OMONIA, nis përplasja Bollano-Ksera

Kryetari i shoqatës “Omonia”, Vasil Bollano i cilëson si të pavlefshme vendimet e dy ditëve më parë të marrë nga kjo shoqatë, në të cilën kërkohej dorëzimi i mandatit të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Bollano, i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e së shtunës, deklaroi se “ajo ishte një veprim i një grushti personash të veshur me pushtet”. Pa asnjë tagër dhe në mënyrë të jashtëligjshme”. “Janë shqyer dyert e mjediseve ku janë instaluar zyrat e administratës së “Omonia - s”, duke fyer kështu rëndë gjithë minoritetin. Në krye të këtij aksioni kanë qenë rreth 10-15 ish-anëtarë të këshillit dhe kryesisë së “Omonia-s”, të cilët prej kohësh janë vetë përjashtuar nga kjo organizatë, për t’jua bashkuar forcave të tjera politike. Madje disa prej tyre janë të përjashtuar nga forumet tona drejtuese. Në krye të këtij aksioni janë vënë Ministri aktual i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ish-ministri Kosta Barka e Thoma Miço, si dhe disa drejtues të administratës lokale në Sarandë”, tha Bollano. Kryebashkiaku i Himarës tha se “këtë veprim nuk do ta denoncojë në organet drejtësisë, por do ta le të gjykohet nga vetë minoriteti grek, i cili ta gjykojë këtë politikisht”. Sipas tij, ky grup personash kërkon të shkatërrojë gjithçka që ka arritur deri tani minoriteti dhe të krijojë probleme mes minoritarëve. “Ne nuk dëshirojmë që veprime të tilla të kenë suporte shtetërore dhe presim reagimin e qeverisë shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Berisha. Zyrat tona janë dhunuar vetëm në vitin 1994, por atëherë ishte kohë tjetër dhe dhunimi është kryer nga struktura që nuk kanë pasur lidhje me organizatën tonë. Varet nga reagimi qeveritar për të përshkallëzuar qëndrimet tona politike ndaj veprimeve të tilla, që janë jo vetëm në cenim të etikës, por edhe shkelje e rëndë e ligjit”, theksoi kryetari i Bashkisë së Himarës. Pyetjes së gazetarëve, se a është njohur qeveria dhe institucionet e tjera me incidentin e së shtunës Bollano tha se “nga ana e “Omonia-s” është bërë një deklaratë ku janë evidentuar qëndrimet e ditës së shtunë ndaj zyrave të organizatës. Personat që janë mbledhur gjatë ditës së shtunë në selinë e organizatës nuk kanë zbatuar asnjë kërkesë të rregullores, për të hyrë në zyra ku ka një administrator, i cili ka një çelës dhe nuk tolerohet që në vend të çelësit të përdorej kaçavida për të shqyer portën”.

“Dule të dorëzojë mandatin”

Në mbledhjen e së shtunës, ku ka munguar Bollano, është marrë vendimi për mbajtjen në muajin dhjetor të konferencës së përgjithshme të shoqatës “Omonia”, si një kërkesë për t’i dhënë fund situatës së kundërvënieve në organizatën e minoritetit grek dhe për të zgjedhur drejtues të rinj në krye të saj. Gjithashtu kërkesa tjetër është që kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule duhet të dorëzojë mandatin e deputetit. Ky vendim është bërë publik nga ana e zëdhënësit të “Omonia”-s, Mihal Naço. Ndërsa Thoma Miço ka shpjeguar situatën në të cilën u zhvillua mbledhja e djeshme dhe se cila është vlefshmëria e vendimeve të saj për pjesën e munguar të Këshillit të Përgjithshëm. Mungesën e Bollanos nga mbledhja Miço e ka quajtur të pajustifikuar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).