Pesha e stabilitetit

Sa herë që hapet çështja shqiptare në Ballkan, siç ishte rasti i deklaratës së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për "unitetin kombëtar të shqiptarëve në rajon" nuk mënojnë të vijnë komentet ndërkombëtare. Strukturat e këtyre reagimeve janë tashmë të njohura. Si fillim, ravijëzohet fantazma e "Shqipërisë së Madhe", rëndësia e stabilitetit në rajon, e pastaj, ndonjë kërcënim i fshehtë midis rreshtave për ndërprerjen e mbështetjes së shqiptarëve, dhe pse jo, një ndjenjë keqardhjeje për bombardimin e Serbisë apo hapjes së telasheve me shtetin më të ri të Europës -Kosovën. Këtyre komenteve ndërkombëtare u bashkëngjiten edhe disa komente e analiza, ku si motiv kryesor lexon se shteti shqiptar nuk mund të marrë përgjegjësi të tilla, të konsideruara shpeshherë dhe si "aventurë politike" dhe "iluzione", por duhet të zhvillohet dhe fuqizohet ekonomikisht.

Në të vërtetë, ky qëndrim nuk është i ri. Ai e ka zanafillën në fjalimin e Ahmet Zogut në Parlamentin e vitit 1922, ku deklaronte se "shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione, që mund të na dëmtojnë shumë". Siç duket, me fjalën "iluzione" duhet nënkuptuar përkrahja e kauzës për t‘u bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve. Por ndonëse mund të ishte e kuptueshme që, në gjendjen e mjerueshme ku ndodhej, Shqipëria e vitit 1922 nuk mund të ushqente iluzione të tilla, është e çuditshme që sot, në vitin 2009, ka shumë zëra që e mbështesin këtë qëndrim.

Paranoja fikse se ne mund ta humbin shumë shpejt mbështetjen ndërkombëtare, nëse artikulojmë të vërteta të njohura rreth Shqipërisë natyrale na ka kthyer në "dordolecë" të çështjes shqiptare, saqë qeveria shqiptare nuk mund të japë mendim as për gjendjen represive të shqiptarëve në Preshevë dhe as për marrëveshjen policore të misionit europian në Kosovë, EULEX-it, me autoritetet serbe. Ky rreth vicioz e paradoksal, të cilin për hir të së vërtetës e kemi pranuar me dashje, me politikën tonë të durimit e të shpresës, se "me integrimin tonë në Europë do të zgjidhet edhe problemi shqiptar", bie ndesh dhe me zhvillime të tjera rreth nesh në rajon.

Sado paradoksal që mund të tingëllojë konstatimi i mësipërm, një seri ngjarjesh të zhvillimeve të fundit e dëshmojnë këtë gjë. Fqinji ynë lindor, Maqedonia, po vuan integrimin tij euroatlantik, vetëm se Greqia kërkon të ruajë me çdo kusht "kujtesën e saj historike", Sllovenia pengon hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Europian për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një porti në Adriatik, ndërsa Presidentit të Hungarisë nuk iu lejua hyrja në Sllovaki, për të marrë pjesë në festimet e organizuara nga minoriteti etnik hungarez aty, me pretekstin se "ndikon negativisht në marrëdhëniet hungarezo-sllovake".

Ky incident, i cili pasqyron më së miri mozaikun e shteteve nacionalë të ndërtuar pas rënieve të perandorive osmane, hasburgase e ruse në Europën Juglindore, tregon se modeli europian i integrimit nuk i shuan mosmarrëveshjet e vjetra, por dhe më keq, i kthen në probleme të vetë Europës. A nuk do të ishte më mirë që, problemet nacionale, të trashëguara nga "real- politika" e shekullit XX të zgjidheshin në bazë të parimit të vetëvendosjes, parim që në princip mishëron edhe një nga liritë themelore, atë kombëtare?

Në vend të tij faktorët ndërkombëtarë kanë zgjedhur formulën e status-quo-së dhe të stabilitetit. Këtyre të dyve, tani së fundmi, u është shtuar dhe parimi i "barasvlefshmërisë", i cili nënkupton që çfarëdolloj aksioni apo mbështetje pozitive që i jepet njërit komb në rajon, menjëherë i duhet dhënë edhe kombit tjetër. Ky parim reflektohet më së miri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në shtetin e Kosovës. Të kësaj fryme janë lejimet e herëpashershme të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë, mesa duket për të "balancuar" shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Incidenti hungarezo-sllovak hedh dritë edhe mbi zhvillimet e tjera të mundshme midis Shqipërisë e Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, Kosovës e Maqedonisë, si dhe Kosovës e Malit të Zi. Sikurse vihet re nga radha e gjatë e problemeve, faktorët ndërkombëtarë u kanë caktuar shqiptarëve rolin e "Atlasit", për të mbajtur në shpinë gjithë stabilitetin e rajonit. Ata, më tepër se çdo komb tjetër në rajon, duhet të durojnë represionet ndaj tyre në Preshevë, mungesën e legalizimit të gjuhës së tyre dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, proceset politike të montuara në prag të zgjedhjeve elektorale në Mal të Zi, poshtërimin e pafund të emigrantëve të tyre në Greqi, që dhe pas 18 vjetësh nuk mund të gëzojnë të drejta si gjithë emigrantët e tjerë në një vend europian, shndërrimin e identitetit të krahinave të veta në jug, e kështu me radhë.

Vetëm se në gjithë këtë kalvar vetëpërmbajtje që u kanë rezervuar shqiptarëve, faktorët ndërkombëtarë a kanë menduar ndonjëherë se ç‘do të ndodhë nëse ata nuk e mbajnë dot më këtë peshë stabiliteti? Shqiptarët janë gjendur dhe vazhdojnë të gjenden midis dy alternativave: Ose duhet të vazhdojnë pranimin e "recetave evropiane" të tipit të Ahtisaarit për të ardhmen e tyre si komb në Ballkan, ndërsa fqinjët e tyre i kanë radikalizuar qëndrimet duke braktisur "europianizimin" dhe duke rigjetur veten te politikat e vjetra bizantine; ose duhet të formojnë ushtritë e tyre çlirimtare si në fund të shekullit XX për të krijuar "recetën" për të ardhmen e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duhet të falënderojë Zotin që shqiptarët deri tani kanë zgjedhur alternativën e parë...

6 Komente

Nga Evropa vjen sevdaja

 

       Nga Evropa vjen sevdaja,

       bereqeti dhe paraja;

       vjen dermani dhe peshqeshi,

       vjen sevapi e përsheshi.

 

Nga Bë-E-ja vjen myzhdeja,

aferimi dhe rytbeja;

vjen kungata dhe urata,

vjen fermani dhe mandata.

 

       Nga Shë-Bë-A-ja vjen haberi,

       vjen Okei dhe qederi;

       vjen mesazhi e gajreti,

       frymëzimi dhe kësmeti.

 

Nga Nato-ja vjen tesqereja,

vjen oferta dhe trofeja;

për një grusht me dollarë,

shkon ushtar në Afganistan.

 

       Nga Fë-Më-Në-ja vjen meraku,

       vijnë reformat dhe... biçaku;

       që të jetë leku i fortë,

       ca këtu, ca në atë botë...

 

Nga Bu-Bu-ja vjen studimi:

Teci në Vlorë është shpëtimi;

(se pastaj, vijnë dhe të tjera,

vjen Ambo-ja e Petrolifera).

 

       Nga Italia vjen investimi,

       (bashkë me të dhe preventivi);

       për ca plehra që ka Roma,

       se nuk mban më Mal-a Gropa.

 

Nga Athina vjen kryepeshkopi,

(sa i ëmbël, sa i zoti!);

na ngre kisha, katedrale,

në Kosinë ... përdhos ca varre...

 

       Nga Brukseli vjen direktiva:

       ”Kujdes, prishet terezia!„

       (Demek, po u prishet gjiza,

       e pastaj ... na iku viza.)

 

Nga Strasburgu vjen porosia:

(O ti popull nga Azia)

”Dil voto për Hu~Q~im/in„

(Se ndryshe ... e humbëm durimin.)

 

       Me të gjitha këto të mira,

       si t'ia bëjë Shqipëria?

       Menazhim duhet tani,

       lidership Fato'S-ali.

 

2007 (C) Ll. K

 Perfundimi me duket se eshte fjalia e fundit, ku dorian koci merr kot edhe kercenon komunitetin nderkombetar. Vetem zoti mund ta shpetoje komunitetin nderkombetar po u nxehen shqipot.

Katallano, pershkrimi i Dorianit e mori nje 5 pikeshe nga une... por ajo qe me acaron me shkrime te tilla, eshte mungesa e propozimit te nje zgjidhjeje.

kjo me ben te mendoj se shqiptaret nuk kane solidaritet, nuk dine te solidarizohen, nuk dine te organizohen, nuk dine te behen bashke. kemi shembuj te mire per kete gje ne cdo fushe, ne cdo ceshtje, dhe ne te gjitha koherat. dhe kjo eshte aresye e mjaftueshme per t'u acaruar.

Une e lexova qe dje dhe me pelqeu jashte mase ky shkrim qe me shume se per te ofruar zgjidhje, duket se eshte bere per te kritikuar idene e gabuar se ne duhet te kemi "turp" apo frike te flasim per gjene me natyrale, bashkimin e dy pjeseve kryesore te Kombit.

Une nuk kuptoj se pse ka nevoje per zgjidhje ne kete mes. Pa ndryshu kete mentalitet te mbrapsht, nuk mund te imagjinohet asnje lloj zgjidhjeje. Per sa kohe qe aksionet e Vetevendosje! (se vetem ata bejne, kurse ne te tjeret shkrujme komente) vazhdojne te kritikohen edhe nga vete Shqiptaret, ne nuk kemi nevoje per zgjidhje por per çlavazh truri! Se te jeni te bindur qe intervista e Rohan te BBC, ishte rezultat i protestave dhe jo i heshtjes "stabilizuese" te Tiranes. Nuk pyet kush per ata qe jane "çuna te mire te shkretet!". Ata shume shume, marrin meshiren (si te shkrte) se per miresine ka thone Remarque nje gjo te bukur : "Njeriu e do te miren, por e do te tjetri qe te mund te perfitoje sa me shume"

Prandaj le te fillojme duke u ber ete miret e vetes nje here, se pastaj zgjidhja nuk ka nevoje as te kerkohet se vjen natyrshem, si bashkimi.

Nje rruge e dobishme - per mendimin tim - qe mund te ndiqet eshte ajo e rritjes graduale te VETEDIJES se qytetareve Shqiptare ne Shqiperi, Kosove, Serbi, Maqedoni, Mal te Zi, etj., 

1. per perkatesine e perbashket ne te njejtin komb dhe

2. per shtrirjen gjeografike te territoreve te banuara nga qytetare qe kane te njejten kombesi me ta.

Vetedijesimi mund te duket dicka siperfaqesore, ose e panevojshme pse e mireqene, por mendoj se nuk eshte keshtu.

Une mendoj se pjesa derrmuese e Shqiptareve i injorojne (nuk i njohin) keto fakte, ose kane rreth tyre nje njohuri te vagullt.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).