! Ai u ‘zgjodh’ dhe u mandatua si deputet i Kuvendit të ri të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Batërdinë e organizimit dhe të numërimit të votave të këtyre zgjedhjeve nuk e bëri vetëm ai. Fundja, ku mund ta gjente këtë forcë dhe t’i mësonte këto marifete, po të mos qëndronte në krah të Sali Berishës dhe ky të mburrej që kishte një aleate besnike si Partia Republikane?!
Me këtë ‘sukses’ të arritur nuk ka se si të mos shpjegohet dhe të legalizohet futja e tij në kabinetin qeveritar, në atë kabinet ku do të marrë pjesë edhe Lul Basha më i buzëqeshur se kurrë, edhe Meta, që mbushi dy grushte votash dhe i zbrazi te Berisha, edhe Prifti që kur para ca vitesh iu hap një dosje penale, u mishërua nga lideri i opozitës së atëhershme dhe në vend të tij u sakrifikua Prokurori i Përgjithshëm, edhe...
Të gjithë këta, tek e mbramja, deputetë u bënë. Ca me hir, ca me pahir. Dhe, kështu, të gjithë bashkë sajuan një maxhorancë parlamentare. Vërtet paksa të brishtë, por të zonjën ama për të kullandrisur një qeveri. Pse, kot u bënë tërë ato harxhime në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës elektorale, sa që tani buxheti i shtetit është katandisur kokoshi një thelë?! Që të rrinin në opozitë dhe të çirrnin fytin për korrupsion dhe krim të organizuar në adresë të të tjerëve?!
Jo, mor, jo! Le të akuzohen vetë për këto vepra të rënda penale. Rëndësi ka që populli të ‘ushqehet’ me dokrrat e integrimit të shpejtë në Europë, që njerëzit të mbahen gjallë nga shpresa, që gjithmonë mbetet e afërt, për të lëvizur dhe fjetur lirisht nën urat e metropoleve kontinentale, që rrogat e pensionet të rriten cazë, pavarësisht progresionit gjeometrik të rritjes së çmimeve etj, etj.
E po, kur gazetarët – analistë përmendin edhe procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, mos vallë kanë parasysh imunitetin parlamentar të Mediut? Jo, vërtet që ky tashmë mbetet i hequr, pavarësisht mandatit të ri që mundi të gllabërojë edhe Mediu. Me shokë bashkë, me kryeministër bashkë. Por, çfarë pune i prish kjo rrethanë që të kryejë detyrën e Ministrit?! Sidomos atë të Mjedisit, për të cilën ka grumbulluar tashmë një përvojë të vyer me Gërdecin. Se, që ta dinë këta gazetarët - analistë, edhe Lul buzagazi nuk ka më imunitet, por kjo nuk e pengon të ulet në tryezën ovale përsëri më pranë kryeministrit se të tjerë, si edhe Meta.
Dale, mund të ngrihet Mediu në Kuvend, mund të ngrihet edhe Lul Basha dhe të kërkojnë shuarjen e masës së heqjes së imunitetit parlamentar të tyre. Se, Kuvendi i ri është sovran dhe mund të vendosë vetë për një gjë të tillë. Pavarësisht se çështjet penale në ngarkim të tyre janë në gjyq. Por nuk e bëjnë këtë jo, as Mediu, as Basha, as edhe kolegët e tyre deputetë. Se, ku do të venë pastaj përbetimet demagogjike të tyre dhe të shefit Berisha për një maxhorancë dhe qeverisje antikorrupsion?! Si mund të tentohet që të mashtrohet Brukseli për thellim të reformave në këtë fushë?!
***
Le të shkruajnë gazetarët – analistë për Gërdecin, le të thonë ata, se “Duke mbajtur jashtë kabinetit zotin Mediu, përtej përfaqësimit të tij politik apo mandatit që i ka dhënë partia e vet për ta përfaqësuar në qeveri, kryeministri Sali Berisha do të demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t’i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata”! A kanë vend ku të rrinë këto llafe?! Po pse, ky është rasti i vetëm që Berisha, të tjera thotë e të tjera bën?!
Ja, edhe tani, nuk u impresionua dhe as nuk u ndikua nga këto broçkulla, por burrërisht e nisi pa një pa dy listën emërore të kabinetit të tij të ardhshëm drejt Presidencës. Që do të thotë se, një firmë e lëshuar prej Kryetarit të Shtetit dhe konstituohet Këshilli i Ministrave! Le të shkruajnë çfarë të duan këta gazetarët – analistë, madje edhe ca si ambasadorja e ODIHR – it, Glouver, në atë Raportin e saj përfundimtar për zgjedhjet parlamentare shqiptare të 28 qershorit të vitit 2009! Vendi pret të drejtohet dhe drejtësia të imponohet, s’ka kohë për të humbur.
Prandaj, kjo letër e tyre nuk përbën veçse një ‘persekutim’ që kërkohet dashakeqësisht t’i bëhet Mediut, një ‘persekutim’ që indinjon të madh e të vogël, të cilët e dinë tani fare mirë se, po nuk u hapën kutitë e votimit, po nuk u pastruan ‘hauret e Avgjisë’, domethënë bodrumet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që mbajnë të strukura ato kuti, edhe plot Fatmirë të tjerë ndërmjet shqiptarëve fatkeq do ta udhëheqin këtë vend për qejf të vet. Jo vetëm për sot, por edhe për nesër. Edhe deri më 2021 – shin
!

tjetri

Qypi nga Alba Malltezi 

Të habitesh e të thuash sot, pak orë para formimit të qeverisë së re: Jashtë Mediu nga Qeveria, është si të thuash: jashtë peshqit nga deti! Jashtë kafshët nga pylli! Jashtë yjet nga qielli! Jashtë derrat nga lluci! Kreu i partisë Republikane është në Qeverinë e re Berisha në habitatin e tij natyral. Habitat i krijuar me komoditet nga çka ne të gjithë kemi bërë dhe s’kemi bërë. Puna jonë matet fare thjeshtë: me triumfin e ilegalitetit në vendin tonë, me brishtësinë e drejtësisë, paaftësinë e prokurorisë, mendjelehtësinë e opozitës. Nëse në të vërtetë duam të dimë sot se ç’shtet të së drejtës kemi krijuar ne shqiptarët, le të fotografojmë këtë qeveri. Le ta printojmë e ta varim në muret e zyrave ku përditë punojmë dhe kontribuojmë për shoqërinë. Dhe padyshim, ky është një rezultat që na ka për protagonistë të gjithë. Eshtë rezultati i punës që kemi bërë dhe s’kemi bërë të gjithë në këto vite. Tani le të shohim si spektatorë. Jemi në rolin e atij artizanit që ka bërë një qyp balte dhe në distancë kundron punën e tij. Nuk i pelqen ai qyp? Duhet të përveshë mëngët. Të shtojë a të heqë baltë dhe ta rimodelojë. Ky është problemi. A kemi vendosur të përveshim mëngët seriozisht?

1 Komente

Toko i lexova te tre dhe ve re se jane goxha plotesues te njeri-tjetrit. Nga fryma me te cilin jane shkruar ngjan sikur eshte ne krijim nje mase kritike kunder amoralitetit ne politike dhe qeverisje, por ne fakt cfare shoh ne realitet nuk me jep te njejten ndjesi.

Personalisht besoj se 'morali' ne politike krijohet nga institucionet, zbatimi i ligjit, krijimi i precedenteve me dheniet e denimeve dhe ky moralitet ka nje forme, permbajtje, ka kufinj, ka fillim e mbarim. Persa kohe ky moral nuk egziston pasi nuk zbatohet se Mediu eshte prape minister, atehere nuk mund te ndodhe qe 'morali' popullor, kulturor, 'morali i popullit te majte' te influencoje te parin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).