Mjekërziu

 Ka flokë të bardha dhe mjekër të zezë, aq të zezë sa të gjithë nuk e besojnë që është e vërtetë dhe i afrohen për ta parë në e ka të lyer, hapin sytë kur e kuptojnë që s'është e tillë, kurse ata më të guximshmit ia prekin, bile ia shkulin pakëz për t'u siguruar në është mjekër natyrale apo jo. Ai nuk fyhet, por i vjen çudi që njerëzit janë si ca fëmijë kureshtarë, që bëhen kaq mosbesues me “shakatë e Zotit”, siç i quan ai këto lloj veçanësish.
Kishte mbaruar dy universitete në vendin e tij, një për “Profesor-Doktor kafshësh” ose veteriner dhe një më vonë për “Profesor-Doktor njerëzish” ose “Gjuhë-Letërsi”, duke futur në xhep ata dy kartonët e veshur nga jashtë me mbrojtëse celofani në formë blloku që quheshin diploma, kishte filluar punë mëngjeseve, si doktor kafshësh, që ua shëronte dhimbjet e s'ua merrte vesh gjuhën dhe mbrëmjeve, doktor njerëzish, që ua shëronte gjuhën e s'ua kuptonte dhimbjet. Ishin rrëzuar ca buste e kishin djegur ca stalla lopësh dhe kishin filluan të vetëquheshin të roztë, të blutë, të verdhtë, të jeshiltë, të kuqtë, boll veta kishin humbur pa nam e nishan kur kalonin atë telin me gjemba shpues ose kur preknin atë rrymën e tensionit të lartë, për të punuar në atë vendin e afërt e të pasur. Më në fund edhe ai kishte vendosur, megjithëse s'qe një vendim i lehtë, të përvidhej me të njëjtën mënyrë, si të gjithë gjitonët e hyrjes ku ai banonte, si pothuajse një e treta e rrugës ku u lind, si një e pesta e lagjes ku kaloi fëmijërinë, si...
-“Ej Andon, boll fjete në këmbë, ke dhjetë tavolina në sektorin e pestë, bashkë me Katerinën...”, ose “Erëtrëndelinën” siç e thërrisnin në gjuhën e hotelit, për shkak të aromës së saj karakteristike, që edhe kur përsillej, kundërmimi vinte jo në shuarje, por në një kreshendo të vazhdueshme, aq sa të shponte hundët dhe të linte pa frymë.
Mori me vrap diskun, e lagu me pak ujë, për të ngjitur letrën dekoruese në të, rrëmbeu nxitimthi bllokun e tij personal të të shkruarit të porosive, mori gjashtë gota verë të bardhë dhe u nis për te zona e pestë, pikërisht aty ku ishte edhe Katerina që qeshi paksa me atë nënqeshjen e saj ironike por tepër seksi, ia bëri me shenjë të kishte kujdes atë barkmadhin me kostumin Versaçe, me purot kubaneze, me unazat e florinjta në të gjithë gishtat dhe me vajzën e re e të bukur përbri.
Kur iu afrua Katerinës dhe ndjeu t'i merrej fryma nga ajo aromë epshndjellëse dhe hundëshpuese dëgjoi një pëshpërimë si flatrim zogu t'i fryjë në vesh e t'i thotë: “sot jemi me fat mjekërzi, do të shqepemi në bakshish”. Ndërsa Katerina largohej, i largohej edhe frika apo bezdia se sonte s'do ta kishte për partner turni atë “të zgjuarin” apo “gjeniun” që gjithmonë i thoshte kur punonin bashkë “se ti nuk di”, ose, “je budalla”, Kriston, i cili kishte as i kishte pesë klasë fillore, që ecte pak më tej duke u tundur si gondolier, mes tavolinave që këngëzonin nga larushësia e zërave, u ndie i qetë sepse puna do të ishte me bollëk dhe bakshishet do të fluturonin si pika shiu në xhepat e tij dhe të Katerinës që tundte e shkunde gjokset përmbi fytyrat e skuqura si patate të fërguara të zotërinjve të kamur të fabrikave të armëve.
Teksa fërkonte duart pas pantallonave, vështroi drejt derës së tretë, majtas, pa sesi Kristua i kishte pëshpëritur diçka në vesh përgjegjësit të tyre, Janit, i cili edhe sikur të kishte ngrënë mëngjes, drekë ose darkë, do të fuste kudo duart, nëpër gjellërat dhe ëmbëlsirat, duke thënë gjithnjë atë shprehjen e tij të famshme: "kjo bën, kjo s'bën". Jani, përgjegjësi, po i bënte shenjë të afrohej, që t’i thoshte se turnin do ta ndante me Kriston dhe jo Katerinën, ndërsa gjellëbërësit dhe ndihmësit e tyre tërhiqnin ato furret e mëdhenj me rrota, kurse kamerierët bridhnin e përplaseshin me njëri tjetrin të gjenin kanistra për bukët, gota për verërat, peceta letre të dantellëzuara për tabakatë e tyre në formë disku të hekurt, ndërsa pjatalarësit shtronin tavolinat dhe tërhiqnin karrocat e mëdha të hekurta pesëkatëshe ku do të stivoheshin pjatat, gotat e mikrogjërat e tjera të palara që do të dilnin, ai do ta ndiente se nata do të ishte e besditshme dhe e pambarimtë, me atë “gjeniun” e tij krah për krah, në vend të Katerinës, “erëtrëndelinës”, siç e quante ai.
Pasi Kristua ia kishte thënë ato njëzet “budalla”, dhe “ku merr vesh ti”, i kishte dhënë nja njëzet porosira për gjërat që u duheshin dhe ndërsa e kishte paralajmëruar të mos humbiste gjë e i kishte thënë atë shprehjen e zakonshme, se këtu “të gjithë janë hajdutë”, duke nënkuptuar kamarierët e tjerë, pjatalarësit, ndihmës gjellëbërësit, guzhinjerët, e kushedi kë tjetër, kishte ikur në kafenenë e personelit për të pirë kafenë e zakonshme para nisjes së dhënies së sallatës, pjatës së parë. Ai si gjithnjë do revoltohej, por nuk do të shfaqte as më të voglën shenjë nga ai “revolucion” i brendshëm që e kaplonte gjithmonë kur Kristua shkonte i pari në kafene, pa e pyetur fare atë nëse donte të shkonte ai njëherë i pari apo jo. Kur Jani, përgjegjësi, iku brënda në sallën stërmadhe pa kolona, shefi i sigurisë së shërbimit mbajti “fjalimin” e bezdisshëm për mënyrën e sjelljes, të shërbimit, të kontrollit, e gjëra të tjera që të vjetrit i dinin përmendësh e të rinjtë iu dukeshin interesante, Katerina ma bëri me shenjë të afrohesha, ma shtrëngoi dorën, pastaj më tha: “Je shumë i ëmbël” dhe vazhdoi me një: “Më vjen keq që s’jemi bashkë sonte”, përfundoi me: “Je me kafshën sot” dhe u largua bashkë me aromën e saj.
U dha urdhri të fusnim gotat me verë të bardhë e të zezë, shishet e verës filluan të vallëzonin nëpër gishta, nëpër pëllëmbë, nëpër koka, kishte nga ata kamarierë (mbi 30), që nuk dinin nga të venin, kishte nga ata kamarierë të rinj që nuk dinin ç’të bënin, por më në fund ia dolën mbanë me ndihmën e më të vjetërve, të shërbenin verërat, t’i çonin me nder te tavolinat e rrumbullakëta të fabrikantëve të armëve, tek ata zotërinjtë barkfryrë, me ato purot e gjata njëmetroshe e ato vajzurinat e bukura si peri. Mjekërzi, dëgjova Kriston të më bërtiste, shpejt-shpejt, edhe katër gota verë të bardhë tek 20-ta, vrapo se do marrim bakshish të mirë “budalla”. Ndërsa në mëndje numërova atë “budalla” të njëzetë e njëtë, thënë nga Kristua, bëra gati katër gota, të marra nxitimthi nga tullaci i bari-t, që gjithmonë kishte një huq të keq kur duhej të nxitonte thoshte mos u nxito, kur duhej të shërbente ngadalë, thoshte vrapo-vrapo, i çova tek tavolina numër 20, i vendosa tek çdonjëri nga zotërinjtë dhe zonjat apo zonjushat, me një buzëqeshje të shtirur vesh më vesh dhe dola me hap të shpejtë në korridorin e shërbimit. Pastaj Kristua më tha qetësohu, do kemi kohë të pimë një cigare deri sa të mbarojë fjalimi e të fusim pjatën e parë, sallatën, të dytën me karkaleca, të tretën me mish, të katërtën turtë. Kristua ma bëri me dorë t’i veja pranë aty pas, tek vendi ku pinim duhan fshehurazi përgjegjësve të sigurimit të hotelit, më tha:
-“Andon po ti sa shkollë ke?”, duke nxjerrë paketën dhe duke ma drejtuar me një nënqeshje ironike shumë të pështirë për mua. Por sa hapa gojën nuk më la të përgjigjesha, se vazhdoi “Sigurisht, ti vetëm filloren e gjimnazin do kesh mbaruar”, se të shoh nuk ta pret shumë rradakja”. Inati po më mbushte përbrenda me ato “revolucionet” e tij të zakonshme kur bisedoja me Kristo “gjeniun”, i cili kishte-s’kishte pesë klasë shkollë, ndërsa ia ktheva përgjigjen time të përhershme se unë Mjekërziu, kam aq ekzaktësisht aq shkollë sa më thua ti “miku im” Kristo, pasi piva atë cigaren e “hidhur” të tij, u ngritëm për të shërbyer edhe pjatat e tjera. Kur mbaruam së shërbyeri edhe mishin e qëngjit dhe të pulës, dëgjova përgjegjësin, Janin, të ulërijë me të madhe, shpejt, shpejt mjekun, ku është mjeku? Mjeku nuk po gjendej se e kishte zënë barku dhe ishte hera e gjashtë që zinte banjën, e cila ishte larg sallës stërmadhe, luksoze e hiçkolonëse, ku kishte ndodhur aksidenti dhe koha nuk premtonte, përgjegjësi, pastaj shefi i sigurisë së shërbimit, shefi i kuzhinierëve dhe të gjithë bërtisnin e çirreshin sa kishin në kokë të njëjtën fjalë: “Një mjek, një mjek”.
Kur Kristua u dëgjua të thoshte: “E ku ka mjek këtu, o idiota”, unë bërtita me sa më hante koka: “jam mjek kafshësh, ç’ka ngjarë?, përgjegjës Jani shtangu, Kristo “gjeniu” ngriu, shefi i sigurisë së shërbimit tështiu, situatën e mori në dorë Katerina “erëtrëndelina”, e cila mu afrua dhe me një shprehje, “je çfarë na duhet”, më tërhoqi me forcë për në sallë, duke çarë mes asaj turme kamarierësh, ndihmës gjellëbërësish, kuzhinierësh, barmanësh, përgjegjësish, pjatalarësish.
U afruam për te tavolina e zonës time, pikërisht asaj të njëzetë, ku më tregoi një qenush të racës pekinua, i cili mbante në grykë një kollare të kuqe, i krehur më mirë edhe se zotëria që e mbante në krahë, erëmonte sigurisht jo më mirë se Katerina, i larë me njëmijë e njëqind e ca lloje shamposh e kremrash. Kishte provuar ca kocka të holla pule dhe i kishte ngecur në fyt një e tillë. Ishte munduar i shkreti qen ta nxirrte, por më kot. Kishte vazhduar kështu për 10 minuta, i zoti ishte shqetësuar, por e kishte lënë me mendimin se do ta kalonte apo do e nxirrte jashtë, por më kot, kocka jo vetëm që nuk bindej të dilte, por ishte aq kokëfortë sa më në fund konia ishte dorëzua dhe nga mungesa e frymëmarrjes i kishte rënë të fikët. Po u thosha pronarëve barkalecë të fabrikave të armëve të më linin se isha “doktor kafshësh”, të shpëtoja konen, i kapa fortë me gishta nofullat pekinuasë, teksa mora një lugë të vogël ëmbëlsirash dhe me bishtin e saj mundohesha t’ia hapja gojën, pikërisht atëhere nxorra celularin dhe me dritën e tij përpiqesha t’ia shihja kockën thellë në grykë, kërkova një pincetë femrash nga ato që shkulin vetullat, pasi m’u ofruan dy-tre, u mundova për 5 minuta me kockën kokëshkëmb, që nuk donte e nuk donte të dilte. Kur ia dola mbanë ta heq kockën dhe i bëra disa goditje në zemër pekinuasë, qenushi u përmend, salla brohoriti, një turmë m’u turr duke më marë frymën.
Katerina më puthi në buzë, ndjeva një dorë stërmadhe në xhepin tim, dola jashtë, një tjetër brohorimë dhe turmë gjigande ishte tashmë mbi mua, nuk merrja më frymë. Pasi gjendja u qetësua m’u afrua Kristua duke ironizuar me të madhe: “Që je budalla e dija, por që të ishe budalla me diplomë, nuk ma merrte mendja kurrë”.

 

4 Komente

kishte filluar punë mëngjeseve, si doktor kafshësh, që ua shëronte dhimbjet e s'ua merrte vesh gjuhën dhe mbrëmjeve, doktor njerëzish, që ua shëronte gjuhën e s'ua kuptonte dhimbjet.

Komplimente, really nice, ka shume emigrante qe jane gjendur ne situata te ngjashme si e personazhit tend (perfshire mua).

Tregim i shkruar bukur. Disa nga gjerat qe me pelqyen jane:

-Gjuha e qarte dhe e sakte

-Ritmi i tregimit

-Detajet e mencura ( mjekrra e zeze, llojet e diplomave, aroma e trupit te Katerines)

Pergezime.

Tregim i shkruar dobet. Disa nga gjerat qe nuk me pelqyen jane:

- Gjuha e paqarte dhe e pasakte (shembull flagrant eshte ai i kalimit nga veta e trete ne vete te pare)

- Ritmi i tregimit (shembull flagrant eshte ai i kapercimit nga veta e trete ne vete te pare, duke ia ngadalesuar ritmin tregimit)

- Papergjegjesia ndaj detajeve (shembull flagrant eshte ai i kapercimit nga veta e trete ne vete te pare)

Sic e shef Ando, mu kjo po me duket problem, dhe qeka i vetmi problem qe kam vene ne dukje. Nuk di si t'a kuptoj kete element. Ndoshta eshte krejt i qellimshem, por di te them qe me beri shume pershtypje.

Caravel apo Hilton? Te Athines, kuptohet.

Dhe besoj se ka qene rreth 6-7 vjet me pare, ne samitin e Industrise se Armeve? 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).