Ndotje...

Kujtime për verën që shkoi

Bashkë me muzgun, në plazhet e Durrësit dhe të Kavajës, të përfshin dhe ndjenja e neverisë. Nuk është fjala për atë lloj ndjenje filozofike, që të krijohet nga kushtet shoqërore, ekonomike, politikë etj., etj., për të cilat sot është në modë të flitet shumë.

Është diçka më konkrete. Ndanë teje, ose, më saktë, bash nën këmbët e tua; i errët, viskoz, i pistë, rrjedh kanali i ujërave të zeza, kurse më tej disa të tjerë, paralelisht, pambarimisht.

Në fakt, ndenja e neverisë ka filluar të ngjizet më herët, që kur udhëton me makinë të rastit, në segmentin Plepa - Kavajë.

I ngujuar në një ferr trafiku (qindra makina të gozhduara, bori që bien papushim, pluhur, sharje, zhargone shoferësh, policë, barku i të cilëve nuk të flet vetëm për një degradim fizik, po dhe moral) edhe njëherë e ndjen veten të mashtruar, kur kujton përurimet pafund të kësaj rruge përgjatë fushatës zgjedhore, për të cilën vetë Kryeministri pat deklaruar se duhej të mbaronte në qershor. Kjo ndjenjë neverie të konkretizohet tani, ndanë kanaleve të ujërave të zeza, që ndotin përgjatë gjithë bregdetit.

Për t'i shpëtuar ndjenjës shtypëse, drejtohesh për diku. Përpara të shfaqet një kompleks turistik, për të cilin në popull flitet se i përket një ish-ministri të Arsimit. "E po mirë, - thua me vete, - të paktën, ka ndërtuar diçka që rrezaton kulturë."

Çmimet të trembin (flas përherë nga këndvështrimi i një rrogëtari) ndërsa orkestra përcaktohet me fjalën e mezidurueshme live. Muzgu është i qetë dhe ti fillon të ndjesh atë që të fal nata; pafundësinë e universit dhe të qenies njerëzore.

Ndërkohë, në skenë dalin disa ish-këngëtarë, që këndojnë disa ish-këngë të tipit "Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime"!, me përshëndetje për miqtë nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Me dy fjalë, patriotizëm me brekë banje!

Më pas, këngëtarët, që kanë marrë me ç'duket dhe detyrën e regjisorit, nisin një dialog të tillë më publikun: "Vërtet kemi Hënën që sonte ndriçon kaq bukur në qiell, por kemi dhe "Hënën" në tokë, që mendon për ju..."(!) Një paralelizëm figurativ i denjë dhe për librin Gines!

Pastaj vazhdojnë përshëndetjet për njëfarë zoti X, që ka ardhur nga Belgjika, i cili, i prekur në sedër nga përmendja e emrit në publik, ngrihet e i fut këngëtarit me marifet një kartëmonedhë, i cili, nga ana e tij, emocionohet akoma dhe më tepër, ndaj përshëndet dhe një zotëri tjetër, të quajtur Y, i cili, nga ana e tij, i mallëngjyer dhe më shumë, bën të njëjtin veprim, pra, i fut një kartëmonedhë tjetër e kështu me radhë. Spektakli mbyllet me ca tipa të dyshimtë, që mëtojnë për t'u bërë këngëtarë.

Ti largohesh pasi ke përjetuar një ferr financiar. E kupton se, nëse do të rikthehesh këtu sërish, brenda pak ditësh do të falimentosh si ato bankat amerikane.

Po akoma nuk e di se, më tej, të pret diçka akoma më rrëqethëse: ferri akustik. Lokale të shndërruar në një bishë që vetëm sokëllin, duke bërë të tulatet gjithçka përreth. Ti ndalon si i shituar, teksa mezi zbërthen një zë banal, që paraqet programin: "...Një tollova speciale...Çunat e Kavajës sonte due me disponue... Me ni kangë 'Shijaku me halle'.. etj., etj.

Pastaj shpërndahen në formën e një amalgame muzikore arabo - turko - rome, por vetëm jo melodi shqiptar, këngë haremesh, dylberësh, çengijesh të tipit: "herë me pare, herë pa pare...", "ma e mirë e oma se e bija, o usta Murat.." ose me një tekst që s'ka Zot që ta kuptojë "Italia me gaxha, jalla- jalla, hajde Adelajda haaaajde!..."
Bie era banalitet, injorancë dhe folku të degraduar. Po më tej është akoma dhe më keq, kudo që të shkosh.

Po ajo ndotje akustike, po ajo shumësi ulërimash prej qindra e mijëra vetash që nuk të le as të mendosh. Nga shpërthen i gjithë ky banalitet dhe, në fund të fundit, kush ia jep të drejtën morale këtij llumi që të sillet kaq keq me ty dhe me të tjerët?

Mëngjesi zbardh i qetë me atë dritën e qashtër, që të fal plazhi dhe ti mendon se mbase e mbrëmshmja ka qenë rastësi dhe se ndofta nuk do të përsëritet më, teksa kërkon të vendosësh çadrën diku. Ndërkaq të afrohet "pronari".

Toni i tij është arrogant. Me një fjalor më të varfër se njeriu i Neandertalit, të shpjegon se aty është pronë e tij, se ka vendosur shezlon, se për këtë i paguan taksa shtetit dhe se ty të duhet të shkosh në një vend tjetër.

Dhe ti nisesh, por ai vendi tjetër është i gardhuar. Nuk e zmadhoj, kanë vënë shufra të shëmtuara hekuri, i kanë lidhur me litarë si në një ring dhe hapësirën përreth e kanë shpallur të tyren, pra, nuk mund të kalosh, bash në atë tokë, e cila me Kushtetutë është dhe e jotja.

Atëherë kërkon një vend tjetër, por aty kanë hedhur plehrat e kështu me radhë, kur befas shikon se në një nga hotelet tejet luksozë valëvitet krenar flamuri i PD-së. Ç'kërkon ky flamur këtu në plazh? - thua ti dhe befas, po vetë, përgjigjesh se ai është një absurditet ose, më saktë, shenjë e dukshme e një servilizmi politik.

Kur them servilizëm politik nuk kam parasysh militantizmin politik, i cili, veçmas në kohë zgjedhjesh, mund të bëjë çudira, si p.sh., ta bëjë ngjyrën e zezë të bardhë, çka do ta kish zili dhe alkimisti më i shkathët ose që, pas zgjedhjesh, mund të të habisë me përfitime nga më të panatyrshmet.

Unë e kam fjalën për ata burra e gra (dhe unë njoh shumë prej tyre) që, në thelb, jo se janë të këqij, po që në rastin më të parë, bëhen me më të fortin, pra, që janë servilë politikë. Kështu p.sh., unë nuk mund ta quaj veçse servilizëm politik histerinë, me të cilën gratë e ndërmarrjes së qilimpunuesve Kavajë e pritën, dikur, në fillimet e tij, enigmatikun Ramiz Alia (shih kronikat televizive të kohës!)

Po me këtë histeri, po kësaj radhe shtoji dhe burrat, e pritën dhe Kryeministrin aktual më vonë, i cili, nga ana e tij, i cilësoi si djepi i demokracisë, madje, disa prej tyre pishtarë të demokracisë, të cilëve, si ai monarku vasalëve të qëmotshëm, u dhuroi prona në bregdet, që i trashëgojnë edhe sot. Të jetë i sigurt se po kështu do ta presin edhe atë që do ta zëvendësojë një ditë.

Një nga meritat e tyre, midis të tjerash, p.sh., është se i vunë pishtarin tri fabrikave të Kavajës, të cilat nuk u ringritën më kurrë. Sot e kësaj dite, ky qytet nuk ka asnjë syresh, kurse një nga oxhakët e mbetur në këmbë, më duket se ai i fabrikës së qelqit, është shndërruar në minare.

Metamorfozë më demokratike se kjo, zor se mund të përfytyrohet!
Është bash ky servilizëm politik, që i jepte të drejtën morale një fshatari në zonën e Laçit, dikur, në fillimet e demokracisë, që ta kalonte gardhin e pronave, sipas mendjes së tij, edhe përmes traversës hekurudhore, duke kërkuar të pengojë kalimin e trenit!

Është bash kjo dukuri që e ndihmon këtë pronar të sotëm në bregdet të parcelizojë plazhin, kurse atë tjetrin, të shurdhojë gjithë të tjerët, duke ua përdhosur gjithçka.

Prej këtij servilizmi politik buron gjithë ajo ndotje ekologjike, akustike dhe morale që të rrethon, sepse njerëzit që e shkaktojnë këtë janë më të mbrojturit nga shteti dhe, njëkohësisht, më servilët ndaj tij. Për fat të keq, kjo është Shqipëria.

Ndërkohë, para teje, teksa rrekesh për një vend për të vënë çadrën e mjerë, kalojnë mushka, kuaj, gomerë (veçanërisht këta të fundit janë të kudondodhur) çka të krijon përshtypjen se ndodhesh në pazarin e gjësë së gjallë. Shitet gjithçka; perde tyli, tenxhere me presion, hoje bletësh, vaj, i shoqëruar me reklamën përkatëse vaj ullini prej Peqini, misra të pjekur me erdhi kollomoqi nga Ndroqi, rrush me distikun rrushi i funit, kismet i çunit etj., etj.

Shtihet fall, ciganët i bien dajres dhe pushuesit paguajnë, madje në një çast shfaqet dhe foto "Arusha". Është një ari i mjerë, i tërhequr nga dy ciganë, njëri prej të cilëve mban një aparat polaroid, kurse tjetri e detyron ariun e gjorë, që vuan nga vapa, të verë putrën në zemër, kur dikush kërkon të fotografohet me të.

Ndërkohë, një plak i kërrusur më dysh, por aq i kërrusur sa që të kujton ato pinat e bregdetit, i bie papushim daulles, pastaj me një ngërdheshje të përvuajtur të uron: Gëzuar muajin e madhnueshëm të Ramazanit! Kërkon t'ia mbathësh vrapit më keq se ata besimtarët myslimanë, që kanë braktisur plazhin për shkak të festës së tyre.

Në fakt, këtu buzë detit është për t'u kënduar ajo kënga "Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime!" Vërtet, s'ma merr mendja të ketë një vend të tillë të përshkuar kaq thellë prej banalitetit, ndërkohë që liderët (ç'fjalë boshe!) prehen jashtë apo në vilat e tyre të fshehta. Besoj se e mbani mend se si ditët e fundit, një ish-mjek, një ish-kokë e madhe desh u zhduk me jahtin e tij në ujërat e detit Jon.

Së shpejti do të kthehesh në Tiranë, ku të pret një ferr tjetër, ndotja politike. Je më se i bindur se do të dëgjosh se këtë vit të ardhurat nga turizmi u shtuan kaq për qind, se fluksi i të huajve u rrit kaq e aq e kështu me radhë. Në fakt, nuk ka asnjë lloj turizmi, ka vetëm shifra fiktive.

Ashtu si dikur që thuhej se prodhimi i mishit u rrit kaq për qind, por nuk kish mish, ashtu siç thuhej se prodhimi i qumështit u rrit kaq e aq, po nuk kish qumësht, të jesh i bindur se asnjë lloj këmbe turisti të huaj nuk ka shkelur këtej pari.

Ka vetëm një lloj popullsie rurale nga viset skajore të Kosovës dhe Maqedonisë, të peshkuar me marifet prej sekserësh të shkathët. Kjo duket nga muzika, që kjo lloj mase shijon, nga mbeturinat, të cilat ku nuk i gjen dhe nga argëtimi që ajo pranon. Ka vetëm shëmti dhe shkatërrim.

Gjithçka ndodh në një mënyrë kaq kaotike, kaq jashtë kontrollit! Këtë mund ta ndjesh nga ndërtimet që vazhdojnë ende, me të njëjtin ritëm, për të mos thënë më keq. Është një ortek urban, që rrezikon të shkatërrojë shkallë shkallshëm gjithë bregdetin, një katastrofë së cilës, me sa duket, një shtet i tillë nuk i bën më dot ballë.

Aktualisht, po flitet shumë për gripin e derrave, por askujt prej Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht Drejtorisë së Higjienës, nuk i bie ndërmend t'i bllokojë këto plazhe si qendra infeksioni, të cilat, tashmë, asnjë lloj projekti nuk mund t'i rehabilitojë dhe që, s'është çudi, që një ditë, si në Kinën komuniste, të shkaktojnë dhe murtajën, kurse kolegëve të tyre të Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sporteve nuk u shkon ndër mend t'i bllokojnë si qendra ndotjeje të kulturës kombëtare.

Të vjen çudi se si, deri më sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka futur këtë vend në listën e zezë! Ndërkaq, flamuri i PD - së valëvitet krenar në plazhet e shkatërruar, tashmë përfundimisht, të Durrësit dhe Kavajës.

*Autori është pedagog në Universitetin e Tiranës.

8 Komente

Çunat e Kavajës sonte due me disponue... Me ni kangë 'Shijaku me halle'.. etj., etj. Pastaj shpërndahen në formën e një amalgame muzikore arabo - turko - rome, por vetëm jo melodi shqiptar, këngë haremesh, dylberësh, çengijesh të tipit: "herë me pare, herë pa pare...", "ma e mirë e oma se e bija, o usta Murat.." ose me një tekst që s'ka Zot që ta kuptojë "Italia me gaxha, jalla- jalla, hajde Adelajda haaaajde!..."

 

heheh. Edhe une kam qene nje nate si kjo atje o Korab. Po bli ndonje shishe vere dhe futja ne kembe nga bregu me mire. Kujdes kanalet!

...lala ka 14 vjet mezi po pret...kismet zotit ne nentor ma bo mbare....sma bo syni terrrr per keto qe thote ky vllai....biles me ka mor malli per kshu gjojnash....hallall...

....vellai im eshte pedagog ne universitet po ashtu...e ka qene ne usa nja 5 here...e prap thote tirana ska te pagume me gjithe te mirat e te keqijat e veta....

Padyshim ardi, padyshim. TirOna s'ka te pagume se eshte asfalti ku ta ka bo koka boom boom pow. Ky djali nuk e ka shkrujt me te tremb kete. Eshte terheqje veshi me dashuri kjo, per mendimin tim. Po ti hajde ne nentor vellai im se kam qene edhe une ne kepucet e tua. Te prifte e mbara.

"....Po akoma nuk e di se, më tej, të pret diçka akoma më rrëqethëse: ferri akustik. Lokale të shndërruar në një bishë që vetëm sokëllin, duke bërë të tulatet gjithçka përreth..."

Asnjeri nuk e kuptonte se pse amplifikatoret punonin ne shkallen me te larte. Edhe vete muzikantet, nuk e kuptonin se kjo gje e prishte melodiozitetin e kenges.  

 

"....Dhe ti nisesh, por ai vendi tjetër është i gardhuar. Nuk e zmadhoj, kanë vënë shufra të shëmtuara hekuri, i kanë lidhur me litarë si në një ring dhe hapësirën përreth e kanë shpallur të tyren, pra, nuk mund të kalosh, bash në atë tokë, e cila me Kushtetutë është dhe e jotja..." 

Eshte pikerisht kjo gje, qe shum njerez jo vetem ankohen me te drejte, por dhe refuzojne te shkojne ne plazh. 

 

"....Unë e kam fjalën për ata burra e gra (dhe unë njoh shumë prej tyre) që, në thelb, jo se janë të këqij, po që në rastin më të parë, bëhen me më të fortin, pra, që janë servilë politikë. Kështu p.sh., unë nuk mund ta quaj veçse servilizëm politik histerinë, me të cilën gratë e ndërmarrjes së qilimpunuesve Kavajë e pritën, dikur, në fillimet e tij, enigmatikun Ramiz Alia (shih kronikat televizive të kohës!)

Po me këtë histeri, po kësaj radhe shtoji dhe burrat, e pritën dhe Kryeministrin aktual më vonë, i cili, nga ana e tij, i cilësoi si djepi i demokracisë, madje, disa prej tyre pishtarë të demokracisë, të cilëve, si ai monarku vasalëve të qëmotshëm, u dhuroi prona në bregdet, që i trashëgojnë edhe sot. Të jetë i sigurt se po kështu do ta presin edhe atë që do ta zëvendësojë një ditë..." 

 

Kjo eshte nje nga minuset e popullit tone se bashku me klasen politike dhe vençarisht Buall Mavrine qe e deformoi demokracine. 

 

"....Është bash kjo dukuri që e ndihmon këtë pronar të sotëm në bregdet të parcelizojë plazhin, kurse atë tjetrin, të shurdhojë gjithë të tjerët, duke ua përdhosur gjithçka.

Prej këtij servilizmi politik buron gjithë ajo ndotje ekologjike, akustike dhe morale që të rrethon, sepse njerëzit që e shkaktojnë këtë janë më të mbrojturit nga shteti dhe, njëkohësisht, më servilët ndaj tij. Për fat të keq, kjo është Shqipëria..."  

 

Shkrim shum i goditur dhe me domethenie te madhe.

 

Urime per shkrimin. Pikerisht sepse i perfytyroj keto qe me shume kujdes i keni pikasur ju, une kom rreth 15 vjet qe nuk shkel ne kete zone te Shqiperise.

nqs keto fenomene do analizoheshin kaq thelle nga politikanet apo nga ata social-komentatoret shqiptare, me siguri qe keto gjera zgjidheshin me kohe

Ashtu eshte bukur e ka treguar, ndihet dhe revolta brenda tij.

Une po i shtoj pak nga eksperienca ime.

Kete gusht kaluam 4 dite ne sarande, ne darke 2 here beme xhiron e mbremjes ne nje lokal po luhej muzike serenate, kendonin mire, vendosem te shkonim ne lokali ku luhej muzika.Lokali nuk ishte as gjysme i mbushur,muzika ishte shume e larte; i thame kamarierit muzika eshte e larte dhe do te iknim por prape s'i beri pershtypje. Vendosem te shkonim ne lokalet ngjitur por ata ishin plot.Njerzit po shijonin muziken ne lokalet e komshiut. Mezi gjetem vende 4 lokale me poshte qe bente burger te shpifur ,por sherbimi ishte me edukate.

Besoj te gjithe e kemi pare ate ariun e shkrete qe terhiqet nga buza qe ia ka care unaza e hekurit qe jevgu i ka vene....Ai ari eshte simbol i keqtrajtimit dhe masakrimit te kafsheve me te cilat duhet te krenohemi ne si vend, por qe i kemi vrare e masakruar aq sa kane mbetur me kokrra tani...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).