Një histori gazmore nga Malajzia

 



Një histori gazmore nga Malajzia

Shkruan : Revista Mapo 

Nga Kliton Gjonçaj

Në ambasadën shqiptare në Kuala Lumpur nuk ndodhin çudira. Të paktën asgjë që do të klasifikohej si e tillë, sipas konceptit normal të termit. Aq më të pak të habitshme janë këto për ata që e dinë sadopak se përgjithësisht ambjenti i një ambasade (jo vetëm shqiptare) është meskin dhe i mbarsur me sherre që nisin që nga përdorimi i makinave, blerja e sendeve të konsumit, xhelozia ekstreme për respektimin e hierarkive dhe marrëdhëniet e rënduara personale. Është një luftë e vogël e të gjithëve kundër të gjithëve. 
E megjithatë, edhe kjo “normë” e vendosur prej shumë vitesh (edhe në kohën e komunizmit ka qenë pak a shumë kështu), prishet aty-këtu nga shfaqje të skajshme të konflikteve e përplasjeve, apo episodeve që shpesh të bëjnë të qeshësh, por në disa raste edhe për reflektuar lidhur me cilësinë dhe standartin diplomatik të Shqipërisë së vitit 2009.
I ngarkuari me punë a.i i Shqipërisë në Kuala Lumpur që në gusht të vitit 2006, quhet Dilaver Qesja. Ish-deputet i maxhorancës aktuale, 63 vjeç dhe besimtar musliman praktikant, zoti Qesja është nga ata diplomatë që kanë bërë të flitet shpesh për ta, edhe jashtë kuadrit të ngushtë diplomatik. Nëse kërkon në internet, do të shohësh disa shkresa që zoti Qesja, në cilësinë e titullarit të ambasadës tonë në Malajz (vendi ynë nuk ka ambasador atje), ka dërguar për përfaqësi të tjera në Kuala Lumpur. Stili i të shkruarit, por sidomos niveli rudimentar i anglishtes, kanë bërë që të tallen shumë nga forumet e internetit ku rëndom merren nëpër gojë punërat e Shqipërisë. Po e botojmë tekstin e njërës nga këto shkresa, në mënyrë që ata që i kuptojnë nuancat e anglishtes, të kenë rastin që ta venë veten për një moment në vendin e diplomatëve të huaj që kanë marrë në dorë shkresat e zotit Qesja.
Por nuk mbaron këtu. Komuniteti ynë në Kuala Lumpru, rreth 100 shqiptarë, dinë se kreu i përfaqësisë tonë është shumë besimtar. Iftaret e organizuara (thuhet se me paratë e MPJ) nga zoti Qesja, janë një ngjarje që përsëritet rregullisht që qëkurse ai ndodhet në atë post. Megjithëse shteti dhe feja janë të ndarë, në 2007 dhe 2008, me shpenzimet e ambasades, ai ka shtruar zyrtarisht iftare për komunitetin shqiptar. Me këtë logjikë ambasadat tona në Europë duhet të japin pritje për Pashkët ose Krishtlindjet.
Në Ministrinë tonë të Jashtme e dinë të gjithë se zoti Qesja është i ngarkuar me punë dhe jo ambasador. Një detaj ky që pasqyrohet më qartë se kudo, në aspektin financiar. Pasi të njëjtat zëra brenda MPJ thonë lart e poshtë se ai vazhdon të paguhet me rrogën e ambasadorit dhe jo atë të të ngarkuarit me punë. Pra jo 1885 USD, por me 2444 USD, rreth 600 dollarë më shumë.
Nga ana tjetër, njihet edhe një tjetër gjë. Që zoti Qesja ka shumë qejf t’i organizojë pritjet zyrtare për festat kombëtare (ngjarja më e madhe protokollare vjetore për një përfaqësi diplomatike), disa javë ose edhe muaj pas datës së tyre, pra 28 nëntorit. Kështu, pritjen e Festës Kombëtare në 2006 dhe 2007 e ka organizuar në mes të muajit dhjetor, ndërsa në vitin 2008, më 31 dhjetor në mbrëmje. Pra natën e Vitit të Ri! Ai ftoi komunitetin shqiptar dhe përfaqësues të MPJ malajziane, të cilët me siguri kanë mbetur të shokuar kur kanë mësuar përse bëhej fjalë. 
Shkresa plot gabime, sjellje aspak diplomatike dhe gafa të tjera të kësaj natyre, janë një gjë e përditshme për titullarin e ambasadës tonë në Kuala Lumpur. Kjo sagë episodesh tashmë ka kaluar në aspektin komik dhe qarkullon në formë batutash, gjysëm-frazash apo shprehjesh të shtrembëruara në korridoret e MPJ dhe në sitet e internetit. Si për shembull rasti kur zoti Qesja ankohesh në Tiranë për një diplomat të ambasadës, i cili sipas pretendimeve të tij “për disa ditë me rradhë, gjatë javës që shkoi...nuk është marrë me gjë tjetër, veçse ka ndëgjuar me zë të ngritur në max. vidjokaseten e ish - ministrit Pango, duke provokuar gjithë personelin e ambasadës”. Sasia e gabimeve në këtë copë tekst dërguar MPJ, por mbi të gjitha tema e tij, janë të mjaftueshme për të kuptuar me se kemi të bëjmë dhe se çfarë përmban një pjesë e korrespondencës së përfaqësive tona me ministrinë e jashtme në Tiranë.
Por e gjitha kjo është vetëm një pjesë e problemit, i cili në vetvete nuk është aspak i vogël dhe aq më pak komik apo sipërfaqësor. Prurja e personelit në MPJ dhe përgjithësisht në sistemin tonë diplomatik ka njohur ndër vite një kurbë mjaft të shrregullt e tekanjoze. Persona që silleshin (dhe sillen) nga rruga, duke shkelur të gjithë kuadrin ligjor që rregullon shërbimin tonë me jashtë, partiakë pa asnjë vlerë apo miq e të njohur gjithfarësh, e kanë përdorur diplomacinë shqiptare si një mënyrë komode për të shtyrë ditët jashtë shtetit, me një shtëpi të paguar nga shteti, një shofer apo disa punonjës nën vete. Dhe vijmë në situatën aktuale, kur nëpër korridoret dhe kafet e Ministrisë së Jashtme qarkullojnë emrat e një liste prej rreth 45 personash, të cilët ministri i sapo-ikur i ka emëruar në rrjetin prej mbi 40 ambsada dhe misione që ky shtet kja nëpër botë.
Ky lloj rekrutimi, kjo farë diplomacie artizanale, nepotike dhe e korruptuar, i bën keq jo vetëm imazhit të vendit, por edhe interesave tona shtetërore, duke dëmtuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me vendet e treta. Përfaqësues që nuk dinë gjuhë të huaja, apo që nuk kanë minimumin e përvojës diplomatike apo aftësive komunikuese dhe menaxhuese për një ambjent kaq të përkorë dhe specifik siç janë ambasadat, është mirë t’u hapin rrugë atyre që dinë ta bëjnë këtë punë, paçka se mund të mos kenë në dorë një mandat deputeti apo një teserë partie.

25 Komente

Mua dhe aq gazmore nuk mu duk...

kjo histori nuk ishte, aq me teper gazmore..ishte nje informacion i trishte e per te ardhur turp.

gjithsesi ke bere shume mire qe e solle per ne.

si fletrrufe m'u duk mu...

Shkrim shume i bukur. Trajton nje teme me te vertete te rendesishme pasi keta njerez jo vetem qe nuk perfaqesojne Shqiperine, por perkundrazi demtojne imazhin e saj.

Vecse duhet te them se ndersa e lexoja artikullin me vinte te thoshja:

Po pse shkoni deri ne Malajzi per te gjetur Zotin Qese?! Sa Zota Qese ka edhe ketej verdalle... smiley

Konkluzionet per problemet e perfaqesive diplomatike qendrojne, ama jane permbledhur drejt vetem ne paragrafin e fundit te shkrimit.

Pjesa tjeter, me vjen keq, por eshte nje stil shume i ulet, qe merret me iftaret e dilaverit, me faktin (e supozuar) se eshte praktikant musliman (qe se kuptoj se cfare pune prish kjo). qe merret me llafe korridoresh te ministrise, me pjatat e darkave qe paska shtru Dilaver qerratai, qe i festoka festat ne data te gabuara, qe fliska jo mire anglisht e budallalleqe te tjera. Keto ulin piacen e muhabetit shume shume poshte.

Duke e marre te supozuar qe Dilaveri eshte ashtu sic thote artikulli, mire do ishte te argumentohej se pse ai eshte i papershtatshem per ate post, ndonje CV e shkurter e tij, cfare specifikash ka majlajzia dhe komuniteti shqiptar atje, sa te perfaqesuar ndihen ata atje, dhe sa halle ka mundesi tju zgjidhe dhe ju ka zgjidhur perfaqesia jone dhe jo te merren me menune e darkave qe ju shtron Dilaveri.  Malajzia ka plot shqiptare, nje pjese e madhe studente me bursa por ka dhe nga ata qe kane qendruar dhe punojne. E po keshtu ka dhe disa programe shkembimi eksperiencash, disa projekte ne ndihme te institucioneve etj...

Dhe po ashtu, eshte nje shtet qe ka thithur shume individe shqiptar per  ti dhene arsim me orientim islam, pra si te thuash eshte nje vend qe ka marredhenie jo te fjetura me shqiperine.  Prandaj kur nisesh me be nje shkrim, te pakten, mos u limito ke llafet e kafeneve qe ke degju lart e poshte per dilaverin, por bej nje vleresim nje cike  me profesional te situates, duke furnizuar me info konkrete, te verifikueshme, dhe qe na ndricojne situaten.

E me kaq sa thuhet, dilaveri qeka tamam 'buke e kos po ha', duke marre ne konsiderate aktivitetet kriminale me te cilat jane marre pjesetare te personelit te ambasadave te tjera. Jane shume te fresketa lajmet e kapjes me droge neper duar.

Si perfundim, shkrim i dobet , alla MAPO.

Kjo ceshtja e ambasadave tona jashte duhet te marre nje zgjidhje njehere e mire. Ne vend qe te kemi ambasada apo perfaqesi ne vende te vogla, duhet te shohim mundesine e pakesimit te tyre dhe mbushjes se ambasadave kryesore me nje personel dinjtoz dhe te afte per keto pozicione.

Ambasada jone ne Londer me se fundi nderroi zyra dhe nuk pati fonde te paguante, por shumica e punes u be vullnetare per pergatitjen e nderteses se re. Nga ana tjeter, sillet shoferi i ambasades nga Shqiperia!! Nje shpenzim i kote sepse pervec rroges i duhet paguar atij edhe shpenzime te tjera si qeraja, dritat, uji, etj. Perse te mos merrte ambasada nje shofer shqiptar me banim ne Londer? Keshtu kursente fondet dhe punesonte nje person qe eshte i familjarizuar me sistemin e ngarjes ne krah tjeter, rruget, etj.

 

Se s'ka stërlina ta paguajë shoferin e marrë në Londër. Rrogat e personelit të ambasadës janë qesharake, po shumë qesharake dhe mund të tërheqin vetëm njerëz nga Shqipëria; të tjerëve s'u paguajnë dot as dritat, le më shtëpinë.

Nuk jam dakort me kete Ashes.

Shtepite me qera te stafit te ambasades jane te gjitha ne zone te pare (megjithese deri tani ambasadori e perdorte shtepine me qera si vendtakimi me personalitetet e tjera, sepse zyra e meparshme i ngjante nje mejhaneje), qerate te paguara, ujin, dritat po ashtu. Te gjithe personeli i ambasades jetojne ne apartamente te bollshme me familjet e tyre.

ujk,

per mua nuk eshte shume e rendesishme se kush punon shofer ne ambasade, madje as qe stafi i paska shtepite ne zone te pare (cka me duket krejt pa sens konsideruar shtrenjtesine e asaj zone) , sesa fakti qe sa i sherbejne komunitetit shqiptar qe nuk eshte i vogel ne UK, dhe sa punojne per perfaqesimin dinjitoz te shqiperise ne ate vend.

Eshte e vertete qe ambasadat kane pasur buxhet te ulet, me duket se jua ka rregullu berisha ne mandatin qe shkoi, por gjithesesi ai buxhet nuk besoj te jete ndonje hata e madhe.

Megjithate perfaqesuesit tane, lart e poshte, dhe me keto burime te pakta, gjejne menyren per 'te bo nai lek' duke spekulluar me godinat, faturat, sherbimet, korrupsioni kundrejt sherbimeve (kane arritur gjer aty sa ja cojne mileti leket ne zarf me poste kur ju duhet ndonje sherbim per ndonje leter a prokure) , e gjer tak trafiqet. Si te thuash jane nje pasqyre e shtetit shqiptar atje ne shtetet e huaja.

Nuk rregullohen punet ne ambasada, po su rregulluan ketu ne shqiperi. harroje ! smiley

Bedrije,

i solla keto fakte jo sepse jane te rendesishme por per menyren se si shperdorohet buxheti i ambasades. Ambasada jone ka nje buxhet vetem prej afersisht £9,000.00 per entertaining (s'di si ta them ne shqip), por vetem buxhetin per qerate qe i paguan stafit per shtepite eshte me shume se 10 fishi i kesaj shume, pa futur ketu qerane per zyrat e meparshme te cilat ishin as 3-4 minuta larg nga Buckingham Palace. Sic e thashe me lart e kuptoj per ambasadorin, por per pjesen tjeter te personelit nuk e shoh te nevojshme.

Le me pasttaj kjo historia e nderrimit te ambasades dhe kerkimi i punes vullnetare nga pjesetare te komunitetit shqiptar i ktheu fare ne laro duke filluar qe nga ambasadori.

Sigurisht qe kane perfituar, nuk e ve ne dyshim.

afersisht £9,000.00 per entertaining (s'di si ta them ne shqip)

Kosovaret i thone "per ndjeja, haje dhe shyqyre"! smiley

Ne jug te Shqiperise i thone "per zihafete" ose "per sebepe"! smiley

Shpresoj qe fondin "per vaki" ta kene pak me te madh, prite Zot rrezikun! smiley

mroklla,

flm shume. Vakite, jane vdekjet?

Edhe vdekjet! Ne pergjithesi gjonat e pakendshme!

As in: Ca ka bo vaki mer jahu! C'o gjithe kjo potere!

vallai o ujk, mu ai veni n'bash t'venit aty afer B. Palace me pelqente fort (location, location, location) si hymje pallati ke Shallvaret. jo keq.

Po e botojmë tekstin e njërës nga këto shkresa, në mënyrë që ata që i kuptojnë nuancat e anglishtes, të kenë rastin që ta venë veten për një moment në vendin e diplomatëve të huaj që kanë marrë në dorë shkresat e zotit Qesja.

Ku eshte kjo? A eshte pershtypja ime apo nuk kane botuar gje? Ka mundesi te shohim ndonje nga keto tekstet???

Aq më të pak të habitshme janë këto për ata që e dinë sadopak se përgjithësisht ambjenti i një ambasade (jo vetëm shqiptare) është meskin dhe i mbarsur me sherre që nisin që nga përdorimi i makinave, blerja e sendeve të konsumit, xhelozia ekstreme për respektimin e hierarkive dhe marrëdhëniet e rënduara personale. Është një luftë e vogël e të gjithëve kundër të gjithëve.

Cilat ambasada joshqiptare kane probleme te tilla?

por në disa raste edhe për reflektuar

Reflektim?dmth, pasqyrim? Sepse ne shqip vetem keshtu perkthehet.

Malajz

Ku? Ku i bie ky shtet, qe paska nje komunitet shqiptar ne:

Komuniteti ynë në Kuala Lumpru,

janë një ngjarje që përsëritet rregullisht që qëkurse ai ndodhet në atë post.

edhe nje here ju lutem?

Pra jo 1885 USD, por me 2444 USD, rreth 600 dollarë më shumë.

USD? Kjo ishte per te rritur nivelin dhe vellimin e fjalorit tuaj te pasur te shqipes? pervec fjaleve dhe shprehjeve te tjera, si "maxhorance aktuale", "reflektim" etj etj, huazime krejt te kota, te panevojshme, te demshme, shume te demshme, gjuhevrasese.

Sikur t'i kushtohej pak me shume kujdes kesaj, te gjitha shqetesimet qe ngrini vete-legjitimohen. E thashe kete, meqe strumbullari ish bere gjuha; perndryshe, te gjitha te tjerat qendrojne.

Jam shume e zhgenjyer! 100 shqiptare ne Malajzi asnje llafazan qe te shkruaje blog per jeten ne Malajzi??  Te gjithe "te urte" kane qelluar.

Mos duhet ndonje "disclaimer" (nga ato me *) ne fund te shkrimit qe shpjegon qe fleterrufe-shkruesi eshte pikerisht diplomati qe degjoka per nje jave rresht me ze te larte, plot eksitim adoleshent, kaseten e mbertheckave?

Jam shume e zhgenjyer! 100 shqiptare ne Malajzi asnje llafazan qe te shkruaje blog per jeten ne Malajzi??  Te gjithe "te urte" kane qelluar.

Eh, per aq kohe sa ishte Ols Jaze-xhiu ne Kuala Lumpur te shkulte dhomet (tani e pagu Brukseli me studiu ne Itali qe te na ktheje ne rrugen e duhur t'Allahut sipas shkolles salafiste)

 O TEMPORA, O MORES!

Tedi Çarçani

Prej gati dy vjetësh në vendin e largët aziatik me emrin Malajzi Shqipëria përfaqësohet nga një kolaudator elektrik. Thënë që në fillim dua të besoj se ky person është dërguar atje, prapa botës, për t’u treguar autoriteteve malaziane se toka e shqiponjave nuk ka as edhe më të voglin interes në atë vend mysliman e antiamerikan e se mbajtja e ambasadës aty është thjesht diçka e mbetur në dorë, peshqesh i mjaltit shqiptaro-islamik të fillimit të viteve ‘90-të. Nga faqja e internetit e Ministrisë sonë të Jashtme mësoj se Malajzia është ndër vendet e pakta që shqiptarët mund të hyjnë pa vizë, njëlloj si në Paraguai dhe Uruguai, por është e vështirë të gjesh se sa vetë e kanë rastin ta gëzojnë atë privilegj. Një mendje tjetër më thotë se ka mundësi që përfaqësuesi ynë t’i ketë shkelur në kallo ndonjë të partisë së tij, ndaj edhe e kanë çuar aq larg për ta hequr qafe, pasi as i prish as i rregullon punë ndonjërit në Shqipëri fakti nëse kemi ose jo ambasadë në Malajzi, as edhe kush është përfaqësues i saj e çfarë bën ai atje.
Larg këtyre hamendjeve, të kthehem tek ato që dua të them. Në dosjen që ai ka në Drejtorinë e Personelit të Ministrisë së Jashtme shqiptare ndodhet një CV e shtypur me makinë shkrimi “Oliveti”, nga ato që përdoreshin për të shtypur thirrjet e luftës guerile dikur. Ky jetëshkrim ka qarkulluar disa kohë si trakt nëpër korridoret dhe zyrat dhe ka mbajtur gjallë e me humor edhe bisedat rreth tavolinave në kafenenë e Nilës në Ministrinë e Jashtme. Ai është aq interesant dhe i veçantë sa mund të shërbente si një synopsus për një roman satirik. Jo vetëm për gafat gjuhësore të nivelit të një filloristi të shkolluar natën, por edhe për ato çfarë mban brenda. Pothuajse asnjë nga kolegët e ministrisë nuk e njeh këtë person edhe pse normalisht ai duhet të ishte një njeri publik. Ka qenë për një legjislaturë të plotë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka përfaqësuar një zonë të Krujës. Thonë se e ka kërkuar fjalën vetëm një herë në atë kuvend kur është diskutuar për shpërblimet shtesë të deputetëve. Kolegët e pakët që e kanë njohur tregojnë se karrigen në sallën e parlamentit e kishte në radhën e fundit, nën errësirën poshtë lozhës e afër derës, zgjedhur enkas për t’i vënë ferrën seancës menjëherë pas shtypjes së butonit të prezencës.
Në zgjedhjet e vitit 2005 ky person nuk e mori bekimin e Berishës për të vazhduar pallën parlamentare në një mandat të dytë dhe, për një farë kohe e pa veten shpresë humbur e të braktisur edhe nga partia e tij. Por nuk thonë kot se partia edhe të lëshon, por nuk të harron. Në një nga veprimtaritë e partisë së tij i doli përpara si me marifet ministrit të jashtëm të asaj kohe, z. Mustafaj. Me pretendimin e vetëm që të kapte ndonjë vend pune në atë ministri, qofte si përgjegjës sektori apo shef administrate. Për çudinë e tij ministri e priti ngrohtë kërkesën. Ai i kërkoi një CV, të cilën e pati mbi tavolinë qysh ditën tjetër. Nga mënyra se si është formuluar jetëshkrimi duket se hallexhiu ishte përgatitur për ndonjë vend pune ndoshta edhe si llogaritar. Kjo pasi kishte nënvizuar se zotëronte programin e kompjuterit Exel, i nevojshëm vetëm për atë post. Por nuk ishte krejt kështu për titullarin e ministrisë. Ai e kishte konsideruar atë një CV vërtet konkurruese, të denjë për ambasador e jo për llogaritar apo përgjegjës administrate, që të jepte e merrte gjithë ditën me shoferët dhe pastrueset e ministrisë. Madje me idenë për ta emëruar në një vend anglisht folës pasi, përpos kualifikimeve të shumta, D.Q. tashme 60 e ca vjeçar një vit më parë rezultonte të ishte “titulluar” bachelor në një universitet që nuk do t’ia tregojë emrin që unë po e quaj Universiteti Fantazmë i New Yorkut. Ndërkohë vazhdonte studimet për master përsëri në një Universitet tjetër të Panjohur, po në Amerikë. Ai e meritonte të ishte ambasador, por, nga frika se mos do të mërzitej duke pritur deri sa të largohej Moisiu nga posti i Presidentit të Republikës dhe ministria e gjithë vendi rrezikonte ta humbiste këtë talent që po bënte edhe master në Amerikë, vendosi ta emërojë Shef Misioni në Malajzinë e largët. Kjo ishte kompetencë e ministrit e nuk mund ta kthente as topi. Dhe ashtu u bë. Me urdhrin e ministrit në dorë, pa humbur asnjë minutë nga koha e tij e çmuar, D.Q. mori rrugën drejt qytetit me emrin Kuala Lumpur, të cilin, për hir të së vërtetës, nuk kishte patur rastin ta dëgjonte ndonjë herë më parë në jetën e tij.
Një kopje e CV së, sipas praktikës, duhet t’i jetë dërguar edhe shtetit pritës. Nuk mund të dyshohet se ajo i ka lënë pa mend malajzianët. Si mund të shkruash se, në moshën 60 vjeçare ke marrë titullin bachelor në një universitet (nuk ka gjetur asnjë emër të përshtatshëm universiteti) në New York? Është kjo meritë, naivitet apo mangësi, kur realisht kjo shkallë kualifikimi është as sa për një atashe? Është e sigurt se, nga dëshira për t’i dhënë vetes disa atribute, e ka zgjedhur gabim titullin. Kuptimi i parë i kësaj fjale në anglisht është “beqar”. Por bachelor është edhe shkalla e parë e kualifikimit universitar, që merret nga studentët që sapo kanë dalë në jetë. Të pretendosh në moshën e pensionit se sapo ke mbaruar për bachelor është njësoj si të shpallesh se filluan të të dalin dhëmbët e qumështit në pleqëri! Ja si është përkufizimi i kësaj fjale në Wikipedia: “Bachelors’ degrees in the United States are typically designed to be completed in four years of full-time study, although some programs (such as Engineering) usually take five”. Ka edhe një alibi tjetër që e vërteton falsitetin e këtij pretendimi. Nisur nga shpjegimi i mësipërm, marrja e nivelit të kualifikimit “bachelor” e ka kusht ndjekjen e shkollës me shkëputje nga puna për katër deri në pesë vjet. Zotëria thotë se e ka marrë atë “titull” në vitin 2005. Ta zëmë se asnjëri nuk ka të drejtë të mos e besojë. Vetëm se ka një përplasje të vogël. Në vitet 2001 – 2005 i takon të ketë studiuar me kohë të plotë në Universitetin Fantazmë të New Yorkut. Periudhë kjo që përkon me kohën që ai ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Përfundimisht cila nga këto të dyja është e vërtetë, shkolla apo parlamenti? Se një njeri nuk mund të jetë në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme.
Ndoshta i është dukur pak bachelor ndaj pretendon se po vazhdon edhe për “master on line”. Por, nga ai pak informacion që jepet në CV e tij, çdo gjë është evazive: çfarë është ky “master on line”, edhe ky në Universitetin Fantazmë të New Yorkut ndiqet, për çfarë profesioni, kur ka filluar etj. Tjetër. Nga CV mësohet se D.Q. pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në “Çelikun e Partisë” së Elbasanit dhe më pas është marrë me sahatet elektrike në Krujë. Sipas atyre që shkruan ai ka punuar në KESH qysh në vitin 1969, pra disa dekada përpara se kjo ndërmarrje të pagëzohej me atë emër. Meritë e tij përmendet edhe puna që ka bërë si inxhinier monitor në OJQ-në Aksioni Kundër Urisë(?!). Ndër veprimtaritë e tjera të përafërta me profesionin e diplomatit që nënvizohen në jetëshkrimin e tij janë edhe puna e tij si kolaudator i nënstacionit elektrik, specializimi për mbrojtjet me rele e gjysëm përçues, specializimi për komandim automatik në sistemin energjetik etj. Njëlloj si në rastin e universitetit amerikan, edhe institucionet ku ai i ka kryer këto specializime janë të gjitha pa emër. Në dosjen e personelit të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk ka depozituar as edhe një dëshmi të vetme për të vërtetuar këto kurse, përfshirë edhe dëshmite për “bachelor degree” e “master online”. Në ditët tona, çdo gjë është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton emri i universitetit dhe një klikim e brenda disa sekondash të vijnë në ekranin e kompjuterit të gjitha të dhënat. Në botën e qytetëruar ku drejton shteti ka institucione të posaçme që merren me verifikimin e saktësisë së të dhënave në jetëshkrimin e punonjësve. Mashtrimet me informacione të rreme dënohen penalisht. Kur pranohen punonjësit në Ministrinë e Jashtme a bëhet ndonjë lloj verifikimi nga Drejtoria e Personelit i të dhënave që ata japin në jetëshkrimin e tyre apo është në fuqi varianti “futja kot se tanët jemi”?
Përfaqësuesi ynë pretendon se zotëron disa gjuhe të huaja, përfshirë edhe atë angleze, por në jetëshkrimin e tij nuk figuron të ketë mbaruar ndonjë kurs gjuhe. Megjithatë unë dyshoj se nuk i afrohet as nivelit të anglishtes së zotit Sallabanda, i cili u përfol shumë kohët e fundit e me të cilin, për hir të së vërtetës, D. Q. as që mund të krahasohet as për nga tradita e familjes, niveli kulturor e ai arsimor. Fakti që në përkthimin anglisht të CV së tij fjala deputet përkthehet “zëvendës parlamenti” mjafton për të gjykuar nivelin e zotërimit të asaj gjuhe.
Ky është një nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar, kur po kjo Ministri e Jashtme ka flakur në rrugë ose ka emëruar në pozicione të dorës së fundit diplomate karriere me një përgatitje të lartë profesionale, përfshirë edhe ambasadorë të vjetër e me eksperiencë, të akredituar disa herë, me diploma e dëshmi reale (jo nga Universitete Fantazm&eumlsmiley, që kanë përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në vende, organizata e forume ndërkombëtare, që kanë dhënë leksione e kanë bërë biseda dinjitoze në universitetet e akademitë më prestigjioze të botës, deri edhe në Columbia, Oksford, Haruard e Kembrixh. Ka mes tyre që kanë marrë vlerësimet më të larta nga autoritetet e vendeve ku kanë shërbyer por që, tragjikisht, kanë përfunduar të denigruar nga autoritetet e vendit të tyre. Kjo është dukuria më e nxirë e diplomacisë sonë moderne e bashkëkohore. Pa injoruar vlerat e atyre diplomateve serioze që akoma e përkohësisht vazhdojnë të punojnë në Ministrinë e Jashtme aktualisht diplomati-kolaudator është fytyra reale e shtetit shqiptar të ditëve tona. Fatkeqësisht ai, në një farë mase është pasqyra e Shqipërisë në botë. Një pasqyrë e thyer që reflekton e përcjell pamje të shtrembra e krejtësisht të deformuara. Dhe pikërisht kjo pasqyrë ka marrë përsipër misionin për ta futur Shqipërinë në Evropë.
Ky është njëri ndër interlokutorët bashkëkohore shqiptare (tipa si ky përgjithësisht janë emëruar nëpër përfaqësi) që bën lobing për Kosovën e Shqipërinë tonë, që prodhon e mbron ide, polemizon dhe “fiton” debatet me homologët e tij të diplomuar në akademitë diplomatike me emër në botë. Dhe, kur ata homologë, në të ngrysur të ditës, të lodhur e rraskapitur nga ky e të tjerët të ngjashëm me të (uroj të mos jenë shum&eumlsmiley, ua tregojnë gishtin e mesit duke u thënë se, kur të hipni këtu do ta shikoni Evropën, në të tjerët nxehemi dhe nuk lemë fjalë pa i sharë dhe epitet pa u vënë. Megjithatë, edhe pasi e kanë marrë gishtin e mesit, këta përfaqësues pa shumë njohuri profesionalë, që edhe në shkresa zyrtare presidentit amerikan i drejtohen ‘kryeministri i SHBA”, qe Kondolesa Rajs e quajnë “Sekretarja e Përgjithshme e Departamentit të Shtetit”, kthehen gjithmonë triumfator në ekranet e televizioneve tona dhe fillojnë e na tregojnë dëngla pa fund se si ia kanë bërë tetë me dy x apo y përfaqësuesi të huaj. Për të na mbajtur moralin lart kërkojnë të na mbushin mendjen se gjerat nuk janë aq të thjeshta sa duken, por, po u bë ndonjë lëvizje përpara, siç ishte ftesa e NATO-s, p.sh, dijeni se prej nesh e keni. Dhe ne qetësohemi. Qetësohemi e i besojmë këto pasqyra të thyera dhe kthehemi nga njeri tjetri duke pëshpëritur plot mllef se “Shqipëria nuk bëhet”, se “Evropa na ka inat e nuk na do” e mbroçkulla të tjera bajate, tashmë të lodhura nga koha. Bashkë me në qetësohen edhe kolaudatorët e tipit D.Q. dhe, pasi marrin energji të reja, nisen prapë e gjithë qejf drejt Zullulandit, ku i presin mullinjtë e erës për beteja të reja. O TEMPORA, O MORES!

Gazeta “Albania” 29 Prill 2008

dua të besoj se ky person është dërguar atje, prapa botës, për t’u treguar autoriteteve malaziane se toka e shqiponjave nuk ka as edhe më të voglin interes në atë vend mysliman e antiamerikan

vs

Fatkeqësisht ai, në një farë mase është pasqyra e Shqipërisë në botë. Një pasqyrë e thyer që reflekton e përcjell pamje të shtrembra e krejtësisht të deformuara. Dhe pikërisht kjo pasqyrë ka marrë përsipër misionin për ta futur Shqipërinë në Evropë.

Malajzia nuk eshte ne Evrope dhe nuk ka lidhje fare, e as peshe, e as ze per anetaresimin e Shqiperise ne BE. Nuk ka asnje lloj ndikimi. Per me saktesisht, Kuala Lumpur eshte egzaktesisht 9108 km nga Tirana, vije ajrore.

Nisur nga shpjegimi i mësipërm, marrja e nivelit të kualifikimit “bachelor” e ka kusht ndjekjen e shkollës me shkëputje nga puna për katër deri në pesë vjet.

Nuk eshte aspak e vertete!

Por bachelor është edhe shkalla e parë e kualifikimit universitar, që merret nga studentët që sapo kanë dalë në jetë

Nuk eshte aspak e vertete, ose e perdorur nisur nga injoranca.

"Columbia,(vs) Oksford,(vs) Haruard e(vs) Kembrixh"

???

Ky është njëri ndër interlokutorët bashkëkohore shqiptare (tipa si ky përgjithësisht janë emëruar nëpër përfaqësi) që bën lobing për Kosovën e Shqipërinë tonë,

Dhe Malajzia e ka njohur Kosoven qe ne 30 Tetor 2008. Pra, ndoshta edhe e ka bere punen e vet, ose ndoshta dhe Malajzia e ka njohur Kosoven me vullnet te vetin, pa lobing, si shumica e shteteve te ndergjegjshme.

Zullulandit,

???

nuk figuron të ketë mbaruar ndonjë kurs gjuhe.

Te mbarosh universitet ne Amerike, nenkupton per gjithkend qe nuk ka lindur dje apo qe s'ka lindur akoma, qe e zoteron gjuhen angleze. Kurs gjuhe duhet te marresh ti, kurs gjuhe shqipe.

 

Prandaj gjerat jane pa shprese ne Shqiperi. Nje injorant vihet ne pozita perfaqesuese dhe 20 injorante dhe debile te tjere kritikojne.

Pse duhesh marre seriozisht more Carcan? Ngaqe Adilit ia kemi degjuar ymrin dikur? Ti flet me mllef, sepse e tille eshte dhe tematika qe kerkon te mbulosh; por niveli jot personal eshte shume i mjere, dhe kjo eshte e keqja e te keqijave; kur njerez injorante si puna jote cohen per te korrigjuar "drama" te tilla... Po te te kishin vene ty ambasador ne Kuala Lumpur, neser do ngrihesha une e do botoja kete artikull, qe te shohe gjithe bota (shqiptaret) sa i pergatitur je.

Prandaj nuk pjerdh me njeri ne Shqiperi, sepse kritikat i bejne pikerisht njerez me nivelin tend, dhe eshte pikerisht ky nivel qe i heq seriozitetin cdo problemi dhe e vesh me ngjyra komedie.

"


Te mbarosh universitet ne Amerike, nenkupton per gjithkend qe nuk ka lindur dje apo qe s'ka lindur akoma, qe e zoteron gjuhen angleze. Kurs gjuhe duhet te marresh ti, kurs gjuhe shqipe.

Me qe ti qenke specialist gjuhe atehere beji nje analize kesaj note qe i perkedheluri yt i ka derguar Sulltanit te Bruneit me rastin e ditelindjes:

“The Embassy of the Republic of Albania presents its compliments to the High Commission of Brunei Daru Selam  Kuala Lumpur and has the pleasure to wish on the event of 62nd  birthday of his Majesty the Sultan of Brunei Daru Selam by wishing him Long Live in serving his country. 

The Embassy of the Republic of Albania …….

Embassy of Brunei

Daru Selam”

 

kritiken qe i bej une artikullit, e kam bazuar dhe e kam treguar. Kritiken qe i ben ti atij shkrimit, e ke treguar, pra, shume mire deri ketu. Cfare kishe per komentin tim?

A mos shpika gafa nga vetja? a nuk jane gjetur gafat ne artikull? A nuk qendrojne?

Jam shprehur fare qarte. nuk kam lene vend fare per medyshje.

 

 pse? pse? pse?... (pyes veten sa herë vij dhe lexoj palavira të tilla deri në mes)

Ky  stumbullari ketu qe kerkon te marre rolin e viktimes... !!!

Sa per  kureshtjen   e  te  gjitheve, dhe  meqe  hedh gurin dhe fsheh doren  eshte  Vladimir Pulaj.  i  cili  eshte  numeri dy  ne  ambasaden shqiptare ne  Malajzi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).