“Mediu” vs. “Cunningham”

Saga e Randy Cunningham, kongresmenit më të korruptuar amerikan i cili u dënua me burgim pas investigimeve të gazetarit Dean Callbreath, e rrëfyer ekskluzivisht për MAPO nga ky gazetar që fitoi me tre kolegë të tjerë çmimin Pulitzer 2006

Shkruan Kristi Pinderi
kristipinderi@revistamapo.com

E mbani mend pilotin hero të interpretuar nga Tom Cruise në filmin Top Gun, i cili stërvitej në “Naval Fighter Weapons School” në Miramar të San Diegos?

Ai personazh është frymëzuar nga një hero i vërtetë i Luftës në Vietnam, Randy “Duke” Cunningham, i cili pas rikthimit triumfues në Amerikë njohu vetëm ngjitje dhe suksese në jetë derisa u shndërrua në një prej Kongresmenëve më autoritarë të Republikanëve në Capitol Hill.

Por ashtu si dhe me personazhet e Shekspirit “Duka” pati një rënie dramatike e po aq të shpejtë sa edhe ngjitjen: ai u akuzua për shpërdorim të detyrës gjatë kohës kur ishte anëtar i Komisionit për Mbrojtjen në Kongres, për marrje të rryshfeteve në këmbim të dhënieve të fondeve të majme përmes kontratave shumë milionëshe me ushtrinë amerikane dhe u dënua nga një gjykatë me 8 vjet e 7 muaj burg, pasi prokurorët mundën të provojnë faktet që fillimisht i denoncoi një grup gazetarësh. Këta gazetarë Dean Callbreath, Marcus Stern, Jerry Kammer, e George E. Condon Jr. ndanë së bashku në vitin 2006 çmimin Pulitzer.

 MAPO sjell ekskluzivisht rrëfimin e njërit prej këtyre gazetarëve që denoncoi “çështjen Cunningham”, Dean Calbreath, i cili ishte i pari që investigoi për gazetën lokale The San Diego Union Tribune.
A ishte i vështirë ky investigim dhe sa mund të kushtojë një ndërmarrje e tillë që përfundoi duke burgosur një Hero të Luftës në Amerikë dhe duke e shpallur atë si Kongresmenin më të korruptuar të kapur ndonjëherë në historinë e Kongresit Amerikan?

“Ishte e vështirë, por jo një ndërmarrje e shtrenjtë”, thotë Calbreath për MAPO, “nuk ishte e shtrenjtë pasi pjesën më të madhe të informacionit ne mundëm ta sigurojmë përmes internetit. Duhet vetëm përkushtim, për të lidhur copëza informacioni me njëra tjetrën, ato informacione që janë të aksesueshme nga të gjithë e për të ndihmuar kështu drejtësinë të bëjë punën e vet”.

 

Kur drejtësia e çon deri në fund e nuk e mbyll një çështje…

Brenda sallës së gjyqit, atë mëngjes të 28 Nëntorit 2005, Kongresmeni Cunningham u detyrua të jepte përgjigje konçize dhe të prera ndaj pyetjeve që i drejtoi Gjykatësi Larry Alan Burns. Ato pyetje ishin të shkurtra, tensionuese, por impakti i tyre ishte shumë i madh – falë atyre pyetjeve Kongresmeni do të ndryshonte veshjen e cila në mëngjes përbëhej nga një kostum i shtrenjtë e nga një kravatë e zezë, ndërsa pasdite do të shndërrohej në veshjen e një të burgosuri:

“Mes viteve 2000 dhe 2005 në distriktin tonë ju pranuat të merrnit rryshfete në këmbim të favoreve që mund të ofronit falë statusit tuaj publik. E bëtë ju këtë?” pyeti kongresmenin gjykatësi Burns.

“Po, i nderuar”.
“A pranuat ju pagesa në formën cash gjithashtu dhe pagesa në forma të tjera?”, pyeti Burns.
“Po, i nderuar”.
”A u përpoqët ju të influenconi Departamentin e Mbrojtjes për interes të palëve të treta?”
“Po, i nderuar gjykatës”.  

Pas kësaj seance pyetje-përgjigje karriera e një heroi lufte, i cili kishte mundur të rrëzonte plot 5 avionë MIG në Vietnam, tre prej të cilëve gjatë një aksioni të vetëm që zgjati 7 minuta dhe kishte marrë pas këtij akti medaljen më të rëndësishme të Ushtrisë Amerikane, u shkatërrua dhe u turpërua përfundimisht dhe Randy Cunningham u çua në burg, atje ku ndodhet edhe sot.

 

Calbreath: Gjithçka nisi rastësisht…

Ulur në barin e Hotel Tirana International, Calbreath kujton edhe duke qeshur se sa rastësisht filloi i gjithë investigimi. Cunningham ishte një hero lufte, një idhull i patriotizmit dhe ai nuk e kishte patur asnjëherë të vështirë që të fitonte votat e distriktit tonë, tregon gazetari. Por megjithatë në vitin 2005 kur ne nisëm të investigonim asgjë nuk mund ta justifikonte jetën luksoze që ky kongresmen bënte.

Cunningham jetonte në një shtëpi shumë luksoze, udhëtonte me disa jahte të shtrenjtë, me avionë privatë, me limuzina në çdo cep të Amerikës. Kaq mjaftoi për të ngjallur kuriozitetin e gazetarit, i cili falë informacionit të aksesueshëm për të gjithë arriti të mësonte së shtëpia e tij në distriktin më të pasur të San Diegos kushtonte 2.55 milion dollarë. Dhe se falë një mekanizmi jo fort transparent në Kongresin amerikan, Cunningham kishte mundur të fuste në buxhetin për mbrojtjen një “earmark” që praktikisht është një zë i veçantë që çdo kongresmen mund ta propozojë duke patur të drejtën të qëndrojë anonim.

“E mora në telefon Cunningham dhe e pyeta nëse e kishte propozuar ai atë fond shtesë në buxhet nga e cila do të përfitonte një kompani në Uashington dhe m’u përgjigj shumë i qetë: po, e kam bërë për të ndihmuar vendin tim!”, tregon për MAPO Calbreath. “Eshtë shumë e çuditshme se si njerëz të tillë armë më të fortë kanë patriotizmin! Ata e shesin veten si patriotët më të mëdhenj të vendit”, vazhdon gazetari I The San Diego Union-Tribune.

Kjo gazetë kishte mbështetur fuqimisht Kongresmenin gjatë zgjedhjeve dhe linja e saj editoriale ishte e shpallur në favor të republikanëve. E pyes nëse pati problem të botonte lajmin e parë në atë gazetë që hapur mbante një qëndrim pro partisë së atij kongresmeni dhe përgjigjet: “Absolutisht jo, madje jo vetëm që e botuam, por ai ishte kryeartikull në faqen e parë të gazetës”.

Shkrimi u botua në numrin e së dielës, ndërkohë që të nesërmen, të hënën, prokuroria nisi një hetim rreth kësaj çështje. Kaq mjaftoi që katër gazetarët që më vonë do të merrnin çmimin Pulitzer të nisnin investigimin e tyre e të raportonin hap pas hapi.

 
Mekanizmi i korrupsionit

“Mora librin e shkollës së Cunningham dhe listova të gjithë emrat e nxënësve që kongresmeni i kishte patur në klasë. I mora në telefon dhe ishte e habitshme se sa shumë të dhëna mundëm të grumbullojmë nga ata shokë klase”, vazhdon të tregojë për MAPO.

Miqtë e kongresmenit, jo të gjithë kishin mbetur të kënaqur me të, ndaj mezi prisnin të tregonin gjithçka që dinin. Dhe në përfundim të kësaj mekanizmi i korruptimit ishte shumë i qartë, lehtësisht i ngjashëm me këdo mekanizëm të tillë, madje frikshëm i ngjashëm me atë që ka ndodhur edhe në Gërdec…

Cunningham kishte favorizuar gjatë atyre viteve kompanitë e Brent Wilkes dhe të Mitch Wade. Duke përfituar nga pozita e tij si kongresmen ai kishte mundur të ndihmonte këta njerëz që të nënshkruanin kontrata shumë milionëshe me Pentagonin dhe në këmbim të kësaj ndihme kishte përfituar përqindjet e tij, shtëpinë luksoze, jahtet, tapete persiane, bixhuteri për bashkëshorten, ndërsa hante dreka e darka në restorante luksoze ku shërbehet mish zebre.

Një detaj që do ta goxhdonte në gjykatë ishte edhe një letër e vogël ku ai kishte shkruar me dorën e vet dy kollona shifrash e përqindjesh. Në kollonën e majtë kishte shkruar shifrat me miliona dollarë që do të përbënin shumat e kontratave me Pentagonin, ndërsa në kollonën e djathtë kishte shkruar shifrat që ai si kongresmen do të duhej të përfitonte, në përpjestim të drejtë me milionat e kontratave.

Cunningham donte një jaht që kushtonte 140.000 dollarë si këmbim me kontratën e parë me Pentagonin prej 16 milion dollarësh. Më tej, ai priste nga Wade një rryshfet prej 50.000 dollarësh për cdo 1 milion shtesë në kontrata të mëvonshme. Pasi Wade t’i kishte paguar 340.000 dollarë kongresmenit në këmbim të kontratave me Pentagonin që do të arrinin shumën e 20 milion dollarëve, atëherë sasia e rryshfetit që do të duhej të merrte për cdo 1 milion mbi shifrën e mësipërme do të ulej, nga 50.000, në 25.000 dollarë!  Një investigim i mëvonshëm do të tregonte se pjesë e rryshfeteve do të ishin edhe dy prostituta…

“Ne investigonim paralelisht në të njëjtën kohë”, tregon Calbreath, “do të doja të kisha më shumë kohë, por unë shkrimet e mia, zakonsiht nisja t’i shkruaja në orën 23.00 të mbrëmjes deri rreth ores 2.00 të mëngjesit e kur unë flija, kolegët e mi në Uashington zgjoheshin për të vazhduar ata investigimin dhe raportimin”.

 

Cështja Mediu…

Fatmir Mediu mund të mos jetë një hero lufte, por ai mbetet sërish një person që votohet në Shqipëri… Mediu mund të mos ketë asnjë gjë të përbashkët me Cunningham dhe asnjë gjë të përbashkët me rryshfetet e korrupsionin.

Por ashtu si edhe kongresmeni amerikan, edhe ministri ynë i mjedisit, i cili pak më shumë se një vit më parë drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë objekt i sa e sa investigimeve në media.

Ashtu si edhe Cunningham në fillim, edhe Mediu i ka mohuar të gjitha akuzat. Ashtu si Cunningham edhe Mediu ka thënë gjithmonë se është një politikan patriot që e ndihmoi vendin të anëtarësohet në NATO.

Ashtu si Cunningham edhe Mediu ka qenë i pandehur.

Por ndryshe nga çështja Cunningham, çështja Mediu nuk shkoi asnjëherë deri në fund!

Dhe këtu krahasimi merr përmasat e disa qindra viteve histori e shtetit e të demokracisë: mes drejtësisë amerikane dhe asaj shqiptare ka përfundimisht një hendek, një humnerë ku në fund të saj nuk bie dot çdo kriminel…

9 Komente

Saga e Randy Cunningham, kongresmenit më të korruptuar amerikan i cili u dënua me burgim pas investigimeve të gazetarit Dean Callbreath, e rrëfyer ekskluzivisht për MAPO nga ky gazetar që fitoi me tre kolegë të tjerë çmimin Pulitzer 2006

Piss off... pabuksa...

Ju s'dini te shkruani shqip, jo me po merrni intervista ekskluzive!!!

 

 

Piss off... pabuksa...

Ju s'dini te shkruani shqip, jo me po merrni intervista ekskluzive!!!

O Pinder, a na ben nje pasqyre te njerezve qe financojne revisten Mapo?

Por ashtu si edhe kongresmeni amerikan, edhe ministri ynë i mjedisit, i cili pak më shumë se një vit më parë drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë objekt i sa e sa investigimeve në media.

JO!!

Asihere!

Nuk ka qene objekt i investigimeve ne media! Media ka botuar cfare ka rrjedhur prokuroria, dhe cfare ka thene Mehdiu per prokurorine! Por ajo (media) kurre nuk i ka shkuar me mikrofon ke bytha Mehdiut, kurre nuk ka vajtur te pyese ate qe po ha iftarin tani nese ka ndermjetesuar poshte e larte tek Mehdiu! Pervec atyre tabeleve te telefonit ku dilte ai shoku i cunit te Babit, media nuk ka nxjerre asgje tjeter! Vetem ka pasqyru cfare eshte thene poshte e lart nga aktoret e kesaj komedie!

Juve duhet me honger buke! T'ju boje mire!

Po mos i jepni vehtes merita qe nuk i keni!

Bukuri fare, ne SHBA ka shtet ligjor.  Sic ka edhe abuzues te ligjit, sadopak ose sado shume begraundi heroi.

Ka prokurore qe e detyrojne te rrezonje edhe mite si ai presidenteve Nixon e Klinton me karriera te sukseseshme politike e rrethe te pafundeme miqesie e interesi.

Ka gazetare ose gazeta qe bejne kthesa  e rrotacion te partive. Por gazeta eshte opinioni i shumices, i asaj qe konsumon gazeten. Kjo eshte e pergjitheshmja.

Ne rastin e mafiozit Mehdiu, ka edhe eliminim te provave ne kupolen shtetrore, ka edhe eliminim fizik te deshmitarit (Trebicka), ka edhe deklarime te paturpeshme te politikaneve me te larte, ka edhe terheqje te turpershme te prokurorise ndaj proceseve, ka edhe shtermberim te ligjeve ose interpretime te shtrembera prej gjykatave, te cilat jane te varuara ndaj pushtetit i cili eshte njekohesisht edhe avokati i kriminelit.

Ne nje shtet ku politika eshte nje me gjyqesorin, nuk ka  e nuk ka per te patur kurre gazetari investigative, e si pasoje presion ndaj korrupsionit e krimit. Gazetaria. Edhe ne paste deshmi e dokumente te qarta nuk ka guximin t`i botoje. A e pate Berishen si e shau Bushatin e dukej sikur dontre ta groposte, vetem per nje dokumentar qe kishte te bente me nje dokument te rendomte, jo te kishte nxjerre te tjera. Pamvaresisht se nga vjen e si eshte Bushati. A e pate se cfare i bene Bazes, e ai nuk i kishte hyre me themel investigimit, ose mund edhe t`i kishte ne dore disa dokumente qe te conin ne gjykate, por nuk ja mbajti e u morr edhe ai me ngjyrime vetem kompromentuese.

Pse nuk i shkruan keto ai gazetaruci i Mapos. Apo nuk ja mban prapanikja se nuk ja boton as Mapo-ja. Le ta beje analizen me themel e do te shikoje ku do t`i dali.

NE BEJME SIKUR JU SHAJME E JU BENI SIKUR NA GODISNI!

Shume mire e ka ky gazetari!

Tani perdor te njejten metode per te investiguar Ramen.

Shume e thjeshte eshte.Shikoja sa e ka rrogen qe merr si kryebashkiak(eshte e publikuar) dhe krahasoja me shpenzimet qe ben.Me pas gjej se kur e paguan diferencen dhe cfare perfiton ai qe paguan kete diference.

Shkurt dhe thjesht.Beje kete dhe do te shohesh qe mund te marresh 2 mime Pulitzer!

...kapitalizmi keto gjojna ka ore.....te gjithe qe kane mundesi ja fusin tjetrit....puna eshte qe kush kapet, ....dhe kush e ha e ha....ai qe s'e ha eshte ok..

....ndershmeria quhet budallallik, dhe pislliqet=buzines....

....I know....its only rrock n rroll ....., but I like it......yes I do...

em-i..... e di si vazhdo...

Bah cfare investigimi.

Bah cfare gazetari.

10 cmime ..................

Ci do cmimet.Mjafton nje leje ndertimi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).