Meta, një portret i paautorizuar

http://revistamapo.com/img/foto_artikujt/meta.jpgNë 12 dhjetor 1990, vetëm 21 vjeç, Ilir Meta do të dilte për herë të parë në ekranin e televizionit të vetëm të vendit. Një nga studentët e fakultetit ekonomik, ai ishte ulur në rreshtat e fundit të sallës impozante të Pallatit të Brigadave në takim me ish-presidentin Ramiz Alia, për t´u bërë befasisht, një protagonist i padiskutueshëm i rreshtave të parë të politikës shqiptare në këto 20 vjet. Edhe atëherë kur dukej se ndodhej në hije, edhe atëherë kur, siç parapëlqente të dëgjonte shpesh, qeveriste vendin me dorë të hekurt. Një politikan në moshë të re, por një politikan race, ai, pothuaj si askush tjetër, ka mundur të marrë gjithçka nga politika dhe të shënojë emrin në absolutisht të gjitha lëvizjet tektonike të saj.

MAPO po tenton sot të botojë një portret të paautorizuar të Ilir Metës, tashmë zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i vendit në qeverinë e partisë demokratike. Për këtë portret janë konsultuar shumë personazhe të politikës, miq dhe armiq të tij; të cilët, për shkak të kësaj ndarjeje, e duan ose e urrejnë, por në asnjë rast nuk qëndrojnë indiferentë ndaj tij. Pika ku bashkohen të gjithë dashamirësit dhe kritikët e Metës, në fakt është një: ka ditur të mbijetojë sidomos për hir të pragmatizmit të tij absolut, të ndërtuar me parimin, qëllimi justifikon mjetin, aleancave me njerëz, nga të cilët dukej se e ndante vetëm përdorimi i armëve, kthimet e befta dhe të pamenduara dhe aftësia për t´u ringritur e punuar fort me njerëz që i bën ta besojnë. Sipas tyre, ai është individi i momentit, që kap fort momentin dhe e vë atë në shërbim të vetes në mënyrë të përkryer. Më e pamenduara nga të gjitha, aleanca e tij e drejtpërdrejtë me Berishën dhe rreshtimi i tij në të njëjtin kabinet me të, madje si numri dy i saj, ishte të paktën për momentin, epilogu i një sërë lëvizjesh në formë lavjerësi, të cilat nuk mund të shpjegohen dot lehtë me ligjësitë normale të politikës a ndoshta dhe të moralit.

Hyrja në politikë
Momenti i parë që Meta e kapi fort ishin pikërisht ditët e para të dimrit 1990-1991. tamam atëherë kur dukej e natyrshme që ai të rreshtohej në rradhët e Partisë Demokratike të sapokrijuar. Trendi i saj drejt pushtetit ngjante i paravendosur, por ai bëri një lëvizje për të cilën ndoshta ende nuk është penduar, atë lëvizje që do të kushtëzonte të gjithë karrierën e tij të mëvonshme politike. Së bashku me një grup të rinjsh, ndër ta Pandeli Majko, Ndre Legisi e Ilir Zela e të tjerë, ai u bë një nga themeluesit e Forumit Eurosocialist. Një sallën e mbushur tej parashikimeve të Pallatit të Kongreseve në janar 1991, i vetmi që dukej në ankth ishte pikërisht Ilir Meta: “Ka shumë më shumë njerëz sesa prisnim”, i thotë atëherë një nga miqarmiqtë e tij të nesërm. “Jo, jo, shiko, aty në cep, lart, tek karriget lart ka ende disa vende bosh”, përgjigjej atëherë Ilir Meta që insistoi që fillimi i mbledhjes inaguruese të shtyhej edhe më tej deri sa në sallë të hynin dhe disa të rinj të tjerë. Forumi Eurosocialist ishte dhe pedana e parë e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja, që do të shënonte ngjitjen e tij të paprerë drejt pushtetit. Pjesë integrale e një partie që u detyrua të mbajë mbi vete gjithë trashëgiminë komuniste të Partisë së Punës - forumi do të ishte Make Up-i kryesor i saj - ajo do të bëhej gradualisht shumë më shumë se kaq. Si zgjedhje e detyruar për PS-në, anëtarët kryesorë të forumit do të bëheshin forca që do të ndikonte në vendimmarrjen e PS-së, do të ushtronte presion mbi të dhe do të niste një marrëdhënie të gjatë simbiotike me PS-në, por dhe një luftë herë të hapur e herë të heshtur mes vetë drejtuesve të saj. Vetë Meta në fillim nënkryetar e mbasi zëvendëson Pandeli Majkon, do të ishte kryetar i saj deri në vitin 2000, kur do të dorëhiqej, por kësaj rradhe nga pozitat e forcës; ishte kryeministër i vendit. Kurse forumi ishte rezervuari i mbështetësve të tij, të cilët do ta ndiqnin në pushtet, por nuk do ta linin vetëm as në ditët e tij të këqija.

Deputet në Skrapar
Në mars 1992, vetëm 23 vjeç, Meta do të bëhej deputet në vendlindjen e tij në Skrapar. U bë menjëherë i njohur kur ju hoq imuniteti dhe u kërcënua me burg për organizim të protestave të paligjshme, kur u mbyll Kombinati ushtarak i Poliçanit. Të vjetrit në PS-në e atëhershme, fshehtas ndoshta edhe fërkuan duart: një “martir” nga rradhët e tyre do t´i jepte më shumë nerv e forcë opozitës së tyre të fjetur. Natyrisht i pari që e kuptoi një gjë të tillë ishte vetë Meta, planet e të cilit, shkonin shumë më larg se kaq. “Eshtë e vërtetë, edhe mbrojtja që ju bë atëherë Metës ishte në dukje e fortë, por në thelb ishte formale. Mendo, ishin gati ta “shisnin” për të krijuar një “casus politik”, thotë një nga miqtë e tij. Kurse për kritikët e tij të sotëm, ky ishte momenti i thyerjes së parë të Metës, i një frakture të fshehtë mes tij dhe Presidentit të kohës Berisha: “Ju hoq imuniteti, por u la deri këtu. Se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Berishës atëherë, kjo është një e vërtetë që e dinë vetëm ata të dy, por me të gjitha gjasat, nëse ka ndodhur, ajo do të kushtëzonte fort marrëdhëniet e të dyve në vijim”, thotë një nga miqtë e tij, sot kundërshtar, që shton se për të kuptuar Metën e 2009, duhet kujtuar patjetër Meta i 1993-it.

Megjithatë, nga ky moment, dhe sidomos mbas arrestimit të ish-kryetarit të PS-së Fatos Nano, ngjitja e Metës në forumet e PS-së do të ishte e pandalshme. E donin të gjithë, “të vjetrit e bazës që e konsideronin radikal, të rinjtë e bazës që e shihnin si një shembull për t´u ndjekur në karrierën politike. Në 1993 ai bëhet anëtar i kryesisë së PS-së dhe nënkryetar i saj. Me Nanon në burg, Meta shkon larg; ishte një nga katër drejtuesit kryesorë të PS-së, drejtonte marrëdhëniet me jashtë dhe ishte një nga pikat e kontaktit të socialistëve me faktorin ndërkombëtar. Diplomatët e huaj e kishin shumë komode të pranonin Metën më parë se të tjerët, portreti i tij ishte dëshmia qoftë dhe formale se PS-ja po ndryshonte, se po reformohej dhe se tentonte të ikte larg nga trashëgimia komuniste.

Kundër Nanos
E vetmja pikë që nuk e kishin llogaritur miqtë dhe armiqtë e tij në PS, ishte ambicja e pafundme e Metës për të arritur në majë dhe vullneti për të luajtur fort të gjitha për të gjitha. Absolutisht një politikan pa vese të dukshme njerëzore – bixhoz apo pije - me një të folur të qetë dhe fjalor të kujdesshëm e të kuptueshëm nga të gjithë, ai do të ishte një nga autorët e mocionit të famshëm në PS kundër kryetarit të burgosur Nano. Në maj 1995, versioni i tij dhe i shumë përkrahësve të tij ra dhe u duk se qoftë dhe në opozitë, ai do të vazhdonte të qëndronte në role të “dyta”. Por kush i kishte bërë kështu llogaritë me humbjen e përkohshme të tij, gabonte: Meta ishte kryetar i FRESSH-it dhe një rënie e tij, ishte rënie e një grupi shumë më të madh sesa dukej. Miq e armiq të tij kujtojnë dhe një fakt, të papërmendur kurrë më parë në publik: pikërisht në atë kohë, Meta ishte duke gjykuar mundësinë e krijimit të një partie të re, të ndarë nga PS-ja. Ky ishte një projekt për të cilin ai punoi, por hoqi dorë në momentin e fundit. “Ende nuk kishte ardhur koha, por ideja e një partie tërësisht të tij, ka qenë gjithmonë e pandashme prej tij. ajo nis të paktën që nga viti 1995”, thotë një nga bashkëpunëtorët e Metës për atë kohë.

Bashkëpunëtori më i afërt
Miqtë e përmendin me nderim, armiqtë e konsiderojnë si njeriun hije mbas Metës, pjesë e të gjitha vendimmarrjeve të tij. Dhe në fakt, nëse ka një rol të rëndësisë së dorës së parë në jetën e Metës, kjo është martesa e tij fatlume me dashuri me Monika Kryemadhin. Monika, një veprimtare e spikatur e të rinjve socialistë, deputete, jashtëzakonisht energjike, mjaft e mediatizuar, është rregullisht mbas tij. Ndryshe nga shumica dërmuese e grave të personazheve kryesorë politikë, padiskutim ajo nuk ka qenë bizhuja e çmuar shtëpiake, por ndihmësja kryesore e tij, njeriu që i ka besuar jo thjesht bashkëshortit, por politikanit, edhe atëherë kur nuk e besonte askush. Nëse Meta është sot ky që është, është pothuaj e papërfytyrueshme të mendohet portreti i tij pa atë grua të fortë në krah. Që mbi të gjitha, ka ditur të sakrifikojë për të e të marrë kosto e paguajë herë pas here edhe fatura të vendimeve të Metës.

PS vjen në pushtet, ngjitet Meta
Dalja e Nanos nga burgu në 1997 dhe fitorja e padiskutueshme e PS-së në zgjedhje, e gjetën Metën në të njëjtat pozita. Në qeverinë e Nanos ai merr një rol periferik, bëhet sekretar shteti për integrimin evropian. Kishte makinë dhe një shofer, por shumë pak hapësirë për të luajtur. “Ishte një zgjedhje që dukej se vinte si rrjedhojë e postit partiak që ai kishte mbajtur në PS nga 93´-96´, sekretar ndërkombëtar i PS-së, por në fakt ishte përmbushja e një kapriçiojeje të Nanos që i trajtoi edhe kundërshtarët e tij me “indulgjencë”: sa më pranë meje, aq më të kontrolluar. Por fati nuk e kishte harruar kanakarin e tij, ai i buzëqeshi sërish në mënyrë të papritur, kur në 1998, mbas grushtit të shtetit të Berishës në 12 dhe 14 shtator të të njëjtit vit – vrasja e Azem Hajdarit – miku dhe armiku i tij i dikurshëm Pandeli Majko u bë kryeministër. Meta do ta shihte veten dhe njëherë zëvendës të tij si në janarin e 1991 në forumin eurosocialist. Çifti i të rinjve të PS-së, i mbështetur pa kushte e rezerva nga ndërkombëtarët, dukej se i kishte të gjitha gjasat të shkonte gjatë dhe larg. Me Berishën e varrosur politikisht dhe kryetarin e partisë të ngrirë në funksionet e tij, Majko-Meta, patën gjithashtu shansin e artë të drejtojnë vendin në kohën e krizës më të thellë, luftën e Kosovës. Meta atëherë zëvendëskryeministër veshi bluza dimri dhe xhakavento të rënda dhe shkoi në Kukës për të drejtuar operacionin më të madh humanitar që kishte njohur vendi me ardhjen e refugjatëve kosovarë të luftës. Skandali i parë financiar që e përmendi atë për protagonist, i pati ditët e shkurtëra: Majko atëherë kushtëzoi qëndrimin e tij në krye të qeverisë me fatin e hetimit të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme. Vetë Meta nuk kishte dyshim, pas Arben Rakipit, kryeprokuror, qëndronte vetë Nano që synonte rikthimin në PS, qoftë dhe duke rrëzuar qeverinë socialiste. Në 21 dhjetor 1998, ai është një nga iniciatorët e takimit me Berishën. I pari i këtij lloji, takim publik, që synonte në dukje qartësimin e situatës së vendit të lodhur nga protestat dhe në pritje të shpërthimit të luftës në Kosovë dhe në plan afatgjatë, tërheqjen e vetë Berishës në një aleancë të padeklaruar, por të mirëkuptuar në heshtje, kundër Nanos. Skema funksionoi, por vetëm për llogari të Metës. Majko atëherë morri gjithë “kusuret e kolaboracionizmit” me Berishën, kurse Meta priti qetësisht zhvillimin e ngjarjeve. Koha punonte për të. Ai kërkoi të bëhet kryetar i PS-së në garë me Nanon në tetor të 1999, por Majko ishte mosbesues: në të parën lojë të tij në të cilën miku i tij ishte mjeshtër, të gjitha për të gjitha, ai vërtet humbi gjithçka. Meta bëhet kryeministër me ndihmën e Nanos dhe nis mandatin e tij të parë duke i mundur të gjithë. Por të gjithë atëherë nuk kishin dyshim; ai ishte zgjedhja e vetme e momentit.

Kryeministër dy herë
Si drejtues i qeverisë, miqtë e tij i njohin Metës prirjen e tij të fortë ndaj “aksionit të dukshëm”. Ai i kushton një rëndësi të posaçme ndërtimit të rrugëve, afateve të përcaktuara për to. Shpesh zhvillon mbledhje qeverie dhe në orën 05.00 të mëngjezit dhe shumë shpejt, arrin t´u imponohet të gjithëve. Madje dhe vetë Nanos. Në të njëjtën kohë afrohet dhe me një tjetër pol pushteti në PS, por ende jashtë saj. Edi Rama, ministri i tij i kulturës bëhet aleat i tij. Me karizmën e Ramës në dispozicion, përballë një politike e politikanësh që ngjajnë si klientë bari periferik, ai merr për herë të parë bashkinë e Tiranës, por dhe fiton zgjedhjet e 2001. Të dy ata ngjanin tashmë si një mur përballë ambicjeve të Nanos për të rikthyer edhe njëherë statuskuonë e vjetër në PS. Nano i drejtohet bazës, kurse Rama e ironizon therrshëm: “Nano? Ai është bërë si Robert Çimçakizi që vjen rrotull me duar në xhepa”, u thotë ai kamerave pa hequr duart nga xhepat. Kjo dyshe kishte atëherë gjithçka. Meta ishte miku i gjithë shtypit – miqtë e tij thonë se ndihmoi median e dobët shqiptare me fonde shtetërore, armiqtë thonë se e bleu atë me paratë e shtetit. Në mediat e kohës ishte vërtet e rrallë të gjejë kritika për qeverisjen e tij dhe nën zë, ai konsiderohej si Mehmet Shehu i ri. I fortë, i aftë dhe energjik. I gatshëm të ndihmonte miqtë, qoftë dhe kur ata vinin nga e njëjta krahinë me të, por i gatshëm të negocionte dhe me armiqtë e tij. Por mbi të gjitha, ai u dëshmua i aftë të kënaqte më radikalët në PS. Në nëntor 2000, ai bën një gjest të jashtëzakonshëm force, kur detyron Sali Berishën të shkojë gati në gjendje arresti në polici. Një gjest që më shumë se për drejtuesin e opozitës, ishte një sinjal për të vetët: unë mund të bëj gjithçka!

Meta rikonfirmohet sërish kryeministër në gusht 2001 me një shumicë dërmuese votash në KPD-në socialiste, përballë një Nanoje që drejtonte formalisht mbledhjen, por që e dëgjonte me kurriz të kthyer nga ana tjetër. Triumfon bindshëm, por pa ditur se të njëjtit njerëz që e kishin ndjekur pas me besnikëri, do ta linin në baltë në dimrin e të njëjtit vit. Në shkurt detyrohet të japë dorëheqjen dhe si për ironi të fatit, emri që ai vetë zgjedh për të drejtuar vendin, do të ishte miku i tij i vjetër Majko. Me Nanon gjithmonë e më larg, gjithmonë e më të armiqësuar, zgjidhja e bërë nga forumet e PS-së ngjante e përkohshme, të paktën deri në momentin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Dhe Meta diti të presë atëherë. Në qershorin e 2002 ai bëhet shkaku kryesor lokal që nuk e lejoi Nanon të realizojë ëndrrën e jetës, zgjidhet Moisiu, kurse Nano sheh realisht forcën e rivalit të tij. Forcë e cila u demonstrua dhe në një “detaj” jo pak të rëndësishëm: në prill 2002, Meta bashkon votat e tij dhe të njerëzve të tij me Berishën për të larguar kryeprokurorin Rakipi. Ky ishte dhe momenti që Nano duket se kalon në planin rezervë. Majko nuk mund t´i jepte atë që mund të afronte në çdo moment Meta dhe ai rikthehet sërish tek zgjedhja e vjetër. “Padrinoja” dhe “fashisti” siç e quanin ata njëri-tjetrin u bënë bashkë për të formuar qeverinë e re. Meta bëhet zëvendëskryeministër në qeverinë e Nanos dhe ngjante, si dhe herë të tjera, se asgjë nuk do të mund të hynte më në mes të tyre. Por sërish nuk ishte e thënë. Vetëm pak muaj më pas, marrëdhëniet e tyre krisen dhe thyhen fort. Nuk mund të thuhen me siguri shkaqet për të cilat nisi ftohja, por kulmin e tyre ato e arritën në një mbledhje qeverie, pikërisht në fund të saj, kur Nano në mënyrë ekuivoke përmend nevojën e kontrollit të një shoqërie farmaceutike. Në qershor 2003, Meta jep dorëheqjen nga posti dhe gjashtë muaj më pas, shënon divorcin e plotë me Nanon. Që dhe kësaj here nuk ishte përfundimtar. Nano fiton kongresin e dhjetorit 2003 dhe në një provë gati qesharake force, e lë Metën jashtë edhe KPD-së socialiste. Me historinë që i vinte nga pas, Nano kujtoi atëherë se historia e tij me Metën kishte marrë fund përfundimisht. Në shtator 2004 Meta krijon përfundimisht partinë e tij dhe një vit më pas hyn në zgjedhje e vetme. Ajo ishte njëlloj kundërshtare e PS dhe PD dhe konsideronte njëlloj të dëmshëm për vendin edhe Nanon, edhe Berishën. Pikërisht dy personazhet që sot janë më pranë se kurrë vetë Ilir Metës. PS humb në zgjedhje dhe në një vështrim të parë dhe thjesht aritmetik të votave, i humbi PS-së të paktën shtatë mandate deputetësh në zona.

Afrimi dhe largimi nga Rama
Largimi i Nanos dhe ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së u duk se për herë të fundit do të vinte kapakun magjik mbi sherret e të majtës dhe mund të krijonte shtratin e nevojshëm për bashkimin e saj përballë Berishës. Rama kërkonte pikërisht të njëjtën gjë – i duhej dhe largësia e Nanos, ndërsa Meta mund të shihte tek Rama e partia e tij mundësinë e vetme teorike për të ardhur në pushtet. Herë pranë e herë disi më të distancuar, ata arritën të bëhen bashkë në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, kur në “këmbim” të ndihmës për Tiranën, Meta morri për partinë e tij një shtrirje pothuaj të plotë territoriale në pushtetin lokal. Por mbas këtij momenti, ndodhi ajo që pakkush e kishte menduar: ata sërish u distancuan nga njëri-tjetri. Akuzave të përsëritura dhe gjithmonë e më të rënduara të Metës, Rama u përgjigjej në të njëjtën mënyrë: miku im Ilir Meta! Kjo gjë nuk mjaftoi dhe për dy vjet rresht, LSI e shndërroi PS-në në targetin e preferuar të sulmeve, që u zbehën disi vetëm në vigjilje të fushatës së këtij viti. Thyerja e madhe ndodhi menjëherë mbas tragjedisë së Gërdecit, kur Meta kërkoi radikalizim të menjëhershëm të politikës, kurse Rama kishte llogari të tjera. Ndryshimet kushtetuese i vunë vulën ndarjes dhe mes dy miqve në opozitë, mes tyre hyri madje edhe uria; protesta ekstreme e Metës kundër ndryshimeve kushtetuese. Të thuhet se mosmarrëveshja për emrin e kryeministrit të nesërm në një pushtet aq pranë të së majtës, ishte një nga shkaqet kryesore të divorcit, nuk është se është shumë larg së vërtetës. Meta bën lëvizjen e rradhës të stilit të tij; afrohet sërish me Nanon duke kërkuar madje, deri një javë përpara zgjedhjeve, bashkimin e së majtës.

“Berisha duhet të ikë!”, u bë parrulla radikale e Metës, por në fund të zgjedhjeve, me katër deputetë nën siglën e partisë së tij, e pa veten në pozitën e çelësit që do të hapte derën e qeverisë së nesërme. Duke i bashkuar votat me PS-në, vendi mund të qeverisej nga një qeveri teknike dhe teorikisht e praktikisht do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, duke u afruar me PD-në krijonte qeverinë Berisha 2. Dhe Meta nuk pati dilema. Ftesës “televizive” të Berishës për të bashkëqeverisur ju përgjigj brenda dy orësh: “Do të vij me ty”! Kjo ishte lëvizja e fundit e një politikani që ka arritur deri në kufinjtë e të pamundurës. Një lëvizje që ngjan, si dhe shumë e shumë të tjera, pakthim mbrapa. Por Meta i djeshëm, ka një mori arsyesh për të shpjeguar po vetë Metën e nesërm: ai është i aftë të kryejë ato lëvizje që normalisht në jetën njerëzore ngjajnë të pamundura: të puthesh me armiqtë, të ndahesh me miqtë dhe anasjelltas. Për Metën e pamundura është një mision i mundur. Çmimin për të, e ka paguar rregullisht vetë. Por dhe nga partia e tij e vjetër në të cilën ai ishte një nga themeluesit, që e mandatoi dy herë si kryeministër, për të mbajtur pastaj në pushtet, armikun e saj më të betuar, Sali Berishën.

10 Komente

Me duket mua apo i kalon ca gjera perciptazi ky artikullportreti i Mapos, p.sh. ca gjera qe kane te bejne me mardheniet me Ramen. smiley P.sh. kur permend ardhjen e Rames ne bashki thote qe Meta ja arriti me ne fund me ndihmen e Rames te mare bashkine. smiley

artikulli eshte i percipte dhe nuk eshte fare portret por nje fotografi e zbehte bardhe e zi. Te pamunduren nuk e arrin dot askush. Kujt kujton se e ka arritur e bile mund te luaje me te i duhet thene te rruajt zoti ment e krese !

Nuk e di, por per mua eshte shume e thjeshte.

Meta eshte burre qe nuk ka fjale dhe asqe e njeh "mbajtjen e fjales"...

Dha fjalen para fushate vazhdimisht, u betua vazhdimisht per 4 vjet rresht, e tani jo vetem nuk e mbajti fjalen, por beri krejtesisht te kunderten e betimeve te veta.

Nese burri nuk ka virtytin e fjales, cfare burri eshte??? Fundja, fjala e mbajtur eshte thelbi i karakterit te burrit, te pakten ne mentalitetin tone.

C'na tregojne historira me shushunja dhe mushkonja keta???

...si thone Zotrules: dhashe fjalen, thera djalen? smileysmiley

Ku ka me burra ne Shqiperi qe te mbajne fjalen????

Pse vetem Meta eshte ashtu?

Ne Shqiperi sot prerja ne bese, genjeshtra dhe mashtrimi jane bere norma.

Te vjen turp kur shkon ne Shqiperi dhe shikon gjithandej njerez te genjejne pa karar, nuk mund te pish nje birre ne nje tavoline se pa shkuar tek gjysma te gjithe kan thene na nje genjeshter.

TT, e kam fjalen, qe nuk ka nevoje per nje pershkrim aq te gjate qe te na tregojne se kush eshte Meta... Eshte e kuptueshme qe cdo njeriu mund t'i behet nje biografi, dhe sa me gjate te kete jetuar, aq me e gjate duhet te jete dhe biografia...

Po kush eshte Meta, eshte ne ata rreshtat qe kam shkruar me siper.
Dmth, kot lodhen disa, kur deklaratat dhe cdo gje qe ka bere ai qyqar i ka bere publikisht.

Ky eshte vetem nje rrefim i nje historie qe te gjithe ata qe e ndjekin politiken e dine mire. Nuk gjeta asgje te re ketu. Ne fakt kete Vangjelin kam disa here qe e lexoj dhe ne shkrimet e tij me duket shume medioker. Eshte edhe Minxhozi pro-Rama por ama ka me shume stil kur shkruan, te pakten per mua, dhe me i qarte ne argumentat e tij.

Edhe une do te doja te dija me shume rreth marrdhenieve Rama-Meta ne vitet 2000-04. Cuditerisht degjohen lloj-lloj intrigash e teori konspirative ne Shqiperi, po shume pak dihet per marrdheniet mes ketyre te dyve dhe si aleatet e ngushte te nje dite u kthyen ne armiq te betuar te njeri tjetrit.

te ta permbledh un? rama bindi meten te krijonte lsi. dhe ketu ska len gje pa perdor, presion, policine bashkiake, leje ndertimi dhen monikes, shantazhe tjera, argumentet. kaq esht e gjitha

Artikullshkruesi psh harron arestimin e Berishes me urdher direkt te Metes nga fundi i vitit 2000. Cndodh me vone? Te gjithe oficeret e policise qe morren pjese ne kete aksion u detyruan te japin doreheqjen. Ndoshta tani Lir shtangisti e ka shansin per ti rehabilituar. 

Une do ta permblidhja thjesht dhe paster: "Legen burre".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).