Nisin procedurat për autostradën Morinë-Merdare

Deri më 25 shtator të këtij viti, Kosova përfundimisht do të hapë ofertën për fillimin e ekzekutimit të punimeve të autostradës Morinë-Merdare. Kjo u bë e ditur pas takimit të Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, ku po ashtu u konfirmua se ndërtimi i autostradës do të bëhet me partneritet publiko-privat përmes kredisë.


Komiteti Ndërministror ka publikuar listën e kompanive konkurrente për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare. Kompanitë e përzgjedhura janë: kompania “Alpine” nga Austria, kompania amerikano-turke “Bechtel & Enka”, “Makyol” nga Turqia, “Pizzaroti” nga Italia, “Porr” nga Austria, “Strabag” po ashtu nga Austria dhe “Terna” nga Greqia.

Mnistri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, thotë se pas përzgjedhjes së këtyre kompanive, punët për fillimin e autostradës janë në përfundim e sipër.

“Ëndrra për realizimin e projektit madhor për Kosovën, autostrada Prishtinë-Vërmicë, ka filluar konkretisht në drejtim të fillimit të punimeve të këtij projekti madhor, me interesa të shumëfishta ekonomike, kulturore, komunikuese, me interesa të hapjes së korridoreve”.

“Përfundimisht, ky projekt Kosovës do t’i japë kuptimin më të mirë të fjalës, që të jetë një urë lidhëse mes Ballkanit perëndimor, Evropës. Kosova, në pozitën e saj gjeografike, do ta marrë peshën dhe rëndësinë e saj ashtu siç i takon dhe do të dalë nga izolimi”, thotë Limaj.

Për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Vërmicë, e cila do t’i mundësojë Kosovës lidhje me autostradën Morinë-Durrës, ministri Limaj pohon se është miratuar rekomandimi që të hyhet në partneritet publiko-privat përmes kredisë.

“Ky do të jetë konstrukti, ideja e financimit të autostradës Prishtinë- Vërmicë, që nënkupton se shteti i Kosovës do të futet në një pjesë të të hollave, por pjesa dërrmuese do të jetë përmes kredive, e si do të jenë kreditë, kjo do të jetë pjesë e konstruktit financiar, që do të vazhdojmë të hulumtojmë dhe të realizojmë”, thotë Limaj.

Edhe shefi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak, mbështet opsionin për partneritet publiko-privat, duke theksuar se ai nuk do të ndikojë në buxhetin e Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore mundëson qasje në shumë mekanizma, qofshin ato grante, hua, apo këshilla teknike. Ne po ashtu po shikojmë mundësinë e investimeve jo vetëm në një sektor apo tjetër, por të atyre që kanë përparësinë e qeverisë”.

“Në fakt, javën e kaluar, ne patëm një ekip, i cili do të vlerësojë se cili është sektori më i nevojshëm. Ju duhet ta dini që ne gjithmonë punojmë në partneritet me donatorë të tjerë dhe kështu do të jemi edhe me anëtarët më të rinj të Bankës Botërore”, shprehet Najak.

Seleksionimin e kompanive konkurrente për ndërtimin e autostradës e ka bërë kompania konsultuese “Eversheds” nga Anglia.

Përfaqësuesi i firmës konsultuese për ndërtimin e autostradës, Erion Berisha, thotë se kanë bërë disa hulumtime paraprake si dhe shqyrtimin e kostos, por që ende nuk e dinë se sa mund të kushtojë i gjithë projekti.

Megjithatë, ai tregon disa nga rekomandimet që ia kanë dhënë Qeverisë së Kosovës.

“Ne rekomandojmë që rruga pas ndërtimit të jetë me pagesë, pasi që është një standard ndërkombëtar dhe përdoruesit marrin një shërbim që duhet ta paguajnë. Kjo do të ulë barrën fiskale të Qeverisë kosovare për kredinë që do të marrë për ndërtimin e rrugës dhe për mirëmbajtjen që do të jetë gjatë kohës së operimit të rrugës”.

“Po ashtu, ne jemi të bindur se projekti do të jetë shumë domethënës për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit”, thotë Berisha.

Ndërtimi i kësaj autostrade, sipas autoriteteve kosovare, do të sjellë përfitime ekonomike, përfshirë këtu edhe punësimin, bartjen e
mallrave, turizmin etj.

Autostrada Merdare-Prishtinë-Morinë ka një gjatësi prej 117 kilometrash dhe është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.

6 Komente

Mire autostraden Durres-Morine qe e keni inat se e ka bere Berisha, po dhe kete pjesen e Kosoves mer qafira, as kete s'e komentoni? smiley

mir e ke mer xhib, po ceshtja eshte qe c'na rruhet ne me u lidh me korridorin veri-jug nepermjet nishit nderkohe qe ne jug dalim nga kapshtica ose kakavija ndersa ne veri nga triestja dhe na bje afer fare, ka me pak kosto, dhe s'te cajne trapin policat e serbise. Apo na mbyti biznesi me rumanine e hungarine ne dhe na mungote ky korridor?

ca t'i komentojme mer xhib, ne s'po morim vesh kur, si dhe a do bohet. Plus qe nigjova qe partia e Çekut kishte qit i variant tjeter. Thone qe te mos vazhdoje nga Prishtina per Merdare por te shkoje drejt Bujanovcit e aty te lidhet me autostraden e Nishit. Si mo interesant me duket mu ky variant, te pakten tani per tani, duke e dit qe s'ka per te pas nanji fluks jo-shqiptar kjo rruge ne te ardhmen e afert.

S'i di detajet se si behet me mire per brenda Kosoves, po mua thjesht me behet qefi qe shqiptaret e Kosoves, te pakten atyre qe i bie ajo pjese e autostrades afer, do kene mundesi te vine me lirshem tek ne, ne plazh e per cdo gje. Po ashtu dhe ne do kemi mundesi me shume te shkojme, qofte dhe per nje vizite per kuriozitet. Une p.sh. jam injorant nga gjeografia e Kosoves. Po me tu bere rruga, dal bej nje xhiro fjala vjen.

Me nje llaf mua thjesht me behet qefi qe ne shqipot po, dhe do te, kemi autostrada moderne, se den baba den jemi nje pellembe vend dhe kemi qene pak a shume te ndare, midis te tjerash nga terreni malor dhe mungesa e infrastruktures. smiley

 Swed, ku i dihet, me hapjen e ketij korridori, mund te rritet vellimi i shkembimeve me Rumanine, Bullgarine, Hungarine, Moldavine etj. S'kemi pse te jemi skeptik per nje te ardhme qe mund te ndryshoje. 

autostrada i dha rendesi portit te Durresit dhe kerkon zhvillimin e porteve te tjera, Vlores dhe Shengjinit. Ndertimi i pjeses tjeter i ul rendesine autostrades (rrugeve) te Maqedonise, nqse rumunve, bullgareve apo te tjereve do u interesoje me mire rruga e Merdares (mgjse. kjo eshte per t'u pa). Kjo mund t'i uli rendesine edhe rrugeve qe shfrytezohen sot prej Serbise per tregti me Greqine (portin e Selanikut etj), pranej, eshte budallallik me mendu qe "te ndertojme nji rruge eskluzive per shqiptaret sepse nuk ka me u shfrytzu prej serbve, rumunve apo bullgareve..."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).