Lironi Flori Bajramin!

Policia e Durrësit i ka hedhur prangat dy ditë më parë ish-deputetit të PD në Rrashbull, Flori Bajrami. Arrestimi pason një hetim të prokurorisë mbi abuzimet me lejet e ndërtimit në bregdet, në kohën që zoti Bajrami ka qenë jurist pranë KRRT së komunës Rrashbull deri në vitin 2005. Nuk jam në gjendje të them deri në ç’masë ka gabuar apo është përfshirë me vetëdije zoti Bajrami në këto abuzime, por di të them se arrestimi i tij është bërë për të justifikuar mosarrestimin e dy ish-deputetëve të tjerë të mandatit të kaluar dhe këtij mandati, Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, të cilëve iu pushuan çështjet penale përmes procedurës së imunitetit apo vendosjes në kohë të ngritjes së akuzës.

Për katër vite deputet, zoti Bajrami u shqua për abstenimin e tij publik dhe mospërfshirjen rekord në debatet publike në Kuvend, aq sa gati askush nuk e njeh për figurë. Kjo na dëshmon se ai ishte përzgjedhur për të qenë një numër në Kuvend dhe kështu u përdor deri në fund. Një javë pasi mbaroi imuniteti i tij si ish-deputet, atij shkojnë e i vënë prangat për një abuzim të para viteve 2005, në kohën që kryeministër ka qenë Fatos Nano. Është e çuditshme se si nga gjithë periudha korruptive e Fatos Nanos, Sali Berisha gjen një ish-deputet të PD për të prangosur duke harruar akuzat e tij të përbindshme ndaj Klanit të Zemunit, mamuthëve të korrupsionit, familjeve mafioze etj. Por dhe kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, sa ka rëndësi fakti që mediet pro Berishës u hapën të gjitha me tituj të fortë, që Berisha po arreston një deputet të vetin. Kjo në ditën që Berisha deputetin tamam-tamam të vetin, Fatmir Mediun, jo vetëm që nuk e arrestoi për vrasjen e 26 qytetarëve, por ia pushoi çështjen penale në Gjykatë të Lartë. Ky keqpërdorim i pushtetit të drejtësisë prej tij, duke sakrifikuar njerëz anonimë dhe duke marrë në mbrojtje njerëz që akuzohen për qindra miliona euro dhe për 26 të vdekur, është skaneri real i këtij regjimi të ri amoral, ku mafia ka kapur shtetin dhe përpiqet të rregullojë imazhin e saj, duke pastruar fushën nga hajdutët e xhepave. Njësoj si në historitë klasike të mafies, bosët e mëdhenj nuk lejojnë hajdutë xhepash në lagje apo qytet, vendosin rregull ndaj atyre që tentojnë të vjedhin pa leje, dhe vetë sillen si përfaqësues të Kamorrës, duke transferuar milionat e paligjshme në investime të dyshimta koncesionare, që fillojnë me fabrikat e çimentos dhe përfundojnë me TEC-e dhe HEC-e.

Unë nuk di sa i madh është dëmi që i ka sjellë Flori Bajrami shtetit dhe shoqërisë shqiptare, me firmat e urdhëruara që ka hedhur për lejet e ndërtimit në Shkëmbin e Kavajës, por di të them se shëmtirat më të mëdha në atë zonë mbrohen duke u përmendur emri i Shkëlzen Berishës. Unë nuk di se ç’dëm i ka sjellë shtetit ligjor ish-juristi Flori Bajrami, por di të them që ai nuk është i përfshirë në afera të ndyra si ato që po bëhen në emër të fëmijëve të kryeministrit, duke filluar nga Kakomeja, Jala, Narta, Plazhi i Gjeneralit, Gjiri i Lalzit dhe deri në Kune të Lezhës dhe Malin e Dajtit. Unë nuk e di në ç’raport qëndron i arrestuari Flori Bajrami me lobimin e Argita Malltezit që në Porto Romano të ndërtohej një TEC nga investitorë arabë, prej të cilit ajo duhet të përfitonte 3 për qind të vlerës së investimit ose afërsisht 30 milionë euro. Unë nuk e di, nëse bëhet një radhë hajdutësh dhe kriminelësh që duhen arrestuar këtë fillim mandati për shoq, se ç’vend duhet të zinte ky Flori Bajrami, por di të them se profili i atij njeriu nuk të krijon asnjë ndjesi mafiozi apo njeriu që ka kapur shtetin. Ai është thjesht një njeri i keqpërdorur nga shteti dhe pushteti, i cili tani po flaket, pikërisht pse pushteti është futur në krizë morale me hajdutët që po mbron dhe po mban në qeveri dhe parlament. Pushteti ka hyrë në krizë, pasi ka harxhuar gjithë energjitë e veta për të mbrojtur një ish-koleg të Flori Bajramit, i cili akuzohet si fajtor për vdekjen e 26 shqiptarëve. Ky njeri është i lirë, është ende deputet, është sërish ministër dhe është i pa ngacmuar tashmë nga drejtësia, pasi i është pushuar çështja. Dhe që të zhurmohej protesta për shpëtimin e tij nga drejtësia, u desh të shpikej një kurban, një ish-deputet, një “shifër” që i duhej dikur Berishës në Kuvend dhe tani i duhet përsëri në qeli, për t’i ruajtur nderin e tij të përbaltur.

Nuk di kush e ka në dorë pafajësinë e Flori Bajramit, por do t’i lutesha ta linte të lirë, edhe pse nuk e njoh nga afër dhe s’jam takuar kurrë me të. Lirojeni, në mos daçi të talleni sërish me fëmijët që keni lënë pa prindër në Gërdec dhe prindërit që keni lënë pa fëmijë! Nëse duhet të dënohet një ish-deputet, një ish-ministër, një ish-kryeministër, radha, si për nga shkalla e fajit, ashtu dhe nga dëmi që ka bërë, nuk është për Flori Bajramin. Lirojeni atë, të paktën të mos talleni me drejtësinë, pasi e keni poshtëruar dhe përdhunuar publikisht institucionin e së drejtës në këtë vend!

1 Komente

Mero Baze vazhdon te mbetet nga te rallët gazetarë (ne mos i vetmi ??!) qe meritojne plotesisht kete emer. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).