Prezantimi i programit të qeverisë në kuvend

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvend, për prezantimin e programit të qeverisë

Të nderuar deputete dhe deputetë,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja dhe Zotërinj,

Miq dhe të ftuar,

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

Para së gjithash, dëshëroj t’ju përshëndes ju, të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, t’ju uroj suksese në misionin tuaj fisnik të ndërtimit të infrastrukturës ligjore të Shqipërisë Europiane, të përshëndes me mirënjohje të thellë dhe respekt të madh zgjedhësit tuaj dhe të gjithë zgjedhësit shqiptarë, që me votën e tyre i dhanë parlamentit te vendit përfaqësuesit e vet të shkëlqyer, në lartësinë e integritetit, dinjitetit, aftësive që meriton.

Por, unë gjithashtu, dua nga ky tempull të përulem me nderim të madh, para të gjithë qytetarëve shqiptarë që me 28 Qershor, u ftuan nga pozita dhe opzita të votojnë ndryshimin dhe ato, midis ndryshimit të pushtetit dhe ndryshimit të Shqipërisë, votuan për mazhorancën dhe vazhdimin e ndryshimit të Shqipërisë, vendosën besimin e tyre mbi projektin e Shqipërisë që po ndryshon, projektin e Shqipërisë Europiane, si projektin më të mirë për realizimin e ëndrrës së tyre të bukur – Shqipëria si Europa, ëndrrës së integrimit në Bashkimin Europian.

Unë dua të garantoj ata se kryefjala e kësaj qeverie dhe këtij programi, do të jetë ndryshimi që ata mirëpresin dhe për të cilin ata votuan.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria erdhi në zgjedhjet e 28 Qershorit si vendi problematic me zgjedhjet e lira. Kështu që, më 28 Qershor, në Shqipëri nuk ishim në provë vetëm ne, partitë, liderët, programet e tyre. Jo. Para së gjithash, në provë ishte liria e shqiptarëve, demokracia e tyre, ishte qëndrimi ynë ndaj lirisë, ishte dinjiteti ynë qytetar dhe dinjiteti kombëtar.

Katër vjet më parë, jam betuar në këtë sallë se, qeveria ime do të bëjë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.

Sot, pas katër vjetësh, shpreh kënaqësinë se :

më 28 Qershor, në Shqipëri, vendin anëtar të NATO-s, fitoi liria, demokracia, mbi trysninë, mashtrimin, fallsifikimin, manipulimin, dhe ashtu sic do të deklaronte miku i madh i kombit shqiptar, Presidenti Sarkozi, se këto zgjedhje ishin fitore e demokracisë.

“Zgjedhjet në Shqipëri, do të deklaronte zëdhënësi i OSBE/ODHIR, plotësuan angazhimet kryesore të OSBE” dhe se “vlerësimi i përgjithshëm për këto zgjedhje është pozitiv”.

Zgjedhjet e 28 Qershorit nuk ishin të përsosura, por ato hynë në historinë e lirisë dhe të demokracisë së këtij vendi, si zgjedhjet e para në të cilat opozita zgjodhi sistemin zgjedhor, si zgjedhjet që u realizuan me teknologjinë dixhitale më të lart, dhe në të cilat vota e çdo shqiptari u numërua, fotografua dhe filmua dhe çdo mandat i deputetëve të këtij Kuvendi u votua me unanimitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto ishin zgjedhjet, për të cilat arbitri ndërkombëtarë u shpreh gjithashtu se “nuk pati prova për parregullsi në numërimin e votave, as dhe manipulim të rezultateve”.

Një mirënjohje të thellë dua t’ju shpreh vëzhguesve të OSBE/ODHIR, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe NATO-s, vendeve mike që i dërguan ato në Shqipëri dhe t’i siguroj se vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, dhe reforma zgjedhore, do të jenë përparësi e programit të qeverisë sonë dhe se, në projektin e Shqipërisë Europiane ato përbëjnë një përparësi madhore.

Ftoj opozitën shqiptare të zerë vendet në parlament dhe e garantoj atë se, do të ketë rol të rëndësishëm në reformat për integrimin e vendit, se do të ketë zë kryesor në reformën zgjedhore. Le të trajtojmë së bashku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, për të përsosur më tej procesin zgjedhor.

Por, zgjedhjet e 28 Qershorit janë historike sepse, në këto zgjedhje sovrani, me votën e tij të lirë, përcaktoi zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit, aleancën integruese të Shqipërisë në BE, Parti Demokratike – Lëvizja Socialiste për Integrim, aleancë kjo që do të shndërrojë në realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. Duke përshëndetur përzemërsisht, me këtë rast, votuesit e LSI, dua t’i siguroj se në programin e kësaj qeverie, do të kenë të mishëruar tërësisht programin për të cilin ata votuan

 

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Ky mandat nis, pasi ne, me reforma të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm të shndërrojmë në realitet ëndrrën e madhe euro-atlantiste të kombit tonë, të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO; firmosim dhe ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe të paraqesim kërkesën për vend anëtar të BE dhe heqjen e vizave me BE.

Ne nisim këtë mandat, pas një lufte të suksesshme të krimit dhe korrupsionit, reformave të thella ekonomike, privatizimeve të mëdha, rritjes së shpejtë ekonomike, revolucionit të thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimit të të ardhurave, rritjes me 68% të rrogës mesatare, dyfishimit të rrogave dhe pensioneve të ulta, dhe pasi Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më tërheqëse në rajon për investimet e huaja.

Nisim mandatin e dytë, ndërkohë që ekonomia shqiptare i rezistoi më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera, krizës së rëndë ekonomike dhe financiare botërore.

Nisim mandatin e ri në një kohë kur, vendi është bërë një nga drejtimet turistike më të kërkuara në rajon.

Pra, rrethanat në të cilin nisim qeverisjen e re, janë jo katër, por tetë herë më të favorshme se katër vite më parë, por projekti që duhet të zbatohet në katër vitet që vijnë është shumë më kompleks, më i vështirë se sa ato që kemi realizuar gjer sot.

Shqipëria Europiane – nuk është një bulevard i shtruar për ne, por projekti më madhor, më ambicioz, më kompleks dhe më i vështirë që Shqipëria ka ndërmarrë në tërë historinë e saj dhe që duhet të bazohet kryekëput në performancën tonë, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Shqipëria Europiane – është një ëndërr e bukur kombëtare e shqiptarëve që në rilindjen e tyre, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ligjesh, vendimesh, veprash dhe ndryshimesh me të cilat ne duhet t’ju garantojmë qytetarëve shqiptarë të drejtat, standartet, normat, praktikën e qytetarëve të vendeve të zhvilluara europiane.

Zonja dhe Zotërinj,

Liria është dhe mbetet pasioni ynë. Liria dhe vlerat e saj janë themelet e Shqipërisë Europiane.

Shqipëria Europiane, është para së gjithash, vendi i lirive dhe të drejtave të garantuara, i shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike dhe të pavarura, pra vendi i demokracisë funksionale.

Liritë dhe të drejtat e individit dhe minoriteveve do të njohin, gjatë këtij mandati, respektim dhe zgjerim më të madh.

Minoritete, që sot janë të perfaqësuara më mirë se më parë në këtë parlament,  do të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e garantuara nga dokumenta ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria.

Një vëmëndje të përqëndruar Qeveria do të dëshmojë për komunitetin Romë – Egjiptian.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Dekadën e Romëve dhe Egjiptianëve, dëshmon angazhimin tonë për fokusimin më të madh në strehimin, punësimin, shkollimin e tyre.

Respektimi i plotë i lirisë së mendimit, mediave, është qëndrimi ynë. Shqipëria Europiane do të jetë vendi i standarteve unike në Europë, ku nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë padi penale apo civile ndaj gazetarëve, çfarëdo që ato të shkruajnë për punonjësit dhe zyrtarët e administratës.

Shqipëria Europiane është vendi i tolerancës së shkëlqyer fetare. Ky parlament, së shpejti, do të ratifikojë marrëveshjen e qeverisë me komunitetet e mëdha fetare. Ligji për financimin e tyre do të zbatohet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet në kuadrin e Aleancës së Qytetërimeve dhe nismave të tjera që, të përhapim gjithnjë e më shumë në Europë dhe më gjerë, mesazhin e tolerancës fetare, shpirtit tonë të madh kombëtar.

Reforma institucionale është një objektiv tjetër madhor i programit të Qeverisë së Integrimit Europian.

Respektimi dhe konsolidimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësisë së sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, përmirësimi rrënjësor i kushteve të veprimtarisë së këtij sistemi, transparenca e vendimeve gjyqësore, ekzekutimi me vendosmëri i vendimeve të gjykatave, përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, transparenca e sistemit të emërimeve dhe kontrollit të gjykatësve, do të jenë objektivat kryesore të punës sonë.

Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria para ligjit, dhe lufta kundër korrupsionit do jenë përparësitë tona;

Ne angazhohemi për një rishqyrtim tërësor të legjislacionit të vendit, kodeve, ligjeve dhe procedurave ligjore, për t’i përshtatur ato me standartet europiane.

Refroma do të vazhdojë me vendosmëri në sistemin e vuajtjes së dënimit, për arritjen e standarteve europiane.

Po kështu, do të konoslidohet sistemi i përmabrimit shtetëror dhe privat, me qëllim zbatimin e vendimeve të gjykatave, të arrijë në mesataren e vendeve anëtare të BE-së.

Reforma institucionale do të vazhdojë në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim përmirësimin e funksionit të tyre. Reformës do t’i nënshtrohet Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar, Entet Rregullatore, Agjensitë që merren me reformën e pronësisë, në mënyrë që ato të përmbushin misionin e tyre të ardhshëm për Shqipërinë Europiane.

Reformave të thella do t’i nënshtrohen arsimi, shndetësia, diplomacia shqiptare.

Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë – do të jetë zotimi ynë solemn para qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst ne, zotohemi të zvogëlojmë më tej, edhe me 10 %, administratën publike të Shqipërisë, të instalojmë brenda vitit 2010 e-government, çka do të rrisë transparencën e qeverisjes dhe përmirësojë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve.

Statusi i Nëpunësit Civil do të konsolidohet dhe zgjerohet. Për trajnimin dhe kualifikimin e administratës publike, Qeveria do të konsiderojë ngritjen e Universitetit të Administrimit Publik.

Zonja dhe Zotërinj deputetë,

Shqipëria Europiane, ndërtimi i saj, ka si kusht të të gjitha kushteve, luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit, këtij kanceri që përbën mater matriks të të gjitha të këqijave, në një vend të lirë.

Në katër vite, qeveria e duarve të pastërta shembi sistemin e kleptokracisë, me reforma të thella dhe të gjithanshme. Shqipëria u shkëput nga 24 vëndet më të korruptuara të planetit dhe la mbrapa 95 vende,  zuri vendin e parë në rajon dhe u rendit ndër 10 vendet më të mira në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit, ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin.

Por, stadi në të cilën ndodhemi, kërkon nga ne që fituam një betejë kundër tij, të vazhdojmë çdo orë, çdo ditë, luftën me zero tolerancë ndaj tij.

Në këtë kontekst, Qeveria e Integrimit Europian, sërisht luftën kundër korrupsionit do ta bazojë në reformat e gjithanshme dhe penalizime të vendosura të zyrtarëve të korruptuar. Objektivi ynë do të jetë rendja drejt grupit të 20 vendeve të para me korrupsion më të ulët, objektiv që sigurisht, nuk mund të përmbushet me një mandat, por do të jetë frymëzues dhe jetik për vendin tonë.

Për susksesin e luftës kundër korrupsionit ne, zotohemi për qeveri të vogël, eficiente dhe në dietë.

Shkurtimi me 25% të shpenzimeve operative.

Prandaj dhe në kuadrin e zvogëlimit të shpenzimeve, abuzimeve, muajin e parë të këtij parlamenti, ne do të sjellim për miratim ligjin për heqjen e disa privilegjeve të pamerituara të administratës dhe institucioneve shtetërore.

Vetëm me këtë ligj, kursehen mbi 35 milionë dollar në vit në rrafshin financiar, por dhjetra herë më shumë fitohet në rrafshin etiko-moral të qeverisjes, duke shkëputur administratën e sistemit demokratik nga trashëgimia e nomenklaturës së vjetër komuniste.

Shërbimet on-line, regjistrim biznesi on-line, taksa dhe bilance on-line, si dhe dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve shtetërore, janë rrugët efikase për luftën kundër korrupsionit.

Shqipëria sot, është vendi i vetëm në botë me prokurime elektronike 100%, por përsosja e këtij sistemi, si dhe shtrirja e tij edhe për blerjet e vogla dhe ankandet, mbetetn objektiva madhore të këtij mandati.

Konsolidimi i heqjes së 2/3 të lejeve dhe licensave, krijimi i One Stop Shop për lejet dhe licensat e mbetura dhe One Stop Shop për energjinë, si dhe ngritja e tij për minierat, janë reforma efikase kundër korrupsionit.

Vendosja e parimit heshtja është pranim në lejet e ndërtimit, por edhe në lejet dhe licensat e tjera, përbën kushte sine qua none për të prerë me gërshërët e ligjit dorën e zezë të ryshfetit.

Privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve publike dhe shitja e aksioneve të shtetit, si dhe dhënia me koncension i shërbimeve publike, përfshirë këtu ato të pronave dhe regjistrimit të pasurive.

Antifragmentarizimi i buxhetit, kontrolli rigororz i shpenzimeve do të jenë objektiva të tjera madhore në luftër kundër korrupsionit.

Ligji për transparencën e plotë të financimeve të partive politike

Heqja e imunitetit për ministrant dhe deputetët e kësaj mazhorance, në çdo rast që do të kërkojnë organi i akuzës apo gjykatat.

Amendimi i ligjit të ILIP dhe krijimi i të gjitha mundësive për hetim të plotë nga ky institucion.

Konsolidimi i zbatimit të ligjit të denoncuesve të korrupsionit, si dhe

Reformimi dhe konsolidimi i të gjitha institucioneve të kontrollit, si dhe taskforcës së luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në gjashtë qarqet kryesore të vendit.

Ndëshkim ligjor për të gjithë zyrtarët e korruptuar. Kjo është platforma jonë, ne do të fitojmë luftën kundër tij.

Zonja dhe Zotërinj,

Qeveria e Integrimit Europian, si një ndër përparësitë më madhore të saj, do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë.

Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, solli si rezultat çmontimin e mbi 206 grupeve dhe organizatave kriminale, rënien e treguesve të kriminalitetit ndën mesataren e vendeve anëtare të BE, rënien e ndjeshme të trafiqeve kriminale, trafikut të njerëzve, drogës, etj.

Në katër vitet që vijnë, kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulta të kriminalitetit në rajon dhe Europë. Kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve, janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv. Shqipëria do të mbajë në fuqi moratorumin për skafet. Lufta kundër trafikut të qënieve njerezore do të përbëjë një ndër përparësitë më madhore në kuadrin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar.

Policia shqiptare do të pajiset me mjetet më modern për luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.

Legjislacioni ynë do të përshtatet për një luftë më efikase kundër krimit ekonomik dhe pasurive të tij, larjes së parave, hetimit të pasurive të fshehura.

Reformës së thellë në funksion të kësaj lufte dhe parandalimit të krimit, do t’i nënshtrohen të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit: Policia, sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, bashkëpunimi i saj me komunitetin, Prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, si dhe Agjensitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria Europiane ka si kusht themelor ekonominë funksionale të tregut të lirë, kompetitivitetin e saj, rritjen e shpejtë ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të vendit.

Asgjë nuk përcakton më shumë dhe më qartë ritmet e integrimit të vendit tone në BE, se sa rritja e shpejtë ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm, i pandërprerë i tij.

Por, kam kënaqësinë të theksoj se, pas shembjes së murit të krimit dhe korrupsionit, suksesi i reformave ekonomike dhe fiskale, janë dhe ndër arritjet më madhore të katër viteve që shkuan.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por solide, dinamike dhe në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm të vendosim Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Shqipëria sot është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë, vendi në të cilin binzesi regjistrohet në One Sto Shop dhe me të cilin janë hequr dy të tretat e lejeve dhe licensave, është krijuar One Stop Shop për lejet dhe licensat që kanë mbetur, si dhe One Stop Shop për energjinë. Ekonomia shqiptare, megjithë krizën e thellë botërore, ruan këtë vit rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Sipas bankës së Shqipërisë, vetëm këtë gjashtë mujor, investimet e huaja kanë një rritje prej 59%, krahasuar me vitin e kaluar.

Por, ndërtimi i Shqiëprisë Europiane kërkon që ekonomia shqiptare të vrapojë, si kushtin më kryesor për të garantuar për qytetarët shqiptarë, mirëqënien, punësimin, shërbimet që gëzojnë qytretarët e vendeve anëtare të BE.

Objektivat më madhore të qeverisë së Integrimit Europian janë: konsolidimi i rritjes së shpejtë ekonomike, rritja e kompetitivitetit të ekonomisë sonë, Shqipëria lider në rajon për thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Për të garantuar kompetitivitetin më të lartë, do të ndërmerren reformat ë thella administrative, fiskale dhe gjyqësore.

Reformës së thellë do t’i nënshtrohet sistemi i të gjitha inspektoriateve të vendit, me objektivin e rritjes së eficencës dhe zvogëlimit të barrës së tyre mbi bizneset.

-          Regjistrimi i biznesit, pagesa e taksave dhe bilancet do të jenë on line.

-          Do konsolidohen One Stop Shop për licensat dhe lejet edhe për energjetikën dhe do të ndërtohet One Stop Shop për minierat.

-          Do të ridimensionet partneriteti public privat, në të gjitha fushat e ekonomisë, si levë kryesore për thithjen e investimeve private dhe zhvillimin e vendit.

-          Diplomacia shqiptare do të shdnërrohet në një promovuese e fuqishme e potencialeve të Shqipërisë për investimet e huaja dhe bashkëpunimin e ekonomik ndërkombëtar të vendit.

-          Do reformohet tërësisht Agjensia e Investimeve të Huaja.

-          Do të krijohen gjashtë parqet industrial, të cilat do të shndërrohen në gjeneratorë të fuqishëm prodhimi dhe punësimi.

-          Sistemi i minierave të vendit do të riaktivizohet mbi bazën e standarteve më të mira të shfrytëzimit, transparencën financiare, mbrojtjes së mjedisit dhe bashkëpunimit me komunitetin.

-          Në të gjitha lejet dhe licensat do të vendoset parimi heshtja është miratim.

Revolucioni industrial i vendit do të jetë një nga tiparet kardinale të katër vjeçarit që vjen. Energjia dhe turizmi, do të jenë shtylla kryesore të zhvillimit të ekonomisë.

Revolucioni fiskal dhe reformat e financave publike do të vazhdojë pandërerë. Reduktimi i mëtejshme i barrës fiskale, si heqja e TVSH për mallrat dhe shërbimet në arsim dhe shëndetësi, reduktimi i taksave mbi dividentin, reformimi tërësisht i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.

Hartimi, zbatimi, kontrolli i buxhetit të shtetit do të reformohet thellësisht.

-          Do të krijohet fondi i zhvillimit të rajoneve, duke shumëfishuar buxhetin qendror për qeveritë vendore, si dhe hua-marrjet e tyre.

-          Do të aplikohen stimuj fiskalë për punësim.

-          Reformë ligjore institucionale dhe modernizmi i mëtejshëm i sistemit të tatimeve dhe doganave, taksa, bilance on line, skaner dhe kontroll imazhor në të gjitha doganat kryesore të vendit.

-          Rimbursim i TVSH brenda 30 ditëve dhe aplikimi i aprimit heshtja është miratim.

-          Modernizim i menaxhimit të borxhit publik.

 
Objektivi ynë madhor për katër vitet që vijnë është që në Shqipëri, në parqe industriale, në parqe energjetike, porte, veçanërisht në Portin e ri të Vlorës, autostrada e aeroporte, hidrocentrale dhe vepra të tjera të investitohen rreth 12 miliard Euro. Disa miliarda Euro do të investohen në rreth 150 hidrocentrale, që do të ndërtohen apo do të nisin ndërtimet në rrethet e Elbasanit, peshkopisë, Gjirkoastrës, Mirditës, Tiranës, Gramshit, Shkodrës, Kukësit, Tropojës. Miliarda të tjera do të investohen në Vlorë, Durrës, Tiranë, Shëngjin, Fier, Elbasan, Korçë në porte, vepra energjetike dhe parqe industrial. Në këto vepra do të punësohen i rreth 160 mijë punonjësve.

Të nderuar deputetë,

Shqipëria superfuqi e vogël energjetike në rajon – është objektiv tjetër madhor i yni. Prandaj dhe Qeveria e Integrimit Europian, do të bëjë çdo përpjekje, do të shfrytëzojë të gjitha burimet energjetike, nga ato eolike, ujore, tek nafta, qymyret dhe burimet nukleare që ky vend, me një pozicion strategjik gjeografik, të shndërrohet, duke ruajtur standartet më të larta mjedisore, në një vend kryesor prodhimi dhe eksporti energjie në rajon.

Deri tani janë licensuar rreth katër mije megavat hidrocentrale, termocentrale me biomas dhe eolike, që kapin një investim prej rreth 5 miliard Euro, ndër të cilat do të veçoja kaskadën e Devollit, projektin më të madh energjetik ujor në Europë, por janë gati për t’u paraqitur në treg Kaskada të Vjosës, Osumit, Shkumbinit, Matit, Skavicës, degëve të Drinit dhe parqe të mëdha eolike të Lezhës, Karaburunit, parqet energjitike të Porto Romanos, Lezhës, etj.

Ne do të reformojmë kuadrin ligjor dhe do të përcaktojmë stimujt për ndërtimin e qindra në mos mijëra, hidrocentraleve të vogla, për të cilat shteti duhet të marrë përsipër lidhjen e tyre me sistemin energjetik të vendit.

Shfrytëzimi i qymyreve të vendit apo të importit, duke ruajtur standartet më të larta mjedisore, do të jetë një drejtim tjetër i programit të qeverisë shqiptare. Termocentralet me qymyr po ndërtohen sot në mbarë Europën.

Shqipëria superfuqi energjetike në rajon, parakupton një infrastrukturë të re transmetimi dhe lidhjeve energjitike me rajonin. Në këtë kontekst, pas përfundimit të linjës Elbasan-Podgoricë, do të fillojë dhe pëfundojë, brenda këtij mandati, linja Tiranë-Prishtinë, Elbasan-Shkup, si dhe linja nënujore Shqipëri-Itali.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria Europiane nuk mund të ketë fytyrë tjetër, përveçse fytyrës së njerëzishme sociale, nuk mund të ketë zemër tjetër përveçse zemrës së dhimbsur, pra vendi i solidaritet të madh njerëzor.

Në të vërtetë sot, Shqipëri që po ndryshon është më njerëzore, më sociale se kurrë në historinë e saj. Por, sërisht ajo është larg objektivit tonë të kohezionit dhe solidaritetit më të lartë njerëzor, shoqëror dhe kombëtar, vendit dhe shoqërisë në të cilin as dhe një qytetar nuk duhet të ndjehet i përjashtuar.

Në katër vite ne ia dolëm të rrisim nga 50-100% buxhetin e 860 mijë familjeve shqiptare të punësuar në administratë, pensionsitë apo qytetarë me ndihmë ekonomike, të punësojmë rreth 80 mijë vetë, të nxjerrim nga varfëria rreth 400 mijë qytetarë shqiptarë. Rënie prej 70% pësoi varfëria ekstreme apo mjerimi, sipas një studimi të Bankës Botërore. Por, megjithë këto arritje, Shqipëria sërish ka një varfëri prej 12.1% të popullatës së saj dhe akoma më rëndë, ajo ka një varfëri ekstreme prej 1.34% të popullatës së saj, pra janë mijëra familje që ende qajnë me lotët e ftohta të mjerimit. Shqipëria ka hartën e varfërisë dhe mjerimit që shtrihet nga Buz i Tepelenës, Frashëri i Përmetit dhe gjer në Dukagjin. Në këto rajone, mijëra familje përballen me egërsinë e tregut dhe dhimbjet e mjerimit. Qeveria ime është e vendosur të veprojë në mënyrën më efikase, më energjike për të nxjerrë nga mjerimi çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare.

Qeveria e Integrimit Europian është e vendosur të konsolidojë në Shqipëri standartet europiane të shtetit social.

Ne angazhohemi se, duke ruajtur standartet më liberale të ekonomisë së tregut, do të thellojmë gjithnjë e më shumë frymën sociale të qeverisjes sonë, luftën e pamëshirë kundër njërit prej dy armiqve më kryesorë të njerëzve të lirë – varfërisë, do zgjerojmë, konsolidojmë dhe përsosim më tej sistemin e mbrojtjes sociale, do realizojmë një rishpërndarje gjithnjë e më të mirë dhe më të ndershme të të ardhurave dhe do të bëjmë çdo përpjekje që ne Shqipëri, qoftë dhe një qytetar i vetëm, të mos ndjehet i braktisur nga shoqëria shqiptare.

Lufta kundër varfërisë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, do të përbëjë përparësinë madhore për qeverinë tonë.

-          Të gjitha investimet private në këto zona, do të kenë lehtësime të ndjeshme fiskale.

-          Me një skemë të veçantë financimesh me grante, do të nxiten të gjitha potencialet lokale bujqësore, blegtorale, turistike të këtyre zonave.

-          Brenda viti 2011 do të përfundojë masterplani i zhvillimit të turizmit të zonave malore, si dhe brenda këtij mandati, zonat malore të Shqipërisë, nga Vermoshi në Gjirokastër, do të kenë infrastrukturën rrugore modern, të gatshme për investime të gjera turistike.

Në funksion të luftës kundër varfërisë, Qeveria do të përshtasë të gjithë sistemin arsimor. Ne, do të dyfishojmë numrin e studentëve dhe nxënësve nga këto zona, në shkollat e mesme dhe profesionale dhe universitetet e vendit.

Reformë të thellë do të njohë ndihma ekonomike, e cila do të dalë me çdo kusht jashtë informalitetit. Dhënia e saj, përveçse për personat me aftësi të kufizuar, do të kushtëzohet me punën e dobishme për komunitetin dhe punimin e tokës.

Brenda viti 2013 ne synojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë ndihmë ekonomike mbi dy dollar në ditë dhe pensionet e fshatit të barazohen me pensionet e qytetit. Sirenat e mjerimit nuk do të ulërijnë më në vatrat e familjeve të Shqipërisë Europiane.

Familjet dhe individët në nevojë, që për arsye të vërtetura janë në pamundësi të dalin nga mjerimi, do të gëzojnë të gjithë ndihmën ekonomike të nevojshme që të ushqehen, vishen dhe gëzojnë të gjitha shërbimet, kujdesin shëndetësor, sigurimet shëndetsore dhe shoqërore, arsimimin e fëmijëve, njëlloj si të tjerët.

Zonja dhe Zotërinj,

Masat e qeverisë sonë kundër mjerimit janë jetike, masat e shpallura në këtë program kundër varfërisë janë të domosdoshme. Por, për Qeverinë e Integrimit Europian, mjeti më efikas, antidodi më absolut kundër varfërisë është punësimi dhe vetëm punësimi. Prandaj dhe punësimi i qytetarëve shqiptarë, do të jetë përparësi e të gjitha përparësive. Ne jemi zotuar që katër vitet që vijnë do të krijojmë rreth 160 mijë vende pune.

Për këtë qëllim, do të ndërmerren reforma të thella dhe të gjithanshme të tregut të punës.

Do të dyfishohet buxheti për shkollimin, trainimin, kualifikimin, përshtatjen e aftësive të të papunëve dhe atyre që humbasin vendin e punës, me kërkesat e tregut.

Do të aplikohen stimuj fiskalë për punëtorët në vitin e parë të punësimit të tyre. Do të merren përsipër sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj.

Por realisht, këto janë vetëm masa nxitëse, sepse gjeneratori më madhor i punësimit është rritja ekonomike e shpejtë dhe tërheqja masive e investimeve të huaja.

Në politikën tonë të Shqipërisë sociale, një kujdes të veçantë do t’ju kushtohet dy moshave më delikate: fëmijëve, vogëlushëve të këtij vendi dhe moshës së tretë.

Në këtë kontekst, gjatë këtij mandati, ne zotohemi për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve, të luftojmë uljen e mortalitetit infantile duke e ulur atë në nivele europiane, të shtrijmë vaksinimin ndaj të gjitha sëmundjeve të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, të ngremë në të katër anët e vendit sistemin e arsimit parashkollor, si kusht për një parapërgatitje dinjitoze të fëmijëve tanë në shkolla.

Krijimi i mjediseve për lojra dhe zbatije të fëmijëve, do të jetë një detyrim për qeveritë vendore.

Një ligj i veçantë do të miratohet brenda vitit 2010, i cili do t’ju garantojë kujdesin dhe trajtimin e merituar dhe dinjitoz personave të moshës së tretë, problematikave të tyre specifike.

Rritja e rrogave dhe pensioneve, duke lenë mbrapa gjashtë vende anëtare të BE, do të jetë një tipar tjetër i rëndësishëm i politikës tonë sociale, si dhe kusht vendimtar në zhvillimin e shpejtë, të qëndrueshëm të këtij vendi.

Të nderuar deputetë,

Për Qeverinë e Integrimit Europian, gara e dijes është dhe do të mbetet promotori, lokomotiva më e fuqishme e ndryshimit të saj, e vrapit të saj drejt Shqipërisë Europiane.

Prandaj edhe për ne, shkollimi i fëmijëve tanë, shkolla – si shtëpia e dytë e tyre, mësuesit si edukatorët kryesore të tyre pas prindërve, mbeten epiqendra e programit tonë. Në katër vite ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin për arsimin, rrogat e arsimtarëve, numrin e studentëve, të ndërtojmë apo rindërtojmë rreth 1012 shkolla, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e vendit, të kapim standarte europiane në rektrutimin e nxënësve nga shkollat e mesme në universitete, vendosëm dhe zbatuam fondin Brain Gain dhe atë të Ekselencës. Por, sërish dua të theksoj se këto janë vetëm një bazë solide për t’ju dhënë fëmijëve tanë shkollimin më të mirë të mundshëm. Prandaj dhe zotohemi që me programin tonë katër vjeçar, reformave të thella dhe të gjithanshme do t’i nënshtrohen arsimi parashkollor, parauniversitar dhe universitar, me objektivin kryesor – standartet europiane për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.

Në këtë kontekst, brenda këtij mandati, buxheti për arsimin, nga sektori publik dhe privat, të arrijë në 7% të PBB.

-          Luftë me zero tolerancë anafalbetizmit me programe të veçanta;

-          Sistemi i arsimit parashkollor të modernizohet dhe shtrihet në çdo skaj të vendit;

-          Reformë e thellë tërësore e kurrikulave të arsimit, të të gjitha cikleve, përshtatje maksimale me kërkesat e tregut;

-          Parimi ynë do të jetë: çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë, të ketë kushte për të ndjekur shkollën e mesme, çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të ketë të hapur dyert e universiteteve.

-          Rekrutimi i nxënësve nga shkollat e mesme në universitete të kalojë mbi mesataren e vendeve anëtare të BE;

-          Të rritet, së paku edhe me 10%, nurmi i nxënësve që ndjekin shkollat profesionale;

-          Numri i studentëve të rritet në 150 mijë, pra mbi mesataren e vendeve të BE;

-          Të dyfishohet numri i studentëve nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit, duke ofruar cikël parapërgatitor për universitet;

-          Shteti të marrë përsipër të gjitha librat shkollore për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, për familjet me ndihmë ekonomike dhe të dyfishojë bursat për shkollat e mesme dhe universitetet e vendit.

-          Të rindërtohen ose ndërtohen nga e para edhe rreth një mijë shkolla që kanë mbetur në mbarë vendin dhe të zgjerohet sistemi i konvikteve;

-          Mësime dixhital të zgjerohet në të gjitha shkollat e vendit;

-          Të lehtësohet barra fiskale dhe t’ju ofrohet toka për shkolla, sektorit privat;

-          Të dyfishohen investimet e sektorit privat në arsim, të hiqet TVSH për arsimin privat;

-          Rrogat e mësuesve të vendit të rriten, duke parakaluar në fund të mandatit, gjashtë vende anëtare të BE-së;

-          Fondi i Ekselencës të zgjerohet me bursa për studentët, në 15 universitete më të mira të botës.

Shkenca, kërkimi shkencor dhe inovacioni do të jenë një përparësi tjetër e rëndësishme e Qeverisë sime.

Pas reformës së thellë të institucioneve shkencore, krijimit të Agjensisë për Kërkime Shkencore dhe Inovacionit, qeveria është e vendosur të dyfishojë buxhetin për kërkimin shkencor. Në kuadrin e projektit Brain Gain dhe fondit të Ekselencës, do të rritet dhe inkurajohet bashkëpunimi i institucioneve shkencore të vendit me ato të huaja.

Kultura, Rinia dhe Sportet

Qeveria e Integrimit Europian do të ketë në përparësi të saj zhvillimin, mbrojtjen, paraqitjen dhe mbështetjen e kulturës, trashëgimin kulturore  të pasur të vendit.

Institucionet tona kulturore dhe artistike do të kenë të gjitha burimet e nevojshme për krijimet e tyre, statusi i punonjësve të institucioneve kulturore kombëtare, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar,  do të njohin përmirësime të ndjeshme, do të mbështeten veprimtaritë e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një rëndësi të veçantë do të ketë trajtimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Shqipëria është një nga vendet me pasuri të mëdha arkeologjike, etnografike. Këto katër vite, do të ketë një riorganizim të ri të rajoneve arkeologjike, me të cilin synojmë të shumëfishojmë fondet, përpjekjet dhe burimet dhe të rrisim ndjeshëm financimet për konservimin dhe zbulimin e pasurive të mëdha gjatë viteve që vijnë.

Rinia dhe potencialet e saj do të jenë një tjetër përparësi e qeverisë sime. Në Shqipëri janë të rinjtë më shumë se në asnjë vend tjetër, që përcaktojnë zhvillimet e mëdha të vendit.

Qeveria do të mbështesë fuqishëm rolin e rinisë shqiptare.

Qeveria angazhohet jo vetëm për arsimimin masiv dhe cilësor të tyre, por edhe ëpr zgjerimin më të madh të rolit të tyre në shoqërinë shqiptare. Qeveria me progame të veçanta do të përparësojë punësimin e të rinjve me linja krediti, do të ndihmojë inicijimin e bizneseve, por edhe strehimin e çifteve të reja.

Sporti dhe sportistët shqiptarë do të kenë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së pari, në masivizimin e sporteve, por edhe elitarizmin dhe kompetitivitetin e tyre.

Zonja dhe Zotërinj,

Pas ndërtimit të një infrastrukture modern, Shqipëria në moshën dixhitale është dhe objektivi tjetër më madhore, më ambicioze të Qeverisë së Integrimit Europian.

Mosha dixhitale përbën një nga zhvillimet më themelore dhe kushtet më vendimtare për të shkëputur Shqipërinë nga prapambetja e saj dhe vendosur atë midis vendeve të zhvilluara.

Shqipëria aktuale, është sot vendi me rithmet më të larta të rritjes së penetrimit të IT, por njëkohësisht është ende larg standarteve mesatare europiane. Ajo është vendi i internetit në të gjitha shkollat, i taksës dhe i doganave, regjistrit elektronik kombëtar të Gjëndjes Civile, të biznesit, të penaliteteve, prokurimit elektronik 100%.

Për të shpejtuar më tej rithmet e progresit drejt moshës dixhitale, pranë Këshillit të ministrave është emëruar një ministër që, krahas reformave dhe institucioneve, do të drejtojë procesin e dixhitalizimit të shoqërisë.

Në këtë kontekst, ne synojmë të finalizojmë brenda vitit 2010 e-government dhe e-governance. Mosha dixhitale do të shtrihet dhe konsolidohet në të gjitha shërbimet dhe fushat e jetës së vendit, interneti me bandë të gjerë duhet të sigurohet brenda vitit 2012 në të gjitha familjet, në fshatrat dhe qytetet e vendit, kompjuter për të gjithë të rinjtë shqiptarë në shkollat e vendit, brenda qershorit të vitit 2013.

Zonja dhe Zotërinj,

Qytetarët shqiptarë do të mund të ndjehen qytetarë europianë, vetëm e vetëm kur kujdesi për shëndetin e tyre, parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve të jetë i standarteve europiane.

Ndaj edhe reformat në sistemin e shëndetësisë do të jenë edhe reformat e para dhe më të rëndësishme të qeverisë sonë.

Për këtë qëllim, në katër vitet që vijnë:

-          Zhvillimi i shëndetit, edukimi shëndetësor dhe parandalimi i sëmbundjeve do të jenë drejtime themelore të sistemit tonë shëndetësor;

-          do të rrisim me 60% buxhetin për shëndetësinë;

-          do të reformohet tërësisht sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor;

-          do të vendosim praktikat më të sigurta të luftës kundër korrupsionit në këtë sistem;

-          do të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve, duke duke parakaluar gjashtë vende anëtare të BE;

-          do të zgjerohet partneriteti public-privat në fushën e shëndetësisë;

-          do të hiqet TVSH për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat;

-          në spitalet tona do të instalohen teknologjitë dhe laboratorët më modern;

-          blerja e shërbimeve për qytetarët do të shtrihet edhe në sektorin privat;

-          Kujdesi për fëmijët, vaksinimin e tyre do të ridimensionohet. Po kështu kujdesi për gratë, mamografia dhe pap-testi do të jenë falas, sikundër ekografia për gratë shtatzëna;

-          Sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët.

-          Qeveria angazhohet të marrë përsipër sigurimet shendetsore për cdo qytetar shqiptar, që nuk është në gjendje t’i paguajë ato. Por në Shqipëri, të pasiguruar nuk do të ketë.

Zonja dhe Zotërinj deputetë,

Reforma e pronësisë do të mbetet një nga reformat themelore të vendit. Në këtë kontekst, kjo reformë do bazohet në:

-          Përfundimin e regjistrit dixhital të pronave në Shqipëri, brenda viti 2011;

-          Në dixhitalizimin e të gjithë arshivës dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, brenda vitit 2010;

-          Përzgjedhja e një kompanie serioze, me garë të hapur, për rregjistrimin e pronave, brenda vitit 2011;

-          Rritjen progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në të gjitha rastet e mundëshme;

-          Mbrojtjen dhe garancinë shtetërore për investitorët dhe investimet në prona, të blera mbi bazën e dokumentave shtetërore të rregullta të pronësisë;

-          Zgjidhjen brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, bazuar në ligjin 7501;

-          Përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010;

E drejta e pronarëve shqiptarë, është përparësia jonë.

Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Shqipëria Europiane mund të jetë vetëm Shqipëria që ka zëvendësuar tërësisht ifrastrukturën e botës së tretë me infrastrukturën modern të standarteve europiane. Shqipëria me sistem rrugor, porte, aeroporte, ujësjellësa, kanalizime, trajtim të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, të standarteve më të mira europiane, është angazhimi ynë.

Në katër vitet që shkuan, në mbarë vendin ne ndërtuam rreth 6 mijë km rrugë, autostrada, rrugë kombëtare të standarteve ndërkombëtare, rrugë rurale dhe dytësore në qytetet dhe fshatrat e vendit, ndër të cilat do të mbeten si monumente të infrastrukturës sonë, korridori i kombit, që vetëm vitin e parë, pa llogaritur kursimin në kohë, efektin në bumin turistik dhe shkëmbimin e mallrave, por vetëm kursimet në automjete dhe shpenzime të tjera të lidhura me to, sjell një fitim prej rreth 70 milion Euro në vit.

Rruga Dhërmi-Sarandë, e cila do të mbetet edhe kjo si rruga më panoramike e vendit. Por, të një rëndësie të veçantë janë dhe do të mbeten autostrada Lushnje-Fier, Korçë-Qafë Plloçë, Ura e Çerenecit-Bulqizë, Gjirokastër-Tepelenë, Vorë-Fushë Krujë, etj., etj.

Gjatë këtij katër vjeçari, janë për t’u ndërtuar edhe rreth 7 mijë km autostradë, rrugë kombëtare, rurale, dytësore në fshatrat dhe qytete e vendit.

Me infrastrukturën e re moderne të vendit, ne kemi si objektiv madhor:

-          Përgjysmimin e distancës kohore me Tiranën, nga çdo fshat dhe qytet i vendit;

-          Lidhjen, brenda 15-25 minuta, të  qendrës së çdo komune të vendit me rrugën më të afërt kombëtare;

-          Lidhjen me rrugë të asfaltuar të çdo fshati me qendrën e komunës, dhe për një kohë rreth 15-20 minuta

-          Dyfishimin e lidhjeve ndërkombëtare tokësore me Kosovën, Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

-          Ndërtimin e Portit të Vlorës, si ndër portet më të mëdha të Mesdheut për kontenierë, si dhe ndërtime të tjera portuale.

-          Ndërtimi i një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë;

-          Lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe hartimi i projektit për lidhje hekurudhore me Kosovën.

Ky katër vjeçar do të jetë pra, katër vjeçari i përfundimit të rrjetit modern rrugor, që do të përgjysmojë distancën me Tiranën nga të gjitha skajet e vendit, Vermoshi e Konispoli, Saranda, Gjirokastra e Tropoja, Dibra e Korça.

Këtë katër vjeçar, brenda dy viteve që vijnë, do të përfundojnë autostradat: rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Qafë Plloçë-Qukës, Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh, Kuçovë-Berat, Kardhiq-Delvinë, Konispol-Sarandë, Fushë Krujë-Ura e Limuthit, si dhe shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë.

Brenda vitit 2013 do të përfundojë së ndërtuari Unaza e madhe e Tiranës, unaza veri dhe julindore e vendit, me trajektoren: Shkodër, Theth, Valbonë, Krumë, Kukës, Peshkopi, Librazhd, Kolonjë, Përmet, Delvinë; autostradat Fierzë-Koman, Shkodër-Vermosh,  segmentin Berat-Memaliaj, Boshtit të Jugut, si dhe disa mijëra kilometra rrugë turistike, dhe rrugë rurale dhe rrugë dytësore në mbarë vendin.

Ujë 24 orë për familjet shqiptare, në fshat dhe qytet, duke ndërtuar apo rindërtuar edhe rreth 800 ujësjellësa në mbarë vendin, është një objektiv tjetër ambicioz i qeverisë sime.

Bumi turistik ka shndërruar turizmin në degë ekonomike kryesore të vendit. Shqipëria pësoi në një kohë të shkurtër, rritjen më të madhe turistike në rajon.

Kush mund të mendonte tre vjet më parë se, Shqipëria në vitin 2009 do të kishte mbi tre milion turistë? Shqipëria turistike është një nga arritjet më të mëdha.

Brenda vitit 2010, do të përfundojnë të gjithë ujësjellësat në ndërtim e sipër, në zona turistike bregdetare dhe do të nisë ndërtimi i ujësjellësave të mëdhenj për zonat turistike nga Kepi i Rodonit, Durrësi, Kavaja, Divjaka, dhe do të merren masat për garantimin sa më parë të furnizmit me 24 orë ujë të qytetit të Tiranës.

Por, brenda vitit 2011 do të përfundojnë të gjitha impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimet dhe landfillet për mbetjet e ngurta, në të gjithë zonën bregdetare të vendit.

Brenda vitit 2011, do të përfundojnë masterplanet për zonat turistike malore të Alpeve, vargmaleve të Shqipërisë së mesme dhe Jugut, dhe brenda këtij mandati do të ndërtohet infrastruktura rrugore, që do të bëjë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të virgjera turistike të tyre dhe zonave të tjera turistike malore të vendit.

Zonja dhe Zotërinj,

Mjedisi është jeta, ndaj dhe në projektin tonë të Shqipërisë Europiane, ne jemi të vendosur që të konsolidojmë standartet europiane të mjedisit. Kështu, Shqipëria që mban vendin e 25 në botë për pastërtinë e mjedisit, duhet të ndërmarrë të gjitha reformat, vendimet për të mbrojtur dhe avancuar këtë pozicion. Në këtë kuadër, mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit, do të mbetet shtyllë dhe objektiv kryesor i qeverisë sime. Investimet për mbrojtjen nga ndotjet e ajrit, ujit dhe mjedisit, në tërësi do të dyfishohen.

Kështu, për mbrojtjen dhe ruajtjen e pastërisë së ajrit, në përputhje me standartet europiane, duke filluar nga 1 janari i vitit 2010, do të ndalohet tërësisht përdorimi i naftës D2, e cila shkarkonte në ajrin e vendit, rreth 7500 ton squfur në vit.

Të gjitha industritë emetuese do t’ju imponohet me ligj respektimi i këtyre standarteve.

Sektori i ndërtimit, me sanksione ligjore, do të marrë të gjitha masat për pakësimin e grimcave të pluhurave në sheshet e ndërtimit.

Për përpunimi e ujrave të ndotura dhe mbrojtjen e pastërtisë së ujrave të brigjeve të detrave dhe liqeneve të vendit, janë në ndërtim e sipër nga Shkodra në Sarandë rreth 14 impiante të përpunimit të tyre. Po kështu, në të gjitha qarqet e vendit do të ndërtohen landfilla ëpr mbetjet e ngurta.

Një përpjekje e madhe do të bëhet për zgjerimin e sipërfaqes së gjelbëruar në mbarë vendin, duke ndërmarrë pyllëzime dhe mbjellje drurë frutorë.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria Europiane mund të ndërtohet vetëm duke ndërtuar fshatin shqiptar europian, çka do të thotë që fermerët shqiptarë duhet të kenë kushte jetësore dhe punë, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, furnizim me ujë, kanalizime, mbështetje të gjithanshme për prodhimet e tyre, si dhe pensione të standarteve të vendeve europiane.

Në katër vitet që shkuan, në infrastrukturën e zonave rurale të vendit, prodhimi bujqësor dhe agrobiznesin, u investuan rreth 1.6 miliard dollar. Gjatë mandatit të dytë, qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje për të trefishuar investimet për infrastrukturën, nxitjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit.

Do të ndërtohen, rindërtohen në zonat rurale, komunat dhe fshatrat e vendit, mbi 6 mijë km rrugë kombëtare rurale dytësore.

Qendra e çdo komune të Shqipërisë do të lidhet me 15-25 minuta me rrugët kombëtare.

Qendrat e të gjitha fshatrave të vendit do të lidhen me qendrat e komunave dhe rrugët kombëtare brenda 12-25 minutave.

Do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat e zonave rurale të vendit që kanë mbetur pa ndërtuar.

Internet në të gjithë  fshatrat.

Do të garantohet 24 orë ujë të pijshëm dhe do të ndërtohen sistemet e kanalizimit në mbarë fshatrat e Shqipërisë, shërbime cilësore në fshatrat e vendit. Ato në vitin 2013, do të dhe llamburisin si lagjet e qyteteve të bukura të Shqipërisë.

Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Unë jam i bindur se, në interesin më të madh të fermerëve shqiptarë, të ekonomisë shqiptare dhe zhvillimit të vendit, është përcaktimi si objektiv kryesor, dyfishimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral në Shqipëri, në një hark kohor 6-vjeçar.

Ky është një objektiv tejet ambicioz i vështirë, por absolutisht i arritshëm dhe vendimtar, për të garantuar zhvillimin e harmonishëm ekonomik të vendit, luftën efikase kundër varfërisë.

Mendoj se arritja e këtij objektivi duhet të nisë me:

-          Ndërtimin e një sistemi të ri vaditës në mbarë vendin, duke kaluar nga presa dhe shati, tek vaditja me pika apo formë shiu. Shqipëria ndën ujë – do të jetë motoja jonë.

-          Mbrojtja e tokës nga kalbëzimi dhe erozioni, me një seri projektesh kullimi dhe anti-erozioni, janë kushte për të fituar, gjatë viteve që vijnë, dhjetra mijëra hektar tokë. Për të dyfishuar prodhimin, duhet që tokat e braktisura të jepen me të dhjeta nga komunat, duke futuar kështu në prodhim, dhjetra mijëra hectare të tjera tokë.

Për dyfishimin e prodhimit bujësor, Qeveria, përveç realizimit të projektit të mbjelljes në katër vjet të 20 milion rrënjë ullinj, do të nxisë, subvencionojë mbjelljen edhe të dhjetra million rrënjë vreshtë, drurë frutorë, mollë, arra, gështenjë, kumbulla, lajthi, bajame, fiq, bimë aromatike, në përputhje me traditën dhe kushtet lokale.

Qeveria do të shumëfishojë grante për nxitjen e prodhimit në zonat kodrinore, malore, mbjelljen e drurëve frutorë, rritjen e sipërfaqeve me sera diellore dhe me ngrohje, si dhe kreditë e buta për zonat fushore.

Reformë të plotë sistemit të çertifikimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të vendit.

Zhvillimi intensiv i akuakulturës në detrat, liqenet, rezervuaret e vendit.

Qeveria do të subvencionojë naftën për sipërfaqet e mbjellura.

Organizimi i arsimit bujqësor në disa qarqe të vendit, sipas modelit të shkollës amerikane.

Në katër vjet ne duhet të trefishojmë mbjelljen e drurëve frutorë.

Pensionet e fermerëve do të barazohen me ato të qytetit.

Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Më 4 Prill 2009, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, aleancës ushtarake politike më të madhe të të gjitha kohërave. Kjo ngjarje shënon arritjen më të madhe historike për sigurinë e lirisë së atdheut tonë, që pas shpalljes së pavarësisë së tij në vitin 1912.

Shqipëria, anëtare e NATO-s do të ketë në fund të vitit 2010 një ushtri tërësisht profesioniste, të ndërtuar mbi bazën e doktrinave dhe organizimit të forcave të armatosura të vendeve të NATO-s, e përgatitur dhe e aftë të realizoj misionin e saj kushtetues si edhe të marrë pjesë me dinjitet dhe kryejë me sukses çdo mision të aleancës.

Qeveria do të sigurojë ndërveprimin dhe vënien në dispozicion të kapaciteteve të çdo ministrie dhe agjencie qendrore për plotësimin në kohë të (49) Objektivave të Forcës të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e plotë të FA në strukturat e NATO-s deri në vitin 2019. Qeveria e integrimit do të vazhdojë të mbështesë politikisht, financiarisht e me çdo mënyrë tjetër forcat e armatosura shqiptare për reformën më të madhe që ato kanë njohur në historinë moderne të shtetit shqiptar, duke përfunduar ndërtimin e strukturës më efikase të organizimit të tyre sipas modelit të ushtrive të NATO-s, përmes vënies në jetë të një sistemi eficient rekrutimi, e trajnimi të personelit ushtarak e civil dhe përmes një buxheti prej 2% të PBB-së në vit dhe zbatimi rigoroz të tij, gjatë gjithë katërvjeçarit të ardhshëm. Përmirësimi i kapaciteteve të bazave moderne ushtarake të përzgjedhura si pikat më të përshtatshme e strategjike për disalokimin e forcave të armatosura do të shoqërohet me reduktimin e kapaciteteve të tepërta që prodhojnë kosto apo paraqesin rrezikshmëri, si reduktimin e depove të municioneve dhe shkatërrimin e një sasie prej 85.000 tonësh municionesh të vjetëruara e të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve deri në vitin 2013.

Në vijim të traditës së shkëlqyer e të konsoliduar të bashkëpunimit në shërbim të paqes e sigurisë me Aleancën, Shqipëria do të vijojë dhe zgjerojë kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe operacione të tjera koalicionesh potenciale, do të rrisë pjesëmarrjen e saj në si në misionet e përhershme pranë NATO-s ashtu edhe në agjencitë e strukturat e tjera të saj me personel ushtarak dhe civil të specializuar.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria Europiane, Shqipëria anëtare e NATO-s do të vazhdojë një politikë të jashtme të paqes dhe do të forcojë edhe më tej rolin tashmë të konsoliduar të saj, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Politika e Jashtme e qeverisë së integrimit europian do te vijojë të luajë rol të rëndësishëm dhe të kontribuojë në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit në të gjithë sistemin e organizatave ndërkombëtare e rajonale ku Shqipëria aderon, duke intensifikuar prezencën dhe pjesëmarrjen më aktive në veprimtaritë ndërkombëtare.

Republika e Shqipërisë do të vazhdoje të ruajë marrëdhënie shume te mira politike dy-paleshe me te gjithë vendet demokratike te botes. Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me aleatin më të madh e strategjik të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara te Amerikës do te vijojnë të përbëjnë përparësi kryesorë të politikës sonë të jashtme. Qeveria e Integrimit Europian do të zgjerojë dhe konsolidoje edhe më tej marrëdhëniet e ngushta e të shkëlqyera dhe bashkëpunimin e gjithanshëm me të gjithë vendet partnere e aleate, anëtare te NATO-s dhe Bashkimit Evropian në tërësi dhe në vecanti Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Spanja dhe vende të tjera.

Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë marrëdhënie shume te mira me vende mike si Japonia, Kina, India, Australia, Brazili, vende tjera të Amerikës Latine, vendet arabe, vende të Afrikës, me te cilat është e gatshme te çoje me tej nivelin e tyre ne te gjitha sferat e interesit reciprok dhe shkëmbimeve si vende të rëndësishme e me peshë të veçantë në arenën globale.

Në rajon, qeveria e integrimit Europian do te vazhdoje t’i konsideroje si strategjike marrëdhëniet e shkëlqyera dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet fqinje e mike, aleate në NATO dhe partnere ne BE,  Italinë dhe Greqinë, të cilët përbëjnë partneret kryesore tregtarë e ekonomik te vendit tone. Tradita e shkëlqyer e marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO do te do të vijojë të thellohet në kushtet e reja te angazhimeve te përbashkëta te sigurisë, paqes dhe te zhvillimit ekonomik.

Marrëdhëniet me Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe me Serbinë, do të kenë një rendësi te veçantë ne politiken tone te jashtme dhe aksionin diplomatik te Shqipërisë. Qeveria do të punojë për të  kthyer në tërësisht funksionale, Marrëveshjet e Tregtisë se Lire, Tregun e Përbashkët të Energjisë, infrastrukturat e rrjeteve energjetike e te transportit në rajon etj.

Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Qeveria e Integrimit  Evropian e konsideron diasporën shqiptare si një vlerë të madhe kombëtare. Shqiptaret kudo në botë kanë të drejtën e përkujdesjes së shtetit shqiptar, mbrojtjen e drejtave të tyre kudo ku ata jetojnë si dhe detyrimin reciprok për prosperitetin e Atdheut. Qeveria e Integrimit  Evropian angazhohet për të ngritur një sistem mbarëbotëror organizimi të diasporës shqiptare, me bazë përkatësinë dhe identitetin kulturor si dhe ruajtjen e tij përmes hapave konkretë si hapja e Qendrave te Kulturës, ‘Shtëpisë se Shqiptareve’ apo përmes gjetjes së mënyrave dhe formave të përshtatshme, ne marrëveshje me vendet pritëse dhe bazuar në ligjin ndërkombëtar, për ruajtjen e promovimin e gjuhës shqipe dhe mësimin e historisë se Shqipërisë. Emigrantët shqiptarë do të përfitojnë te gjitha llojeve te sigurimeve për te cilat emigracioni i ri shqiptar ka kontribuar përpara largimit jashtë vendit

Për shtetin e ri te Kosovës, qeveria e integrimit Europian do të mbështesë fuqishëm njohjen ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, integrimin sa më të shpejtë në rrjedhat integruese Euro-Atlantike dhe praninë e saj si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria Europiane do të japë ndihmesën e vet në konsolidimin  e institucioneve të Kosovës dhe do të vendosë marrëdhëniet më të ngushta të kooperimit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm dhe në të gjitha fushat.

Karta më e fortë që ofron kjo qeveri e integrimit Europian është ajo e besueshmërisë. Promovimi i Shqipërisë si vend i sigurt e tërheqës, me potenciale burimesh natyrore e njerëzore dhe lehtësish ekonomike për biznesin dhe investimet e huaja do të jenë objekt i punës sonë për katër vitet e ardhshme.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Udhërrefyesi më i shkëlqyer, modeli më efikas, synimi dhe destinacioni final e i pazëvendësueshëm i Qeverisë së integrimit Europian është dhe mbetet Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky program që po paraqesim përpara jush dhe të gjithë shqiptarëve bazohet në tërësinë e tij dhe ka si shtyllë arritjen e standarteve te prag-pranimit te Shqiperise Anetare e Bashkimit Europian.

Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, më 1 prill 2009, Qeveria e Integrimit Europian do të punojë në tre plane: Së pari, duke zbatuar në çdo nen të saj detyrimet në kuadër të dialogut politik e bashkëpunimit rajonal, perspektivës së afërt të vendosjes së zonës të tregtisë së lirë me BE-në, përafrimit të legjislacionit tonë me aquis-në, dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera që mbulon kjo marrëveshje dhe së dyti, duke u përqendruar në mirëfunksionimin e mekanizmave të dialogut të ndërsjellë që monitorojnë zbatimin e MSA, si Këshilli i Stabilizim Asociimit, Komiteti i Stabilizim Asociimit, dhe nënkomitetet dhe duke monitoruar shkallën e zbatimit të MSA përmes përditësimit të vazhdueshëm të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA (PKZMSA), dhe së fundmi, përmes forcimit të bashkëpunimit të hapur dhe të plotë me Këshillin, Komisionin, Parlamentin Evropian dhe të gjitha institucionet e tjera të Bashkimit Europian dhe të gjitha vendet e tij anëtare të BE, pr një Shqipëri që ndryshon çdo ditë, dhe që po evropianizohet në çdo qelizë.

Ndërkohë që për lëvizjen e lirë pesha kryesore e punës bie në 5 institucione qendrore, për dy pikat e tjera të axhendës do të jenë të angazhuar absolutisht çdo institucion qëndror në të gjitha nivelet, deri tek specialistët më të thjeshtë. Plotësimi i pyetësorit të KE do të jetë një sfidë e vërtetë për administratën shqiptare por ne do ta kryejmë me sukses. Ministria e Integrimit Evropian, kooordinatore kryesore e këtij procesi, por edhe Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë në dispozicion të gjithë ekspertizën dhe autoritetin e nevojshëm për të kurorëzuar me sukses këto objektiva madhorë brenda ketij mandati.

Dëshiroj të shfrytëzoj solemnitetit e këtij momenti, duke ju drejtuar ju deputetë të nderuar të kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë me premtimin se kjo Qeveri e Integrimit Europian do të bëjë cdo përpjekje, do të ndërmarrë cdo reformë dhe cdo masë tjetër apo angazhim politik, institucional, ligjor e financiar duke bere te mundur, brenda vitit të parë të këtij mandati, që Shqipëria të meritojë vendin për heqjen e vizave me BE dhe më gjerë, të iniciojë negociatat për anëtarësim të plotë në BE duke kurorëzuar ëndrrën shekullore të kombit për rikthim dhe ribashkim me familjen e përbashkët të vlerave Europiane.

Tirane, me 16.09.2009

5 Komente

 Keto pas 4 vjetesh do quhen llafe kuvendi!!!???

Sa me fat do jene ata shqiptare qe do jetojne ne Shqiperine e 2013!

tna rroje qeveriu!!!!

 

Qeveria e Integrimit Europian. I ka pa njeri incialet?

 "....Katër vjet më parë, jam betuar në këtë sallë se, qeveria ime do të bëjë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre...." 

Mavria eshte betuar, e megjithate biznesi ankohet per mos respektimin qe qeveria iu ben kontratave me te. Shqiptaret jane shprehur dhe per parate qe humben ne firmat piramidale, e megjithate kjo gje se ka ndryshuar gjendjen.

 

"....Privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve publike dhe shitja e aksioneve të shtetit, si dhe dhënia me koncension i shërbimeve publike, përfshirë këtu ato të pronave dhe regjistrimit të pasurive..."

A eshte kjo deshira e elektoratit te LSI, qe si te majte qe jane nuk ju pelqen qe çdo gje te privatizohet dhe çdo sherbim shteteror te jepet me konçension ndaj nje privati. Pak me siper mavria u shpreh se, ky program ishte shprehje edhe e aspiratave te elektoratit te LSI.   

 

"....Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar,...." 

Keshtu tha dhe para 4-vjeteve, mirpo per çudi kjo lufte konsistoi dhe ne gjurmimin, survejimin edhe te njerzeve te thjeshte, te pa lidhur me krimin.  ç'mund te thote bualli per kete gje.

 

"....Por, kam kënaqësinë të theksoj se, pas shembjes së murit të krimit dhe korrupsionit, suksesi i reformave ekonomike dhe fiskale, janë dhe ndër arritjet më madhore të katër viteve që shkuan...." 

Vertet sukses, mbledhja e milionave euro e miliarda lekeve nepermjet taksash te ndryshme dhe si perfundim, nuk u pa ndonje veper e bere nga qeveria, po te perjashtojme autostraden e paperfunduar Durres-Kukes dhe rikonstruksionin e rrugeve nacionale. Abuzimi me taksat si nga pushteti qendror dhe atij lokal, eshte tashme i njohur. 

 

"....Sipas bankës së Shqipërisë, vetëm këtë gjashtë mujor, investimet e huaja kanë një rritje prej 59%, krahasuar me vitin e kaluar..."  

Buall Mavria, nuk e kupton se ne koh krize, investitoret kerkojne tregje me krah te lire pune. Megjithate kjo nuk e pengon ta paraqese si arritje te qeverise se tij. 

 

"....vendit dhe shoqërisë në të cilin as dhe një qytetar nuk duhet të ndjehet i përjashtuar..."  

A nuk jemi ne te ter emigrantet te perjashtuar. Te perjashtuar nga vota, te perjashtuar per te dhene mendimin tone, te perjashtuar per te na ndigjuar. Ketu duket tamam si fjala e Ramo Derbederit (R.Alise) . 

 

"....Zgjidhjen brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, bazuar në ligjin 7501;..."  

Pikerisht te ligjit qe i futi ne vella-vrasje shqiptaret. E bene mire ne veri qe nuk pyeten per ligjin 7501, ku secili morri token e gjyshit apo te babes se vet.  

 

"....Shqiptaret kudo në botë kanë të drejtën e përkujdesjes së shtetit shqiptar, mbrojtjen e drejtave të tyre kudo ku ata jetojnë si dhe detyrimin reciprok për prosperitetin e Atdheut..."  

Ne fakt, gjer me tani asnje emigrant nuk e ka ndier doren e shtetit shqiptar. Megjithate kjo nuk e pengon mavrine te zbukuroje dhe te ndezi emocionet e elektoratit, se sa per emigrantet, keta e dine me mire realitetin.  

Ter fjalimi i Buall Mavrise karakterizohej nga reklama dhe nje patos euforik. Ne pergjithesi, njerez te tille, jane shum pak manaxhere dhe shum/teper pelivane.   

Ishalla mbaron rruget thuaj se me shume se aq nuk ben dot ai, po te pakten te na zere 2013 me rruge te hajrit dhe ta mbyllim perfundimisht kete kapitullin e tyre e te fillojme te shohim arsimin se vetem prej aty vjen rritja ekonomike e qendrueshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).