Nishani: Shumë shpejt, emra konkretë për vrasjen e Xhindit

Ministri i Brendshëm deklaron se prokuroria është drejt zbardhjes së plotë të krimit

Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi është drejt zbardhjes dhe shumë shpejt hetimet do të nxjerrin emra konkretë për përgjegjësinë e këtij krimi të rëndë. Kështu ka deklaruar dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kur është pyetur nga media për hetimet në lidhje me vrasjen e ish-deputetit të PS-së në Fier. "Hetimet mbi këtë ngjarje po ecin brenda parametrave të parashikuara", u shpreh Nishani, në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur me këtë çështje.

Hetimi
Më tej, ministri shtoi se ato janë aktualisht në dorën e organit të akuzës, por nga informacionet që kishte shtoi se ka besim se ato do të sjellin shumë shpejt zbulimin e autorëve të ngjarjes dhe vënien e tyre para drejtësisë. "Dosja penale për vrasjen e deputetit është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa Policia e Shtetit i ka kryer gjithë veprimet e duhura pas këtij krimi të rëndë", vuri në dijeni ministri Nishani. Policia e Shtetit ka deklaruar disa herë se ka vënë në dispozicion të hetimit specialistët e saj më të mirë.
Dy muaj më parë, ministri Nishani, në një konferencë shtypi, tha edhe atëherë se hetimet ishin në rrugën e duhur dhe se policia ishte pranë zbulimit të autorëve të ngjarjes. Nga ana tjetër, gjatë këtyre dy muajve që kanë kaluar, autorët e krimit nuk janë zbuluar ndërsa familjarët e deputetit, disa herë kanë bërë apele publike ndaj drejtësisë për kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë. Madje, ministri u tregua në atë kohë shumë optimist për zbardhjen e këtij krimi dhe pavarësisht se kanë kaluar katër muaj, ende nuk ka autorë konkretë, të dyshuar për këtë krim.
Siç dihet, Fatmir Xhindi u ekzekutua me breshëri armësh në hyrje të oborrit në banesën e tij në Roskovec të Fierit, mbrëmjen e 2 majit 2009 në hyrje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, ku ai përsëri do të kandidonte për deputet.

Deklaratat
Por, vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se nuk kishte asnjë person të dyshuar për ngjarjen dhe se pistat e fundit që kishin mbetur në hetim nuk kishin thuajse asnjë provë mbështetëse në informacionet e provat e grumbulluara nga policia për këtë çështje. Hetimi është shoqëruar edhe me përplasje "të heshtura" mes policisë dhe prokurorisë, pasi Krimet e Rënda kërkonin prova e dëshmi për vrasjen për shkak të detyrës, ndërsa policia referonte në prokurori informacione dhe letra anonime për vrasje për shkaqe personale.
Natën e krimit, Ministria e Brendshme deklaroi për ngjarjen se rreth orës 21:15, nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës dhe nuk ka mundur të tregojë asgjë. Deputeti u qëllua me automatik sapo zbriti nga makina në oborrin e banesës së tij në Roskovec. Policia mundi të gjejë në vendin e ngjarjes edhe disa prova, që mendohet se i përkasin autorit të krimit. Ndërsa familjarëve të deputetit të vrarë iu morën disa herë deklaratat në lidhje me këtë ngjarje, por ata nuk dinin të tregonin ndonjë konflikt të mundshëm të tij apo ndonjë detaj tjetër që mund të çonte në zbardhjen e plotë të ngjarjes kriminale.

1 Komente

Nishani do ti zbuloje kur te qethen viçat. Vrite nje halabak dhe cohet ne kembe gjithe shteti, vritet nje deputet dhe nuk çan koken njeri. Turp me te madh nuk ka. Çpresim ne qytetaret e tjere per te na mbrojtur jeten ky shtet ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).