KQZ dhe Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor, ky ligj njëpërdorimsh,- paralajmëronte fatalisht një kolegia ime, atë natë entuziaste, kur deputetët e nderuar, kishin votuar me konsensus Kodin e ri. Në fakt, shumë syresh shpreheshin të bindur, se ky do të ishte një Kod, që do t’i rezistonte kohës dhe do t’i hidhte në fik, jo një palë, por disa palë zgjedhje, po ashtu me optimizëm ishin të mbushur dhe disa analistë, që vullnetarisht i bëjnë fresk, sipas vaktit, herë pozitës dhe herë opozitës. Mirëpo, zgjedhjet me këtë Kod përfunduan dhe ka një kor zërash, që fajësojnë Kodin dhe hedhin si punën më të parë, të mirë dhe të mbarë për Shqipërinë, ndryshimin e tij.

S’kam plan t’i bëj kurrëfarë avokatie Kodit, pasi ai tashmë është një ligj, si gjithë të tjerët në korpusin legjislativ tonin dhe si i tillë na imponon detyrimin, që ta zbatojmë, përsa kohë është në fuqi.

 

A është zbatuar Kodi Zgjedhor? 

 

Duke qënë se ne si popull nuk dallohemi për zbatueshmëri të lartë të ligjit, biles av. Ngjela, diku përmend se masa e zbatimit të ligjit në vendin tonë është 17%, ç’ka do të thotë më shumë i shkelim ligjet, se i zbatojmë ato, edhe ky Kod ndjek “rregullin”. Nga ky rregull i pashkruar, historik dhe evident, nuk po shpëtojmë dot. Disa e shpjegojnë me faktin, se meqë përgjithësisht kemi qënë një vend i pushtuar, ligjet na i bënin pushtuesit dhe është ngulitur në mentalitetin e njerëzve se ligjet bëhen në kundërshtim me interesat e tyre, prandaj i japin të drejtën vetes për moszbatim, ndodh dhe ky fenomen i papëlqyeshëm??? E pra nga rregulli natyral i moszbatimit nuk ka shpëtuar dhe Kodi Zgjedhor. Por cilat janë ato shkelje apo mospërmbushtje substatnciale të tij, të cilat me të drejtë kanë mbetur në mendjen e njerëzve dhe të profesionistëve të ligjit?

Shkelja e parë: Mospajisja me karta identiteti e zgjedhësve, që nuk dispononin pasaportë te vlefshme.

Në media, u lakua një shifër e madhe zgjedhësish, pa karta identiteti, të cilët s’kishin as pasaportë, rreth 250 mijë persona, të cilët u privuan padrejtësisht nga e drejta për të zgjedhur, pra për të votuar. Duke qënë se ata janë në listën e personave, që s’kanë pasaportë, atëherë, asnjëri prej tyre nuk është emigrant, por janë banorë të Republikës sonë të varfër, në ndonjë skutë, që s’të ofron mundësinë të jesh i lehtësuar në procedurën e pajisjes me kartë.

Por, legjislatori në Kodin Zgjedhor nuk e ka parashikuar sa sipër me një dispozitë “përcaktuese”, por me një dipozitë detyruese, ka ngarkuar Këshillin e Ministrave, që të nxjerrë aktet nënligjore, që bëjnë të mundur pajisjen me karta identiteti të zgjedhësve, që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme. (Neni 179, pika 2, e Kodit). Fakti i kryer, që jo pak, por 250 mijë zgjedhës nuk e kishin mjetin e identifikimit ditën e votimit, nuk i fajëson këta persona, por organin kompetent shtetëror të ngarkuar me ligj, për sa sipër. Sikur dhe vetëm një zgjedhës të privohej kësisoj nga e drejta e votës duhej të ishin të shqetësuar: Këshilli i Ministrave, KQZ, Avokati i Popullit, OJQ-të në fushën e të drejtave të njeriut, etj. Kurse tek ne e drejta e votës është zhvleftësuar nga një kumulim shkaqesh, andaj nuk përbën hiç lajm sot, të thuash: 250 mijë vetë u përjashtuan nga votimi, ose më thjesht 1/12 e zgjedhësve apo 1/6 e atyre që votuan. Përsëri dua të nënvizoj fenomenin, pasi edhe sot e kësaj dite dëgjojmë qeverinë, që është shumë e “shqetësuar” sesi t’iu heqë të drejtën e pronësisë njerëzve, duke sjellë në jetë një ligj tjetër antikushtetues, duke cënuar të drejtën e pronësisë dhe parimin e sigurisë juridike, ndërkohë që në këtë periudhë postzgjedhore s’ka hartuar ende një plan identifikimi të këtyre personave dhe bërjes së një skeme lehtësuese dhe të shpejtë për pajisjen e tyre, sidomos, me karta identiteti. Në një vend tjetër, qoftë dhe ballkanik, ky fakt juridik, i privimit, jo për faj të tyre, të këtyre zgjedhësve, nga e drejta e votës do të përbënte një shkelje të rëndë të të drejtave të Njeriut.

Shkelja e dytë: Heqja arbitrarisht e së drejtës së dy anëtarëve në KQZ, për të marrë prova apo për rinumërim/ ose rivlerësim të votave të kërkuara.   

Nëse Kodi Zgjedhor ka një thembër akili, ajo është administrata zgjedhore partiake, e mishëruar si e tillë nga KQZ e deri poshtë, ç’ka shkakton mosbesimin e palëve, pavarësisht se këta individë, ndonëse janë të emëruar, si të besuarit e partisë përkatëse, duhet të zbatojnë veç ligjin. Edhe këto zgjedhje dëshmuan se kishte ndër ta, mjaft të tillë, të gatshëm të binin therror për partinë, duke abstraguar edhe nga ligji.

Për fat, shqyrtimet e çështjeve në KQZ u ndoqën publikisht nga media, ç’ka faktoi se dy anëtarë (përkatësisht ata të PS-së në KQZ) kërkuan, herë të merreshin, si prova disa kuti votimi (për disa QV të përcaktuara) dhe herë rinumërimin/ apo rivlerësim të tyre. Mirëpo ndryshe nga sa arsyetonte Kryetari i KQZ-së në media, kjo është një e drejtë, që u njihet “ipso lege” dy anëtarëve, të KQZ-së cilëtdo qofshin ato.

Le ta shohim, si e përcakton në mënyrë taksative Kodi: “Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. (neni 136/3, i Kodit) /…. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të kërkuara. (neni 138, pika 3, e Kodit)” Është krejt e qartë se KQZ detyrohej të zbatonte sa sipër dhe jo të merrte një vendim në lidhje me pranimin ose jo të kërkesës. Kërkesa mjafton, që ushtrohej siç ligji e ka përcaktuar, dhe quhej vetiu e pranuar. Kjo është një nga shkeljet më të rënda dhe që po të kishim shtet funksional ata 4 anëtarë, që penguan me veprimin e tyre të paligjshëm, përmbushjen e kësaj të drejte, jo që nuk do të vijonin të merrnin rrogën aty ku po e marrin, por duhej të përgjigjeshin për shpërdorim detyre. Pasi rrezikshmëria shoqërore është shumë e lartë, kur një apo disa individë, publikisht nuk kanë frikë t’i thonë këmbës dorë, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe duke sjellë një pasojë të tillë të rëndë, më shumë seç mund të sillte një bandë, që vjedh një bankë, pasi kësisoj kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, duke cënuar të ardhmen e tyre. Rrezikshmëria bëhet më e lartë në një rast si ky kur dy partitë e mëdha kanë një diferencë vetëm prej 3 mandatesh.

 

Sigurisht, disa u përpoqën me argumente jo ligjore, të motivojnë faktin, se ishte e panevojshme ajo provë apo ai rinumërim, kur pala pretenduese ka patur komisionerët e vet në QV apo në GN. Ky lloj argumentimi populist nuk pi ujë, se është si t’i thuash dikujt po ti e humbe gjyqin në shkallë të parë, pse po shkon në gjykatë të apelit, a s’ishte gjyqtar, ai në shkallë të parë? Pikërisht këto ishin garancitë e kodit, që edhe nëse ndonjë i shkathët arrin të manipulojë këdo nga komisionerët del e vërteta dhe i dështon manipulimi. Pra ky sistem i mirë apo i keq, shajeni gjithë ditën, i kishte garancitë e veta. KQZ me dashje i shkeli këto garanci në favor të kujt, është tashmë e ditur.

Ja pse, as Kolegji Zgjedhor me formulën magjike standart “kërkesë padia nuk gjen mbështetje në prova dhe në ligj…” nuk arrin ta ndihmojë KQZ-në, në zbehjen e kundraligjshmërisë, si më lart, përkundrazi bëhet solidare me të, për arsyet e veta. Prandaj proceset e shqyrtimit për Beratin, Tiranën dhe Shkodrën, sot e kësaj dite, janë procese të parregullta ligjore dhe si të tilla fare mirë mund të behën objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.

Si i bëhet tani, që nuk është zbatuar Kodi?

Ah, zgjidhja shqiptare, meqë ky Kodi nuk është zbatuar, atëherë hajde ta ndryshojmë se e ka fajin Kodi dhe jo organet e ngarkuara me ligj!!! Nëse vazhdohet kështu, atëherë Shteti ynë, s’ka asnjë tipar të Shtetit të së Drejtës. Tashmë është detyrë primare e opozitës në Kuvend, që me Komision Hetimor të verifikojë ato kuti, për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën dhe nëse pretendimi i saj vërtetohet, çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe vullneti i shqiptarëve mund të rivendoset.

Me anë tjetër, do të ishte një tekë e kotë partiake dhe sjellje atavike e klasës sonë politike, nëse pranohet të ndryshohet Kodi, pa ndërmarrë më parë masat administrative deri dhe ato penale për të gjithë ata individë, që me veprime apo mosveprime të paligjshme e shkelën në mënyrë flagrante ligjin. Ndëshkimi ligjor për cënuesit e vullnetit të qytetarëve nuk është qëllim në vetvete, por rivendosje e dinjitetit të nëpërkëmbur të votuesve, por pse jo dhe një parandalim i përgjithshëm, për çdo “të emëruar partie” që herën më të parë, kur ta ushtrojë një detyrë të tillë, të kuptojë se ka veç një gjë në dorë: të zbatojë ligjin.

Rivendosja e të drejtës me një komision hetimor të shpejtë do të jetë çlirim për opozitën, por dhe për koalicionin me gjysmën e deputetëve (70), që në të dy rastet, nëse vërtetohet pretendimi i opozitës, e drejta shkon në vend, por dhe nëse rrëzohet pretendimi, koalicioni që pretendon të bëjë qeverinë është i qetë, se i ka votat e veta e krejt të pakontestueshme.

Çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor, pa i bërë një analizë zbatimit të vetë Kodit, që kemi në fuqi, nuk ia shton legjitimitetin zgjedhjeve, as i forcon tiparet e Shtetit të së Drejtës, as shton shpresën për zgjedhje të mira herën tjetër, përkundrazi, do të sjellë amulli, si dhe do të prodhojë të njëjtat fenomene të paligjshme, në zgjedhjet më të para vendore. Nejse, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një shqetësim për pjesën racionale të shoqërisë sonë, pasi klasa politike e ka kthyer në moto tashmë: “Ju votoni, se i numërojnë, ne, siç dimë, votat tuaja.”

7 Komente

Nje njohese e mire e kodeve.

Vetem nje pyetje prej injoranti.

Si mund te mbyllet numerimi i votave, kur te drejten per rinumerim e kane dy anetar te KQZ-s?

Kjo goca e ka vone me copy-paste per shume injorantet nenin perkates, dhe sic duket numerimi eshte mbyllur duke shkelur kodin

“Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. (neni 136/3, i Kodit) /…. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të kërkuara. (neni 138, pika 3, e Kodit)”  

sewd1.

pyetja eshte si mbyllet numerimi.

 

Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. (neni 136/3, i Kodit) /…. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të kërkuara. (neni 138, pika 3, e Kodit)” 

 

      ne qoftese ka prova per rinumerim.

     Ndryshe numerimi nuk mbyllet.

 dhe pergjigja eshte "mbyllet duke shkelur kodin" Eshte e veshtire per t'u kuptuar, apo per t'u pranuar?

Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe /ose rivlerësimin e votave të kërkuara

Ne qofte se ka prova per rinumerim.

A-136/3 thote: 2 anetar me prova.

B-138/3 thote; 2 anetar.

A- thote me ligj duhen prova.

B- thote kur ke prova duhen 2 anetar.

Kjo studiuese e Kodit, pse nuk sjell edhe provat, per te treguar se eshte shkelur ligji.

Prape Komision Hetimor? Oh - varja

Swed1, lexoje kete ç'fare shembulli per femijet e fillores ( kerkoj falje femijeve te fillores,mbase ofendohen).

ky lloj argumentimi populist nuk pi ujë, se është si t’i thuash dikujt po ti e humbe gjyqin në shkallë të parë, pse po shkon në gjykatë të apelit, a s’ishte gjyqtar,

   

 

     -Si te thuash, gjyqtari jep vendimin se i pandehuri X eshte i pafajshem per mungese provash. Prokurori qe eshte akuza, pranon vendimin dhe çeshtja mbyllet. Jo,thote zonja ne fjale- gjykatesi i shkalles se dyte duhet te kerkoje hapjen e gjykimit te çeshtjes.

Po jo moj zonje, kur çeshtja mbyllet qe ne gjyqin e pare, palet jane dakort per vendimin e gjykates, nuk ekziston gjyqe te shkalles se dyte.

Shkurt, me kete shembull , artikullshkruesja mbeshtet vendimin e KQZ.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).