Per nje arsim sa me cilesor

Si profesore, deputete, por dhe si qytetare e një vendi që aspiron anëtarësimin në BE, kam qenë e interesuar vazhdimisht për politikën arsimore në përgjithësi dhe atë në arsimin e lartë në veçanti. Ndaj e konsideroj real trajtimin e arsimit si prioritet kombëtar. Shqipëria vërtet ka nevoja emergjente për ujë, drita, rrugë, por të gjitha këto mund të realizohen dikur, kurse për të përgatitur një brez të arsimuar duhen dekada të tëra. Pikërisht për këtë, debati midis senatit të universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit nxjerr në pah probleme reale të arsimit e të reformës arsimore.

Përtej një incidenti administrativ

Universiteti i Vlorës refuzon të regjistrojë kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme me mesatare nën 6. Ministria e Arsimit, në formë urdhëruese, i kërkon universitetit t‘i regjistrojë studentët sipas listave të dërguara nga MASH.

Episodi i konfliktit mes MASH dhe Universitetit është shfaqja e një problemi të madh të reformës në arsimin e lartë, problem që e ka zanafillën në Ligjin mbi Arsimin e Lartë. Ky ligj, në esencën e tij, e konsideron universitetin e financuar pjesërisht nga shteti jo si universitet publik, por si shtetëror. Kjo nënkupton që qeverisë i lihet dorë e lirë për ndërhyrjen në universitete. MASH autorizohet që, përmes përfaqësuesve në Këshillin e Administrimit, të bëjë politikën e buxhetit në universitete, të përcaktojë tarifat e regjistrimit në gjithë ciklet e studimit, kuotat dhe kriteret e pranimit, të nxjerrë udhëzime të shpeshta për rregullimin e shumë aspekteve të punës në universitete. Faktikisht, sot universitetet kanë një autonomi tejet të cunguar.

Për sa i përket regjistrimit të studentëve në Universitetin e Vlorës, në Ligjin mbi Arsimin e Lartë thuhet se "çdo shtetas shqiptar, që ka përfunduar maturën shtetërore, ka të drejtë të kandidojë për t‘u pranuar në ciklin e parë të studimeve". E më tej: "Kriteret e përgjithshme dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve përcaktohen me udhëzim të MASH". Po sipas këtij ligji, universiteti ka të drejtë të përcaktojë kritere shtesë, por ato duhet të bëhen të ditura qysh një vit më parë.

Duke dashur të shmangë komentet vetjake për një rast si ai i Vlorës, sidomos për sa i takon të drejtës dhe ligjshmërisë, që mesa duket atje përplasen dukshëm, dëshiroj të theksoj së paku dy çështje themelore: e para, autonominë e cunguar të universiteteve; e dyta, raportet e tensionuara mes partnerësh institucionalë (qeveri-universitete).

Reforma problematike në arsimin e lartë

Kam ndjekur në vazhdimësi dhe jo pa shqetësim reformën në arsimin e lartë, të ndërmarrë nga MASH. Shqetësimi im ka qenë dhe mbetet i lidhur me mungesën e vizionit nga MASH për reforma të thella e të qëndrueshme, afatgjata dhe efektive; me konsensusin e të gjitha forcave politike e të gjithë aktorëve: ministri-qeveri-parlament, po edhe pedagogë-studentë-shoqëri civile; me mungesën e komunikimit normal institucional shkolla të larta-ministri; me mungesën e autonomisë së shkollave të larta, pavarësisht nga demagogjia e qeverisë. Matura Shtetërore, për shembull në trajtën si realizohet sot, është rudimenti ndoshta më i shëmtuar i state-izmit të ekonomisë së centralizuar dhe të planifikuar nga lart, që e kemi lënë pas që para 20 viteve.

Reformën në arsim e kam mirëpritur dhe ndjekur me interesim. Por rezerva që kam krijuar për të lidhet me mungesën e përgjigjes nëse do t‘i shërbente kjo reformë rritjes së cilësisë në arsimin e mesëm e të lartë, dhe më tej akoma zhvillimit të vendit? Fatkeqësisht, faktet janë mohuese, siç kishim paralajmëruar me kohë, se "filozofia e Maturës Shtetërore lindi më shumë si një opsion semplist antikorrupsion (opsion megjithatë me rezultat të dyshimt&eumlsmiley, se sa si filozofi për përmirësimin real të pranimeve në universitete". Ç‘rezultoi pas kësaj? State-izmi dhe përcaktimi i së ardhmes individuale të të rinjve nga Ministria e Arsimit, duke zëvendësuar zgjedhjen individuale të çdo maturanti që kërkon të vazhdojë studimet. A mund të pretendohet se ke përcaktuar vetë të ardhmen, kur nuk mund t‘i dish kërkesat që ka ky apo ai universitet ku t‘i dëshiron të vazhdosh studimet? Apo, a mund të pretendohet se ke përcaktuar vetë të ardhmen, kur të imponohet nga shteti të parashtrosh kërkesat për 10 degë?!

Programi i qeverisë "Berisha 2", i paraqitur këto ditë, parashikon që në vitin 2013 Shqipëria të ketë 150 mijë studentë dhe buxheti për arsimin nga sektori publik e privat të arrijë 7% të PBB, apo dy herë më shumë se para 8 viteve. Për t‘iu përgjigjur këtij numri studentësh (pa llogaritur nevojat e arsimit në përgjithësi), buxheti i arsimit të lartë do të konsumonte të gjithë buxhetin për arsimin! E pamundur! Atëherë cilën shifër duhet të besojmë nga programi i qeverisë: numrin e studentëve, apo buxhetin e arsimit? Por a është real ky numër studentësh i planifikuar dhe a ka nevojë tregu për ta? Ndërkohë, në universitete mungojnë mjediset e përshtatshme për studentët. Qeveria nuk ka mundur akoma, tash dy vjet, të kthejë studentët e Juridikut e të Shkencave Sociale në godinën e tyre, por ata po sorollaten nga një godinë në tjetrën. Nuk ka stafe të mjaftueshme e të kualifikuara akademike për zhvillimin e mësimit. Diplomën e shkollave tona të larta nuk e njeh kush jashtë, por në disa raste nuk po e njohin edhe vetë institucionet tona, bile për këtë ka pasur protesta të vazhdueshme të studentëve. Pra, arsimi i lartë, sipas programit të qeverisë "Berisha 2", synon sasinë, pa garantuar cilësinë e tij.

Arsimi cilësor, impakt në zhvillimin e vendit

Politikat arsimore kanë një impakt të rëndësishëm në zhvillimet e pritshme, prandaj ky qëllim duhet të udhëheqë reformën arsimore, veçanërisht kur është fjala për arsimin e lartë. Reforma arsimore është e lidhur me nevojën për një kontribut të efektshëm në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit, për një ndikim më të madh në integrimin e ardhshëm europian të tij. Kthesa cilësore në arsim, që ndodhi në shkallë botërore në shekullin XX, erdhi si rrjedhojë e ndjekjes së alternativës:

Ekonomia në funksion të arsimit u zëvendësua me arsimin në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Japonia është shembulli më tipik në këtë qasje. Kjo qasje bëhet më e rëndësishme sot në shekullin XXI, sidomos për Shqipërinë.

Në programin e qeverisë "Berisha 2" parashikohet në letër se "... për Qeverinë e Integrimit Europian, gara e dijes është dhe do të mbetet promotori, lokomotiva më e fuqishme e ndryshimit të saj, e vrapit të saj drejt Shqipërisë europiane". "...Arsimi i lartë publik ka hyrë në reformim të plotë, bazuar në modelin e ‘Bolonjës‘ dhe administrohet në mënyrë autonome sipas modelit administrativ të autonomisë qeverisëse"… "Reformat në 4 vitet e ardhshme të Qeverisë së Integrimit Europian do të synojnë përmirësimin e treguesve sasiorë e cilësorë të arsimimit, duke ecur me shpejtësi drejt treguesve mesatarë të Bashkimit Europian".

Po t‘i referohemi ngjarjes në Universitetin e Vlorës, sipas modelit të "Bolonjës", senati i këtij universiteti, me përgjegjësinë që ta administrojë atë në mënyrë autonome dhe mbështetur në ligj, ka përcaktuar kriteret e pranimit në këtë universitet. Përtej rastit të Vlorës, çështja që shtrohet është: A do të punohet realisht për një kthesë reale në cilësinë e arsimit të lartë, por edhe të zhvillimit tonë ekonomik?

Nëse analizojmë faktorët që kanë përcaktuar zhvillimin e deritanishëm, duhet të kujtojmë se ekonomia shqiptare nuk e ka mbështetur zhvillimin në novacione e në teknologji, por në politikat për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, në zhvillimin e mbështetur në të ardhurat nga remitancat apo ekonomia informale, situatë që u përballua me cilësinë e burimeve njerëzore të trashëguara nga sistemi i kaluar. Nëse shtesa vjetore e PBB-së në vitin 2007 ka qenë 89 miliardë lekë, ajo e depozitave ka qenë 99 miliardë lekë. Në ato kushte, ky nivel i lartë i të ardhurave nga remitancat dhe ekonomia e jashtëligjshme, mund ta lejonte kakofoninë e mësipërme në programin për zhvillimin e arsimit të lartë (edhe masiv, edhe cilësor).

Por Shqipëria nuk mund ta mbështesë më zhvillimin vetëm te faktorët që cituam më lart, sepse po shfaqet një situatë tjetër ekonomike: dërgesat e emigrantëve po bien dukshëm nga viti në vit dhe do të bien akoma më shumë në të ardhmen. Ekonomia informale patjetër do të shkojë drejt zvogëlimit, si kusht i reformës integruese. Të ardhurat si donacione nga institucionet ndërkombëtare financiare apo shtetet donatore, si Italia, Gjermania etj., po shkojnë drejt shuarjes; të ardhurat nga doganat në kushtet e integrimit bien; borxhi i jashtëm është rritur shumë dhe duhet paguar. Në dy vitet e fundit, depozitat bankare jo vetëm që nuk kanë pësuar rritje mbi nivelin e PBB-së, por kanë pësuar stanjacion. Në korrik të këtij viti, pavarësisht nga efekti sezonal i rritjes së depozitave në verë dhe në fund të vitit, niveli i tyre ishte 24 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar. Ndaj shtrojmë pyetjen: Nga do të sigurohen kapitalet për zhvillimin e ekonomisë shqiptare? Ka ardhur koha të mendojmë e punojmë për një model tjetër zhvillimi, të mbështetur në arsimin cilësor, në shkencë e teknologji.

Alternativa e zhvillimit

Koha kërkon që Shqipëria të përgatitet me shpejtësi për të kaluar nga forma aktuale e zhvillimit në një formë tjetër zhvillimi e mbështetur në burime cilësore humane. Cilësia në arsim apo alternativa arsimi në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror, do të jenë zgjidhja edhe për Shqipërinë, si në vendet e zhvilluara që kanë ecur në të njëjtën rrugë. Kjo kërkon rritjen e autonomisë në universitete, ku ato të përcaktojnë kriteret e pranimit, siç bëjnë shumë universitete të botës. MASH, në vend që të bëjë presion ndaj drejtuesve të universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës për qëllime populiste, që nuk u shërbejnë interesave të zhvillimit të vendit, duhet të fillojë menjëherë hartimin e një ligji të ri për arsimin e lartë, me pjesëmarrjen dhe konsultimin e të gjithë aktorëve e të forcave politike, një ligj që do të rrisë frymëmarrjen dhe autonominë e universiteteve tona, që do të japë shpejt produktin pozitiv të shumëpritur: rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Në vend të përfundimit

Reagimi i universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës duket si një zile zgjimi: shoqëria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të mendojë për të kaluar nga një botë virtuale e arsimimit të lartë universal, në një botë të vërtetë të prodhimit të diplomave, sipas kërkesave të tregut. Kjo kërkon hapjen e një debati mbi një reformë rrënjësore të arsimit në vend. Dhe përderisa produktet e arsimit kanë efekte afatgjata dhe prekin çdokënd, kjo duhet të jetë një reformë që të përfshijë gjithë grupet e interesit. Në këtë çështje të ndjeshme për të gjithë, është tërësisht jashtë kohe arroganca e qeverisë.

5 Komente

Jam plotesisht dakort me Meksin, Qeveria eshte e poshter e ministri super i poshter.

Persa i perket UV, Rektori  i ketij universitetit mund te kete kryer gjashte U, e kater mastera, nuk eshte bere njeri.

Te mohosh te drejten e studimit , eshte e antiligjshme, te mohosh te drejten e zgjedhjes per jeten tende eshte antinjerzore, te mohosh rinis te drejten e argetimit JE IDIOT i pandreshem.

Nuk te pelqen jep dorheqjen, krytul.

Interesante, kishin 8-vjet ne pushtet dhe nuk bene ndonje gje per ta permisuar kete pune. Sapo ikin nga pushteti, befas kujtohen qe duhen bere disa ligje dhe kritikojne te tjeret ne pushtet pse nuk veprojne shpejt.

Shkrimi eshte konciz dhe shume i sakte. Nuk ka ngjyrime politike por shpreh shqetesimet qe na prekin te gjitheve njesoj. Vlonjat, nuk do te thoja "Sapo ikin nga pushteti", tashme qe Berisha po hyn ne vitin e peste ne pushtet. Padiskutim qe qeverite e Partise Socialiste lane shume gjera pa bere, dhe bene keq shume gjera (pa u hequr edhe meritat), por arsimi nuk duhet trajtuar si "e ka kush e ka"... Dhe qe ka marre rrugen e masivizimit me cilesine me te ulet te mundshme eshte e pamohueshme, e nuk eshte faji as vetem i Genc Pollos, ca me pak i Ermelinda Meksit - por hall i madh per te ardhmen e vendit eshte dhe per te vuajtur do ta vuajme, ndoshta deri ne lote.

 

 Qe arsimi eshte bere si kafene, kjo eshte per te ardhur keq. Mendoj se ne arsim duhet bere ndryshime dhe kontrrolle thelbesore. 

 

Te gjithe ne nje mendje jemi, vetem se mua me habit nje fakt: duke ditur se arsimi ne teresi eshte nje sistem filtrash per cdo nivel; si eshte e mundur qe ky ndryshim te filloje nga hallka e fundit, pra nga universiteti, kur filtrat precedente nga ku ky universitet merr lenden e pare, nuk ekzistojne? a mund te  funksionoje?! >>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).