Muzeu i Shkencave shkon´në Gjykatën Kushtetuese

Çështja e Muzeut të Shkencave nuk është e mbyllur. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka deklaruar se me gjetjen e dokumenteve të reja, të cilat vërtetojnë se pronarët janë kompesuar njëherë më 2 shtator 1940 nga qeveria e asaj kohe, do ta çojnë sërish çështjen në organet e drejtësisë. Kule ka sqaruar se nuk i bën dot komente vendimit të tre shkallëve të gjykatës, por ka shtuar se as nuk jep dot urdhër që të lëvizin objektet që ndodhen në këtë muze, pasi 80% e tyre do prisheshin.
Muzeu i Shkencave
Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule thotë se do t’i rikthehet sërish çështjes së Muzeut të Shkencave të Natyrës, pasi ai është një pasuri e kombit që përdoret për arsye mësimore dhe shkencore, në dobi të mijëra nxënësve, gjimanzistëve, studentëve e mjaft vizitorëve. Ai u shpreh se është e pamundur që të zhvendosen të gjitha llojet e specieve që ndodhen aty, ndërkohë që sipas tij, ka prova të reja që tregojnë shpronësimin e këtij objekti rreth 69 vjet më parë nga kryeministri i asaj kohe Shefqet Verlaci. “Unë si bëj dot komente vendimit të Gjykatës së Lartë, por ka zhvillime të reja. Në dokumentacionin që ne po verifikojmë kemi gjetur dokumente të tilla që na bindin që të kërkojmë rishikimin e vendimit. Ky muze është një pasuri e arsimit dhe edukimit që duhet ruajtur, por gjithmonë brenda legjislacionit. Unë nuk shoh ndonjë hapësirë që ato objekte që janë në muze të lëvizin. Është një pasuri e madhe dhe unë s’marr dot përgjegjësinë e të jap urdhër të lëvizin ato objekte, sepse do shkatërroheshin”, - ka deklaruar rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Këto deklarata kreu i UT-së, i bëri dje gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe universitetin Politeknik, e cila synon integrimin e akademikëve jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në projektet kërkimore. Ndërkohë, çështja e Muzeut të Shkencave të Natyrës ka indinjuar dhe akademikë, profesorë, rektorë të universiteteve të rretheve, të cilët dy ditë më parë, nëshkruan një peticion që ia dërguan presidentit Bamir Topi dhe ministrit të Arsimit. Në vendin ku ndodhet ky muze, familja me mbiemrin Zagolli pretendon se është pronë e tyre dhe kanë fituar gjyqin në gjykatën e shkallës së parë, të dytë dhe në gjykatën e Lartë. Çështja tani është në Kushtetuese, por një dokument që ndodhet në Arkivin e Shtetit, tregon qartë për një shpronësim të kësaj familje me datë 2 shtator të vitit 1940. Vendimi i shpronësimit është firmosur nga kryeministri Shefqet Verlaci vetëm një ditë më vonë, më datë 3 shtator 1940, dhe më pas është botuar edhe në Fletoren Zyrtare nr.144, më datë 14 Shtator 1940. Nuk dihet se për çfarë arsye ky document, që tregon se kjo familje është dëmshpërblyer njëherë nga shteti në kohën që i është marrë prona, nuk ka dalë në asnjë nga proceset gjyqsore të zhvilluar në gjykatat e të tre niveleve midis familjes Zagolli dhe Universitetit të Tiranës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).