Ndryshuar prej globalizimit

edliragjoni.wordpress.com

Rrallë mund të ndodhë që njeriu të ndjehet mirë nëse sheh të thërrmijëzuara të gjitha përpjekjet që bën për të lënë gjurmë në jetën e vet, kur i krahason këto përpjekje me fakte të reja nga e përditshmja tjetërkund. Po njeriu është i përshtatshëm me të gjitha gjendjet, veçanërisht kur i shton edhe vetë dozat e nevojës apo detyrimit për t’u përshtatur.

Në përsiatjet grupore të javës së kaluar, teksa një profesor nga Norvegjia, një kërkuese shkencore nga Finlanda, një gazetare nga Anglia, një lehtësues nga Danimarka e shumë studentë nga Skandinavia mundoheshin të gjenin arsyet që çojnë në ndryshimin social të përditshmërisë njerëzore të vendeve të botës së tretë nga ekspozimi drejt globalizimit apo shmangia prej tij, mundohesha të gjeja ndonjë lidhje për pjesën shqiptare të ndikimit nga ky fenomen i pashmangshëm.

Duke punuar në programet ndërkombëtare të zhvillimit dhe me vite të tëra pune kërkimore në vendet e botës në zhvillim, më dukej se bashkëbiseduesit e dinin më mirë se unë se si është marrëdhënia Shqipëri-Globalizim. Por në shumë raste mund të dallohej lehtë se përfundimet e tyre mund të ishin edhe subjektive, pre e përgjithësimit, stereotipive apo këndvështrimit të njëanshëm. Jo vetën në sensin negativ.

Më shumë sesa prirja e vajzave të botës të tretë për t’iu futur botës së misseve, spektaklit apo televizionit gjysmë të zhveshur, mua më bëri përshtypje ndikimi që ka tranzicioni i zotëm i modernizimit tek individi dhe tek familja.

Tre ishin aspektet thelbësore që m’u dukën mua se kanë më shumë lidhje me Shqipërinë: lëvizja, përzierja dhe prekshmëria (apo pa-mbrojtësia).

Në c’kuptim?

Përsa i përket të parës, sot e gjithë bota është në lëvizje; emigrim, udhëtime turistike, udhëtime biznesi, studime, konferenca, gjithçka. Numri i njerëzve që lëvizin është rritur shumëfish në krahasim me 10 vjet më parë, e kjo lëvizje sjell ndikimet e veta në komunitet, politikë apo ekonomi. Në rastin shqiptar, lëvizja më e madhe e njerëzve bëhet nga emigrantët. Janë ata që kanë rritur numrin e fluturimeve apo të udhëtimeve me anije. Janë po ata që kanë nxitur biznesin e ndërtimit, duke i mundësuar vetes apo familjes së tyre blerje apartamenti, toke apo shtëpie të re. Janë po emigrantët që paraqiten edhe si turistë. Edhe si biznesmenë. Janë emigrantët që sjellin intensitetin. E janë po ata që po sjellin ndryshimin social. Si?

Kjo shpjegohet qartë nga fenomeni i përzierjes. Emigrantët shqiptarë e kanë kaluar tashmë fazën e parë të tipareve migratore, që karakterizohet nga refuzimi për asimilim me kulturën e re, rezistenca ndaj gjetjeve të reja në përditshmërinë e vendit pritës, dhe nostalgjia gjithë kujtime të idealizuara për vendlindjen. Sot kjo fazë ka kaluar. Tashmë më një brez fëmijësh që janë gati të hyjnë në Universitet në vendet ku kanë bujtur prindërit e tyre, emigrantët e rinj e kanë më të lehtë t’i kapërcejnë barrierat kulturore që i kanë mbajtur fort të rezistueshme prindërit e tyre. Kjo është një karakteristikë e studiuar me kohë nga antropologët dhe sociologët.

Çështja qëndron tek gatishmëria e këtyre fëmijëve për asimilim dhe butësia e prindërve për t’i ndjekur në zgjedhjen e tyre. Pra nga lëvizja, kaluam tek përzierja, që në mënyrë të drejtpërdrejtë, sjell me vete pasoja për qartësinë e identitetit.

Ky në vetvete ndahet në disa kategori, që nga identiteti kulturor (më i rëndësishmi në përcaktim), deri tek ai fetar, gjinor, krahinor, politik, ekonomik, shoqërore, etnik, kombëtar e me radhë.

Lëvizja e lehtësuar në periudha aktive të dyshimeve mbi identitetin i çon njerëzit (emigrantët në mënyrë të veçant&eumlsmiley tek pika e tretë e ndryshimit, që është cënueshmëria. Si për emigrantët e brezit të dytë, që nuk janë as të huaj, as vendas, ashtu edhe për prindërit e tyre, kthimi dhe rikthimi nga vendi bujtës tek ai i lindjes, sjell pasoja të dukshme të lëkundjes së besimit tek vërtetësia e qenies.

Jo se shqiptarët mund t’i hyjnë thellë kësaj çështjeje, por shumë studiues, që nga Eriksen, tek Armin, Appudarai apo Castel kanë arritur në përfundimin se lëvizja e shpeshtë e njerëzve, veçanërisht ajo e emigrantëve, sjell probleme me identitetin e tyre. Madje edhe me dëshirën për ta zbuluar atë. Shumica e emigrantëve zgjedhin ta anashkalojnë origjinës apo identitetin, sidomos atë fetar dhe kombëtar, sepse ju duket më e letë rruga e përshtatjes pa to.

Por më shqetësuesja nga gjitha ngelet prirja për të anashkaluar identitetin kulturor, sepse prej tij dallohen dhe shkëputen më shpejt të gjithë emigrantët.

Çdo verë në Shqipëri vihen re ndërtesa të reja, të ngritura mbi tokë në stilin e vendit ku këta emigrantë bujtin. Kemi një varietet të madh vilash, pallatesh, shtëpish, dhomash e ballkonesh, që e reflektojnë më së miri dëshirën e emigrantëve për të mbjellë edhe këtu copëzën e vendit që kanë atje ku jetojnë e punojnë.

Nga ana tjetër, sa herë që kthehen në vendet pritëse, shqiptarët nuk harrojnë të marrin me vete karta dixhitale për të parë kanale shqip, rrush, kumbulla, fiq e çdo gjë që mund të ketë erë Shqipërie. Pra shkëmbimi është interesant. Këtu kërkojnë bujtësin, atje marrin me vete origjinën.

Ama Shqipëria ka marrë tjetër pamje, dhe kjo nuk është as meritë e qeverisë, as e akademikëve që bëjnë kërkime 10 vjeçare për të marrë vesh se çfarë e shkakton një ndryshim të vogël. Lëvizja e lirë e njerëzve e sjell.

Shqipëria nuk ka përfituar shumë lulëzim nga projektet e zhvillimit, por nga emigrantët e saj po. Ka bërë hapa gjigandë. Dhe kjo duket edhe më qartë po të shohësh kurbën në ngjitje të përpjekjeve të emigrantëve shqiptarë për të investuar në vendlindje, qoftë edhe me mënyrat e tyre modeste për të mbajtur familjen mirë.

Interesi dhe kujdesi për njëri-tjetrin akoma nuk na ka ikur. Vetëm dëshira për studim të mëtejshëm po. Se po të kishim kuriozitet për të mësuar vërtet se çfarë pasojash do sjelle pas 10 vjetësh të tjerë një familje që ka dy shtëpi; një në Shqipëri e një në dhe të huaj (pavarësisht nëse është pronar i tyre apo jo).

Shqiptarët po i nënshtrohen ritmit të shpejtë të ndryshimit që sjell me vete globalizimi. Këtu u përmendën vetëm tre, dhe asnjëra prej tyre nuk është arsyeja ekonomike, thebi i gjithë globalizmit. Por sot, ndikimi i tij ka shkuar shumë për përtej.

Dhe është shumë interesante të shohësh ndryshimin dhe shndërrimin e shoqërive nën ndikimin e tij, pa i dhënë asnjëherë kuptimin e duhur të së tashmes, apo parashikimin e së ardhmes (qoftë edhe afatshkurtër), të një shoqërie që do ketë sfida të vërteta me identitetin. Rrjedhimisht kjo do të sjellë edhe ndryshime në mënyrën e jetësës, ne kulturë, ekonomi dhe politikë.

Por ndryshimet vetëm sa kanë filluar…

7 Komente

por shumë studiues, që nga Eriksen, tek Armin, Appudarai apo Castel kanë arritur në përfundimin se lëvizja e shpeshtë e njerëzve, veçanërisht ajo e emigrantëve, sjell probleme me identitetin e tyre

Kjo eshte tamam per te Harper's Magazine (faqja e fundit)smiley

une mendoj qe mediat dhe interneti bejne kerdine me globalizmin ne shqiperi, ndersa po mediat, po i lene shqiptaret te paintegruar ne vendet perendimore ku jetojne dhe i mbajne te lidhur pas shqiperise....

Si eshte e mundur qe keto shkrimet tek "mos humbisni" kane vetem nga dy tre komente

Sfida eshte nese arrin te ruhet diversiteti, pjesa me e bukur dhe me jetike e njerezimit. psh mos te shitet ne llogora mish qingj nga zelanda e re, por mish karaburuni.

Shqipëria nuk ka përfituar shumë lulëzim nga projektet e zhvillimit, por nga emigrantët e saj po. Ka bërë hapa gjigandë. Dhe kjo duket edhe më qartë po të shohësh kurbën në ngjitje të përpjekjeve të emigrantëve shqiptarë për të investuar në vendlindje, qoftë edhe me mënyrat e tyre modeste për të mbajtur familjen mirë.

Dhe e forta eshte qe i perbuzin. Ky fenomen 'bukeshkalesie' eshte shume i cuditshem, por kam degjuar qe ndodh edhe ne Greqi mes Grekeve.

E thene ne gjuhen popullorçe; Emigracioni ka mbajtur Shqiperine. 

 Po cilat jane hapat gjigande! Mos harro kemi qe nga 1989 pra 20 vjete, Kina per 20-vjete ndryshoi gjithcka, ne kemi ecur me hapa breshke. Arsimi apo shendetesia kane ecur perpara? Pa me thuaj? Apo industria, eksportet? Zhvillimi tek ne eshte bare-restorante dhe ca hotele mizerabel dmth industri sherbimesh (pfffffffffffff)

Nuk dua te tingelloj shume pesimist por per 20 vjet kemi bere shuma pak, hapat e tua gjigande jane vetem vetkenaqesi tipike shqiptarce.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).