Korrupsioni, arrestohet ish-deputeti i PD-së

 OPERACIONI/ Policia ka realizuar operacionin "Shkëmbi i Kavajës" duke arrestuar ish-deputetin për "shpërdorim detyre"


Flori Bajramaj e Pasho Beqiri akuzohen për dhënien e lejeve të ndërtimit në komunën e Rashbullit


DURRËS- Arrestohet për korrupsion ish-deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin, Flori Bajramaj. Prokuroria ka kërkuar në gjykatë urdhër-arrestin për njeriun që vetëm pak ditë më parë kishte mandatin e deputetit dhe policia ka ekzekutuar urdhrin në orët e pasdites së djeshme.


Përveç Bajramajt, në pranga ka rënë edhe ish-kryetari i këshillit teknik në komunën e Rashbullit, Pasho Beqiri. Të dy të arrestuarit akuzohen se kanë dhënë leje për sheshe dhe leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin e urbanistikës.


Burime zyrtare të policisë së Durrësit bënë të ditur se rreth orës 19:00 të së mërkurës, shërbimet e komisariatit të qytetit bregdetar në kuadër të operacionit të koduar "Shkëmbi i Kavajës" bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasve Flori Bajramaj dhe Pasho Beqiri, i pari banor i qytetit të Durrësit, ndërsa i dyti banor në fshatin Shkallnuer.

Arrestimi i këtyre dy personave u bë pasi ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". Policia pohoi se në momentin e arrestimit, Beqiri ndodhej në shtëpinë e tij ndërsa Bajramaj ishte në një lokal me disa miq.


Sipas burimeve zyrtare të bluve, Pasho Beqiri e ka kryer këtë vepër penale në kohën kur kryente detyrën e kryetarit të Këshillit Teknik dhe relatuesit në KRRT-në e komunës Rrashbull, ndërsa Flori Bajramaj në kohën që kryente detyrën e anëtarit të Këshillit Teknik në komunën Rrashbull.


Bëhet fjalë pikërisht për vitet 2002-2005, kohë para se 38-vjeçari të kandidonte për Partinë Demokratike pikërisht në zonën e Rrashbullit ku ka fituar me mbi 56% të votave.


Sipas akuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë së rrethit të Durrësit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Bajramaj dhe Beqiri, kanë kaluar për shqyrtim dhe miratuar në KRRT-në e komunës Rrashbull disa kërkesa për sheshe dhe leje ndërtimi në kundërshtim me Ligjin për Urbanistikën.


Mësohet se ata kanë dhënë leje në pronë publike pa pasur vërtetim pronësie dhe se këto leje për sheshe dhe ndërtime janë dhënë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si dhe në komunën e Rrashbullit. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e mëtejshme të abuzimeve të kryera nga dy personat.


Burimet e prokurorisë pohuan se hetimet kanë nisur pas denoncimit të banorëve të zonës për abuzime të konsiderueshme me lejet e ndërtimit. Të gjitha materialet fajësonin deputetin Bajramaj por hetimi ndaj tij ishte veçuar pasi mbrohej nga imuniteti.


Sapo Flori Barjamaj humbi imunitetin, vetëm pak ditë më parë, u kryen verifikimet e fundit që fajësonin atë për një sërë abuzimesh. Me shkresat e "kopsitura" në dorë, hetuesit janë paraqitur në gjykatë ku kanë marrë edhe urdhër-arrestin.


Komuna e Rrashbullit është një ndër më të mëdhatë në vend jo vetëm nga sipërfaqja por edhe nga numri i bizneseve në zonën administrative që mbulon. Në këtë komunë gjenden edhe hotelet më të mëdha në vend. Nga ana territoriale, komuna shtrihet nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Përroi i Agait.


Por gjatë viteve të fundit në këtë komunë është bërë një masakër e vërtetë urbane dhe është pothuajse e pamundur që të gjesh tokë të lirë. pallatet shumëkatëshe janë ndërtuar deri në bregdet, madje duke hyrë edhe në brezin e rërës.

10 Komente

 sala kta i fut ne burg, duhet te vrasesh te behesh minister (smerret me diletante birisha)...

Nqs Flori Bajramaj rrezikon bie fjala 10 vjet burg per korrupsion me lejet ndertimi ne RRASHBULL,  çar denimi rrezikon Edi Rama per lejet e ndertimet ne Tirane?

 denim me vdekje

..me vkdekje politike e denoi populli...

Nuk e marr vesh fare.Cfare jane keta antaret e keshillit teknik qe jepkan leje ndertimi.A mund te ma spjegoje njeri.

Une e di qe lejet e ndertimit i jep KRRT!!!!!!!!!!!!!!!!

Ky lajm vjen dy dite mbas lajmit per vendimin e gjykates se larte ne lidhje me Mehdiun. Me te vertet qe te le pa fjale.  Gjerat e para qe instiktivisht me vijne nder mend jane fjale te tilla si: La famiglia, la piovra, Gomorra, il padrino........

K'shu t'arrestojne kto t'qeene breket! Po pastaj kur vje puna me shku n'gjyq, fillon estrada!

Ky cuni ktu nuk ka per te bo me shume se 2 jave burg (combined)!

BTW, cfare ndodh me ato shkeljet qe ka bo ky?

 

Gjyqet Shqiptare!

Nje mikun tim e kane heq nga puna.Ka hedh ne gjyq punemarrsin per shkeljen e Kodit te Punes,ka bere tre senaca gjyqsore ne 10 muaj.Pritet qe te zhvilloje edhe 3-4 senaca te tjera gjyqsore deri ne vendimin e prere!Do ta fitoje apo jo betejen me shkelsin e Kodit te Punes,kjo nuk i dihet!!

Ja keto jane gjyqet dhe drejtesia ne Shqiperi,me te korruptuara se ne cdo vend te kontinentit te Afrikes!!. Si Burundi!

 Ej, mos e shaj Burundin, se dhe Kagami e ka cilesuar si nje nga vendet qe po futet ne prosperitetin/zhvillimin e duhur. Ke te besh me Kagamin pastaj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).