Mundësi punësimi reale apo vende pune imagjinare?

Raporti i publikuar i Bankës së Shqipërisë mbi politikën monetare të 6-mujorit të parë të vitit 2009 ofron një burim të ri vlerësimi të situatës ekonomike të vendit, krahas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, të cilat në shumë raste kanë rënë ndesh me euforinë dhe pasaktësinë e treguesve ekonomike të publikuar nga qeveria apo nga INSTAT-i, një institucion që gjithnjë e më shumë demonstron se është plotësisht nën diktatin e qeverisë.

Ky raport i jep fund debatit të pakuptim nëse është prekur apo jo Shqipëria nga kriza ekonomike. Ndonëse fillimisht mund të mendohej se ky debat, dhe mohimi i krizës bëhej për shkak të fushatës elektorale, programi i saposhpalluar i qeverisë konfirmoi se nuk është kështu.

Qeveria është e vendosur t'u kundërvihet të gjithëve, dhe, jo vetëm të mos pranojë krizën, por të vazhdojë të rendisë Shqipërinë në krye të klasifikimeve imagjinare, duke e privuar nga financime të rëndësishme antikrizë të institucioneve ndërkombëtare, nga të cilat kanë përfituar tashmë shumë vende të rajonit tonë.

Por, ka një element të ri në këtë këngë të vjetër. Ky element ka të bëjë me faktin se LSI-ja, që deri dje fliste për krizë ekonomike dhe për paketa antikrimi në programin e saj, sot është bërë palë me qeverinë dhe ka injoruar programin e saj ekonomik.

Si partia që mban portofolin e Ministrisë së Ekonomisë, do të jetë LSI-ja më shumë se vetë mazhoranca që do të mbajë përgjegjësinë para shqiptarëve për mospërfilljen e krizës dhe sheqerosjen e statistikave zyrtare ekonomike.

Ndërkohë që shqiptarët mund ta imagjinojnë lehtazi se për të mos mbartur peshën e dështimit ekonomik, përgjegjësia do të hidhet sa andej-këndej, nga LSI-ja tek mazhoranca dhe anasjelltas. Sigurisht, e gjithë kjo do të bëhet në emër të "stabilitetit" të vendit.

Ndërkohë, raporti i Bankës së Shqipërisë konfirmon zyrtarisht analizat e vazhdueshme të Partisë Socialiste për situatën e rënduar financiare të vendit dhe ngadalësimin e dukshëm të ekonomisë shqiptare.

Realiteti i ashpër është se recesioni ekonomik që ka përfshirë pjesën më të madhe të partnerëve tregtarë të Shqipërisë, ka rezultuar në uljen e shkëmbimeve tregtare, uljen e konsumit dhe rënien e investimeve private.

Sipas të dhënave më të fundit, deficiti tregtar gjatë 7 muajve të parë të këtij viti është rritur rreth 21%, kjo shifër shënon rritjen më të madhe të deficitit në të paktën 10 vitet e fundit.

Sistemi financiar shqiptar ka pësuar një lëkundje të thellë për shkak të tërheqjes së depozitave nga bankat në vend, ndërsa dhënia e kredive të reja është frenuar thuajse në ndalim, për të mos përmendur eliminimin total të shërbimeve kreditore ekzistuese si overdraftet.

Përtej retorikave, në fund të ditës, këto ngarkesa ekonomike shkarkohen tek individët, pra tek niveli i jetesës së shqiptarëve. Situata është e rënduar kur merret parasysh rënia e remitancave që dërgojnë emigrantët shqiptarë.

Këto dërgesa janë burimet kryesore për shumë familje, sidomos për ato që jetojnë në zonat rurale, sepse dihet që rreth 60% e familjeve, të cilat mbështeten financiarisht tek remitancat e dërguara nga emigrantët, jetojnë në fshat. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në 3-mujorin e parë të 2009-ës, remitancat u ulën me 8%.

Po të bëhet edhe analiza e publikimeve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë (shtator 2008), rezulton që remitancat kanë rënë më shumë se 30% në një periudhë më të shkurtër se një vit. Kjo rënie është edhe më shqetësuese kur faktojmë që familjet që mbështeten tek remitancat përdorin rreth 70% të tyre për konsum primar: ushqim, medikamente, veshje.

Gjendja rëndohet edhe më tej kur shtojmë peshën e tkurrjeve të sektorit bujqësor me 4.5% dhe atij industrial me 13.2% në 6 muajt e parë të vitit 2009. Këto tkurrje i kanë lënë shqiptarët me akoma më pak të ardhura dhe punësim.

Por cili është reagimi i qeverisë në këto rrethana papunësie në rritje? Qeveria nuk pranon as të masë me saktësi papunësinë e as të përballet me realitetin e vështirë që papunësia reale në shumë zona të vendit është mbi 30% dhe të papunët në fshat konsiderohen të vetëpunësuar.

Ajo vazhdon të flasë për ulje të mëtejshme në nivelin 11%. Ia vlen të ndalemi në këtë pikë, sidomos kur konsiderojmë që nuk nevojitet njohja e ekonomisë për të kuptuar absurditetin e kësaj logjike. Përkundrazi, kjo bëhet me aritmetikë të thjeshtë.

Programi i qeverise deklaron se do të krijojë 160 mijë vende të reja pune. Në radhë të parë, dikush duhet t'i kujtojë qeverisë se Shqipëria ka 18 vite që ka dalë nga ekonomia e përqendruar në ekonominë e tregut të lirë, ku qeveria nuk krijon më vende pune - hiq vendet e punës në administratën publike, të cilët do të ulen me 10%, duke nxjerrë kështu me mijëra vetë të papunë.

Qeveria ka aftësinë ose jo të krijojë kushtet për mundësi të reja punësimi nëpërmjet politikave të saj të posaçme, politika për të cilat ende nuk është thënë asnjë fjalë.

Po le të supozojmë që këto politika ekzistojnë dhe të fokusohemi tek deklarata për krijimin e 160 mijë mundësive të reja të punësimit në sektorin privat jobujqësor. Sipas statistikave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, numri total i të punësuarve në të gjithë sektorin jobujqësor, përfshirë këtu edhe sektorin shtetëror, në fund të 2008-ës ka qenë rreth 403 mijë individë.

Kjo është ndër shifrat më të larta të raportuara ndonjëherë në Shqipëri (i vetmi përjashtim është viti 2000, kur shifra zyrtare e punësimit ishte 410.6 mij&eumlsmiley. Prej këtyre, 164 mijë individë ose 40% e të punësuarve punojnë në sektorin shtetëror, ndërsa 239 mijë të tjerë në sektorin privat jobujqësor.

Deklarata për krijimin e 160 mijë mundësive të reja për punë në sektorin privat jobujqësor, do të thotë që qeveria pretendon se do ta rrisë punësimin 67% në katër vite - një shifër jo vetëm e paarritshme për Shqipërinë, po e paprecedentë për çdo vend në botë, pavarësisht fazës së zhvillimit në të cilën gjendet.

Le ta analizojmë të njëjtën shifër nga një këndvështrim tjetër: sot, në Shqipëri ka rreth 60 mijë subjekte në sektorin privat jobujqësor. Pjesëtimi i thjeshtë dikton që, kur 60 mijë firma punësojnë rreth 239 mijë individë, punësimi mesatar për firmë është më pak se 4 individë.

Që qeveria të arrijë të realizojë objektivin e saj për krijimin e 160 mijë mundësive të reja punësimi, numri i firmave private që duhet të shtohen është rreth 40 mijë. Vërtet vallë është e besueshme se gjatë një periudhe të vështirë si kjo e këtyre viteve të krizës, qeveria do ta rrisë numrin e firmave të reja me "politika qeveritare të reja" 67%?!

Realiteti është se shqiptarët janë të lodhur nga dogmat politike që janë jo vetëm imagjinare, por edhe joracionale në logjikën e tyre ekonomike. Me shumë më pak të ardhura nga remitancat e me një papunësi në rritje, më shumë se kurrë, ata kanë nevojë për një qeveri që ka aftësinë dhe guximin të pranojë realitetin e hidhur ekonomik të vendit e të punojë realisht për ta ndryshuar atë.

8 Komente

Fushata mbaroi, zgjedhjet i ndritet. Tashi, gri sallate 4 vjet rresht me artikujt mbi guximtarite reale dhe virtuale. 

per seserin kam pas shume respekt, kryesisht per shkak te karrieres qe ka bere dhe per aftesine per te bere biznes. Ama (ose sic thuhet ndryshe ELAQIM) dhe nje analize tjeter profane si kjo me siper dhe iku per lesh respekti, do cregjistrohem dhe nga fan groupi ne face booksmiley 

I njejti stil si te ai shkrimi i fundit i Klosit per besen: nje fjali = nje paragraf. Hajde mer hajde. Peshe llafi medemek. Po edhe Moisiu kur u kthye nga mali te kishit qene atq'....

O Seseri ajo qe duhet te konstatoje ti ishte se paku rritja e parase ne qarkullim ne masen 38.2%. Me keto qe ke shkruar aty ja ke futur pergjithesist kot ne 50% te paragrafeve kurse ne 50% te tjera ke thene gjera qe i dine te gjithe.

Psh...deficiti tregtar eshte rritur...kjo ne vetvete nuk eshte shenje e keqe pasi tregon ekonomi ne rritje nqs jane rritur qofte eksportet qofte importet. Por eshte pikerisht fakti qe jane ulur keto te dyja qe e ben kete rritje problematike.

Depozitat bankare (lexo serite kohore) kane nje renie te paperfillshme. Ne fakt problem eshte mosrritja e depozitave, stanjacioni i tyre dhe jo ulje. Kjo pasi ekonomia jone nuk ka burime alternative kreditimi me kosto te pranueshme dhe firmat tona nuk leshojne IPO ne tregje te tjera per te terhequr kapitale.  Pervec kesaj bankat meme nuk po leshojne bridgeloans per keto filialet ketu. Dhe FDI eshte per projekte madhore dhe jo per nevojat e biznesit vendas. Keto ti nuk i thua dhe ja fut kot.

Sa per firmat e reja prape ja fut kot sepse tani qe eshte lehtesuar regjistrimi ne QKR, te krijosh nje firme te re eshte ne mode dhe qeveria ketu nuk genjen. Por ama tatimet mbajne kot ne regjister nje numer gjigand firmash sa per fiktivitet numrash, qe ata e dijne se jane te mbyllura praktikisht por nuk i cregjistrojne. Kete ti nuk e thua helbete se ti nuk ke piken e pervojes se punes ne biznes ketu.

Shkurt pra, nga gjerat qe s'merr vesh mos ha M.

 

 

Deklarata për krijimin e 160 mijë mundësive të reja për punë në sektorin privat jobujqësor, do të thotë që qeveria pretendon se do ta rrisë punësimin 67% në katër vite - një shifër jo vetëm e paarritshme për Shqipërinë, po e paprecedentë për çdo vend në botë, pavarësisht fazës së zhvillimit në të cilën gjendet." thote Seseri.

Me fal zonja Seseri,por kaq shpejt harruat qe ne prezantimin e fushates ne pallatin e kongreseve thate :
"Asgjë më shumë se puna e njerëzve nuk e ka përcaktuar zhvillimin e një vendi",- u shpreh dje një nga ekspertët e hartimit të programit të PS-së, Rudina Seseri, teksa foli gjatë për punësimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Ajo sqaroi se uljen e papunësisë, PS-ja e sheh si mjetin kryesor për të luftuar varfërinë në vend. "Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë do ta ulë papunësinë në nivelin njëshifror, 9%; do të përgjysmojë nivelin e papunësisë në fshat dhe deri në fund të mandatit tonë, do të bëj të prekshme 197.000 mundësi të reja punësimi",(marre po nga Gazeta Shekulli)
Paska patur te drejte Dash Shehi kur ju tha ne debatin ne TVSH: "Qe rrena te jete e besushme po ju jap dhe 3 mije nga ata qe kam une qe te behen fiks 200 mije ".

Ma spjego mua injorantit te shkrete se kush eshte e vertete ne deklarimet tuaja ,ajo gjate prezantimit te programit te PS apo kjo e sotmja.

Apo edhe ju te rinjte me "politiken e re" qenkeni njelloj me te vjetrit e  "politikes se vjeter" .

po ju na premtut se do krijojshit 190 mije vende moj? Pse habitesh qe do "krijojne keta" 160 mije?

Ekonomistet e Rames hahaha! 190 mije vende pune do i krijonin keta, ndersa tani Seserka paska analizuar qe 160 mij vende pune jan te paaritshme. Kakarit o seser kakarit, se ke gjetur kotecin e duhur.

Nqs Seseri kakarit sic shpjegovame larte kjo sdo te thote se ekonomistet e Berishes si Xhepa, Bode dhe zonja mekamelie Guxholli jane me te mire, ata ta shpifin aq keq sa te bejne te vjellesh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).