Palogjuhetaret

Keta palogjuhetaret kane nje problem te madh. kerkojne variacion, ne emer te variacionit. kerkojne mundesi te kumtimit, ne emer te kumtit. kerkojne ndryshim ne emer te ndryshimit... Por nuk arrijne (si mendjengushte qe jane) te shtrojne pyetjet specifike, se cilin kumt nuk po arrijne te shprehin shqiptaret?

sol-nocturnus

16 Komente

sol, kam nevoje per ndihme: po mundohem me perkthy per qejf tem ket:

MONEY: (J D Morrisonka)

 

Money the beauty of

(currency

pale green

     greasy

ornate

     soft

furrowed

     texture)

Skin or leather.

 

E kam bo pjesën më të madhe të punës, po kom ngec tek ky vargu i fundit: Skin or Leather

Veçmas kësaj, shpresoj ta kuptojsh ku po du me dalë...

une do ta perktheja "cipë a shollë". Po e kuptoj qe deshiron te me thuash qe shqipja shpeshhere te kufizon ne kumt, por me shpesh ama jane shqiptaret qe o nuk ia njohin mire anet shqipes, o pertojne te mendohen gjate, dhe ia rrasin ne ndonje gjuhe sinkretike, shqip+angloitalisht.

 

jo se jam per konservim apo purifikim te gjuhes, patjeter qe gjuha duhet te mbaje ritmin e zhvillimit te dijeve. Por shinat e zhvillimit per dije te ndryshme shtrohen duke marre parasysh nje nga nje problemet...

Nuk e kuptoj se si do te ndihmonin slengjet per gjuhen standarte ne kete sens.

Natyrisht qe edhe dialektet, nendialektet e te folmet e ndryshme (slengjet) jane teper te rendesishme, e ndihmojne shprehine etj etj, por nuk eshte konstelacioni i tyre konfuz qe shtron rrugen e zhvillimit te gjuhes.

Sa per politizimin e gjuhes, jo po tosket ne komunizem, jo po geget ne demokraci, kjo eshte trapllik qe i ve brire gamoreve

jo se jam per konservim apo purifikim te gjuhes, patjeter qe gjuha duhet te mbaje ritmin e zhvillimit te dijeve.

 

Mundet te ishte shkruar keshtu.

jo se jam per te ruajtur pastertin e shejte  te gjuhes, patjeter qe gjuha duhet te mbaje hapin e zhvillimit te dijeve.

Ok Sol. Po e mbaj cipë a shollë.

Ajo qe desh të them është se gjuha është përfshirëse dhe jo përjashtuese. Vir re: jo mund te jetë, jo duhet të jetë por është.

Gjuha ka nevojë edhe për qumështin, edhe për t'amlin; edhe për domaten edhe për mollatartën.

Thuhet gjuha është mjet komunikimi. Komunikimi me ?

Për mua, si edhe për shumë të tjerë, ai KONGRES I Drejtshkrimit ka qënë përjashtues. Jo se nuk pati arritje; atë qëllim që i vuri vetvetes e arriti. Pothuaj!

Gjuha letrare patjeter qe mund te kerkoje e te terheqe fjale a tinguj nga te folme te ndryshme. Gjuha zyrtare, per arsye se ne qellimin e saj ka rregullin dhe strukturimin, minimizimin e kohes dhe hapesires, synon eleminimin e sinonimeve dhe te fjaleve me shume kuptime. Of course, if you wouldnt suggest every magazinjer te njohe dhe pataten dhe kertollen...

Ah! Gjuha zyrtare, lumi un për gjuhën zyrtare... Shqipëri a Shqipni?

anarki apo anarqi

ta kom llafin per gluhen byrokratike, kur te kina gubernat tona (nje lloj sinkretizmi kjo fjalia paraardhese)

M'u duk interesant vlersimi qi Prof. Arshi Pipa i ka bâ ksaj formet t'pérditshme qi quhet "Gjuha Standarte".

Prof. Arshi Pipa

Mbi t'ashtuquejtunën "Gjuhë të njësuar"

(Meqenëse trajtesa e profesor Arshi Pipës, që po botojmë këtu, sjell një gjendje gjuhe e kulture shkrimi nga diaspora, redaksia e gjykoi të arsyeshme të mos vërë dorë as në variantin e zgjedhur, as në drejtëshkrim. PHOENIX)

Gramatika shqipe (Albanian Grammar. Harrassovitz, Wiesbaden, 1984) e Martin Camajt ká meritën unike me qênë e vetmja gramatikë e shqipes e shkrueme në bazë të traditës tânësore të gjuhës letrare shqipe. Zakonisht gramatikat shqipe janë hartue në njênin ose tjetrin dialekt të shqipes, gegënisht ose toskënisht. Dhe ká pasë raste kúr auktori âsht orvatë me krahazue dý dialektet (Gjergj Pekmezi, 1908; Ilia Dilo Sheperi, 1927; Fehime Pipa, 1968). Por vetëm Camaj ja ká dalë me synkronizue në nji gramatikë krahazuese trí gjuhët letrare në të cilat shqipja âsht shkrue me shekuj; gegënishte, toskënishte, dhe arbërishte, nji punë madhore që nderon auktorin e sáj.

Veç trí shqipeve letrare të sipërpërmenduna, sot âsht në përdorim nji variantë e katërt, "gjuha letrare e njësuar", që âsht shqipja zyrtare e përdorun si në Shqipní, ashtû në Kosovë. Cili âsht qëndrimi i Camajt ndaj kësáj shqipeje? Në parathanien e vet, auktori nuk lên dyshim se ai nuk e miraton variantën zyrtare. Camaj përmendë se korifejt e gjuhësisë bashkëkohore shqipe, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej dhe Maximilian Lambertz-i, janë shprehë kundër vendimit të Lidhjes së Shkrimtarëvet Shqiptarë në vjetin 1952, mbas të cilit toskënishtja u shpall gjuhë letrare - si gjuhë zyrtare toskënishtja u imponue fíll me ardhjen në fuqí të grupit stalinist - titist shqiptar (1944). Vendimi i Kongresit të Drejtshkrimit për sanksionimin e gjuhës letrare "të njësuar" (1972) âsht pasojë logjike e këtyne masave politike. Camaj citon Xhuvanin, simbas të cilit gjuha shqipe e përbashkët duhej të dilte prej afrimit të dý dialekteve në mënyrë evolucionare me kalimin e disá breznive, mbasi "Marksismi nuk pranon shpërthime të hovëshme në zhvillimin e gjuhës" (Stalin). Rrjedhimisht, Camaj i njeh "gjuhës së njësuar" nji vlerë konvencionale, atê të nji variante, dhe e trajton si të tillë, tue i bâ vend vetëm ndër ushtrimet gramatikore, krahas me tekste gegënishte.

A mund të qëllohen katër zogj me nji fishek âsht nji çashtje methodologjike që nevojitë studim të veçantë. Merita e Camajt âsht se, me veprën e tij, ká tërhjekë vërejtjen, me takt dhe pá bujë, si i ka hije nji shkencëtari, mbi alametin e t'ashtuquajtunës "gjuhë letrare të njësuar". Camaj citon fjalën e urtë të Xhuvanit: "Nuk mund të hidhet poshtë si gunë e vjetër, ose të skutuliqet në nji muzé" gjuha e nji pjese së madhe të kombit. Fjala âsht për gegënishten letrare, e cila âsht nxjerrë jashta qarkullimit. Qysh mund të dëbohet nga letërsia nji gjuhë letrare që ka vazhdue të lavrohet me shekuj, dhe e cila ka prodhue vepra poetike që e nderojnë kombin shqiptar? Argumenti zyrtar se gegënishtja âsht përfshí në "gjuhën e njësuar" âsht gënjeshtër. Cilido shqiptar që flet e lexon shqip, kupton menjiherë, mjaft t'i hjedhë nji sý nji libri ose gazete të botueme sot në Shqipní se "gjuha e njësuar" âsht nji pilav toskënisht i biberosun me gegënisht sa për sý e faqe.

Për me ndihmue lexuesin që të ndajë pilavin prej biberit, po japim mâ poshtë nji tabelë të ndryshimeve dialektore në a) fonetikë, b) morfologjí, dhe c) syntaksë.a) të dý dialektet kanë të njâjtën serí zanoresh gojore: a, e, ë, i, o, u, y. Mesqëndrorja ë âsht shumë e përdorun në toskënishten, dhe gjindet në fillim, në trup, dhe në fund të fjalës: ëmbëlsirë. Kjo fjalë në gegënishten ndigjohet âmëlsín. Shembulli tregon se ë-ja ndigjohet në gegënishten vetëm në trup të fjalës dhe kúr âsht e ndjekun nga -l, -r, dhe -n: gogël, kundër, dimën. Së lashti, kjo zanore ndigjohej në fund të fjalës edhe në gegënishten; por me kohë u zhduk, tue zgjatue, për shpërblim, zanoren e rrokjes së mâparëshme: kohë shq. kóh. Por gegënishtja letrare e sotme e shkruen këtë zanore edhe kúr nuk e shqipton: gegënishtja shq. gegnishtja, tue i rá kështû ndesh parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes, që âsht me shkrue fjalën ashtû si shqiptohet. Këtë koncesion madhor gegënishtja ja ká bã toskënishtes për hír t'afrimit të dý dialekteve.-Gegënishtja ká zanore të shkurta, të mesme dhe të gjata (disa nëndialekte toske, si labërishtja dhe çamërishtja kanë ruejtë të gjatat). Gjatësia e zanorevet në gegënishten shënohet me theksin e prehtë: á, é, í, ó, ú, ý. Në toskënishten theksi i prehtë nuk përdoret: ká/ka, fé/fe, dhí/dhi, aló/alo, gúr/gur, dý/dy.- Gegënishtja ká gjithashtû zanore hundore, të cilat shënohen me theksin hundor, â, ê, î, û, y: lâ, vê, hí, drû, sy. Këto fjalë në toskënishten tingëllojnë: lë, vë, hi, dru, sy. Gjurma të zanoreve hundore ndigjohen në toskënishten: në Devoll, (G) ndigjohet , në Himarë dalin trajtat gjûn, syn. Theksi hundor nuk shënohet në toskënishten. Nazaliteti âsht karakteristikë e thuejse të gjitha të folmevet gege, tue e afrue kështû gegënishten me frengjishten.- Përveç zanorevet të gjata dhe hundore, gegënishtja ká edhe zanore që janë njikohësisht të gjata dhe hundore. Kristoforidhi, te Katër Ungjillat (1872), shënon me makron të gjatat, me circumfleksin hundoret, dhe me të dy këta shenja zanoret që janë njiherit të gjata dhe hundore: "Edhe përse shikon teshënë qi âsht ndë sy tyt vëllã, edhe tranë qi âshtë ndë sy tand nuk e ndien?" ( Matheu VII,3). Çashtja e drejtëshkrimit të hundorevet të gjata âsht e koklavitun. Mendimi im âsht me përdorë shenjin / ~ / (tue e konsiderue këtê si kombinim të makronit me shenjin hundor) sidomos në pjesoren e pakontraktueme të verbavet: me (tue) bã, me (tue) nde, me (tue) gri, me (tue) vu, me (tue) shty, mbasi këto trajta verbale janë kontraktime të trajtave bâmë (T bër&eumlsmiley, ndêmë (T nder&eumlsmiley, etj. Kështû grafia me gri ruen korrespondencën fonetike me toskënishten për të grirë, kurse grafia me grî nuk e ruen.- Zanores gegënishte a hundore i pergjigjet zanorja ë në toskënishte: âsht/ësht(&eumlsmiley, zâ/zë, lânë/lënë, lâmë/lëmë. Duhet vu në dukje se zanorja ë e theksueme toskënishte ká në disá të folme toske nji timbër hundor. Tue marrë parasysh këtë fakt, dhe për hir të korrespondencës fonetike mes dy dialekteve, âsht e këshillueshme që shenji hundor të përdoret në toskënishten letrare: , jo ; lênë, jo lënë, tue kufizue kështu përdorimin e tepruem të ë-s në toskënishten.- Zanores gegënishte ê hundore i përgjigjet në toskënishte ose nji ë, ose nji e: vê/vë, por rê/re.Toskënishtja ká nji radhë difthongjesh mâ të gjatë se gegënishtja, e cila monofthongizon ue, ie, ye ú, í, ý: mue-mú, diell-díll, fyell-fýll. N'anën e vet, toskënishtja i dyrrokëzon këto difthongje: mu-a, di-ell, fy-ell. Konstrasti ue/ua âsht shumë i rândësishëm në pikëpamje statistikore, mbasi shume fjalë e sidomos verba mbarojnë me -u(e)/ uar. Mbasi ue ndigjohet, gjithashtû i dyrrokëzuem, në Malet e Veriut, gegënishtja letrare e shkruen këtë difthong, tue iu afrue kësisoj toskënishtes letrare: thue/thua.- Kontrasti vo/va në fjalë që nisin me v âsht i kufizuem: voj/vaj, vorr/varr, votër/vatër.- Nji dallim kryesor mes dý dialekteve âsht rotacizmi toskë. Aty kû gegënishtja ká nji n ose m zakonisht intervokale, toskënishtja ka nji r: rânë/rërë, bâmë/bëmë. Rotacizmi âsht i shpeshtë sidomos në pjesoren e verbavet: lamë/larë, lemë/lerë, shkruem (<-shkruem&eumlsmiley /shkruar, kursyem (<-kursyem&eumlsmiley /kursyer, rritun (<-rritun&eumlsmiley /rritur. Rotacizmi âsht karakteristikë kryesore e toskënishtes.- Toskënishtja shurdhon bashkëtingëlloret e zâshme në fund të fjalës, të cilat ndigjohen të zâshme në gegënishten: elb/elp, zog/zok, u dogj/u doq, mund/munt.- Togjet mb dhe ngj, që në toskënishten ndigjohen m-b dhe n-gj, gegënishtja i shqipton të padallueme, mm dhe nj. Togjet ng dhe nd, të cilat në gegënishten shqiptohen afërsisht si n'anglishten, domethânë si nji tingull i posaçëm, në toskërishten shqiptohen me nji dallim të lehtë të bashkëtingëllorevet g dhe d. Gegënishtja letrare shkruen trajtat toske - tjetër koncesion.- Theksimi i fjalëvet nuk âsht gjithmonë i njâjtë në dý dialektet: G ài(aj)/T aì, G nìeri/T njeri, G tèqë,/T teqè, G bàbë/T babà.Këto janë ndryshimet fonetike kryesore. Ka edhe tjera, minore, të cilat nuk âsht vendi këtu me i tjerrë. Të kalojmë te morfologjia.b) - Gegënishtja ka ruejtë paskajoren, të cilën toskënishtja e zevendson me nji perifrazë qëllimore: me bã/për të bërë, me këndue/për të kënduar. Ky âsht nji ndryshim madhor, i cili reflektohet në t'ardhëshmen gegënishte: kam me bã (kam + paskajore), kurse toskënishtja ká do të bëj (do + lidhore), si edhe në të kaluemen e kushtores: kisha me bâ - toskënishtja ká do të bëja.- Ndryshojnë gjithashtû edhe mbaresat e së tashmes diftore: G qepi, qepë (n), qepë /T qep, qep, qep.c) Në syntaksë, dallimi kryesor qëndron në përdorimin e paskajores gegënishte në vend të lidhores toskënishte. Krahazo: "I thashë me marrë shënim" me "I thashë të merrte shënim". Këtu ká paralelizëm. Por "I thashtë me më bã me hangër" duhet ndërtue ndryshe në toskënishten: "I thashë të më bënte gati drekën (darkën)". Po kështû, nji frazë kushtore gegënishte, "Me ma falë, s'e marr", ká tjetër strukturë syntaktikore në toskënishten: "S'e marr, edhe po të ma falësh". Në pikëpamje syntaktike, paskajorja perifrastike toskënishte nuk âsht e vlerëbarabartë me paskajoren gegënishte. Nji frazë, "Me punue âsht detyrë", nuk mund të këthehet toskënisht "Për të punuar është detyrë", mbasi kjo frazë âsht e mvarun dhe nënkupton nji frazë të pamvarun, të themi, "Jam stërvitur për të punuar". Korrespondenti toskënisht i frazës, "Me punue âsht detyrë", âsht "Të punuarit është detyrë".Dihet se nji gjuhë dallohet nga nji tjetër kryesisht nga struktura gramatikore. Me ndryshimet e sipërme, struktura gramatikore e shqipes âsht e njâjtë. Të shohim tash se cila âsht struktura e gjuhës së njësuar, shprehje kjo e cila âsht synonyme me `gjuhë të përbashkët'. Janet Byron, që ka shkrue nji monografi shkencore mbi "gjuhën e njësuar", Selection Among Alternates in Language Standardization: the Case of Albanian (1976), citon Androkli Kostallarin, i cili ka qênë dhe âsht korifeu i "gjuhës së njësuar": "Sistemi fonetik i shqipes moderne letrare... âsht përfundimi i zgjedhjes normative të elementevet të përbashkëta të dý dialkteve shqipe" (f. 82). Auktorja përshkruen gjenezën e "gjuhës së njësuar" si vijon:

Toskënishtja ká përbâ thelbin origjinal të shqipes së standardizueme. Kúr prisat toskë morën pushtetin, ata vûnë në pah dialektin e tyne të lavruem. Por modelet shumë të rândësishme të toskënishtes letrare ishin të shumëllojshme (fenomen ky që shpjegohet, nga njêna ânë, me historinë e gjatë të përdorimit të toskënishtes letrare, dhe, nga âna tjetër, me origjinën e ndryshme (krahinore) të shkrimtarëvet toskë letrar&eumlsmiley. Përpunimi i vetëdishëm i kësáj variante letrare nën socializmin ká privilegjue disa elemente të këtyne modeleve dhe, në të njâjtën kohë, ka transformue dhe njisue dialektin letrar. Përpunimi në fjalë, zgjanimi i funksionevet (sidomos në lâmën politike dhe ideologjike), dhe ndryshimet e bâme në gramatikë dhe në leksik, i kanë dhânë thelbit letrar toskë tipare të cilat, sot mbas trí dekadash planifikimi për reformën, e dallojnë atê nga toskënishtja letrare e periudhës fill para Çlirimit dhe para vjetëvet të parë të qeverisë revolucionare, tue vazhdue në të njâjtën kohë variantën letrare toskënishte (63).

Simbas auktores, ndryshimet mes toskënishtes letrare dhe "gjuhës së njësuar" përmblidhen në këto pika:1. Gjuha e njësuar ká pranue dý trajta gegënishte: mbaresen e pjesores në -ues për nomina agentis, si mësues, sulmues, si edhe mbaresën -ueshëm për adjektiva si i kuptueshëm, i besueshëm - trajtat respektive toskënishte janë mësonjës, sulmonjës dhe i kuptuar, i besuar. Pse u eliminua mësonjës? trajta âsht arkaike; "gjuha e njësuar" ká mësoj, jo mësonj; ajo, parimisht u shmanget arkaizmavet. Pse jo mësojës, atëherë? Kjo trajtë i bie ndesh prirjes për njisim të toskënishtes. Nji tjetër arsye âsht se mësues, sulmues, kishin fillue të përdoren gjatë luftës kundër okupatorit (brigada sulmuese e Mehmet Shehut). Trajta tjetër gegënishte në - ueshëm u adoptue për me eliminue ambiguitetin e trajtës i besuar, që don me thanë jo vetëm `believed', por edhe `believable': njeri i besuar, `believable man'. Përfundon auktorja: "Dobia e këtyne dý huazimeve duhet kërkue në fund të fundit te disá boshlleqe të toskënishtes, tue përfshi toskënishten letrare" (89).2."Gjuha e njësuar" ká adaptue gjithashtû trajtën gegënishte të bashkëtingëllorevet të zâshme në fund të fjalës: elb, jo elp, u dogj, jo u doq. Këto janë tiparet gegënishte që "gjuha e njësuar" ka huajtë nga gegënishtja. Vetëm këto? do të pyesë lexuesi me habí. Auktorja përmendë edhe disá cikrrime tjera: huazimin nga gegënishtja të përêmnit refleksiv i vet(&eumlsmiley, dhe të lidhëzavet asgjâmangut, meqênëse, dhe domethânë (këto fjalë toskëzohen te Fjalori i Kostallarit (1980): asgjëmangut, meqenëse, domethënë). Auktores i kanë shpëtue edhe dy huazime tjera. Në gegënishten, e zâshmja përkon me të zâshmen, e shurdhëta me të shurdhëtën G zhduk/ T çduk, G zbraz/ T sbras. "Gjuha e njësuar" ka miratue këte, si edhe mbaresën gegënishte në -izëm-i: komunizëm-i - por komunizmë-a âsht e gjinisë fêmnore te Fjalori i Kostallarit. (Dhe me të drejtë: komunizmin e kanë bâ burrat, jo gratë; për gratë janë konizmat e ikonat: "Në shtëpira ruhen ende ikona, kryqe që përdoren si varëse nga gratë...", Bashkimi, 21 korrik 1973).

II

"Gjuhë e njësuar". Katër a pêsë huazime nga fonetika gegënishte, edhe ato për nevojë; asgjâ nga morfologjia. Dhe kjo na u thânka "gjuhë e njësuar"! Por ndofta "njësimi" duhet kërkuar tjetërkund. T'i hjedhim nji sý Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), hartue nën drejtimin e Kostallarit, me pjesëmarrjen e tre redaktorëve (nga të cilët, tue gjykue prej êmnavet vetëm nji âsht geg&eumlsmiley.Në parathanien, Kostallari cilëson fjalorin si "një fjalor të ri shpjegues, sa më normativ me një fjalës (vokabular) më të gjërë e më sistemor, me frazeologji më të pasur dhe me kërkesa ideoshkencore më të larta" (v). Mbi ideoshkencën e fjalorit (vetëm stalinizmi ká guximin barbar me përngjitë ideologjinë me shkencën, të cilat shkojnë bashkë si maca me mîun) ká shkrue nji artikull në shtyllat e Diellit Anton Logoreci. Unë do të kufizohem me disá vërejtje mbi normativitetin, vokabularin dhe frazeologjinë.Çâshtja e normativitetit nuk më duket se ká nevojë për shumë fjalë mbas shqyrtimit të strukturës gramatikore të "gjuhës së njësuar". "Njësimi" ká të bâjë me variante të toskërishtes, jo të gegënishtes letrare, plus disá tipare fonetike gegënishte të cilat mbushin boshlleqe dhe bâjnë qortime në systemin fonetik të toskënishtes. Këto plotësime dhe qortime e hijeshojnë atê ashtû si biberi pilavin, ose si hijeshon kostumin faculeta e xhepit të vogël, e cila mund të shërbejë rastësisht edhe kur kullojnë hundët.Çâshtja e vokabularit, domethânë e zgjedhjes së fjalëve, përcaktohet nga Kostallari si vijon: "Ky fjalor është mbështetur kryesisht në lëndën gjuhësore të këtyre katër dhjetëvjeçarëve të fundit". Me fjalë tjera, vokabulari i Fjalorit i përket "kryesisht" periudhës që nisë me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare (1941) deri te data e botimit të Fjalorit (1980). Lexuesit duhet t'i bâhet e ditun në këtë pikë theoria gjuhësore e nji gjuhëtari dikúr me shumë famë në Bashkimin Sovjetik, N. Ja. Marr. Simbas tij, gjuha ká natyrë klasore; ajo âsht n'origjinë monopol i priftënvet që e përdorin "si armë klase" (Lawrence Thomas, The Linguistic Theories of N.Ja.Marr (1975, f. 138). Nuk ká pasë kurr nji gjuhë jo-klasore, mbasi gjuha âsht nji fenomen superstruktural i përcaktuem nga mënyra e prodhimit. Çdo mënyrë prodhimi përfton gjuhën e vet. Parimi i nji familje' indoeuropiane që degëzohet nga nji trung i përbashkët âsht nji myth, simbas Marr-it, i cili rrëzon kështû me nji të rame spate mbarë gjuhësinë krahazuese indoeuropiane. Gjuhët përzihen njêna me tjetrën, nuk rrjedhin prej njêna tjetrës. Kështû armenishtja âsht nji gjuhë hybride, e dalë nga përziemja e racës jafetike me racën ariane. Nuk âsht fjala vetëm për huazime të thjeshta, por për efekte gjuhësore kryqëzimi racash. Gjithashtû, dialektet nuk janë degëzime të nji gjuhe, por gjuhë të tjetërsueme me mbeturina gjuhësh tjera; nji dialekt âsht "çka vazhdon me mbijetue nga nji gjuhë e pamvarun" (f. 108). Pelasgët ishin nji komb jafetik. Shqipja, si edhe armenishtja, përfaqëson "nji fazë të ndërmjeme mes jafetikes së pastër dhe indoeuropeishtes së përkryeme" (f. 119).Mënyra se si Kostallari e përshkruen vokabularin e Fjalorit çfaqë ndikesa të Marr-it; vokabulari asht gjuhë klase, gjuha e klasës sundimtare. Kostallari e din mirë se guri themeltar i shqipes letrare u vu nga nji prift (1555), se fjalori i parë i shqipes u përpilue po nga nji prift (1635), dhe se gramatika e parë e shqipes u shkrue gjithashtû nga nga nji prift (1716). Por mbasi gjuha e priftënvet âsht gjuhë klase që shërben "si armë klase", ai përpiqet me zhdukë gjurmat e saja nga fjalori i tij 'proletar'. Qe çka shkruen ai vetë: "Themelet e gjuhës së sotme letrare kombëtare, në tërë sistemin e saj, u hodhën që gjatë Rilindjes... Prandaj caqet historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe dhe të Fjalorit që po botojmë përfshijnë periudhën që nga Rilindja e këtej". Me fjalë tjera, letërsia shqipe para Lidhjes së Prizrenit - Buzuku, Matranga, Budi, Bogdani, Kodiku i Chieuti-t, Nezimi, Dhaskal Thodri, auktori i Milosaut, Santori e sa tjerë - mbetë jashta "caqe(ve)t historike" të Fjalorit. "Gjuha e njësuar", për sa i përket strukturës gramatikore, âsht "gjuhë e gjysmuar"; përsa i përket leksikut, âsht "gjuhë e gjymtuar".Por "gjuha e njësuar" nuk âsht vetëm "gjuhë e gjysmuar" dhe "gjuhë e gjymtuar"; ajo âsht "gjuhë e spastruar". E spastrueme nga çfarë? Nga plehnat letrarë. Nji shembull âsht Fishta. Poeti-prift jetoi në nji periudhë që përfshîhet mbrenda caqeve historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe. Megjithatê, leksiku i tij nuk gjenë vend të Fjalori. Lambertz-i, i cili ka përkthye gjermanisht Lahutën e Malcís (1958), ka përfshî leksikun e pasun të Fishtës te fjalori i vet Albanisch-Deutsch Wörterbuch (1954). Po japim disá shembuj: kryqalí Christian, shkinë Slav woman, mêc boy, shmrijak Alpine pasture shepherd, grrêç gourd, latrâc an animal's, dheskë lure, leçitë ban. Asnjêna nga këto fjalë nuk gjindet te Fjalori i Kostallarit. E prá këto fjalë janë të popullit, Fishta nuk i ká krijue ato. Ta zâmë se ai paska qênë reaksionuar, dhe, si i tillë nuk duhet të bâjë hije në letërsinë shqipe. Por ç'faj ka gjuha e tij që të shlyhet nga Fjalori? Tue shlye gjuhën e tij që âsht e popullit, Kostallari ndeshkon popullin përveç se poetin - shembull tipik i "ideoshkencës" kostallariane.Ç'kuptim ka fjala shkencë për hartuesin e "parimeve teorike" të Fjalorit? Për tê shkenca âsht e tillë kur i shërben ideologjisë klasore proletare: "Grupi hartues ka synuar që shpjegimi të jetë sa më i qartë e i thjeshtë, pa ulur kërkesat themelore shkencore. Shpjegimet e vlerësimet e fjalëve e të shprehjeve mbështeten në ideologjinë proletare, marksiste-leniniste, në pozitat e shoqërisë sonë socialiste" (emfazë e shtueme) (v). Në të njâjtën faqe lexohet: "Në përgjithësi është pasur parasysh që Fjalori... është filologjik, gjuhësor dhe jo enciklopedik". Nji fjalor âsht gjuhësor kúr në tê jepen shënime mbi trajtat e ndryshme dialektore si edhe mbi vendin kû flitet fjala ose shprehja. Kështû vepron Kristoforidhi në veprën e vet, Lexison Albano-Ellenikon (1904) (transliterue nga Xhuvani, Fjalor shqip-greqisht (1953). Kështû veprojnë, sado në masë mâ të vogël, auktorët e Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), nën drejtimin e Kristaq Cipos. Kështû nuk vepron Kostallari në Fjalorin që mban vulën e tij. Nji fjalor âsht filologjik kur dallon huazimet, neologjizmat, trajtat e luhatshme, dublonët, etj., tue përmbajtë gjithashtu shënime gjuhësore, sidomos krahasuese, si edhe shënime historike, të cilat i shërbejnë leximit dhe shkrimit të veprave letrare. Asnjêna nga këto veçori e as edhe gjurmat e tyne nuk ndeshen te Fjalori filologjik dhe gjuhësor i Kostallarit.Po çfarë âsht atëherë ky fjalor? Përveç se ideologjik, ai mund të cilësohet edhe si fjalor frazeologjik. Frazeologjia jashtëzakonisht e pasun e shpëton atê nga nji dënim kategorik. Kriteri ideologjik qeverisë gjithashtu zgjedhjen e frazeologjisë, si do të shohim mâ tutje. Por mbasi frazeologjia kapërcen tutje e tëhu "caqet historike" mbrenda të cilave âsht rrasë Fjalori, ideologjia ngelë e përciptë. "Është pasur parasysh", - vazhdon Kostallari - "nëse fjala ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj. dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen apo me ato që rrëgjohen e shuhen. Ky është parimi themelor që ka udhëhequn zgjedhjen e fjalëve dhe të frazeologjisë" (emfazë e shtueme) (ix).Dihet se frazeologjia âsht element kryesor shprehje' në çdo gjuhë, por sidomos në gjuhë, si shqipja, të cilat nuk janë të pasuna me fjalë abstrakte dhe me terma shkencore. Njihet gjithashtû vlera e sáj në stylistikë. Mâ poshtë do të kufizohem me shqyrtimin e dý kritereve tjera kostallariane të zgjedhjes: pastërtia e gjuhës, dhe aktualiteti i sáj.Në se për pastërtí të gjuhës kuptohet purizmi, duhet pohue se Fjalori âsht i mbushun me fjalë turqishte dhe huazime nga tjetra gjuhë të hueja. Pastërtia në fjalë âsht e llojit ideologjik. Ajo, sikurse bâhet e qartë nga kriteri binjak i aktualitetit, qëndron, nga njêna ânë, në spastrimin e fjalëve dhe shprehjeve që u shtrembënojnë buzët qerberëvet të pastërtisë doktrinare, dhe, nga âna tjetër, në toskëzimin e leksikut dhe të frazeologjisë gegënishte. Nji shembull: vathë del me shumësin vithna te Fjalori i Cipos, kurse te Fjalori i Kostallarit del me shumësin vathë. Pse jo vithna? Pse kjo âsht trajtë gegënishte, dhe, për mâ tepër, gjindet te Lahuta e Malcís. Férr e parrîz janë të dyja fjalë gegënishte. E para âsht përfshi në Fjalorin pse korrespondenti skëterrë âsht fjalë me tjetër rranjë; e dyta nuk âsht përfshi (Cipua e ka) pse toskënishtja parajsë ká të njâjtën rranjë. Kriteri âsht me pranue fjalë gegënishte ose kur korrespondenti toskënisht mungon (me qitë, me u de, kupucar, dom, resë, etj.) ose kur korrespondenti toskënisht asht nji fjalë me rranjë të ndryshme. Me fjalë të tjera, pasunimi i Fjalorit bâhet për dobí të toskënishtes dhe me tjetërsimin (toskëzimin) e gegënishtes. Kriteri âsht levërdia, dhe fenomeni ká êmnin shfrytëzim. E prá "ideologjia proletare, marksiste-leniniste" e Tiranës lufton kapitalizmin për mort. Por kúr âsht puna me shitë "gjuhën e njësuar", ideologjia 'proletare' kopjon kallepin kapitalist. Të vimë tash te frazeologjia.Shqipja âsht gjuhë jashtëzakonisht e pasun me frazeologjí. Ndofta për arsye se frazeologjia gegënishte âsht mbledhë e botue mâ heret se frazeologjia toskënishte, e para ká mâ pah se e dyta. Në nji fjalor të shqipes, natyrisht, që të dyja duhen përfshi. Qysh i përfshînë ato Kostallari? Ai i përfshînë tue fshi frazeologjinë gegënishte. Të marrim si shembull verbin me marrë, frazeologjia e të cilit zên afër katër faqe te Fjalori i Kostallarit. E njâjta folje zên afër nji faqe te Fjalori i Cipos. Ky fjalor regjistron, mes tjerash, këto shprehje: "i merret goja" 'i mbahet goja'; "më merret zani" 'ngjirem'; "më merret fryma" 'më zihet fryma'. Që të tria këto shprehje janë gegënishte edhe vetëm gegënishte. Kjo vêhet në dukje tue dhânë korrespondentin toskënisht (fjalori âsht bazue në toskënishten). Shikoj Fjalorin e Kostallarit për me pá qysh janë dhânë këto trí shprehje. Nuk janë dhânë fare. Si shpjegohet mungesa e tyne në nji fjalor që i kushton kater faqe frazeologjisë së foljes me marrë? Përgjegja âsht: ato janë shprehje gegënishte dhe vetëm gegënishte. Shprehje të këtilla ose nuk figurojnë në Fjalorin kostallarian, ose, kúr figurojnë, jepen të toskëzueme. Shprehja "qit dokrra në hi" âsht, me sá dij unë, vetëm gegënishte veriore; në Shkodër ajo ndigjohet "qet dokrra në hi". Lexuesi që nuk e din se verbi me qitë âsht gegënisht dhe vetëm gegënisht dhe se dokërr i përgjigjet toskënishtes gjepur, do ta marrë shprehjen në fjalë për toskënishte. Toskëzimi i shprehjes në këtë rast ká êmnin mashtrim.Nji tjetër rast mashtrimi âsht pjesorja e po kësáj folje': i qitur. Shembujt e dhânë nga Kostallari janë: trim i qitur, puntor i qitur, etj. Por këta shembuj janë idiomatikë vetëm në gegënisht. Cipua rregjistron: "trim i qitun" 'trim me fletë'. Cipua bân dallimin, nuk i mohon gegnishtes çka âsht vetëm e saja. Kostallari nuk bân dallimin, ai bân "njësimin". "Njësim" këtu don me thânë përvetësim. Pushtuesi i njeh vetes të drejtën e plaçkitjes së gjuhës së të pushtuemit. Gjuha jote ishte jotja; tash âsht imja. Dhe derisá âsht imja, âsht në tagrin tim ta përdori si të më leverdisë mue. Fenomeni mund të përshkruhet si imperializëm (kolonializëm) gjuhësor krahinor.

III

Nga ç'âsht thânë deri këtu del qartë se politika e t'ashtuquejtunit "njësim" të gjuhës letrare âsht nji politikë njiheri rrafshimi dhe spastrimi. "Njësim" dhe rrafshim janë koncepte të ndryshme që 'ideoshkenca' e Tiranës ngatërron qëllimisht tue u hjedhë pluhun syvet. Rrafshim âsht nji metaforë për uniformizim - terma zyrtare për këtê në gjuhësinë staliniste âsht normativizim. Tirana âsht specializue në përdorimin e nji nomenklature në të cilin derri quhet dajë dhe ideologjia shkencë. Në romanin e vet, Pashallëqet e mëdha, Ismail Kadareja përshkruen mjeshtërisht 'truallzimin' (terma e tij për rrafshimin) e krahinavet rebele që perandoria turke ka vendosë me i bitisë:

Këta njerëz s'kishin më gjuhë të vetën, zakone, ngjyra, dasma, valle, alfabet, histori, kalendare, kronika, apo gojëdhëna. Gjithçka kishte humbur. Kujtesa e tyre ishte lëmuar ngadalë, çdo gjë ishte fshirë, ashtu si ajo rrafshira... (Rilindja, 1980, ff. 155-56).

Në këtë roman Kadareja alegorizon politikën staliniane të rusifikimit të Bashkimit Sovjetik. Styli hyperbolik stigmatizon hypokrizinë e parullës staliniane se "socializmi âsht internacionalist në përmbajtje, por nacionalist në trajtë". Rusifikimit te kombevet të ndryshme të Bashkimit Sovietik i përgjigjet toskëzimi i Gegënisë në lâmën gjuhësore. 'Krahazimi eliptik' (Gramsci) nënkupton se dý dialektet janë në të vërtetën dy gjuhë. Pamë se Marr-i e konsideron dialektin si gjuhë të çoroditun nga përziemja me një tjetër gjuhë. Dhe pamë gjithashtû se, simbas tij, shqipja âsht nji gjuhë hybride. Kostallarët shqiptarë që kanë rrafshue gjuhën shqipe tue e spastrue njikohësisht nga lera gegënishte, janë dishepuj të Marr-it. Ata nuk mund të shpallen si të tillë mbasi Stalini, në nji radhë artikujsh mbi gjuhën (1951) e dërmoi t'ashtuquajtunën "shkencë kaukaziane" të Marr-it, tue hjedhë poshtë theorinë e tij se gjuha âsht klasore dhe superstrukturale. Qëndrimi i Kostallarit ndaj gjuhës âsht në themel klasor, dhe manipulimi i tij i gramatikës shqipe me spastrimin e trajtave gegënishte ká shtampë të dukëshme staliniane. Verbi 'spastroj' përkufizohet te Fjalori si vijon: "heq papastërtinë e mbeturinat që kanë zënë vend ose që janë përzier me diçka" (emfazë e shtueme). Simbas Marr-it, dialektet janë "përziemje të gjuhës standart... me mbeturina gjuhësh tjera" (emfazë e shtueme) (L. Thomas, op. cit., f. 108). Kadareja ká kuptue se për kostallarët gegënishtja âsht nji gjuhë e përdhosun, e cila përlyen shqipen e vërtetë që âsht toskënishtja. Këndej huji i tij kundër kostallarëvet që çfaqet, mes tjerash, me përdorimin e tij shumë të shpeshtë të fjalëve dhe shprehjeve gegënishte. Pashallëqet e mëdha âsht nji roman mbi Ali Pashë Tepelenën dhe mbi dështimin e ândrrës së tij me krijue nji Shqipní të pamvarun. Ai dështoi pse nuk qe i zoti të ndërmerrte "(krye)ngritjen e një shteti kundër një stërshteti". Atê mundi ta bânte nji Skanderbeg në mesjetë, dhe nji tjetër në kohnat tona: "Ai do të vinte, i pritur nga shekujt për të ribërë atë që u zhbë pas vdekjes së Skënderbeut" (97). Shpotí e hollë apo lajkë kurtizani? Njêna edhe tjetra. Pá këto pehlivanlleqe, Kadareja nuk do të kishte mundë me shkrue çka vijonsmileyrocesi i shkombëtarizimit të plotë ose të pjesshëm të popujve, që ishte detyra kryesore e Arkivit Qendror, bëhej sipas doktrinës së vjetër sekrete të "Kra-Kra-së" dhe kalonte nëpër pesë faza kryesore: e para zhdukja fizike e rebelimit; e dyta, zhdukja e idesë së rebelimit; e treta, zhdukja ose gjymtimi i kulturës, artit, zakoneve; e katërta, zhdukja ose gjymtimi i gjuhës, dhe e pesta, zhdukja ose dobësimi i kujtesës kombëtare.Nga të gjitha këto, faza më e shkurtër ishte zhdukja fizike e rebelimit, që s'ishte gjë tjetër veçse lufta, kurse faza më e gjatë ishte zhdukja e gjuhës, ose Nul-gjuha, siç quhej në terminologjinë e re.Në një raft të rëndë prej bronzi ishin dosjet e gjuhëve të vdekura. Ato ishin të trasha, por shumica e fletëve të tyre ishin të shuara me kujdesin më të madh. Ishin shuar fjalët e fjalorit, rregullat e gramatikës dhe të sintaksës gradualisht, sipas rrallimit ose zhdukjes së tyre dhe në fund ishin shuar shkronjat e alfabetit, rekëtima e fundit e gjuhës së shkruar, pas së cilës vërtetohej vdekja e saj e plotë. Atëherë, fill pas kësaj fillonte proçesi tjetër akoma më i gjatë e më i mundimshëm, zhdukja e gjuhës së folur, i cili gjithashtu kishte nënfazat e tij.Për një kohë të gjatë kishte pasur dy korente të kundërta në lidhje me ruajtjen ose jo të dokumentacionit për gjuhën që duhej të vdiste. Një palë thoshin se, së paku, në dosjen unikale të Arkivit Perandorak mund të ruhej gjuha, të tjerët ngulnin këmbë që kjo s'i hynte në punë askujt dhe, veç kësaj, linte mundësi ringjalljeje të ish-gjuhës. Korenti i dytë kishte fituar më në fund. Ithtarët e këtij korenti kishin gjetur në kronikat e vjetra rastin e ringjalljes së nji gjuhe, të cilin kronistët e kishin quajtur me tmerr "Gjuhë-Krisht". S'dihet si ndodhi, shkruanin ata, që një gjuhë e vdekur prej kohësh u shfaq përsëri mbi fëtyrë të dheut.Me këtë faqe të kronikës në duar, ata që kërkonin zhdukjen e krejt dokumentacionit të gjuhës, e patën lehtë ta fitonin në fund polemikën, që kishte vazhduar gati dhjetë vjet.Në dosje të veçantë ishte shënuar gjithë përvoja e degradimit: krahasimi çdo vit i fjalorëve, ku fjalët rralloheshin si gjethet në nëntor, rrënojat gramatikore, atrofizimi i pjesëzave, sidomos i parashtresave, dhjamosja e sintaksës. Gjuha dalngadalë fillonte e trashej si e folura e një njeriu belban. Një gjuhë e tillë ishte praktikisht e padëmshme, sepse ajo, ashtu si një grua me mitër të hequr, humbte aftësinë për të pjellë vjersha, tregime, legjenda.Në këtë pikë quhej e kryer një nga fazat kryesore të proçesit të gjuhëzhdukjes. Përtej saj fillonte faza e mëtejshme: ftohja e gjuhës. Atje ishte fillimi i kaosit, përçartjes, gjersa vinte rënia e gjuhës në koma, që ishte edhe grahma e fundit e saj. Duke shfletuar kronikat e herëshme, që flisnin për agonitë e gjuhëve, funksionarët e rinj energjikë të Arkivit Qendror ëndërronin kthimin e atyre kohëve të mundësive të mëdha. Mirëpo pas disa vjetësh pune në Arkiv ata e kuptonin se vetëm plakja e një gjuhe hante jetë të tëra brezash njerëzorë, pa le pastaj vdekja e saj. Ata bekonin fatin që shteti kërkonte gjithmonë e më pak, madje nganjëherë hiqte dorë edhe nga kërkesa për gjymtim të gjuhës, duke u kënaqur vetëm që shkrimtarët dhe rapsodët e vendit të nënshtruar të braktisnin gjuhën e vet dhe të shkruanin në gjuhën e përgjithshme të shtetit (133-36).Fraza e fundme përshkruen gjendjen e gegënishtes letrare mbas sanksionimit të "gjuhës së njësuar". Prej tregimit alegorik të Kadaresë del se çâshtja e krakrazimit të gjuhës ka qênë objekti i nji "polemike" gati dhetëvjeçare mes dý rrymave, njêna për ruejtjen e gegënishtes, dhe tjetra për zhdukjen e sáj. Arsyeja për fitoren e rrymës radikale alegorizohet si mundësia e ringjalljes së 'Gjuhës-Krisht', domethânë të gegënishtes klerikale, mâ sakt, të gegënishtes shkodrane. Dhetëvjetori në fjalë përkon me periudhën 1962-1972 t'aleancës së Shqipnisë me Kinën, mbas premjeve të marredhanievet diplomatike të Shqipnisë me Bashkimin Sovietik. Konfuzioni ideologjik i shkaktuem nga kjo masë ekstremiste, në njênën ânë, dhe, n'ânën tjetër, ndikimi i thezës maoiste të "lulzimit të njiqind lulevet", sollën nji farë liberalizmit në prodhimin letrar të kohës. Ky liberalizim u çfaq sidomos në theatër, dhe pati si korifé Fadil Paçramin, anëtar i Komitetit Qendror dhe drejtor i organit të Partisë, Zëri i popullit. Dramat e Paçramit, janë shkrue në toskënisht, dhe idetë e tija - kontrasti mes të rijvet dhe të vjetërvet, konflikti mes kunderthanievet antagoniste dhe jo-antagoniste - janë në hullinë e Revolucionit Kulturor Maoist. Por ato idé kërcënojshin diktaturën ideologjike të Hoxhës, dhe rrezikojshin tjetërzimin nga Partia të rinisë, e cila pëlqente idetë e Paçramit. Duhet shënue këtu se Paçrami âsht shkodran, dhe se Shkodra ká nji traditë dramatike që daton para pamvarsisë. Tue përfitue nga konfuzioni ideologjik i sipërpërmendun, dramaturgjia shkodrane u ringjall nga nji varg auktorësh - K.Jakova, M.Skanjeti, F.Kraja, Nd.Luca - në nji kohë kúr në lâmën kulturore u çfaq edhe operistika, gjithashtû e zhvillueme nga shkodranë (P.Jakova, T.Daija, P.Gaci), të gjithë këta katholikë, me përjashtim të njênit. Ka shumë gjasë që "Gjuha-Krisht" t'i referohet këtij fenomeni, ndërsá persekutimet e pësueme nga ithtarët e sáj alegorizojnë masat ndeshkimore kundër Paçramit dhe sympathizuesvet të tij, të ndërmarruna personalisht nga Hoxha në vjetin 1973. Simbas Kadaresë, mundësia e ringjalljes së Gjuhës-Krisht anoi terezinë kah rryma e përfaqsueme nga Kostallari, kontributi i parë i të cilit drejt "gjuhës së njësuar", Ortografia e gjuhës shqipe, âsht e vjetit 1956. Vepra tjetër e tij në të njâjtin drejtim, Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (1976) u botue kúr Revolucioni Kulturor Shqiptar, i trumbetuem nga Hoxha, shoqnohej nga proçesi i kolektivizimit të përdhunshëm të bujqësisë të zbatuem nga Shehu gjatë Planit te Katërt Pêsëvjeçar (1966-1970). Rrafshimi i gjuhës âsht pjesë integrale e fushatës për zhdukjen e fesë dhe të zakoneve tjera "prapanike" (Kanuni i Lekës), për zhdukjen e gradavet n'ushtri, dhe për zhdukjen e pronës private. Kostallarët fituen pse ata kalorojshin valën e Revolucionit Kulturor, mbas gjurmavet të mjeshtravet të tyne.Cili âsht argumenti zyrtar për rrafshimin e gjuhës? "Gjuha e njësuar" forcon vetëdijen kombëtare, bashkon popullin mâ ngusht tue shlye dallimet krahinore. Argumenti nënkupton se kombi shqiptar nuk ká pasë vetëdije kombëtare të fortë para 1972-së, dhe se dallimi krahinor mes gegëve dhe toskëvet ká pengue bashkimin kombëtar. A âsht kjo e vërtetë? E vërteta âsht se gegë e toskë, kúr ka qênë fjala për Shqipní dhe për gjuhë shqipe, kanë qênë nji trup, së paku prej Lidhjes së Prizrenit e këndej, kúr vetëdija kombëtare mori hov dhe filloi të kristalizohet. Të qênët toskë e gegë nuk e ká pengue bashkimin kombëtar ndër kohna kúr vetëdija kombëtare ishte shumë mâ pakë e zhvillueme se sot. Pse ta pengojë sot kur kjo vetëdije âsht përhapë e zhvillue? Parulla "as toskë as gegë, por shqiptar" âsht demagogjike, ajo jehon nji tjetër, "as i krishtênë as mysliman, por shqiptar".. Por ata që bânë Shqipninë qenë toskë e gegë, të krishtênë e myslimanë. Dallimet gjuhësore dhe fetare nuk i ndaluen ata me luftue për vetëqeverim dhe pamvarsí. Argumenti ose, mâ sakt, sofizmi se dallimet gjuhësore dhe fetare i ndajnë shqiptarët ngatërron qëllimisht konceptin e ndamjes me konceptin e dallimit. Dallimi nuk âsht ndamje, dhe kultura vërtitet rreth boshtit të dallimit. Aty ku njeriu i palavruen ose i cekët sheh ndamje a dasí, njeriu i zhvilluem sheh vlera kulturore. Asht e vërtetë se dallimet gjuhësore dhe fetare mund të sjellin ndamje kombëtare. Por kjo nuk ká ndodhë në Shqipní kúr regjionalizmi dhe feja ishin faktorë shumë mâ të rândësishëm se sá janë sot. Parulla në fjalë âsht kallpe.Dallimet gjuhësore dhe fetare kanë qênë dhe do të vazhdojnë me qênë për sa kohë që njerëzi mos të ketë hy në nji tjetër fazë qytetnimi mâ të përparueme. Nuk âsht vetëm Shqipnia, ndër shtetet europiane, ajo që përmban në gjinin e vet dallime krahinore dhe fetare. Dallime të tilla karakterizojnë disá nga shtetet mâ të përparueme, si Anglia dhe Franca. Këto janë edhe shtetet me nji traditë shtetnore shumëshekullore. Svicra e vogël me nji traditë shtetnore gjithashtu të lashtë, ka qênë e zonja me mbijetue, megjithse dallimet gjuhësore-fetare janë edhe mâ të forta se ato në Shqipní: trí gjuhë: gjermanisht, frengjisht dhe italisht, dhe trí fé: protestantizëm, kalvinizëm dhe katholicizëm. Shqipnia ká vetëm nji gjuhë, por nji gjuhë me dý dialekte, e symbolizueme me shqipen dykrenare të flamurit. Etnit e kombit njisuen alfabetin, jo dialektet. Dhe njisimi i alfabetit u bâ jo me masa administrative, por me marrëveshje t'arsyeshme mes misavet kompetentë të Kongresit të Manastirit. Mes këtyne qenë Gjergj Fishta, Kryetari i Komisionit t'Alfabetit, dhe Lumo Skëndua, njerëz që, për vlerat e tyne atdhetare dhe kulturore, peshojnë rândë në historinë e kombit shqiptar, dhe me nji peshë të ndryshme prej asáj të Shehlerëvet dhe Hoxhallarëvet të Stalinizmit shqiptar. Tirana i ká resitë këta njerëz nga analet e historisë shqiptare. Dhe çka ká bâ me individë, e ká përgjithësue me methodat 'krakra' të gjymtimit të gjuhës dhe t'asgjasimit të fesë.Çka i ka mbajtë gjallë shqiptarët gjatë rrebeshit të pushtimevet të hueja shekuj e shekuj me radhë? Gjuha shqipe. Çka i ká dallue dhe vazhdon me i dallue ata kombet tjera të Ballkanit? Gjuha shqipe. Kjo gjuhë âsht thezari i vërtetë i kombit shqiptar, lavdia e tij, mburrja e tij. Për arsye të ndryshme dhe, në radhë të parë, pikërisht nga shkaku i vërshimevet të hueja, shqiptarët nuk kanë mundë me u dallue më lamîjet e kulturës s'epër: filozofí, shkencë, art. Por ata kanë prodhue nji gjuhë që âsht, krahas me greqishten, mâ e lashta e gjuhëvet ballkanike, dhe që ká veçorinë, si edhe greqishtja, me qênë nji degë në vete në familjen e gjuhëvet indoeuropiane. Çka nuk âsht mâ pakë e rândësishme, shqipja ká nji traditë letrare e cila âsht e dokumentueme qysh prej kohës së Skanderbegut, por që, mbas gjithë gjase, ka fillue së paku ndonji shekull mâ parë se data e Formulës së Pagëzimit (1462). Sá e rândësishme âsht letërsia për qênien e nji kombi del nga shprehja e Bismarck-ut, i cili, në Kongresin e Berlinit, thuhet të ketë mohue qênien e nji kombi shqiptar me argumentin e gabuem se Shqiptarët nuk kishin libra, domethânë letërsí. Etnit e letërsisë shqipe qenë gegë e toskë, arbëreshë e arvanitë, të krishtênë e myslimanë, të këtij a t'atij sekti, vendas a të mërguem. Pse njêni qe zyrtar i sulltanit e tjetri peshkop i papës, pse ky mbajti krah kah Italia e ai kah Austria, pse dikush i shërbeu Zogut e dikush edhe okupatorit, këto janë çâshtje politike që peshohen në kandarin e politikës, jo n'atê të letërsisë, siç bân Tirana. Kandari i letërsisë peshon vlera letrare, që janë në themel vlera gjuhësore. Nji shkrimtar ká të drejtë me figurue në letërsinë shqipe jo pse ka qênë patriot ose kozmopolit, fashist ose stalinist, pse ka luftue për kombin e vet ose për nji komb të huej, por pse ká pasunue letërsinë shqipe me vepra të shkrueme shqip. Sa dâm i ká bâ letërsisë shqipe politika inkuizitoriale staliniste që ka shlye nga letërsia shqipe auktorë si Fishta dhe Konica e tregon fakti se, mbas mâ se dyzet vjetësh qysh se i ashtuquejtuni realizëm socialist i preu krahët letërsisë shqipe, as edhe vetëm nji shkrimtar ká dalë që t'u afrohet atyne auktorëve. Hiq nji Kadare, shkrimtarët e sotmë shqiptarë nuk shkruejnë shumë mâ mirë se Hoxha. Dhe nuk âsht fort për t'u çuditë që, ká ca kohë, kalemxhijt e Tiranës janë vu në garë për me zbulue vlera letrare dhe modele stylistike në shkarravinat e tija. Kur s'ké pulë ha sorrë, thotë fjala popullore.

IV

Bir Selman i nënës, çtë të qaj më parë,gjuhën e gjysmuar, kombin klasë-ndarë,gegërit çirakë, toskët ustallarë!Shqipen me dy krerë, mespërmes përçarë!Ç'ja qëruan plehrat me kordh' e hanxharënxenësit e Marrit, trimat kostallarë!jemi apo s'jemi revolucionarë!Tito, Krushçev, Mao, gjithë tradhëtarëBaba Stalon kemi kumtër e kumbarë,mjeshtëra Shehlerët bashk' me Hoxhallarë.Arsyeja e zhdukjes nga qarkullimi të gegënishtes letrare duhet kërkuar te kryet e punës, te Politbyroja. Peter Prifti ká përpilue nji statistikë të pëbâmjes së Politbyrosë prej 1948 deri me 1976 (Socialist Albania since 1944, 1978, ff. 50-51). Tue gjykue prej êmnavet, në Kongresin e Parë të Partisë (1948) përpjestimi mes toskëvet dhe gegëvet ishte 7 me 2; në Kongresin e Dytë (1952) 9 me 1; në Kongresin e Tretë (1956) 13 me 3; në Kongresin e Katërt (1961) 13 me 2, në Kongresin e Pestë (1966) 13 me 3, në Kongresin e Gjashtë (1971) 13 me 4; dhe në Kongresin e Shtatë (1976) 15 me 2. Në Kongresin e Tetë (1981) përpjestimi u përmirësue për gegët: 14? me 4?. Mbas këtij kongresi, me spastrimin e Shehut dhe të klikës së tij si edhe me pensionimin e disá veteranëve, gegët kanë forcue përfaqësimin e tyne, dhe sot përbâjnë nji të treten e shumës. Shkurt, toskët kanë stërsundue në Byronë Politike gjatë gjithë historisë së Partisë. Në 1972, kúr u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, në Byronë Politike kishte 13 toskë dhe 4 gegë. Përpjestimi që del nga përbâmja e redaktorëve të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe âsht 4 me 1. Hegemonia politike toske pasqyrohet në hegemoninë kulturore të toskënishtes në lámën e gjuhësisë. Koincidencë e vetëm aqë? Prej shumës së 28 antarëvet të Politbyrosë gjatë periudhës 1948-1976, 21 kanë qênë toskë dhe 7 gegë. Gjatë po kësaj periudhe janë spastrue ose rrëzue 7 toskë, domethânë nji e treta e shumës, dhe 5 gegë, domethânë gati të gjithë me përjashtimin e dy anëtarëve. I pari anëtar gegë që u rrëzue (në Kongresin e Dytë, 1952) qe Tuk Jakova, deri atëherë Sekretar Organizativ i Partisë, dhe i vetmi katholik në Byronë Politike gjatë gjithë historisë së partisë. Pse rá Tuku? Në Historinë e Partisë së Punës së Shqipnisë (botim anglisht, 1982), ai akuzohet se "kundërshtonte politikën e Partisë në lidhje me luftën e klasës, dhe se mbronte thezën e shuemjes së luftës kundër anmikut të klasës... N'anmiqsinë e tij kundër Partisë, Tuk Jakova kishte shkue aq larg sá me përdorë parullën reaksionare të ndamjes së popullit shqiptar në gegë e toskë" (f.288). Proletari shkodran paska mbrojtë thezën e shuemjes së luftës së klasës në nji kohë (1951-1953) kur anglo-amerikanët hidhshin parashutistë në Shqipninë veriore për me rrëzue pushtetin. Akuza tingëllon shpifje. Akuza tjetër se si orvatej me përçá shqiptarët në gegë e toskë duhet lexue anasjelltas: ishin Hoxha e Shehu ata që në të vërtetën përçajshin shqiptarët me politikën e tyne të trajtimit të gegëvet veriorë si popullatë e pushtueshme. Dihet se Shqipnia veriore, antikomuniste në përgjithësí, u pushtue nga njisitë partizane kah mbarimi i luftës civile, dhe vazhdoi me u mbajtë në nji gjendje emergjence edhe mbasi rreziku i rebelimit të popullatës qe zhdukë. Studime filologjike 39(22) (1985)2 përmban nji vistër tekstesh me titullin "Mendime të shokut Enver Hoxha për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare", ndër të cilat lexohet sá vijon:

"Dukagjini duhet të mbetet Dukagjin, thotë Tuku... Është një fakt historik që edhe në vende të tjera të përhapura si në Francë e gjetkë gjuha provinciale ka ndryshuar, ka evoluar dhe është formuar gjuha unike, letrare, gjuha kombëtare. Mund të themi edhe për Dukagjinin se ai nuk mund të mbetet siç është sot... Byroja Politike nuk është ngutur për të marrë një vendim mbi këtë çështje, se kjo s'bëhet me dekret (ff. 45-46).

Nga teksti del qartë se Tuku ka mbrojtë thezën e ruejtjes së gegënishtes, tue kundërshtue rrafshimin e gjuhës. Për këtë qëndrim, ai, disá muej mbrapa, u përjashtue nga Komiteti Qendror (Plenum i Prillit 1955) dhe, mâ vonë, edhe nga Partia. Teksti dëshmon se Hoxha ishte për "gjuhën e njësuar", sidoqë jo t'imponueme me dekret. Por me dekret ose pa dekret, fakti âsht se toskënishtja u imponue si gjuhë zyrtare qysh prej ditës kur partizanët e Shehut morën Tiranën (nandor 1944). Âsht e vërtetë se imponimi nuk u-bâ me ngut, dhe se prej nandorit të 1944-s deri te vendimi i Kongresit të Drejtshkrimit (1972) rrodhën mâ se njizet vjet. Por gjatë këtyne dý dekadave, tanksi i rrafshimit vazhdoi punën e vet.Kështû që, kur u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, ky veç vulosi nji fait accompli. Vendimi i Kongresit mban firmat e 87 gjuhëtarëvet, shkrimtarëvet dhe arsimtarëvet, ndër ta edhe Çabej. Pse firmoi Çabej? Ec e mos firmo, po të duesh. E pëson si Tuku. Ose edhe si i nënshkruemi i cili, në nji mbledhje t'arsimtarëvet të Tiranës (1945) të kryesueme nga Ministri i Arsimit t'atëhershëm, Shemshi Totozani, kundërshtoi thezën e tij për zhdukjen nga tekstet shkollore të Fishtës, Konicës, Skirojt, dhe të tjerëve 'anmiq të popullit'.Ká ndodhë mâ se nji herë që, kúr nji komb pushton nji tjetër, pushtuesi i imponon të pushtuemit gjuhën e vet. Gjuhët romane u zhvilluen shi në këtë mënyrë nga latinishtja. Por rasti i nji kombi, nji pjesë e të cilit pushton pjesën tjetër dhe i imponon asáj dialektin e vet duket me qênë nji tjetër rekord i stalinizmit shqiptar, krahas me rekordin tjetër të shtetit të parë atheist në historinë e qytetnimit. Alamete të këtilla nuk mund të mos kenë pasoja. Qysh do ta ndiej veten gjysma e popullit shqiptar n'atdhé, së cilës i mohohet e drejta me u shprehë në gjuhën e vet letrare? Ajo do ta ndiej veten të poshtënueme, të përulun në gradën e qytetarit të klasës së dytë. Diskriminacioni gjuhësor merr nji karakter klasor, me pasoja ekonomike dhe praktike të ngjashme me pasojat e ndamjes në klasë shoqnore. Veriori vêhet në gjendje inferioriteti ndaj jugorit. Ndërsá ky shkruen sikúr flet, veriori nuk shkruen sikúr flet, atij i dihet të bâjë nji mundim për me kapërcye divergjencën mes së folmes dhe të shkruemes. Ta zâmë se divergjenca kapërcehet me ushtrim. Por gjuha letrare nuk përdoret vetëm në shkrim, ajo âsht njikohësisht gjuha e folun zyrtare. Kjo do të thotë se ndër zyra, shkolla, radiostacione, mitingje, të folunit bâhet në "gjuhën e njësuar". Këtu siprania e jugorit ndaj veriorit âsht krejt e dukëshme; toska do ta flasë "gjuhën e njësuar" me rythmin dhe intonacionin e natyrshëm të dialektit të vet, kurse gega, sado të rropatet, do të flasë nji toskënishte të gegëzueme, me timbër hundor dhe theksim të çalë. Pasojat e sipranisë së toskës ndaj gegës në praktikën e jetës janë gjithashtu të dukëshme: kúr âsht fjala për nji bursë, nji gradim, nji ofiq, nji titull nderi, kandidati fitues, në barazí kushtesh tjera, do të jetë ai që përdorë gjuhën mâ mirë. Âsht fjala popullore: "i pret gjuha shpatë". Por sot popujt sundohen me gjuhë mâ mirë se me shpatë. Dhe nuk ká dyshim se në monopolizimin e pushtetit nga toskët gjuha ka luejtë nji rrol kryesor. Pushtet e gjuhë janë si mish e thue. Pushteti i pushtuesit dhe gjuha e sunduesit. Ti do të shkruesh si shkruej unë. Dhe kúr të jeshë para meje, edhe do të flasësh si flas unë. Nji sjellje e tillë nuk mund të përftojë veçse smirë, mëní, mllef, ndjenja që, në mos shpërthefshin, mblidhen vënér e prishin gjakun. Toskë e gegë në të kaluemen kanë pasë mosmarrëveshje, por jo anmiqsí. Politika gjuhësore staliniste ka mbjellë farën e urrejtjes. Ajo ká krijue pa qenë nevoja, nji problem politik madhor, pasojat e të cilit do të çfaqen heret a vonë. Ky problem përçân shqiptarët, minon bashkimin kombëtar. Systemi krahinor vepron si system klasor; diktatura e proletariatit, qëllimi i së cilës âsht zhdukja e klasave, përkthehet në sipraninë e qytetarit të klasës së parë mbi qytetarin e klasës së dytë, njêni kalorës dhe tjetri kál. Parimi i luftës së klasës, i cili ka vazhdue të trumbetohet nga Tirana edhe mbas kolektivizimit rranjësor të bujqësisë që fshîni deri edhe hijet e gjurmavet të fundme klasore ('kulakët'), çfarë kuptimi tjetër mund të ketë përveç se kuptimit të nji lufte krahinore të maskueme si luftë klase.VDielli nuk mbulohet me shoshë. Parulla-pallavër e bashkimit kombëtar gjoja të kërcënuara nga përmendja e fjalëvet 'toskë' e 'gegë' i ka kâmbët e shkurta. Toskë e gegë ká pasë qyshkúr ká nisë të mbrûhet kombi shqiptar, dhe do të vazhdojë më pasë edhe kúr dialektet të shkrîhen në nji gjuhë të përbashkët, mbasi ato emërtime janë gjeografike përveç se historike. Por dialektet do të shkrîhen shkallë-shkallë, si rrjedhim i nji procesi të natyrshëm, i cili nuk mund të planifikohet si planet ekonomike pêsëvjeçare, ose të 'normalizohet' me receta magjistricash dhe brisqe xherahësh.Gjuha shqipe âsht nji gjuhë me dialekte (tue përfshí arbërishten në toskënishten). Bidialektizmi âsht nji pajë e gjuhës shqipe që e dallon atê nga shumica e gjuhëvet tjera indoeuropiane. Për sá dij unë, vetëm norvegjishtja ká, si shqipja, dy gjuhë letrare. Norvegjezët, si popull i kulturuem që janë, nuk kanë imponue njênën mbi tjetrën. Çfarë dâmi ká pasë Shqipnia se ká vazhdue me pasë dy gjuhë letrare? Le të më përmendin kostallarët edhe vetëm nji fakt historik që dëshmon se shqiptarët janë anmiqsue për çâshtjen e ndryshimit të dialekteve. Kristoforidhi, elbasanas, përktheu ungjillin gegënisht dhe toskënisht. Komisia Letrare Shqipe, e themelueme në Shkodër me 1916, misat e së cilës ishin gegë (Pekmezi, Xhuvani, Gurakuqi ndër tjer&eumlsmiley bâni hapin e parë të standardizimit të gjuhës letrare, tue vû si bazë dialektin e Elbasanit. Por ky kriter qe tendencial, jo normativ; dhe në rezolutën e vet (1917), Komisia përcaktoi tiparet e të dý dialekteve, tue vendosë rregulla orthografike për të dyja. Pasoja konkrete e këtij hapi të parë drejt standartizimit qe, jo standardizimi i gjuhës letrare shqipe, por fillimi i standartizimit të gegënishtes letrare, i cili, qysh atëherë, nisi të pritet drejt nji gegënishteje së mesme, e që âsht gegënishtja letrare e sotme. Kjo gegënishte nuk âsht as ajo që flitet në Shkodër, as ajo që flitet n'Elbasan ose në Tiranë, por diçka e ndërmjeme, nji koinë e cila përfshînë tipare karakteristike të toskënishtes, në radhë të parë përdorimin e zanores ë. Kjo zanore, e cila âsht thuejse zhdukë nga dialekti gegë, por që ruhet mirë në dialektin toskë, ndikon në ndryshimin e rythmit dhe të kadencës së dý dialekteve. Tue pranue me shkrue nji zanore e cila nuk shqiptohet në gegënisht në fund të fjalës, gegënishtja letrare i âsht shmângë parimit që gjuha e shkrueme duhet të ndjekë gjuhën e folun, parim i cili ká vazhdue me qênë boshti i orthografisë shqipe së paku që nga Komisia Letrare Shqipe e deri te Kongresi i Drejtshkrimit. Shmangëja në fjalë âsht nji koncesion madhor i gegënishtes letrare për hír t'afrimit shkallëzor të dý dialekteve. Vetëm ky koncesion, pá përmendë tjerë minorë, peshon në kandarin e statistikës shumë mâ tepër se të gjitha cikrimet fonetike gegënishte t'adoptueme nga "gjuha e njësuar". Dhe ky lëshim i gegënishtes letrare âsht bâ bujarisht, pá kërkue shpërblime nga âna e toskënishtes letrare, e cila ká vazhdue të zhvillohet dhe të njisohet pá bâ lëshime.Qysh para se të sanksionohej përdorimi i "gjuhës së njësuar", kasnecat e toskënishtes janë përpjekë me provue me statistika se letërsia toskënishte âsht sipërore ndaj letërsisë gegënishte. Statistikat e tyne përjashtojnë letërsinë fetare me arsyetimin e nënkuptuem se shkrimet fetare nuk quhen letërsí. Meshari i Buzukut nuk hýn, sigurisht, në beletristikë. Por cila vepër e beletristikës shqipe mund të krahasohet me tê? Letërsia shqipe zên fíll me këtë vepër liturgjike gegënishte, dhe vazhdon e tillë për mâ se nji shekull e gjysëm, deri me gramatikën e parë të shqipes (1555-1716). Ndjekë fíll mbrapa letërsia arbërishte-toskënishte, e cila vazhdon deri në shpalljen e pamvarësisë ((1592) 1731-1912). Me periudhën e Zgjimit që nisë me Lidhjen e Prizrenit (1878-1881), të dy letërsitë zânë të zhvillohen paralelisht, tue ndikue njêna tjetrën. Tue marrë si datë konkrete të këtij paralelizmi vjetin e parë të botimit të revistës Albania të Konicës (1897), në të cilën ballafaqohen shkrime gegënishte dhe toskënishte, deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vjetit 1972, janë plot trí të katërta shekulli. Ky kongres resiti nga historia trí të katërta shekulli zhvillimi paralel të gjuhës letrare. Arsyeja? "Nji komb, nji gjuhë". Paskemi pasë na dý gjuhë shqipe në të kaluemen? Si duket, po; njêna për çirakë, tjetra për ustallarë. Gegë e toskë nuk paskan qênë njisoj shqiptarë? Si duket, jo; shqiptarët e vërtetë janë kostallarë.Kanë kalue kohnat kur shkodrani, korçari, dhe prizreniani hallakateshin pse njêni i donte vetë të fërgueme, tjetri të tiganisura, dhe i treti të përzhituna. 'Tigan' ose 'fultere', 'kapedan' ose 'kapidan', këta dublonë e këto variante nuk prishin punë derisá folësit kuptohen mes tyne. Në praktikën e shkrimit disá rregulla uniformiteti janë t'arsyeshme për me ju shmangë pështjellimit, dhe këto rregulla janë vendosë e zbatue me kohë në të dý dialektet letrare. Nuk âsht arrí nji uniformitet i plotë, shkrimtarët janë lânë të lirë me zgjedhë. Dhe kjo ka qênë nji methodë e urtë, mbasi gjuha âsht gjâ e gjallë, e lëvizshme dhe jo rrallë tekanjoze që nuk kalleposet lehtë. Kúr nji gjuhë si italishtja me nji histori shumëshekullore ende paraqet luhatje në fonema dhe morfema, qysh mund të pretendohet që shqipja të standartizohet me norma? Unë, për veten time, nuk vê njênën gjuhë letrare mbi tjetrën; secila sosh ká meritat e veta, dhe të dyja bashkë përbâjnë një gjuhë, e cila, kúr të rritet dhe të zhvillohet plotësisht, do të jetë e zonja me shprehë gjithçka shprehin gjuhët mâ të përparueme. Kur u largova nga atdheu, gjatë qëndrimit tim në Sarajevo (1958), përkëtheva shqip lyrikën latine. Në parathanien e kësaj pune (që ká mbetë dorëshkrim) gjêj këtë faqe që shprehë nji pikëpamje e cila nuk ká luejtë mbas gati tridhetë vjetëshsmileyërkthimet e këtij libri janë bâ në të dý dialektet e shqipes. Arsyet për këtê lexuesi do t'i gjejë të zhvillueme mâ gjânë te "Shënime mbi metrikën". Por disá gjâna mund t'anticipohen qysh këtu.Asht nji fat, jo nji fatkeqsí, si mendojnë disá, që shqipja ká dý dialekte, të vlerënjishme. Këto nuk janë aqë larg njêni tjetrit sá me përftue rrezik përçamje' kombëtare; por janë mjaft të dalluem sá me përbâ dy gjuhë letrare të veçanta, me dobí të madhe të letërsisë dhe të kulturës kombëtare. Vetëm njerëz të kufizuem, të cilët shohin nji ideal n'idhunin e nivelimit, pá i peshue gjatë pasojat e tija, vetëm ata mund të sëkëlldisen nga kujdesi qysh me përpi njenin dialekt në tjetrin. Nuk mund ta díj a do të ketë nji evolucion të dý dialekteve kah nji synkrazë e ardhëshme. Por kjo perspektivë e mundëshme nuk do të më gëzonte fort. Unë kundroj me sympathí nji gjendje, si kjo e sotmja, kur nji Shqipní e vogël - shembull fort i rallë n'Europë - âsht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky âsht nji shenj pasunie kulture që na shquen, cilido qoftë shkaku i tij.Gegënishtja dhe toskënishtja plotsohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ká gjâna që njêna i thotë mâ ândshëm, tjetra mâ fuqishëm. Në përkëthimin e poetëvet latinë, përkëthyesi, tue marrë parasysh natyrën e veçantë të lyrikës së secilit ka shkue tue përdorë herë njênin herë tjetrin dialekt. Ai e ká dhânë Lukrecin gegënisht pse gëgënishtja ká forcën e duhun për hovet vigane të mendimit dhe për trandjen e gjithânëshme të shpirtit. Gjithashtû, hekzametrit lukrecian, ende të papunuem mirë, ende t'ashpër, mâ mirë i përshtatet nji farë ashpërsie hijerândë e gegënishtes, që ká shembullesën e vet fyzike te alpet e madhnueshme të Veriut. Vergjilin, përkundër, e ká përkëthye toskënisht. Jo pse ai nuk mund të përkëthehet edhe gegënisht; por ajo diçka e vagullt dhe fluide që âsht në poezinë e tij, shtrîhet mâ mirë në toskënishten. Mund të përkëthehet Eneida, po, në gegënishten; por idylat e Arkadjes dhe piktura e jetës fusharake mund të jepen mâ bukur në dialektin në të cilin u shkrue Bagëti' e Bujqësija.Poezija elegjiake âsht përkthye e tâna toskënisht, me përjashtim të Propercit... Atë styl nervoz të tijin, të pështjelluem të pabarabartë, me hove disá herë sublime, vetëm gegënishtja mund ta japë si duhet. Por Tibuli âsht në shtëpinë e vet në toskënishten sá asnji tjetër: rythmi i mendimit të tij, i derdhun, i hapun, i âmbël si në váj, gjênë në toskënishten mjetin e përshtatshëm të shprehjes (ff. 4-5). (Ky artikull u shkrue gegënisht në shenj proteste. Nji herë tjetër mendoj t'i përveshem punës për tëharrjen e "gjuhës së njësuar", tue specifikue mungesën parimore dhe të metat methodologjike ne përpilimin e trí veprave kryesore që dokumentojnë procesin e "njësimit": Drejtëshkrimi i gjuhës shqipe (1973), Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), dhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980), që të tria të hartueme nën drejtimin e Androkli Kostallarit. Jo pá të drejtë "gjuha e njësuar" âsht quejtë kostallariane. Emni i përshtatshëm âsht "gjuhë e shtërzuar" A.P.).

Arshi Pipa palogjuhetar ke qene.

Nuk na the asgje per Shqipen.

Kemi Kristo/ina, per gjuhan Shqipe.

 

Te falenderoj per prurjen.

Nuk eshte humor! Eshte boshllek.

 

Âsht nji shanc i madh për né qi jetojm në nji koh kur bolleqet e lânuna prej Prof Arshi Pipës mbushen prej zj. Jorgaqi

zotrules,

nuk te dija kaq fan te madh te The Simpsons.

D'oh...

zotrules, ke ngaterru blog, nuk eshte blog grek.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).