Në teatrin diplomatik

Një anekdotë e shpjegon mirë dallimin mes një dame dhe një diplomati. Kur një diplomat thotë “po”, ai mendon “ndoshta”. Kur thotë “ndoshta”, ai mendon “jo”. Nëse thotë “jo”, atëherë s’është diplomat. Kur një zonjë thotë “jo”, ajo mendon “ndoshta”. Kur thotë “ndoshta”, atëherë ajo mendon “po”. Nëse thotë “po”, atëherë nuk është damë. Mund të jetë – për shembull - prostitutë. Gjithsesi edhe në arenën diplomatike nuk mungojnë figurat me sjellje prostitute, kriminale, skandaloze. Një skandal këto ditë është duke e shkundur Ballkanin. Së fundi Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar se do të dërgojë në Beograd një ambasador të ri, pasi përfaqësuesja e Podgoricës ishte përzënë nga Serbia për shkak se Mali i Zi kishte pranuar pavarësinë e Kosovës. Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka propozuar për postin e ambasadorit Igor Jovoviqin.

Në opinionin e gjerë ballkanik Jovoviq nuk është i njohur. Ai prej javësh është duke pritur të marrë pëlqimin e Beogradit për të përfaqësuar interesat e Malit të Zi në shtetin fqinj. Në Ministrinë e Jashtme të Serbisë emërimi i Jovoviqit nuk ka ngjallur entuziazëm. Në kohën kur Serbia dhe Mali i Zi ishin si “dy sy në një kokë”, pra kur përbënin shtetin e përbashkët (njëherësh Jugosllavinë e cunguar, pastaj unionin shtetëror Serbi-Mali i Zi), Jovoviq, si kuadër malazias, ka qenë ambasador në Etiopi. Mediat serbe prej ditësh janë duke botuar pikanteri nga regjistri i mëkateve të Jovoviqit,kur ai ka shërbyer në kryeqytetin e Etiopisë, në Adis Abebë. Ai akuzohet se ia kishte shitur dy revole shoferit të tij, një shtetasi etiopian. Të dy bashkë thuhet se kishin importuar me kontejnerë pije alkoolike, cigare dhe mallra të tjera nga Londra. Kur me një rast një doganier etiopian kishte kërkuar hapjen e kontejnerit, Jovoviq ishte thirrur në imunitetin diplomatik dhe e kishte rrahur zyrtarin. Autoritetet e Etiopisë kishin nisur hetimet mbi veprimtaritë kriminale të ambasadorit, por ky kishte braktisur vendin nikoqir, kishte kaluar disa vite në Beograd dhe në vitin 2003 ishte caktuar ambasador, kësaj radhe në Finlandë.

 

Vjehrra ambasadore

Skandali me Jovoviqin nuk është rast i izoluar. Në Kroaci opinioni rregullisht argëtohet me zbulime dhe skandale në fushën e diplomacisë. Para pushimeve verore Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) në Zagreb u detyrua të largojë nga posti ambasadorin në selinë e OKB-së në New York. Ky njeri vuante nga mania e bixhozit dhe kishte harxhuar nga arka e Ambasadës qindra-mijëra dollarë në kazinotë e Las Vegasit. Më parë ishte arrestuar konsulli kroat në Banjallukë të Bosnjës, sepse ishte zbuluar duke kontrabanduar një veturë. Në vitin 2005 MPJ e Kroacisë ishte dridhur nga një skandal i llojit tjetër: konsulli në Ambasadën e Kroacisë në Shkup ishte tërhequr urgjentisht për shkak të pedofilisë. Ambasadori kroat në Libi ishte zbuluar duke importuar sasi të mëdha të pijeve alkoolike. Konsulli në Australi akuzohet se kishte marrë me vete orenditë e Ambasadës në vlerë prej 10 mijë eurosh. Ambasadori në Portugali ishte rrahur me një person të sigurimit. Në Los Angeles bashkëshorti i një zyrtareje të Konsullatës ishte burgosur për shkak të tregtisë me drogë.

Skandalet në diplomacinë kroate dhe në vendet e tjera të Ballkanit dëshmojnë se shtetet pasardhëse të Jugosllavisë ende nuk kanë arritur të ndërtojnë një shërbim serioz diplomatik. Gjatë kohës kur në Serbi ka qenë ministër i Punëve të Jashtme Vuk Drashkoviq, në mediat serbe vazhdimisht është kritikuar politika e tij kadrovike. Rasti më argëtues ka qenë dërgimi i Gordana Ançiqit në postin e ambasadores së Serbisë në Damask të Sirisë. Aniçiq ka qenë funksionare e partisë së Drashkoviqit. Vajza e saj është gruaja e reporterit të njohur të CNN-it Brent Sadler, i cili me të ishte njoftuar nga fundi i viteve 90-të, kur raportonte mbi zhvillimet politike në Serbi. Pastaj Sadler u dërgua në Damask, si shef i zyrës së atjeshme të CNN-it. Pak vite më vonë Drashkoviq ia dërgoi dhëndrit amerikan edhe vjehrrën në Damask – si ambasadore!

 

Manipulatorë dhe tagrambledhës

 

Kolumnisti legjendar nga Zagrebi, Denis Kulish, i cili në vitet 70 kishte kryer shërbimin ushtarak me mikun e tij Fatmir Sejdiu në kazermën e Manastirit në Maqedoni (si dëshmi për këtë Kulish ka botuar edhe një fotografi në revistën “Globus&rdquosmiley, ka shkruar së fundi se më së miri do të ishte që skandaleve diplomatike t’u jepet fund dhe politikanët e Ballkanit, në rrugën drejt Bashkimit Evropian, të merren vesh që shtetet e tyre të përfaqësohen nga një diplomat – prej Trigllavit në Gjevgjeli. Duket një propozim qesharak. Dhe Kulish mbase as që e ka menduar seriozisht, sepse e ka të qartë se ideja e tij nuk mund të realizohet dhe as të ringjallet Jugosllavia. Por, ai me të drejtë pyet se çfarë u duhen vendeve të Ballkanit mbi 50 ambasada dhe konsullata, të cilat pas shkatërrimit të Jugosllavisë janë hapur nga Sllovenia në Maqedoni. Përgjigjen bizare në këtë pyetje aktualisht është duke e dhënë Kosova, ku Ministria e Punëve të Jashtme më shumë të kujton një ent social për punësimin e figurave që në këtë dynja kanë rënë në sy si manipulatorë tenderësh, si zyrtarë të rangut të tretë dhe si tagrambledhës jotransparentë dhe mujsharë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).